E premte, 29.03.2024, 05:27 AM (GMT)

Kulturë

Drita Lushi: Shenjtëria e Isos

E hene, 09.09.2013, 06:51 PM


“ISO”-ja, kjo mbretëreshë pa kurorë.

“SHENJTËRIA E ISOS”

-Një libër me vlera kombëtare, i Timo Mërkurit-

NGA DRITA LUSHI

E kush s’ka dëgjuar të këndohet “me iso…”- siç i themi ne.

Ndonjëherë madje,edhe është munduar ta mbajë ashtu siç di atë, ndonëse

mund të stonojë, por të shkruash për ison, këtë këngë në dukje aq të thjeshtë s’të mjaftojnë veç fjalët e këngës, por mbi të gjitha, mendimi, pjekuria e studimi,e këtë nuk mund ta bënte më mirë se një bir i Labërisë, Timo Mërkuri.

“Kënga, gjithmonë ka qenë mbretëresha e shtëpisë dhe e jetës shqiptare”- thotë autori.

“Jo një mbretëreshë që ulej në fron, por ulej në sofrën e varfër të fshatarit, që kurrë s’rrinte pa këngë”- vazhdon ai.

Dhe vërtet, po të kemi parasysh historinë tonë të vërtete, dhe jo atë imagjinare, shqiptari dhe në lufte shkonte me këngë, e këngën se ka ndalur as para litarit.

Përshkrimi shpjegues i autorit, duke bërë paralelizëm mes isos, dhe mbretëreshës, jo vetëm që të bën ta lexosh me interes, por të “mban lidhur”- në lexim, se ç’do të mësojmë më tej.

Ja si e përshkruan autori, momentin kur fillohet kënga:

“Askush, s’guxon të bëzajë.Secili vendoset në vendin e tij, pritësi, kthyesi, mbajtësit e isos, ashtu si vendosen baronët, kontët, viskontët e kalorësit, para mbretit….të gjitha këto në të dhjetën e sekondës.Mjerë kush vonon, apo gabon.Ca të tallura janë më e pakta, në mos përfundoftë në plevicë”

Ai e përshkruan imtësisht,me një gjuhë kaq të thjeshtë, të kuptueshme e popullore, sa të duket se je ukur në kafé e bisedon me të.

Shoqërimi i shpjegimit  edhe me nje tis humori té natyrshëm e bën më të lakmueshëm në sytë dhe vëmendjen tonë, gjithë ç’ka thuhet për iso polifoninë, sa ne, që s’jemi nga bregdeti, gati na vjen “zili” që s’e njohim mirë, e s’dimë ta këndojmë, këtë rit “mbretëror”, e se njohim nga afër këtë “mbretëreshë”.

“Iso”-ja këndohet në grup apo vetëm, por gjithmonë respektohet si një mbretëreshë”- thotë autori.

Ai që këndon, nuk e ndërpret këngën të të kthejë përgjigje edhe nëse e pyet apo flet

Por  mos mendoni që autori është kaq ”egoist” sa “t’ia marrë mendjen” veç mbretëresha, ai është “zemërgjerë” e përfshin në këtë libër dhe “princëra” me sy blu e shpirt deti: E pikërisht legjendarin e këngës “iso”; Neço Mukon, ose Neço Himarjaotin.

Neço-ja, në Francë, në kurbet, sillej si princ, sepse shkruante si tá,por shkruante këngë, e në vend të luleve të vërteta qe mbillnin princërit, ai mbillte vargje.

“Ai sjell ne Himarë një lloj të re kënge”,-siç thotë autori, “duke i dhënë një “rol” zërit të tretë, hedhësit e duke e bërë më të zhdërvjellët këngën himarjote.Novatorizmi ishte,edhe në shoqërimin e këngës me instrumente siç do ta çonte në ditet e sotme këngën pilurjote Lefter Çipa”

Autori na përshkruan historikun e këngës, lindjen dhe zhvillimin e saj, pjesët përbërës të zërave në “iso”, duke na sjellë shembuj konkretë të këngëve e mënyrën si këndohen.

Është vërtet interesant leximi i librit, e jo vetëm gjuha,por edhe intensiteti i rrëfimit dhe shpjegimit, përfshirë  dhe elementin historik,të bëjnë të kalosh me dëshirë në faqen dhe kapitullin pasardhës.

Origjina e këngës polifonike është ceremoniali i vajtimit, e dokumentin e parë për vajtimin në gjuhen shqipe e sjell Marin Barleti për vajtimet e Lek Dukagjinit mbi vdekjen e Skënderbeut.

Autori futet dhe në detajet e vajtimit , mënyra si bëhet, si respektohet, nga kush bëhet, e normalisht as të shkon mendja, dhe çuditesh nga trajtimi dinjitoz, i kësaj gjendje në dukje kaq e thjeshtë, që na ka ndodhur të gjithë në jetë  ta kalojmë të paktën një herë :

”Vajtimi bëhet me ligje sipas traditës Himarjote dhe në përgjithësi të zonës të Labërisë, duke renditur cilësi të veçanta të të vdekurit”

“Dita e parë, kur atmosfera emocionale është e ndezur, nuk dallohet rregullshmëria, radha dhe zërat e vajtorëve,nga ndërprejet e shpeshta që i bëjnë ligjërueset njëra-tjetrës.. Por në të tretat, në të nëntat e në ditët në vazhdim, rregullshmëria e vajtimit bie menjëherë në sy”

Isoja është në këngë kolektive, vërtet e nis një moment marrësi, edhe pritësi, ndonëse ngrihet nje çast mbi të tjerët, shumë shpejt bashkohet me grupin e tërë, duke humbur anonimitetin, e duke dalë në pah kolektiviteti i këngës.

E pikërisht, ndaj nuk njihen këngëtarë me emër, por kur përmenden, përmenden si grupe:”Grupi i Pilurit” “I Bënces”I Himarës” etj.

Kolektiviteti i isos, shfaqet dhe tek natyra e vetë këngës, në tekstin e saj ku shumica bëjnë fjalë për bashkim e solidarizim.

“Ndodh që të ndodhesh diku vetëm dhe të ndjesh nevojën e këngës, at’herë personi bën vetë rolin e marrësit, të pritësit e deri tek imitimi i mbajtëseve të isos”- thotë autori.

Pra, në njëfarë mënyre, kjo është mënyra më e bukur për të mposhtur vetminë që është armiku më i madh i njeriut.

Ky libër, është një konglomerat dijesh, e të rejash që mund ti zbulosh rresht pas rreshti.Si mund të flasësh e të studjosh “ison”, të futesh ne botën e saj, e të mos flasësh për kërcimin që shoqëron këngën.

Vallja ashtu si dhe kënga,ështe pjesë e traditës jo vetëm labe, por dhe asaj shiptare në përgjithësi.

“Te heqësh vallen e rënde”-ështe një valle që, hiqet ngadalë pa të hedhura e spërdredhura, e pjesëtarët e grupit e hedhin hapin të avashtë, dy hapa para e njëhap prapa, duke kënduar avash e duke mbajtur kokën pak ulur. Kjo valle kërkon një tekst kengë te rëndë epik.E në këto valle, burrat mbahen sup më sup, ndryshe nga gratë që mbahen krah për krahu”

Ja, kështu na e përshkruan Timo, “vallen e rëndë” duke na paraqitur çdo element të saj, që nga kënga që e shoqëron, përplasja e këmbës në tokë fort, thirrja “Houuuuu” uljen në gjunjë dhe duke vazhduar thirrjen, uljen në tokë.

Vallja e rëndë shoqërohet nga këngë të rënda që peshojnë çdo varg e fjalë.

“Unë vallenë nuk e lë”, është një tjetër “histori”e treguar me vërtetësi, humor e realizëm, kur nusja që kërcente së bashku me shoqet, nuk ndal vallen e këngën as kur i shoqi bari, kishte tre muaj që s’e kish parë.

“O burrë të keqenë,

duro pak dhe per “atë”

se une vallene s’e lë”

Kënga,ruhet e paprekur si rit, jo vetëm kur këndohet nga burrat, por dhe në rastin,kur vallja hiqet e këndohet lehtë nga gratë.

Vallja është e shenjtë si një ritual fetar, e askush s’guxon të pipëtije, e kështu dhe ajo, ka rregullat e saj.

“Kercenin vajzat, djemte burrat dhe pleqte.Grate zakonisht të veshura më të zeza, respektonin zinë të cilën mund ta mbanin gjithë jetën, e s’kish rëndesi se për kë mbahej, në ish i ri apo plak.Vetem në raste të caktuara, kur martohej djali i madh, i vogli apo i vetmi, ato hiqnin nga koka shaminë e zezë e hidhnin ne kokë një të bardhë,aman rrobat e zeza nuk i hiqnin kurrë”

Evoluimi i isos e këngës labe ndër vite është një ndalesë tjetër e autorit, e cila  të bën të “mbash frymën”, të imagjinosh,e herë- herë të shohësh me sytë  e mëndjes, dhe “të vësh në punë” dhe zërin për të kënduar pak “iso”, sepse në çdo rast bëhet shpjegimi me vargje i këtyre këngëve .

Të zgjohet dëshira befas të dëgjosh nga fillimi në fund një këngë labe me “iso”

Më 25 Nëntor 2005, Iso-Polifonia kaloi nën mbrojtjen e UNESCO-s, si një nga pasuritë e rralla të trashëgimisë kulturore botërore.

Iso-ja  mbetet një kryevepër e kulturës shpirtërore, shqiptarët që e kultivojmë atë e dinë dhe e ndiejnë më së miri,por e rëndësishme është që të tillë, tani e vlerëson edhe bota e qytetëruar nëpërmjet organizmave të saj ndërkombëtare, që e klasifikon ndër kryeveprat e njerëzimit dhe e merr nën mbrojtje nga dëmtimi, që në këtë rast është harresa.

Autori i mëshon dhe faktit, që “iso”-ja po këndohet gjithnjë e më pak nga brezat e rinj, por ajo ështe vërtet një thesar, e thesari ka vlerë në çdo kohë, periudhë  dhe etapë. Ai nuk ndryshket me kalimin jo të viteve, por edhe të shekujve.

Gjithashtu shqetësimi i tij i natyrshëm se mjaft vargje ndryshohen gjatë këndimit të këngëve të ndryshme duke humbur kuptimin e këngës,dhe lidhjen me të kaluarën e tyre, nuk mund të quhen novatorizëm, por shtrembërim të vargjeve, e jo të një poeti  çfarëdo por më të madhit :popullit.

E “meraku” i autorit, nuk shuhet kollaj.

Ai na shpjegon përsëri në shumë faqe ndryshimin mes polifonisë dhe isopolifonisë, e pas shumë arsyetimesh me bazë, na thotë se  kënga labe quhet “iso polifoni”, dhe jo thjesht  polifoni, se mé shumë zëra, mund të këndohen dhe mjaft këngë  të tjera, si marshe, hymne etj etj.

Ne iso, marrin pjesë të gjitha zanoret, që përdoren në gjuhën shqipe, duke i dhënë larmi, bukuri, bashkëngjitur tekstit që gjithmonë mbart  një mesazh te veçantë.

“Te kënduar “labçe”, do të thotë të këndosh me shpirt, më shumë se me zë.Sepse iso-ja del nga shpirti, e jo nga gryka”- shprehet autori duke i dhënë gjithë dashurinë, respektin dhe adhurimin e merituar, kësaj kënge e lloj të kënduari.

Libri i Mërkurit, vjen në vazhdën e mjaft librave të tjerë, qoftë poetikë, apo studimorë dhe është një paraqitje dinjitoze e autorit, dhe njëkohësisht me shumë vlerë , jo vetëm për shqiptarët e bregut, që këndojnë dhe njohin iso-polifoninë, por për çdo shqiptar që është i interesuar te dijë vlerat e kulturës kombëtare,lindjen dhe zhvillimin e saj.

Gjithashtu, duke qenë poet dhe eseist, studimet e tij nuk janë të ftohta e me një gjuhë të thatë e zyrtare,apo fjalë të “fryra” prej akademiku, por ato janë një diapazon i ngrohtë, ku hulumtimi i tij mbi isopolifoninë, të përfshin jo vetëm si shqiptaré, por mbi të  gjitha si lexuese.

“SHENJTËRIA E ISOS”, i sapodalë në qarkullim, është një libër me vlera kombëtare, sepse aty, gjejmë mjaft shkrime, hulumtime, studime e mendime të vlefshme të autorit, të cilat s’janë as më shumë e as më pak,por  jeta dhe kultura jonë në breza, të cilën duhet ta dimë  dhe të krenohemi  në mënyrë  të ligjëshme, të gjithë ne shqiptarët.

Unë jam veç nje zë, që s’mundem ta them, e të flas aq bukur për “ison”-të  cilën, autori ka vite që e e studjon,dashuron e servir vlerat dhe zërat e kësaj kënge që është një pasuri kombëtare endé e pahumbur dhe pa vjedhur.

Bashkë me leximin tuaj të këtij libri mbi historinë dhe lindjen  e isos, ne do të ndihemi krenarë për “madhërinë” e saj,e do dimë që të bashkojmë mendimet dhe zërat që Ajo, të mos humbë kurrë.

@ Drita Lushi.

Shtator 2013



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora