E enjte, 25.04.2024, 05:17 PM (GMT+1)

Editorial

Elmira Muja & Dalip Greca: E lehtë është jeta kur di që kam nënë…

E merkure, 21.05.2008, 07:18 PM


Nena e vitit Mysherefe Gashi duke marre cmimin nga presidentja e organizates se gruas shqiptaro amerikane Dr.Anna Kohen, ne mes eshte e bija e saj Iliriana Gashi
“E lehtë është jeta kur di që kam nënë…”

Kronikë për historinë e 15 viteve të  Organizatës të  Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”, shfletuar në Festën e Nënës…

Nga Elmira Muja dhe Dalip Greca

Organizata e gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” në një mjedis festiv, në restorantin Maestro’s, në Nju Jork, me 11 maj kremtoi ‘Ditën e nënës”. Festa, që lidhet me emrin më të dashur në bashkësinë njerëzore, këtë herë pati dhe të vecantën e saj, pasi përkonte me 15 vjetorin e themelimit të Organizatës “Motrat Qiriazi”. Në mbrëmje u përcollën urime të një pas njëshme për të gjitha nënat shqiptare, për të gjithë drejtuesit e Organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, që me punën e tyre mbajnë të gjallë ndjenjën e krenarisë shqiptare duke ruajtur vlerat e çmuara kombëtare. Në darkë ishte i pranishëm konsulli shqiptar në New York, z. Albert Jerasi me bashkëshorten.

Anëtarja e bordit drejtues të Organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, Etrita Ibroci, në fjalën e hapjes përcolli urimin e zemrës për festën. Ajo u kujtoi pjesmarrësve se ky ishte një vit shumë i vecantë për Kombin shqiptar sepse shënoi lindjen e shtetit të Kosovës, duke konkretizuar aspiratën shekullore të shqiptarëve.

Duke kujtuar se 15 vite më parë  lindi organizata e grave shqiptaro-amerikane, Ibroci tha:” Në këtë ditë ne festojmë edhe 15 vjetorin e krijimit të Organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” , kështu që sonte ne kemi shumë për të festuar. 15 vite në një natë si kjo, kaq e bukur, që lidhet me emrin e magjishëm: NENE!

“Motrat Qiriazi” bëhen 15 vjeçe

Më pas Dr.Anna Kohen, presidente e Organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, pasi u uroi mirëseardhjen pjesmarrseve që  kishin mbushur plot sallën më të madhe të restorantit luksoz Maestro’s, shfletoi kalimthi 15 vjet histori, që nga themeluesja e saj Shqipe Biba, ku janë shënuar  shumë ngjarje, janë kryer shumë punë të mëdha që kanë të bëjnë me integrimin e shqiptarëve, me mjekimin e plagëve të refugjatëve të luftës që shtegtuan nga Kosova, me përcjelljen e traditave dhe mbajtjen gjallë të kulturës kombëtare këtu në mërgimin e  largët, me forcimin e miqësisë mes Amerikës dhe Shqipërisë e Kosovës, me përcjelljen e virtyteve të larta të popullit tonë, që gjatë Luftës së Dytë Botërore, me anë të Kodit tradicional të Besës, iu ndodh në krah hebrenjëve të rrezikuar nga nazizmi. Të gjitha këto punë të mëdha shoqata i ka realizuar me ndihmën e anëtarësisë së saj dhe mbështetjes që ka gjetë në komunitet. Tani “Motrat Qiriazi” sapo mbushën 15 vjet egzistencë dhe e festojnë me krenari festën e qëndrueshmërisë.

Dr. Kohen tha se vit pas viti, organizata formoi profilin e saj dhe arriti që në vitin 1999 të siguroi njohjen zyrtare edhe nga qeveria amerikane. Organizata e gruas shqiptaro-amerikane ka qenë dhe mbetet një strehë e dytë për të gjithë të porsaardhurit duke i ndihmuar ata të integrohen në jetën e përditshme amerikane, jetë që fillesat i ka të vështira.

Dr Kohen, duke kujtuar kontributin që ka dhënë organizata për mjekimin dhe shërimin e fëmijëve nga vendlindja me probleme të rënda shëndetsore, tha: “Ajo që na bën të ndjehemi krenare në misionin tonë, si nëna dhe motra  është kur japim kontributin tonë në shpëtimin e jetëve të fëmijëve shqiptarë.Brenda një periudhe të shkurtër ne kemi bërë të mundur kurimin e 19 fëmijëve nga Shqipëria dhe Kosova, nga këta  12 fëmijë me probleme në zemër, 5 fëmijë me djegie dhe 2 fëmijë me tumor në tru.”

Duke falenderuar komunitetin shqiptar për mbështetjen e dhënë, presidentja Kohen tha se “ ka qenë nder për mua të jem drejtuese prej një dekade e Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”, të ndihmoj komunitetin tonë dhe për këtë dua t’ju falenderoj të gjithë juve, për besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë gjatë të  gjithë kohës.”

Duke folur për të ardhmen ajo theksoi se “Vizioni ynë për të ardhmen është që Organizata e gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” të bëhet një organizatë e fortë e komunitetit, për të ofruar shërbimin tek të gjithë sipas nevojave të kërkuara. Organizata e gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” do të jetë  vendi ku flamuri ynë do të valëvitet përherë dhe ne do të ruajmë kulturën tonë të bukur e do ta prezantojmë atë tek vendet e tjera.”

Adem Belliu duke marre cmimin nga Dr.Anna Kohen. Ne mes Elmira Muja
Përshëndetja e presidentit të Shqipërisë

Pjesmarrësit e shumtë duartrokitën përshëndetjen, që kishte dërguar me këtë rast presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Bamir Topi. Në përshëndetje thuhej:

“E nderuara Dr. Kohen!

Me rastin e 15-vjetorit të Organizatës, që ju drejtoni prej kaq e kaq vitesh, dëshiroj t’ju shpreh edhe në emër të popullit shqiptar urimet më të sinqerta dhe përgëzimet më të thella për punën tuaj të pashembullt dhe mbajtjen lart të vlerave fisnike dhe njerëzore të kombit tonë! Aktiviteti shumëvjeçar i Organizatës suaj në shërbim të përmirësimit të jetës së grave dhe fëmijëve shqiptaro-amerikanë, në ndihmesë të integrimit të tyre të plotë në shoqërinë ku jetojnë, dhënia e ndihmës dhe mbështetjes së paçmuar për fëmijët, vëllezërit dhe motrat tona kosovare para, gjatë dhe pas realizmit të ëndrrës dhe aspiratës së tyre për pavarësi, si dhe kontributi juaj për forcimin e lidhjeve historike mes dy popujve dhe shteteve tona së bashku me aktet e panumërta të bamirësisë na bëjnë të ndjehemi krenarë dhe të vlerësojmë pamasë veprën e Organizatës tuaj. Ju uroj suksese në punën tuaj fisnike dhe vazhdimësi në traditën e vyer bamirëse të shqiptares së madhe Nënë Terezës!”

Shqipe Malushi uroi nga Afganistani

Një përshëndetje e veçantë kishte udhëtuar nga Afganistani në mbrëmjen festive të 11 majit. Shqipe Malushi prej shumë kohësh ndodhet në një mision paqeje në Afganistanin problematik. Ajo u shfaq e pranishme në mbrëmjen festive me një përshëndetje të veçantë. Duartrokitjet që shoqëruan përshëndetjen, sikur e sollën në sallë aktivisten e palodhur. Shqipja me zemrën, shpirtin e sakrificës ka ditur të mbajë gjallë vlerat e  Organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”. Ajo shkruan: Organizata e gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” është një vend në zemrat tona, ku asnjë nuk mund të na prekë, ku ne shpalosëm vlerat tona, mbajtëm gjallë pasionin përgjithmonë dhe ndërtuam identitetin tonë. Sot unë jam larg nga ju, në tokën e largët të Afganistanit, duke ndihmuar gratë. Unë jam në një vend ku vuajtja është  kaq e madhe sa që është shumë e vështirë ta përshkruaj me fjalë, por gjithçka që ju më keni mësuar mua, tani jam në gjendje të bëj të mundur ndryshimin e jetëve të tyre duke sjellë shpresë ndër to. Urime dhe vazhdoni të ndërtoni vizionin e paqes, kështu që fëmijët tanë do të jenë krenarë për ne!.

Myshe Gashi, Nëna e Vitit

Fjalët  që dalin nga zemra shoqërohen me emocion. Cdo nënë jeton në zemrën, shpirtin dhe sytë e fëmijve të saj, ndaj dhe Iliriana Gashi  ka zgjedhur me kujdes fjalët për nënën e saj.
Nëna qesh, kur ne qeshim. Ajo qan lotët tanë, na shpërblen dashurinë. Nëna përjeton frikën tonë, kur ne ndjehemi të tillë, ajo për ne jeton. Nëna mban hallet tona...dhe çdo ëndërr dhe shpresë tonën e jeton.
Iliriana, fitoi duartrokitje të stuhishme tek do të ftonte nënën e saj që të pranonte çmimin.Nga shpirti rinor ajo derdhi ujvarën e urimeve …
“…Sot, me 11 Maj, festojmë Ditën e Nënës. Padyshim kjo është një ditë kuptimplote për bashkëshortët  dhe fëmijët.”
 Duke iu drejtuar nënave në sallë ajo tha: “Pa ndonjë ndryshim se nga vini ju jeni të gjitha njëlloj – ju jeni të forta, të ndjeshme, të duruara…Gjithnjë ju keni të drejtë.  Dhe megjithëse unë nuk jam një nënë, mund të them se kam parë nënën time për 22 vjet të rrisi 6 fëmijë, 8 nipër dhe ka pas të bëjë me një burrë shqiptar, ndërkohë asnjëherë nuk ka shprehur një gram keqardhje dhe dorëzimi, unë mund të dëshmoj që nuk është një punë e lehtë.”
Duke iu drejtuar fëmijëve, Iliriana pyeti: “Dhe çfarë u kemi dhënë ne si fëmijë nënave tona? Shqetësime, plagë në zemër, ankthe, por në të njëjtën kohë krenari, dashuri, durim. Por një nënë është e pajisur me një shpirt të patundur dhe është e vendosur që fëmija i tyre mund të bëhet cfarëdo që ato ëndërrojnë, cilado të jenë kushtet. Nënë, nëqoftëse unë kam vec një pjesë të karakterit dhe dashurisë që ti ke treguar si nënë, unë nuk do të kërkoja për asgjë më shumë.Shumë faleminderit që më ke mbështetur dhe që ke qenë një frymëzim në jetën time. Myshe Gashi të lutem pranoni cmimin tuaj si nëna e vitit.”
Mysherefe Gashi është një grua fisnike që bujaria e mikpritjes, ndihmës dhe dashurisë njerëzore e fisnikëron më shumë portretin e saj.
Fati i së ardhmes së fëmijës është gjithmonë puna e nënës, ndaj dhe Myshja si një arkitekte e edukimit, me fjalën dhe punën e  saj ka mirëedukuar 6 fëmijë. Nënë Mysherefja u ka dhënë  fëmijëve të vet ndjenjën e besimit dhe të qëndrueshmërisë. Ajo ka qenë dhe është mbështetja e përjetshme, buka dhe shtrati, udhërrëfyesja për të ecur të sigurtë në jetë.Sot, fëmijët e saj Semra, Suna, Ajten, Drenusha, Iliriana dhe Kushtrimi ndjehen krenarë për nënën e tyre.
Mysherefe Gashi  ndjehet edhe më e lumtur, sepse është e rrethuar nga dashuria e fëmijve dhe 8 nipave e mbesave.
Teksa merr cmimin, ajo shprehet : “Ka shumë nëna shqiptare që kanë rritur dhe rrisin fëmijët e tyre duke ruajtur gjuhën amtare, kulturën dhe traditën shqiptare.Ju falenderoj nga zemra të gjithë ju, drejtues të Organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, për punën e palodhur në ndihmën e vazhdueshme ndaj komunitetit.”

Gruaja e vitit : Albana Melyshi Lifschin, duke marre cmimin nga Dr.Kohen. Ne mes eshte shkrimtari Naum Prifti
Albana Mëlyshi Lifschin si “Gruaja e Vitit”

Shkrimtari Naum Prifti, që paraqiti Albana Mëlyshi Lifschin si “Gruaja e Vitit” kujtoi ditët e para të Albanës në Amerikë, kontributin e saj profesional ne televizionin ‘Viktoria”, duke sjell në ekran vullnetarisht një emision për fëmijët e shqiptaro-amerikanëve, e më pas numeroi librat e saj me vlerë për letërsinë shqiptare.
Për të shërbyer sa më mirë duhet të keshë diçka, që as blihet dhe as matet me para, sinqeritetin dhe ndershmërinë dhe pikërisht, kjo reflektohet në të gjithë veprimtarinë dhe krijimtarinë e Albana Mëlyshi Lifschin, tha shkrimtari Prifti dhe shtoi se: Përkushtimi nuk është ajo çfarë të tjerët presin nga ti, por është ajo çfarë mund të japësh tek të tjerët, ndaj dhe pena e Albana Melyshi Lifschin  vazhdon të na japë tregime dhe poezi të ndjera, me mendime filozofike të shprehura në mënyrë të figurshme, që lexuesi ta ndjejë jetën përmes artit.
Me të gjithë krijimtarinë dhe aktivitetin e saj, Albana Mëlyshi Lifschin na le të kuptojmë kush është ajo dhe çfarë është, çfarë force ,guximi dhe besimi e karakterizon, duke hedhur, dritë në çdo fjalë e fjali që shkruan.
Me katër vëllime me tregime për jetën e emigracionit, duke filluar  me “Kafe Shkodra e Nju Jorkut”, “Fundjave në Hillsajd” “Takim me të papriturën “dhe së fundi me librin “Ura mbi Oqean” , Albana Mëlyshi Lifschin ka kontribuar  në letërsinë e emigracionit  në Amerikë.
Me këtë formim të personalitetit, Albana Mëlyshi Lifschin ka hapur  dyert e botës intelektuale , dhe vetëm me  karakterin e saj do t’i mbajë hapur ato. Kurajoja dhe thjeshtësia të simbolizuara nga e njëjta ngjyrë, janë virtytet e saj më të qarta.
Albana, shoqërohej nga bashkshorti i saj, Paul Lifschin. Ajo falenderoi Organizatën e Grave ”Motrat Qiriazi” për vlerësimin e lartë që i bënë.

Çmim special për mjeshtrin e fotografisë

Fotografia është një mënyrë e ndijimit, prekjes, emocionit, përzemërsisë. Ajo cfarë është fokusuar në film mbetet përgjithmonë...të kujton dicka, ndoshta shumë të vogël për një kohë shumë të gjatë edhe nëse ti ke harruar gjithcka, ajo të thotë: Ja, si ke qenë!
Fadil Berisha është një emër që biografinë e tij e ka shkruar, rritur dhe pasuruar përmes artit të tij.
Arti i Fadil Berishës nuk është një punë dore, ai është transmetimi i ndjenjave që ai ka eksperiencuar vite të tëra.
Fadil Berisha kurrë nuk e ka trajtuar fotografinë e tij si një punë arti të përfunduar.
Fotografitë e tij ruajnë një spektër ndjenjash të shkruara në fytyrat njerëzore, në bukuritë natyrore.Në fotografitë që punon ai arrin  të kapë një gjë tepër të  vogël e ta ketë subjekt kryesor; një detaj të vogël njerëzor bëhet leitmotiv i tij.
Asistentja e tij Albana Çiftja në pak fjalë  rrëfen artin e mjeshtrit Fadil Berisha dhe falenderon në emër të tij.

Adem Belliu, çmim për shërbim ndaj komunitetit

Një nderim i veçantë iu bë edhe Televizionit Kultura Shqiptare, i cili siç u tha në prezantimin e bërë gjatë mbrëmjes festive;  vite me radhë na ka dhënë mundësinë të argëtohemi në shtëpitë tona, të takohemi permes ekranit të vogël  me njerëzit e artit, dhe të kulturës, të takojmë shqiptarë që jetojnë në Amerikë dhe në të gjitha trevat shqiptare. Dhe nuk janë pak, një dekadë që mbart plot punë, sfida dhe suksese.
Nëpërmjet tij, tha prezantuesja, ne jemi njohur më nga afër me njerëz të shquar të Kombit Shqiptar, të kudondodhur, që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës kanë punuar aq shumë për çështjen kombëtare.
Televizioni Kultura Shqiptare nuk ka munguar në aktivitetet e komunitetit shqiptar jo vetëm në New York, por edhe Boston dhe më gjërë.
Ngjarjet e ndryshme të komunitetit janë pasqyruar me të gjitha përmasat, duke bërë të mundur prezantimin e vlerave të kulturës sonë të përbashkët.
Prezantuesj, duke prezantuar fituesin e çmimit:” Community service Award”  u shpreh: “Sot në 15 vjetorin e themelimit të AAWO “Motrat Qiriazi”, nderojmë  zotin Adem Belliu për punën e përkushtuar në drejtimin e televizionit dhe për mundësinë e krijuar për Organizatën e gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, për të qenë e pranishme në strukturat e tij programore.”
Në përshëndetjen e tij të shoqëruar me humor Adem Belliu thotë : Televizioni Kultura Shqiptare ka nevojë për para që të realizojë misione të bukura. Por, paratë prishen (harxhohen) për pak minuta, ndërsa kjo dhuratë do të ruajë vlerat e saj për shumë e shumë vite të tjera.Ai falenderoi “Motrat Qiriazi” dhe uroi për vazhdimësinë e aktiviteteve.
 
***

Jasht kësaj kronike nuk mund të linim pa përmendur edhe Elira Duro, nxënësja që e jetoi shpirtërisht tragjedinë Gërdecit në Shqipëri.
Ajo sensibilizoi gjithë shokët dhe shoqët e saj dhe mblodhi një shumë simbolikë në ndihmë të bashkëkombësave të saj.Të pranishmit e përcollën me duartrokitje përshëndetjen e saj.
Mjeku i njohur në  Tiranë, Zino Mattia, i pranishëm në darkë,  kishte ardhur nga Izraeli.Përshëndeti me fjalë zemre: ” U gëzova shumë që sonte ndodhem në këtë festë kaq të bukur. Më duket sikur gjeta një copëz Shqipëri, që aq shumë më mungon. Sot unë jetoj në Izrael, por Shqipërinë e kam në zemër, sepse aty jam lindur, rritur dhe jam bërë ky që jam.”

Te pranishmit ne valle
“E lehtë është jeta kur di që kam nënë…”

Mbrëmjes kushtuar nënave ia shtuan emocionet artistët. Janë edhe ata faktor që mbajnë të lidhura urat e bashkimit shpirtëror me Kombin tonë, edhe pse jemi mijëra kilometra larg vendlindjeve. Janë artistët shqiptarë të komunitetit që me zërat e tyre përcjellin me aq bukuri muzikën shqiptare. Justina Aliaj dhe Eli Fara në duet së bashku këndojnë “Këngën e nënës”. Ato nuk mbeten vetëm. Për nënat të gjithë  ngrihen në këmbë dhe në kor shoqërojnë artistet në këngën-hymn. Për një çast të duket se salla e madhe e mbushur plot këndon me një zë:
 E lehtë është jeta kur di që kam nënë,
Çdo çast të vështirë e ndjej pranë,
Në brengë e në halle ajo më ka qenë,
Rreze që ndrit e shpërndan…

Nënë, emër i dashur për mua,
Sa jetë e tërë për ty unë thur melodi

Vetëm një nënë ka në botë,
Ëmbël tingëllon zëri i saj,
Kur “bir”  fëmijës do t’i thotë,
Qesh dhe gëzon zemra e saj….

Kur zemra rreh në gëzime e dëshprime,
Tek Ti mendimi më shkon,
Pranë teje ndjehem e dashur, më trime
Më e lumtur se një botë e tërë…
Kënga kalon stafetë. Nga Justina, që zëri i Shkodërloces e thërret, tek  Eli Fara me serenatat korçare e më pas tek Kino Gara, që me interpretimin e tij na bën të udhëtojmë nga Kalabria, Durrësi, Elbasani, Ulqini, Peja e Prishtina.
Një buqetë këngësh të zgjedhura  dhuroi këtë mbrëmje Sidola Vata. Edhe pse për shumë kohë i ka munguar skenës shqiptarë, ajo ruan të pastra nuancat e zërit që e bën krejtësisht të veçantë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora