E hene, 17.06.2019, 04:15 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kombëtarja lufton dhe do të fitojë!

E shtune, 07.09.2013, 06:00 PM


Kombëtarja lufton dhe do të fitojë!

Nga Elvi Sidheri

Dje pas një ndeshje të interpretuar sidomos gjatë pjesës së dytë, në mënyrë magjistrale, ekipi ynë kombëtar, pësoi në Slloveni një humbje të pamerituar.

Kemi humbur edhe herë tjetër se nuk është kjo hera e parë, por të humbësh pasi ke ekzekutuar shumë korne dhe ke gjuajtur 7 herë drejt portës së skuadrës vendase, 5 prej të cilave brenda kuadratit të portës së portierit të shkëlqyer Handanoviç, një rezultat i tillë, të lë vërtetë të menduar.

Të menduar sepse rastin ekipi dhe vendi e një komb i tërë (i yni) e pati të madh, që në këtë ndeshje, që të hedhë një hap të pakthyeshëm në rrugën e vështirë të kualifikimit për në Play-Off të Botërorit të ardhshëm në 2014-ën, në atdheun e Sambës dhe ngjyrave e futbollit të bukur dhe virtuoz, në Brazilin e yjeve të këtij sporti të magjishëm.

Ende mendoj se edhe me Norvegjinë, në Tiranë kur kryesonim deri në minutën e 86-ë, lamë të na ikte një mundësi të artë për t’i shtruar gjërat më së miri për vete, për shkak se 5 pikë avantazh ndaj norvegjezëve (do kishim kapur neve kuotën 12 dhe ata do të kishin mbetur në 7 pikë)...domethënë distancë sigurie me ekipin më të fortë ndër ndjekësit tanë në luftën rrotë më rrotë për vendin e dytë, do të kishte qenë një arritje e madhe, një bonus për t’a ruajtur me xhelozi deri ndeshjen e fundit.

Por aty e pësuam sa aksidentalisht, aq edhe për shkak të një zgjedhje pak të gjetur nga ana e trainerit (nxjerrjen e Bogdanit nga loja dhe asfiksimin e sulmit tonë që nuk tërhoqi më përpara skuadrën duke u lejuar përqëndrim total në sulm miqve), por edhe për shkak të një fjetje të mbrojtjes sonë dhe 1-1 ishte rezultati përfundimtar që i lumturoi së tepërmi norvegjezët, ndërkohë që neve sidoqoftë paraqitja e djemve tanë në atë Qemal Stafa të ndezur si rrallëherë, na la një përshtypje të mirë dhe mjaft bindëse.

Ishin dy pikë të lëna nga ne, sadoqë të shoqëruara nga një lojë gati në perfeksion e të tanëve në fushë, me përkushtim, dëshirë dhe shpirt gare të paepur deri në minutën e fundit.

Por tashmë pas humbjes në Slloveni, pikët e lëna megjithë një lojë moderne, sulmuese dhe të mirëdrejtuar nga De Biazi, bëhen sido që të jetë plot “5”!

Kemi lënë 2 pikë me Norvegjinë në Tiranë në një takim që e dominuam nga fillimi deri në fund dhe lamë edhe 3 pikë në Lubjanë sadoqë portën sllovene e bëmë si shënjestër qitje ku asnjë nga lojtarët tanë, Salihi (i futur shumë vonë në lojë nga trajneri)...si Cana që u gjet i papërgatitur në momentin më të volitshëm e si Rama që goditi shkëlqyeshëm nga hyrja e zonës, gjetën përballë një portier nga më të mirët në Europë, në mos edhe në botë, si Handanoviç, aseti i vetëm i vyer i Interit modest të ditëve të sotme (si milanist i vjetër, mendoni se çfarë acarimi më sjell mua një interist në portën sllovene që na “vjedh” ne shqiptarëve barazimin ose edhe fitoren tejet të merituar në Slloveni)!

Ndeshja e rradhës në Reikjavikun e acartë, do të jetë vendimtare!

Këtë e theksoj, sepse si sportdashës i thjeshtë dhe ndjekës i futbollit cilësor, tek i cili dëshiroj prej vitesh të zërë vend futbolli i vendit tim, arrij të kuptoj se Islanda nuk është “plazhi i fundit” për ekipin tonë përfaqësues, por sidoqoftë ai takim nevojitet me doemos të reflektojë sa tek zgjedhjet taktike të trajnerit, aq edhe tek impenjimi dhe vetëmohimi i lojtarëve tanë, pikën e kthesës në këto eliminatore ku skuadra jonë ka dhënë shumë, edhe më tepër se çfarë pritej deri tani, por ku akoma për mendimin tim, nuk kemi parë Shqipërinë e vërtetë.

Kanë qenë 7 ndeshje të bukura, të luftuara, ku në asnjë prej tyre nuk kemi dalë kokëulur...edhe kur jemi mundur në Zvicër 2-0 e as kur për habinë e çdokujt kemi humbur në Tiranë në mes të llucës së Qemal Stafës së parikonstruktuar prej vitesh...1-2 me islandezët të cilëve duam t’u hakmerremi tashmë në shtëpinë e tyre.

Por po qe se humbja në Zvicër edhe pranohej dhe parashikohej, përballë ekipit jo më të mirë, pasi sadoqë t’a fryjnë...edhe duke e ditur se pikërisht ajo Zvicër mundi 1-0 Brazilin para pak kohësh, sërish jam i idesë se helvetikët kanë një avantazh të jashtëzakonshëm tek gjermani Hitzfild në pankinë dhe tek harmonia që ai ka ditur t’i imponojë atij grupi lojtarësh, sidoqoftë pra, humbja me islandezët ishte një aksident i fortë të cilin djemtë tanë dhe De Biazi e korrigjuan menjëherë pa lënë gjurmë të thella në memorien e tifozëve dhe në ecurinë kualifikuese të kombëtares sonë.

Në vijimësi të asaj filozofie praktike të De Biazit pas ndeshjes në Tiranë me sllovenët, erdhi edhe fitorja historike në Oslo, në një ndeshje të luajtur tepër qetë nga lojtarët tanë, në një fushë të papraktikueshme që mund të shërbente shumë më mirë për të mbjellë patate sesa për të luajtur futboll mbi tapetin e saj të ngrirë e aspak të gjelbërt.

Fituam 1-0 në Norvegji falë një disipline taktike të admirueshme të ekipit tonë dhe sigurisht falë edhe zgjuarsisë dhe skemave të arrira dhe preçize të trajnerit De Biazi, jo rastësisht edhe goli i asaj fitorjeje të paharrueshme, lindi nga skemë e përsëritur kushedi sesa herë gjatë stërvitjeve të të tanëve dhe kështu edhe goli i Salihit na dha atë fitore dhe një 3 pikësh që na bëri dhe na bën ende të ëndërrojmë me plot të drejtë për një biletë braziliane.

Çfarë nuk shkoi sipas meje si tifoz në Lubjanë?

Disa gjëra, loja e mefshtë dhe pa gjak në 19 minutat e para deri tek goli i bukur (i përzjerë me një dozë të mirë gafe sa nga mesfushorët e paimpenjuar siç nevojitet, nga mbrojtësit tanë gjumë-bërës dhe nga reagimi i vonë i Berishës, atij portieri të mrekullueshëm që në Oslo pati ndoshta 50% të meritës së fitores, përveç afëtsive taktike të De Biazit dhe nuhatjes para portës së Salihit)...por edhe mos-reagimi nga ana e trainerit tonë i cili nuk ndryshoi asgjë në modulin e lojës së ekipit tonë gjer në minutën e 52-të.

Deri atëherë skuadra jonë nuk krijoi asnjë rast serioz dhe nuk iu “kërcënua” fare portës sllovene, duke luajtur sikur në të vërtetë kombëtarja jonë të mos ishte duke humbur 0-1 në një takim tepër të rëndësishëm si ky që u luajt, por të qemë barazim ose duke fituar!

Çani në sulm ishte sipas mendimit tim, një zgjedhje tejet e pagoditur në këtë rast.

Një lojtar me fizik të fortë, i gjatë, me shijen e golit në ADN-në e tij, lojtar që ka shënuar disa herë për përfaqësuesen tonë, por i cili pas disa muajsh duke e bërë vrimë dhe jo vetëm ngrohur stolin e rezervave të Katanias në Serinë A (ekip që posedon një park mesfushorësh dhe sulmuesish argjentinas mjaft të preferuar edhe nga skuadrat e njohura të kampionatit italian, arsye përse Çani nuk gjeti vend në kombinimet e trainerit të siçilianëve), lojtar pra që De Biazi e di arsyen përse e preferoi pikërisht atë përpara Bogdanit apo Salihit ose Mehmetit?

Bogdani është pa ekip, por Bogdani është Bogdani!

Sulmuesi më golëshënues në historinë e përfaqësuese sonë, njeri me eksperiencë të rrallë tepër të gjatë në një kampionat jashtëzakonisht taktik dhe pragmatist si ai italian, lojtar që ndër të tjera, falë përvojës italiane të cilën e ka me shumicë, padyshim që di të përthithë shkëlqyeshëm udhëzimet dhe skemat e një traineri italian si vetë De Biazi.

Bogdani i cili në dy ndeshje kur mungoi (10 minutat e fundit me Norvegjinë dhe tërë ndeshja në Lubjanë), do pranuar se kombëtarje e ndjeu mjaft peshën e mungesës së prezencës së tij në sulmin tonë, ku munguan stopimet e tij të krosimeve nga larg prej portierit, mbrojtjes ose mesfushës sonë, spondat dhe pasat e tij për lojtarët e tjerë të skuadrës sonë në sulm, aftësia e tij në topat e lartë në zonën kundërshtare, goditja e tij e njohur me kokë para portës dhe sensi i tij i njohur i orientimit taktik.

Në këtë moment delikat për ekipin tonë, një mungesë e tillë nuk mbushet dot lehtë dhe kjo gjë po duket hapur.

Salihi as mua nuk m’u duk në super-formë dhe rasti i tij përballë me Handanoviç, ishte një demonstrim i këtij fakti, pasi mundësia për gol ishte shumë e pastër, por gjithësesi prania e tij qysh më parë në fushën e lojës, do të kishte sjellë në mos ndonjë lloj freskie në manovrën tonë sulmuese si skuadër, sidoqoftë një rrezikshmëri më të lartë do t’a ofronte pa as më të voglin dyshim.

Kaçe nuk shëndriti fare si në takimin miqësor me Armeninë (ekip që fitoi 2-1 në Pragë), djali është i ri dhe ka tërë kohën e nevojshme për t’u rritur dhe bërë element kontribues i pazëvendësueshëm për kombëtaren tonë.

As Cana nuk më la ndonjë përshtypje madhështore në Slloveni.

Është traditë që ashtu siç përfaqësuesja italiane nuk shkëlqen në ndeshjet e shtatorit (pasojë e pushimeve verore dhe e stërvitjeve intensive të pre-sezonit agonistik)...mesa duket edhe lojtarët tanë që militojnë tek skuadrat italiane si Cana tek Lacio ose Basha tek Torino, të mos jenë edhe ata në formën e tyre më të mirë të mundshme.

Loriku sidoqoftë nuk është një sulmues dhe kur shohim pamjet e rastit të tij të artë para portës sllovene, duhet të mbajmë në mendje se kemi të bëjmë me një simbol të kombëtares sonë...i cili detyrën e ka të luajë në mbrojtje dhe jo në sulm, prandaj disa gjëra falen!

Valdet Rama vazhdon të impresionojë me lojën dhe evoluimin e tij konstant, djalë me tipare të një loje moderne i cili përherë e mban portën në objektivin e tij dhe që shpesh na ka dhuruar në këto pak ndeshje me Shqipërinë edhe gola të bukur, si dhe një gati gol në mbrëmjen sllovene.

Por them sërish se traineri për mendimin tim, e kishte impostuar këtë ndeshje si një 0-0 optimal dhe ekipin e kishte lënë në pritje.

Taktikë që u prish nga goli rastësor i vendasve, i shoqëruar më pas nga një vonesë e trainerit tonë për të vepruar me kundërmasat e tij, futjen e një sulmuesi më tepër dhe spostimin e skuadrës sonë përpara, gjë që ndodhi vetëm pas 52 minutash dhe efektet u panë sadoqë rastet nuk u shfrytëzuan nga tanët, ose u pritën mjeshtërisht nga portieri slloven.

Tani në Islandë, unë do thosha për FITORE!

Pse jo?

Islandezët janë tipiku ekip surprizë, pra që luan hapur dhe shtruar jashtë (2-1 në Tiranë, 2-1 në Lubjanë, 4-4 në Zvicër) dhe kur përballet me përgjegjësinë për të marrë rezultat...humb (0-2 në Reikjavik me helvetët, 2-4 me sllovenët), do të thotë që shanset i kemi të larta po ditëm të futemi në fushë me synimin e vetëm për fitore, më pas presim kantonet zviceriane në terrenin tonë dhe shkojmë në Qipron e çimentuar në fund, për fitore gjithmonë sërish!



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT