E enjte, 02.04.2020, 11:40 PM (GMT+1)

Aktualitet

Flet jetimi Albert Reka: Denoncoj shpërdorimet

E hene, 09.09.2013, 07:19 PM


Flet jetimi Albert Reka, rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër: Rama të zbatojë statusin e jetimit!

Denoncoj shpërdorimet e Kryetarit të “Shoqatës së Jetimëve” Kadri Alia

Nga Albert ZHOLI

Ai është 30 vjeç dhe pa prespektivë. Është rritur në Shtëpinë e Fëmijëve në Shkodër, pak ditë nga lindja dhe deri në 14 vjeç. Sot jeton në “Gaza Familja” dhe është i papunë. Ka qenë anëtar i Shoqatës së Jetimëve me Kryetar z. Kadri Alia, madje në Kryesi, por ka dhënë dorëheqje nga shoqata pasi ka parë shpërdorime fondesh. Ai i bën thirrje Kryeministrit Rama që të zbatojë statusin e Jetimit si dhe i kërkon Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës të interesohet për punësimin e tij. Nënën e njohu në një emision televiziv, por ajo u tregua shumë e ftohtë, ndërsa babanë s’ka mundur ta takojë ende.

Mund të na thoni diçka nga jeta juaj?

Unë jam braktisur nga prindërit qysh se kur u linda. Pra që në ditët e para të lindjes në maternitetin e qytetit të Shkodrës, unë kam ngelur jetim.  U rrita në Shtëpinë e Fëmijës së këtij qyteti deri në moshën 14 vjeç, pastaj u lashë i lirë dhe jetoja ku të mundja. Aktualisht jam strehuar në “Casa Familia” që e kanë ngritur institucionet shtetërore italiane.

Çfarë të ofron “Casa Familia”?

Më ofron ushqim dhe fjetje gratis. Pra kam një strehë ku fut kokën dhe n.q.s nuk punoj sërishmi kam se ku të ushqehem. Ky institucion bamirës është bërë për ne një strehëz familjare, që na është gjendur në situatat më të vështira të jetës.

Ju kam parë në një emision tek “Fiks fare”, ku keni denoncuar një kryetar shoqate për shpërdorim fonde. Çfarë shoqate është kjo?

Në Shqipëri ka disa shoqata jetimësh, ku pjesa dërmuese abuzojnë. Shoqata, ku unë kam aderuar quhet “Shoqata e Fëmijëve Jetim” me kryetar z. Kadri Aliaj. Kjo shoqatë, ku unë kam aderuar për rreth 12 vjet kishte si qëllim, ndihmën për punësim, shkollim dhe strehim të fëmijëve jetim. Por në fakt kurrë nuk ka bërë një gjë të tillë, madje abuzon me fondet dhe në raste të veçanta tallet me jetimët.

Keni fakte që thoni se, ky person abuzon dhe tallet me jetimët?

Një ndër to është pikërisht ky 20 maj që kaloi. Dihet tashmë që 20 Maji është Dita Kombëtare e Fëmijëve Jetimë. Në këtë 20 Maj ai nuk organizoi një festë si duhet, por  mbasdite, kur shoqatat e tjera kishin mbaruar aktivitetin na organizoi një koncert qesharak në Pedonale duke na e servirur ekspozitën fotografike të Institutit të Fëmijëve Jetimë si vepër të tij. Pra filloi të shesë mend me këtë ekspozitë duke thënë se, është ekspozitë e shoqatës së tij. Kur dikush tregoi të vërtetën pasi aty ishin dhe siglat e Institutit të Integrimit të Fëmijëve Jetim që drejton z. Çumani, ai u befasua, shtangu. Në fund të ashtuquajturës festë ai na ndau nga një sanduiç dhe një shishe ujë, kur në fakt nga shteti merr 30 milionë lekë të vjetra në vit për ndihmën që duhet të na japë ne. Përse duhet ta organizonte këtë festë pikërisht tek ai vend, ku kishte organizuar dikush tjetër dhe kishte investuar për atë ekspozitë? Përse na solli nga Shkodra për një shishe ujë?

Çfarë pozicioni keni pasur në këtë shoqatë?

Kam qenë në kryesinë e kësaj shoqate dhe nënkryetar i saj për degën e Shkodrës për 12 vjet. Pra nuk kam qenë pak kohë, por ndër të parët dhe me një aktivitet të pasur.

Pas këtij momenti çfarë veprimi bëre?

Dhashë dorëheqjen. Nuk mund të rrija më me të, kur jam i ndërgjegjshëm se sa fonde merr ai dhe nuk na ka dhënë asgjë, madje ne paguajmë dhe kuota që s’e di ku shkojnë.

Sa fëmijë jetimë ka pasur Shkodra?

Nga Shtëpia e Fëmijëve në Shkodër vitet e fundit kanë qenë apo dalë rreth 100 fëmijë. Për të mund të them fjalët më të mira, pasi gjithë drejtuesit na kanë trajtuar më së miri pavarësisht se jo çdo gjë e ka drejtuesi në dorë.

Po pse e pe të arsyeshme që pas 12 vjetësh të denoncosh Kadri Alinë?

Pasi dhe para dy vjetësh, në Pallatin e Kongreseve me rastin e 20 Majit, ai bëri një festë të madhe për jetimët, kur na fakt gjithë Pallati ishte mbushur me nxënës të shkollave 9-vjeçare të Tiranës. Nxënësit kishin ardhur me orientim të Kryetares së Kuvendit Xhozefina Topalli, pasi kjo festë nën kujdesin e saj u organizua. Nga dy mijë fëmijë, vetëm 20 ishin jetimë. Kadria mori shumë fonde në atë kohë nga ambasadat e vendeve arabe. I mori për këtë festë, pasi ata kur panë gjithë ata fëmijë, u habitën, por s’e dinin të vërtetën. Në mos gaboj 40 mijë euro. Në fund ne na dha nga një pako të vogël dhe nga 1 mijë lekë të reja. E kapi emisioni “Fiks Fare” këtë fakt dhe e bëri problem, pasi “Fiksi” pyeti qindra nxënës që thoshin s’jemi jetimë. Atëherë ç’donin gjithë ata fëmijë jo jetimë në Pallat të Kongreseve? Një ndër ata që folën në “Fiks Fare” isha dhe unë. Ishte një gjë e paparë, një fyerje e madhe.

Ku punoni aktualisht?

Jam pa punë. Që në moshën 14 vjeç punoj ku të mundem, lëviz ku të mundem, bëj çmos që të gjej veten. Shumë herë punoj si kamerier sezonal, pra punë në të zezë duke u paguar fare pak. Me ato lekë që marr vishem dhe përballoj kërkesat e moshës. Unë jam 30 vjeç tashmë dhe mendohem të kërkoj familje. Dua të kem fëmijë dhe të bëj jetë të rregullt. Po a mund të krijoj unë familje sot? Me se ta mbaj familjen? Si do të jetë e ardhmja ime? Asnjë perspektivë nuk shoh në horizont. Nuk jam vetëm unë kështu, por të gjithë jetimët e tjerë bashkëmoshatarë me mua.

Po shteti a ka menduar për ju?

Aspak. Sa ikim  nga shtëpitë e fëmijës askush nuk interesohet, as pushteti lokal as ai qendror. Madje, shteti i jep shoqatës së Kadri Alisë 30 milionë lekë të vjetra për problemet tona, por ai në fakt paguan ata që mban si staf, ne s’kemi parë asgjë  nga ai. Këto lekë janë të popullit nga taksapaguesit për ne, për jetimët jo për stafin e Kadriut. Për ne më mirë t’i mbajë shteti për shtëpitë e fëmijëve se sa t’i hajë Kadri Alia. Të shpërndahet ky fond tek të gjithë shtëpitë e fëmijëve që të rritet kuota ditore e ushqimit.  Ka një ligj parlamentar që për Shoqatën e Fëmijëve Jetimë ka këtë fond vjetor, që ne s’e dimë ku shkon. Për mua ky fond nuk duhet të jetë për këtë shoqatë.

A ke bërë përpjekje për të takuar prindërit?

Po. Kam bërë shumë përpjekje. Kam shkuar në emisionin “Me zemër të hapur” dhe kam mundur të gjej nënën time. Ajo doli si duket nga sikleti, foli me vështirësi, më tha disa fjalë në përgjithësi, më dha një numër kontakti, por kaq. Nuk tregoi atë dashuri që prisja, madje shumë ftohtë. E lashë këtë bisedë. Nëna jeton këtu në Tiranë. Babanë s’e di ku është, por si duket atij si interesoj ndaj nuk do bëj më përpjekje.

Cilat janë kërkesat tuaja jetësore në këtë situatë?

Unë kërkoj që qeveria e re me Kryeministër Ramën t’i kthej sytë më shumë nga jetimët. Ata prindër kanë shtetin, kanë Kryeministrin dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ne kërkojmë zbatojmë  zbatimin e statusit të jetimit. N.q.s zbatohet ky status ne do të jemi plotësisht integrues në shoqërinë shqiptare. Ky status është miratuar në Parlament.

Dhe çfarë pikash përmban ky status?

Shkollim, strehim, punësim, shërbim shëndetësor falas. Këto kërkojmë. Njëkohësisht, sot i bëj dhe një thirrje Kryetarit të Bashkisë Shkodër, që të përpiqet për punësimin tonë. Unë kërkoj çdo lloj pune. Dua të jetoj me nder, me punë, me dinjitet. Boll ngela duke shtrirë dorën për lëmoshë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT