E enjte, 25.04.2024, 01:12 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Mbi telenovelat

E diele, 08.09.2013, 12:00 PM


Mbi telenovelat

Nga Entela Binjaku

Media është një sipërmarrje e atillë kulturore, e aftë të zhvillojë një aktivitet që po pushton të gjitha shtresat tona shoqërore, duke arritur tek një publik i gjerë dhe shumë heterogjen. Çdo ditë e më shumë programet mediatike po bëhen gjithmonë e më ndikuese, qoftë si mjete të kontrollit shoqëror, qoftë si motor i ripërtëritjes të shoqërisë sonë. Ndër to, disa nga produktet me ndikim janë telenovelat. Mjaft të shohësh sa të kërkuara janë, sa orë ju kushtohet gjatë ditës, sa publicitet ju bëhet etj.

Për to mësuam në fillimin e viteve ´90, si dhe për shumë risi të tjera që njohu shoqëria jonë e mbyllur. Kujtoj se edhe ndonjë telenovelë që mund të kisha në kujtesë nga fëmijëria, edhe atë e kisha si film artistik, dhe vite më vonë kam mësuar se ishte prodhim i një niveli tjejtër.

“Skllavja Izaura” në kujtesën time ishte një film i bukur, një romancë e ëmbël dashurie, nga ato që ke shumë dëshirë t’i kujtosh,  më të cilën janë identifikuar shumë prej nesh. I shfaqur në fundin e viteve ´80, ky prodhim u bë i dashur për shumë shqiptarë të cilët nuk hezituan edhe fëmijët t´i quanin sipas personazhit kryesor.

Për telenovelat, në kuptimin e vërtetë të tyre,  mësuam rreth viteve ´90.

Ndërkohë, fillim shekulli na gjeti me prodhime të këtilla të ardhura kryesisht nga vendet amerikano-latine dhe  në këto vitet e fundit edhe  me prodhime turke.

Qëndrimet e njerëzve ndaj tyre janë nga më të ndryshmet, disa i aprovojnë, disa i refuzojnë, por secili ka të drejtë në këndvështrimin e vet.

Në pak rreshta do të thoja se këto prodhime televizive kanë një shumicë dërrmuese shikuesish femra, ndërtohen mbi drama shpirtërore që kanë në themel konfliktet prindër-fëmijë, ose ato mes partnerëve. Raportet janë thuajse afër ideales, gratë gëzojnë një status ekonomik dhe financiar të atillë që ato mund të  kenë çfarë dëshirojnë,  janë të bukura dhe me autoritet, dhuna mungon thuajse tërësisht,  krijojnë  një oaz shumë të mirë për „arratisje“....Fundja,  pse të mos i pëlqejmë?

Pra, këto janë krijime artistike të skenaristëve dhe regjizorëve të cilët duke njohur psikologjinë e masave të gjera, krijojnë „vepra arti“, fiction, të cilat nëse nuk perceptohen dhe nuk kuptohen si të tilla, mund të rezonojnë ndikime dhe manipulime të atilla që mund të shkojnë deri në devijacione. Dy vite më parë një ngjarje e bujshme tronditi opinionin tonë kur u fol për rrëmbim, abort me dhunë etj.,  dhe më vonë mësuam se protagonistja kishte  patur për shtysë edhe një realitet të nxitur dhe frymëzuar nga telenovelat.

Parë në këtë dritë, duhet të pranojmë se me skenarët e tyre, telenovelat  mund të kriojnë jetë paralele, shikuesit mund të humbin lidhjen me realitetin, dhe duke  krijuar përshtypjen sikur janë bërë “për njerëz të mëdhenj”, telenovelat mund të  nxisin fantazitë e shikuesve për të kryer edhe marrëzira të tilla.

Niveli intelektual mininalist i skenarëve të tyre, shpesh i kufizuar dhe sipërfaqësor fton gjithmonë e më shumë shikues të këtij niveli formimi, rreziku i tundimit dhe manipulimit të të cilëve është i lartë.  Loja aktoriale në shumicën e tyre është aq e dobët sa, krijon bindjen që me fare pak ose dhe aspak talent e vetëm bukuri, mund të bëhesh i famshëm.

Aspekti estetik i lidhur me dekorimet e mjediseve, veshjet, aksesorët, ndonjëherë fjalori i zgjedhur, mund të ndihmojnë shumë në drejtim të mprehjes së shijeve kulturore, por ato gjithmonë duhet të percpetohen „me këmbë në tokë“, duke mos kërkuar që ato ngjyrime televizive të realizohen në jetën e thjeshtë dhe normale të familjeve tona. Shpesh këto përjetime apo realitete fiktive që përcillen,  thellojnë pakënaqësitë ndaj realitetit konkret.

Pra, telenovelat janë një produkt i shoqërisë së konsumit dhe duhen trajtuar si të tilla.

Një ndër shkollat më të rëndësishme të mendimit sociologjik, shkolla e Frankfurtit flet shpesh për shoqërinë së masës (ose konsumit). Në konceptin e shoqërisë së masës, industria mediatike bën mall çdo gjë që tregton, edhe kulturën, edhe artin. Kështu, produktet kulturore dhe artistike degradojnë në nivelin e mallrave çfarëdo, dhe i nënshtrohen konsumit.

Merita më e madhe e kësaj shkolle qëndron në  lidhjen midis kontekstit shoqëror-ekonomik të njerëzve dhe pulsioneve psikike të tyre, duke vënë theksin tek roli i medias në transmetimin dhe paraqitjen e “realiteteve të rreme”, për të krijuar tek individët një preferencë të bazuar kryesisht mbi pasivitetin.

Telenovelat vërtetë japin hera-herës efektin e qetësuesve, duke ndihmuar në arratisjen apo shkëputjen nga realiteti, por duke i pranuar si produkt i shoqërisë së masës, kemi pranuar njëkohësisht edhe se, ashtu si thotë Markyz në veprën “Njeriu në një dimension” (1964) hapja e tregut dhe e kulturës së masës, me shpërndarjen e një lirie më të madhe mes masave, në të vërtetë herë-herë, i ka larguar ato nga institucionet bazë të edukimit, por, për fat, ka sjellë edhe rritjen dhe zhvillimin e kritikave të mendimit.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora