E premte, 03.07.2020, 06:00 PM (GMT+1)

Aktualitet

CIP: Magjistratura e Tërnavës është plagjiaturë

E enjte, 05.09.2013, 07:58 PM


Qendra për Pluralizëm Islamik (Center for Islamic Pluralism - CIP) me seli në Washington thotë se ka bërë një hetim në lidhje me studimet e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnavës. Në një letër dërguar redaksisë së Telegrafit, thuhet se Tërnava nuk ka kualifikimet e duhura për postin e Myftiut. Pos kësaj, sipas Qendrës, magjistratura e Tërnavës është plagjiaturë. Në emailin e redaksisë vijnë dëshmitë e tyre për këtë, si dhe deklarata e Emin Behramit në Prokurori, ku përmendet edhe plagjiatura e Tërnavës.

“Pas një analize dokumentare, nga anëtarët e CIP-it të trajnuar në gjuhën arabe, të kredencialeve të prej dijetari të Naim Tërnavës, ne kemi vërtetuar si më poshtë:

1. Kredencialet prej dijetari të Tërnavës janë të bazuara në tezën e një magjistrature të paraqitur në American Open University të Kajros në vitin 2003, në gjuhën arabe, me titull ‘Akideja myslimane dhe efektet e saj tek individët dhe kombi’, nën mbikëqyrjen e Muhamed Rashad Abd Al-Aziz Dehemeshit, nga Sholla e Studimeve Arabe dhe Islamike e Al-Azharit.

2. Ne nuk e konsiderojmë tezën e një magjistrature si arritje të mjaftueshme akademike për të justifikuar postin e myftiut të një shteti mysliman ose të një minoriteti mysliman me status të njohur ligjor.

3 .Teksti i tezës së magjistraturës së Tërnavës ka qenë i ballafaquar me një disertacion doktorate të bërë më parë nga një dijetar islam, Zia Abdullahu, me titull ‘Efekti i Aqidejës myslimane në udhëzimin e sjelljes’, të miratuar në Universitetin Zaytun në Tunizi, më 1997-98.

4. Janë disa pasazhe në tezën e magjistraturës së Tërnavës që janë identike me pasazhet në disertacionin e doktoratës së Abdullahut, pa citimin e duhur të punës së Abdullahut. Tërnava e përfshinë materialin thua se është ai autori, me poshtëshënime që iu referohen autorëve të mëparshëm e të cituar edhe nga Abdullahu, por pa pranimin e kuotimeve apo të punës së Abdullahut.

5. Ne jemi informuar nga dokumentet ligjore të autoriteteve të Kosovës që Dr. Abdullahu është ankuar tek anëtarët progresivë të Bashkësisë Islame të Kosovës rreth kësaj plagjiature.

Bazuar në një analizë të plotë dhe gjykim të balancuar, Qendra për Pluralizëm Islamik deklaron se këto gjetje tregojnë përfundimisht se Naim Tërnava ka kryer veprën e rëndë të plagjiaturës akademike.

CIP kështu mendon se Naim Tërnava ka shërbyer si Myfti nën pretendimet shumë false e joislamike dhe se është i papërshtatshëm për të shërbyer më tej në çfarëdo kapaciteti administrativ në Bashkësinë Islame të Kosovës. Teza e magjistraturës së tij duhet të hetohen nga autoritetet e Al-Azharit”, thuhet nga Qendra për Pluralizëm Islamik. Dëshmitë e tyre, për këtë plagjiaturë, mund t’i gjeni këtu dhe këtu.

Në deklaratën që Emin Behrami kishte i dhënë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, më 27 janar 2012, përmenden shumë abuzime në BIK, sidomos në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI). Behrami që ka ligjëruar në FSI që nga viti 1992 e deri më 2010, thotë se nuk është respektuar procedura e paraparë ligjore me rastin e zgjedhjes së Qemal Morinës për ushtrues detyre të dekanit të FSI-së.

“I njëjti është zgjedhur në kundërshtim me dispozitat në fuqi në BIK, të cilin në mënyrë arbitrare e ka emëruar kryetari i BIK - Naim Tërnava, duke u bazuar në dokumente të falsifikuara dhe duke u shërbyer me të pavërteta”, thuhet në deklaratën e tij.

Sipas tij, Kryesia e BIK-ut e ka suspenduar më 2010 nga vendi i punës Xhabir Hamitin, të cilin Këshilli Mësimor Shkencor (KMSH) i FSI-së, “duke u bazuar në dispozitat e statusit të FSI-së si dhe në Kushtetutën e BIK, e kishte propozuar për postin e Dekanit në FSI, me çka ekziston procesverbali i nënshkruar...”.

Ndërkaq në lidhje me kuadrot në Kryesinë e Bashkësisë Islame (KBI) dhe FSI që posedojnë kualifikime të dyshimta, ai thotë: “Kualifikimet profesionale të disa personave janë të dyshimta, sepse ata kanë kryer shkollim në disa universitete të palicencuara dhe të paakredituara në vendet e ndryshme, ekskluzivisht jashtë vendit, dhe unë jam i bindur se personat në fjalë e kanë ditur se ato institucionet nuk janë të licencuara dhe të akredituara nga autoritetet kompetente të shteteve përkatëse”.

I pyetur se për cilët persona bëhet fjalë, ai thotë: “Duke filluar nga Myftiu i Kosovës, zotëri Naim Tërnava i cili është edhe kryetar i BIK-ut... Ka magjistruar në Universitetin e Hapur përafërsisht para se ta merr mandatin e kryetarit të BIK-ut. Kjo mund të ketë ndodhur në vitin 2002 apo 2003. I njëjti e ka mbrojtur magjistraturën në fakultetin e përmendur në Kajro... Vlen të përmendi se punimi i magjistraturës dyshohet se është një plagjiaturë e plotë, do të thotë ‘punimi i tij shkencor’ kryesisht është i kopjuar nga disertacioni i doktoratës së Dr. Zija Abdullahut, nga Maqedonia, të cilin i njëjti, pra Zija Abdullahu, e ka mbrojtur në Universitetin e Tunizisë. Kurse, i dyshuari për vjedhje intelektuale të magjistraturës, Naim Tërnava, e ka mbrojtur në Universitetin e Hapur Amerikan në Kajro, për çka ofroj dëshmi për mos akreditimin e universitetit të përmendur, se i njëjti universitet është i pa akredituar në Amerikë dhe kudo qoftë në botë”.

Sipas dëshmisë, Zija Abudallahu për këtë “vjedhje intelektuale publikisht ka deklaruar gojarisht brenda në lokalet e FSI”.

“Unë dyshoj se ai paraprakisht ka qenë i njoftuar për kopjim të veprës së tij. Këtë e dëshmoi me faktin sepse Myftiu Naim Tërnava e ka graduar me postin e Prodekanit në FSI si dhe i angazhuar i rregullt në mësimdhënie, të cilën punë e kryen aktualisht në FSI edhe pse është nga Maqedonia... Unë kisha dashur që të përmendurit, Dr. Zija Abdullahu dhe Myftiu Naim Tërnava të thirren dhe të japin deklarata për këtë çështje”.

Përkundër insistimeve të Telegrafit për të kontaktuar Tërnavën, qoftë në BIK apo përmes zëdhënësit të tij, Ahmet Sadriu, kjo gjë ishte e pamundur.

Ndërkaq, Emin Behrami, për Telegrafin ka konfirmuar se Tërnava e ka kopjuar temën magjistraturës nga Abdullahu. Sipas tij, “teksti i Tërnavës është i njëjtë sikur i Abdullahut, përkitazi me shkencën e akidejës - besimit islam”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora