E enjte, 25.04.2024, 06:02 PM (GMT+1)

Mendime

Nebi Dragoti: Frikacakë në pluralizëm

E merkure, 11.09.2013, 08:05 PM


FRIKACAKË NË PLURALIZËM

Fejton.

NGA NEBI DRAGOTI

Pluralizëm e çfarë pluralizmi! Pluripartizëm e çfarë pluripartizmi! Pluraide ose ide me të gjitha ngjyrat e ylberit. Dhe, vërtetë, si në gojëdhënë totalitarizmi ideor, diktatorial i hipi ylberit dhe na u kthye vajzë me lloj-lloj veshjesh, me arna e pa arna, me leshra e pa leshra. Lumthi ne! Vajza u quajt pluralizmi politik, por   në natyrën gramatikore si emër thirret në gjinin mashkullore. Paradoksale kjo,  se edhe në të vërtetë, gjinia mashkullore me atë femërore fare pak dallim kanë sot në natyrën e re gjuhësore për shtypin gazetaresk ose politikën, sidomos, nuk kuptohet, se kemi të bëjmë  me ngjyrat e totalitarizmit apo pluralizmit. Nejse…

Dëgjoni:fejtoni u bie daulleve,

u bie daulleve për punët e vendit,

u bie daulleve për zgjimin e shurdhëve…

Frikacakët e pluralizmit të shtypit (të lirë e të pavarur)dridhen, si purteka në ujë, i zë tërmeti dhe inkuadrohen hera-herës në repartin e komandës totalitariste. Prapë këta me shprehjen:”Nuk jemi këmbët e dhisë! Bëjmë siç na komandojnë. Kakërdhitë i bëjmë me komandë nga i pari i gazetës;dhe ipari i gazetës nga i pari i partisë së cilës i shërbehet”. Ndërsa “i pavarur”, ”i lirë”janë fjalë llustraxhiu…Ja,  dhe berri nuk u varka nga këmbët e veta, por këmbët e berrit i varka, vajmedet, ideatori totalitarist politik. E, kuku, kjo në pluralizëm! Ne thamë:”Shyqyr që na erdhën këto ditë! ” E për ta arritur këtë ditë, e dini sa armë u zbrazën…kundra totalitarizmit, që të jemi të lirë në mendime. Pra mos të kemi frikë. Mirëpo frikacakë servilë të “pluralizmit të shtypit” mbeten frikacakë besnikë, edhe po të jenë të pavarur siç e shpallin veten disa”Gazetë e pavarur”ku punojnë e djersijnë e kontribuojnë…për partinë e cila ua ka futur “kokrrat” në bigë…Kështu, këtu, mbajnë qëndrim pedanti, nuk të tolerojnë që të të botojnë një shkrim kundër shijes, kundër ideollogjisë së komandës nga e cila komandohen një politikë e mbrapshtë. Hajde, hajde ç’pluralizëm që kemi në këtë shtet demokratik! Shkrimi që nuk të botohet mund të jetë në parametrat problematikë social tepër të vlefshme për të cilat shoqëria ka nevojë për ndryshim(fjala vjen) të stilit të punës…që edhe puna të bëhet pa përdorur lugën e korrupsionit. Dhe… harrojnë këta frikacakët e pluralizmit të shtypit, se me këtë “lugë me gjithë bishtin e saj” u duhet zënë fyti. Kujdes , pra…frikacakë…jemi në pluralizëm dhe të mbani qëndrim prej demokrati. Kujdes edhe ju “si pordha nëpër brek”  në vend të punoni bukur e pastër për këtë vend, prishni atmosferën e demokracisë, prishni lëndinën e luleve pluraliste që janë funksionale për të mirën e vendit. Kaq gjë, llogjikisht,  duhet ta kuptoni se në ç’mulli vete uji. Vete tek mulliri i popullit. Pikë.

Dëgjoni:fejtoni u bie daulleve,

u bie daulleve për punët e vendit,

u bie daulleve për zgjimin e shurdhëve…

Shtator, 2013.

KAFE ME SKËNDERBEUN

Skicë satiro-humoristike

-Nga u njihka ky me Skënderbeun, -pyet kamarieri veten duke ngritur supet plot habi, kur na sheh ulur në tavolinë. Unë e kisha ftuar strategun Skënderbe që të pinim një kafe bashkë. -U lodh, -thashë, -duke ndenjur vigjilent. Lëmsh është bërë puna e këtyre pronave. Ka pronarë të vërtetë me tapi. Ka pronarë të rremë me tapi fallso. Ka që mbi një pronë të dalin tre pronarë e budallallëqe të kësaj natyre. Mendoja, kjo ishte platforma edhe e bisedës. -Hej, komandant, u lodhe mbi kalë me shpatën ngritur drejt, përpara. Zbrit të bëjmë dy pare muhabet shqiptarçe si burrat në kuvendet e qëmoçme . -Të faleminderit, o stërnip, o gjak shqiptari, me gjithë qejf, -qe përgjigjur dhe i zbriti gjokut menjëherë. Edhe kali u lehtësua nga pasha dhe bëri të lëviste në kullotë, nëpër barin jeshil, në ponën e prijësit të vet. Prona është e rregullt, me tapi lëshuar nga shteti. Kjo pronë, ma thotë mendja, nuk ka tjetërsim dhe sikur të na dali pronar tjetër. Pasi ishim ulur e u qetsuam pak, porositëm nga një kafe pa bisht, kafe ekspres, se kafe turke nuk donte t’ia dëgjonte emrin i madhi Skënderbe. Për atë që kisha në mendje…për pronat e nisëm muhabetin. -Ty të lumtë, komandant,  e ke marrë pronën tënde dhe, ku, mu në mes të Tiranës. Kështu e ka këtu:disa i marrin pronat, disa jo dhe nuk dihet se kur…-Pse akoma nuk ka shkuar prona tek i zoti?u çudit Skënderbeu. -Akoma, akoma jo, o prijsi ynë i lavdishëm. -Po unë kam kaq shekuj që i dhashë dërmën turkut të Anadollit. Akoma turqit qënkan në këto anë?-Mbase, kështu është, -i fola me ironi, por duke u treguar i kujdesshëm që të mos e nxeh. . Bela vërtetë, ky heroi kishte luftuar një jetë të tërë dhe këmbë turku nuk dukej më, por fjala është për pronat e shqiptarëve (që u kishte marrë sistemi komunist), që ende nuk ishin kthyer tek i zoti nga qeveritë që ikin e vinë. Pasi u qartësua për thelbin e problemit, ia këputi një të qeshure të madhe sa u tund gjithë lokali. Edhe kali e dëgjoi dhe hingëlliu me të madhe, sa zëri i tij ia kaloi edhe fërshëllimës së lokomotivës. Nuk e dimë a u ndie tek ministritë dhe Parlamenti?U bë të ngrihet dhe donte të gjëndej, vrik, drejt Kryeministrisë, drejt Parlamentit për të bërë dy pare muhabet në mënyrë protestuese. -Nuk do të merresh vesh me ta aspak, -ndërhyra. Në çdo legjislacion i është rënë kavallit në fushata zgjedhjesh, janë bërë premtime të rrufeshme, se toka do të shkonte tek i zoti. Edhe Bota e kërkon këtë, por kush ia var Botës?! Këta , qeveritarët,  që venë e vinë, për vete e kanë kripur djathin, se kanë marrë prona sipas hesapit të vet secili. Për këtë as nuk ua bën tërrt syri, -e sqarova unë duke u munduar ta qetësoj. -Nuk lind një Skënderbe i dytë, -thashë, -jo! prandaj të ftova për një kafe, o i madhi strateg…prandaj…prandaj. Pa le, pa le, kur disa djathtistë mediokërr në politikë, ia vunë bat-bat, për ta quajtur Skënderbeun e dytë lidershipin e partisë së tyre se, gjoja, për gjithë ato bëma që s’i bën askush, i bëri ky në atdhe…. Sigurisht…duke qënë i dyti pas Don Kishotit të Mançes. Për këtë, po, ka vlerë, ka meritë. -Vepra të premtuara, punë të pabitisura, -gjëmoi zëri i Skënderbeut dhe u largua për të shkuar në pozicionin e vet. Dhe tani, në çdo kohë, më bëhet sikur, atje mbi kalë, me shpatën ngritur drejt, përpara dëgjohet zëri i tij i fuqishëm:-Jepni pronat! Lerini premtimet, mashtrimet boshe! Prona tek i zoti! Drejtësi, drejtësi! Vetëm drejtësi!

Kështu u prêt Europa! -Shyqyr, -thashë, -shyqyr…mbase…komandanti nga statuja dha urdhër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora