Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Pak shenja nga “opozita 1”!

| E merkure, 11.09.2013, 06:00 PM |


Pak shenja nga “opozita 1”!

Nga Elvi Sidheri

9 shtator sot, ditë e hënë siç normalisht ndodh kur një legjislaturë normale hyn në funksionin e saj kushtetues.

Do mblidhet parlamenti për pak orë, do verifikohen nja 140 mandate, 16 prej tyre do bien direkt të nesërmen për shkak se deputetët “me udhëzim nga lart dhe propozim nga poshtë” do heqin dorë “vullnetarisht” nga qënia edhe deputetë-edhe ministra, për t’u bërë kështu 100% ministra, përveç të parit të vendit, i cili me zgjedhje autonome, deputet-kryeministër edhe do të mbetet ndërkohë!

Z.Dokle, njeri me eksperiencë të gjatë brenda valles së politikës shqiptare, si ish kryeparlamentar, do ketë “nderin” e veçantë të hapjes së punimeve të këtij kuvendi, pasi tashmë plotësisht ish kryeministri Berisha, refuzoi t’a bënte një gjë të tillë, i shtyrë nga arsyet e tij të mirëkuptueshme.

Në pak ditë do të kemi një qeveri të re të cilën e njohim prej muajsh fije e për pe, sepse tashmë na e kishin prezantuar kokë më kokë dhe po ashtu do kemi edhe një kryetar parlamenti, zëvendës-ministra (ku ndoshta do gjejnë vend aleatët e vegjël të PS-së), drejtorë e shefa kabinetesh, pa harruar ushtrinë e këshilltarëve të të pushtetshmëve të rinj, për të cilët po flitet që tani.

Fenomene normale këto, që shoqërojnë çdo ndërrim qeverie në një vend normal, por që në Shqipëri sikur i kishim harruar për shkak se nën shembullin e miqve tanë amerikanë, pushtetin po e lëvizim, rrotacionojmë “vetëm” njëherë në 8 vjet (8 PS + 8 PD)!

Unë i përmbahem në frymë dhe gërmë tezës së 100 ditëshit, për të cilën tanimë edhe kam folur, prandaj njëherë për njëherë më tepër për qeverinë e re, nuk flas.

Atëherë politikisht çfarë mbetet për të diskutuar?

Ah po!

Kemi deklaratën e parë si opozitar “prej vërteti” të kryetarit të ri të Partisë Demokratike, zotit Basha.

Ja një spunto e mirë që shpie në thellime të mundshme.

Përse do thoni ju të nderuar lexues?

Pati disa arsye që më sollën në mend këto gjëra që tani do shkruaj dhe që lindën të tëra gjatë deklaratës me dyer të hapura për mediat shqiptare të etura për lajm, të z.Basha nga salla e selisë së re të PD-së.

Atëherë nga t’ia filloj për të dalë fiks në temë?

Po ja, nga vetë selia nga ku kryetari i ri i PD-së (dhe kryebashkiaku i Tiranës sonë të bukur, të madhe dhe moderne)...nisi fjalën e tij të parë, si i pari i vendit në Partinë Demokratike.

Ka një simbolikë këtu (sipas meje), për ata që nuk e kishin ose kanë vënë ende re.

Për të gjithë ata (të majtë)...që i preu malli për fatet e PD-së dhe së djathtës në Shqipëri dhe që kërkojnë ose kërkonin “at-vrasje” nga shefi i ri i PD-së (domethënë çrrënjosje nga nata në ditë, të trashëgimisë Berishiste dhe një uzurpim-instalim të menjëhershëm të frymës dhe diktatit Bashist)...ja ku janë sido që të jetë shenjat e një lëvizje të qartë nga kryetari i ri!

Fjala e tij e parë edhe si opozitar...edhe si kryetar i vërtetë i PD-së...edhe si njeriu më i rëndësishëm i opozitës së re shqiptare (kryetar i partisë kryesore të djathtë dhe kryebashkiak i kryeqytetit të vendit)...na erdhi jo më nga selia e vjetër e PD-së diku mes pedonales, kështjellës së Tiranës dhe Partizanit të Panjohur, por nga një seli e re, që e fillon jetën e saj si godinë ku gjallon jeta e Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe bashkë me drejtimin e kësaj partie nga zoti Basha.

Veprim të tillë rinovues, as z.Rama nuk ka bërë me PS-në, as kur e mori nga z.Nano pas humbjes së 2005-ës e as më vonë.

Në PS u ndryshuan gjeneratat e funksionarëve, të deputetëve e tashmë edhe të ministrave, por godina e PS-së prej 20 vjetësh ajo e njëjta është!

Që nga koha e opozitës së tyre ndaj PD-së së parë me Berishën president e Meksin kryeministër, qysh kur mbildheshin militantët e tyre në oborrin e brendshëm të asaj selie në protestë pas zgjedhjeve jo edhe aq të rregullta të 96-ës e deri tek “Hap kutitë ose largohu” të pas humbjes së majtë të 2009-ës!

Selia e PS-së ka ndërruar kryetar, ka ndërruar edhe ngjyrë, nga rozë në të purpurt (se “mavia” që në turqisht domethënë “blu”, ishte një stisje e sforcuar elektorale që PD-së që i priu asaj teze, nuk i solli asnjë fitim), por si seli që nga koha e firmës së shokut Ramiz, e njëjta që e njëjta është dhe mbart me vete simbolikat e tërë historisë Socialiste (1991 e këtej) të ish-Partisë së Punës dhe asaj Komuniste të para 70 e ca vjetëve.

Kurse me PD-në e Bashës, punët janë ndryshe që në fillim, pa u bërë as dy muaj nga ardhja e tij në timonin e anijes blu pas 22 korrikut dhe 79% votave demokrate që e fronëzuan në krye të partisë më të madhe të djathtë.

Me ndryshimin e selisë së PD-së, figurativisht dhe jo vetëm, ka mundësi që për këtë parti, të ketë nisur vërtetë një rrugë e re, e ndryshme nga ajo e mëparëshmja, rrugë e palindur me emrin dhe personalitetin imponues të z.Berishës, por e lidhur pazgjidhshmërisht me atë personazh, për njëmijë arsye, deri më datë 23 qershor të këtij viti, kur një lloj i veçantë kataklizme elektorale, e preu ndoshta përfundimisht kordonin ombelikal mes PD-së dhe drejtuesit të saj 22 vjeçar!

Historia e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, fillon pra, si i zgjedhur në këtë post në zyrat e vjetra të kësaj partie, aty ku PD-ja kaloi pas selisë së parë tek Rruga e Kavajës, në një godinë të bukur pranë ish ndërmarrjes Mihal Duri.

Aty ku kjo parti festoi zgjedhjet e 96-ës dhe pësoi sulmin e 97-ës, ku nisi të vajtohej themeluesi dhe njeriu i saj më i rëndësishëm dhe më i dashur i periudhës 90-98...Azem Hajdari dhe ku u ndje 14 shtatori 98, opozita e vështirë gjer më 2001-shin si dhe ringritja deri tek shpërthimi i fitores së 2005-ës.

8 vjet ajo godinë partiake fjeti një gjumë letargjik qeverisje, ndërsa okupantët e kolltuqeve të saj vajtën për të zënë ofiqe të larta ministrore apo poste të tjera shtetërore, falë pushtetit dy-mandatësh të PD-së.

Me godinën e vjetër, mbyllet edhe një fazë 22 vjeçare e kësaj partie, me të mirat (e shumta), gabimet dhe pikat e saj të errëta.

Kryetari i ri vjen me “look” të ri, filozofi të re, të treguar që në fushatën e 8 majit 2011-ë, fizionomi të re, politikë vijimësie (si i djathtë)...aq sa edhe modernizimi, por edhe me një seli tjetër, që urohet të jetë dëshmitare e një PD-je që jeton, ecën dhe përshtatet me vitet ku jetojmë, që kujton të kaluarën e shtypjes dhe terrorit komunist, por edhe shikon përpara dhe sillet e vepron si një forcë moderne e qendrës së djathtë europiane, me kokën dhe vështrimin nga e ardhmja, pa harruar kurrësesi rrënjët dhe historinë e saj 23 vjeçare.

Godina e re, ajo që akoma guxojnë t’i thonë SHQUP (iniciale komike, ku ende përmendet termi “Popullore” për ushtrinë tonë anëtare të NATO-s, sikur të qemë akoma në kohën e “gjithë popullit ushtar”!)...pra shënon dhe shenjon një epokë të re për PD-në dhe të djathtën shqiptare në përgjithësi, kalimin e stafetës nga era Berishiane...tek ajo e një as 40 vjeçari të shkolluar dhe formuar mes rrugicave tironse dhe universiteteve hollandeze, pra Perëndimit, era e zotit Basha.

Çfarë vura re tjetër si simbolikë gjatë fjalës së parë vërtetë opozitare dhe “kryetarërore” të z.Basha?

Vura re për shembull se z.Basha ( i them “zotëri”, përveç respektit, sepse nuk e kam kushuri ose farefis dhe ndryshe nga shumëkush, të paktën kur shkruaj në publik, etiketa formale e edukatës, më duket si e nevojshme)...të parin prononcim të vërtetë prej Kryetari të partisë...me gojë dhe jo “Facebook-im”, e bëri ditën që z.Berisha reshti së qëni më lart hierarkikisht se ai vetë, si personazh.

Pra ditën që z.Berisha, përveçse si kryetar partie...dha edhe dorëheqjen nga posti i kryeministrit (e kërkonin afatet kushtetuese) dhe vajti tek presidenti Nishani t’a formalizonte këtë akt, atëherë dhe vetëm atëherë, z.Basha foli, bëri dhe u soll si Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë!

Që nga sot 9 shtator efektivisht dhe jo siç zyrtarisht, nga 23 korriku i kaluar, Lulzim Basha është me të vërtetë Kryetari i plotëfuqishëm i PD-së.

Z.Berisha megjithë heqjen dorë vullnetarisht, pas të ashtëquajturit “verdikt të popullit” më 23 qershor...nga kreu partiak, sidoqoftë për shkak të kohës “intermexo” që lejon kushtetuta jonë midis ikjes së një qeverie pas zgjedhjeve dhe ardhjes së tjetrës, ishte akoma personazhi numër 1 në mos në vend, së paku brenda PD-së (për shkak të postit kryeministror që i skadoi sot me 9 shtator).

Kjo do të thotë se fjalët apo batutat e tij si “live” në mbledhjet e qeverisë kushtetuese “në detyrë” ose statuset e tij në Facebook, ende lexoheshin, kërshëroheshin dhe konsideroheshin si më të rëndësishme sesa ato të kryetarit efektiv të PD-së që nga 23 korriku dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, zotit Basha.

Sot ky “dualizëm” brenda PD-së mbaroi dhe të kenë apo jo dyshim të shumtët nga e majta, tashmë PD-ja e ka plotësisht kryetarin e ri, me fakte, rregulla dhe duke u mbështetur në pushtetin real që ai ushtron në këtë parti, por edhe për shkak të postit të tij bashkiak dhe mungesës së “zyrtarizmit” tani e tutje rreth figurës së z.Berisha.

Tanimë ish kryeministri dhe ish kryetari jetëgjatë i partisë (ish president po ashtu)...do të jetë një deputet jo edhe aq i thjeshtë i PD-së në parlament.

Pesha e tij në një parti pjesërisht mjaft “berishiste” siç është PD-ja, do të mbetet e fortë padyshim, por kohës do t’ia lemë të shohim sesa dhe si, z.Basha do të vijojë siç ka filluar (që sot) të formësojë sipas vizionit dhe ideve të tij, fizionominë e PD-së së pas 23 qershorit, 22 korrikut dhe 9 shtatorit të këtij viti!

Dhe e treta për nga aspektet tej fjalës së z.Basha sot në prezantimin e tij të vërtetë si opozitar dhe kryetar i partisë më të madhe të djathtë, ishte kjo, pra që simbolika e selisë së re, tregon dhe ngërthen në vetvete edhe atë që PD-ja, megjithë dritë-hijet e saj të shumta është!

Një parti e rënë sërish pas 16 vjetësh (pa dhunë kësaj rradhe)...në 30% elektorat, por një forcë politike që pret së paku, që të paraqesë një alternativë opozitare dhe nesër qeverisëse me nivel dhe përgatitje e synime të qarta dhe të shumëanëshme.

Një parti që domosdoshmërisht është mjaft më e madhe se 46 deputetët që do të mbrojnë kauzën e saj dhe të votuesve të djathtë në parlamentin shqiptar tashmë të ngjyruar si shumë në të purpurt dhe të kuqe (ngjyrat e PS-së dhe LSI-së), një parti që kur nuk zihet kokëfortësisht me miqtë tanë amerikanë dhe ndërkombëtarë, kur nuk i zë sytë fryrja dhe majmja nga pushteti, qëndron përherë rrotull 40 përqindshit të votave të qytetarëve të këtij vendi, një parti që historinë e rradhës si opozitare e nis nga një seli e denjë, pasi pikërisht në këtë godinë, ka nxjerrë në analet e historisë së errët, memorien e fundit të sistemit monist, SHQUP-in dallkauk!