E enjte, 28.03.2024, 01:59 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Babai, në grusht lotët e mi

E hene, 02.09.2013, 06:50 PM


Sejdi BERISHA:

 

BABAI, NË GRUSHT MBANTE LOTËT E MI...!

 

1.

Një ditë

Tash krejt vonë

U përkula pranë varrit të babait

Duke iu përkulur madhështisë së tij

Më përvëluan shekujt

 

2.

Tek varri i babait

E dija pse kam ardhur

Falje t’i kërkoj

Se ndoshta ndonjëherë

Nuk e kam kuptuar jetën e tij

 

3.

U përkula dhe putha varrin

Më fal o babai im

Sepse

Ndoshta pa e ditur unë

Kam bërë ndonjë mëkat

Atëherë nuk e kuptoja

Ndonjë këshillë tënde

 

4.

Më fal

Nëse kam gabuar diçka

Se gabimet e tilla janë të rënda

Si gabime ndaj Zotit

Më fal të lutëm

Se sot më mundon llahtaria

E moteve tuaja

E shekujve gënjeshtarë

Që mallin po ma bëjnë peshë

Qielli e toke

 

5.

Baba

Zëri yt edhe sot sa i ëmbël

Tash po e kuptoj

Atë shikimin tënd tej maleve

Sipër qiellit e nën palët e tokës

Por pusho i qetë në tokë, baba

Se fort ke qenë i lidhur me te

 

6.

E putha edhe njëherë

Barin mbi varr

Atëherë

Loti im e dogji barin

Gjer ke eshtrat e babait depërtoi

Atje thellë në varr

Për këtë mëkat të lotit tim

Barin e djegur e ledhatova

Dhe, m’u bë se shpirti m’u lehtësua

Me përkuljen pranë varrit

Tempull përjetësie në jetën time

 

7.

Pasi u përshëndeta me varrin

Shpina sikur m’u shndërrua në sy

U zgjua babai im

Në grusht mbante lotët e mi:

Merri këta lot

Se unë lotin tënd nuk e dua

Por, biri im

Ruaje tokën

Përqafoje njeriun

Këputi hallkat e burgjeve

Dhe të inateve të botës

Të mendjes së ligë të njeriut

 

8.

Sikur i mora ata lot

Nga grushti i babait

Dhe i piva

Si një gotë me ujë shërues

Atëherë drita kaploi qiellin

Babai pushonte aty ku e lash

E unë ika në rrugëtimin tim të çmendur

Nuk për kënd dhe për çfarë...



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora