E enjte, 25.04.2024, 09:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Litari i mallit

E merkure, 21.05.2008, 06:37 PM


Kristaq Turtulli
LITARI I MALLIT

Nga Kristaq Turtulli

Ai mbështeti dorën ngadalë pothuajse me përtesë në dorezën metalike të derës dhe u mbush i gjithi me frymë, era e këndshme e kuzhinës dhe kurmi i ngrohtë i gruas se tij e dehen për një çast. Gruaja qëndronte në këmbë në mes te dhomës, veshur me pizhamet e pambukta te natës, zambaku i bardhe dhe i mrekullueshëm i gjoksit ishte tërësisht kundërmues. Ajo e vështronte butë përmes qerpikëve gjysmë të mbyllur, me siguri asaj po i kotej syri për gjumë, dhe atij i ngjau si një kotele bardhoshe, që kishte nevojë për përkëdheli. Ai provoi përnjëherësh një joshje të ëmbël pupëlore.
Ai përfshiu kuzhinën me një vështrim të shpejtë dhe çrregullimi i prag mesnatës me teshat dhe lodrat e fëmijëve të flakura rrëmujshëm i u duk çuditërisht i pranueshëm dhe familjar. Ai parapëlqente disiplinën dhe vendosjen e gjithçkaje në vendin e vet. Doreza e derës i u duk jashtëzakonisht e ftohtë. Ai e tërhoqi dorën gati me vrull.
Një ndjesi e çuditshme e bënte të zgjaste edhe pak qëndrimin në ngrohtësinë marramendëse të shtëpisë dhe afshin përvëlues te gruas. Më në fund kishte diçka të veten, një folesë, edhe pse i vajti një djall e gjysme, e do ti duhej pak a shumë njëzet ose tridhjetë vjet për ta shlyer atë. Ngushëllimi se ai ishte si të gjithë të tjerët me borxhe në banka, e shtynte ta flakte tutje një copë herë nga mendja marrëzinë e gjithëpushtetshme, monedhë, dhe që e bënte botën lesh arapi.
- Nuk po dëgjoj zhurmë nga dhomat e fëmijëve, me siguri ata flenë, - tha ai.
Gruaja hapi pakës gojën e vogël dhe të bukur, asaj i flihej.
- Më fal, - tha ajo pakës e hutuar. - Sigurisht fëmijët flenë.
- Shume mire,- tha ai.
Ajo luajti kokën ngadalë dhe fshiu me shpejtësi një lot gjumi qe befas i kishte mbirë në cepin e syrit te majtë. Ajo me shumë vështirësi përmbajti hapjen përsëdyti të gojës.
  Kishte qenë vërtet një ditë e ngarkuar me punë, me plane dhe shifra, orët asaj i dukeshin sikur ishin varur pakujdesshëm në çengelin e stresit. Kishte vetëm, një muaj që u ishte prezantuar një menaxher i ri, rreth të dyzetave, me një ngjyrë ezmere të errët, të zbehtë, me aksent te bezdisshëm aziatik… Menaxheri i ri kishte një buzëqeshje standarde, te pandarë, si të ngjitur me zamkë në fytyrë, por vështrim e kishte të mugët si kohë të vranët dhe tejet gërmues. Vështrimi i tij të mbërthehej papritmas mbi trup, sikur të shponte mishin dhe të shkaktonte dhembje të brendshme.  Ai kishte një vetëkënaqësi të habitur dhe nuk të vështronte asnjëherë në sy. Shikimi i tij i ngrirë, metalik, bridhte lart, përtej, në hapësirën boshe të sallës, shumë pranë tavanit, si të priste me thikë ajrin e ftohtë të krijuar nga freskuesja, pastaj vështrimi i tij ndehej ngadalë, si perde e rëndë mbi kokat e punonjësve. Të gjithëve u hyri frika e ruajtjes së vendit të punës, mbasi flitej se do te bëheshin lëvizje cilësore sipas mençurisë aziatike.
Ngandonjëherë asaj i krijohej përshtypja sikur vendasit kishin një naivitet gati fëmijëror...
Ndërkohë koha vraponte dhe vraponte pa ndërprerë, shumë më shpejt nga sa ndodhte në vendlindje. Ikte një vit pa u ndjerë dhe befas shfaqej viti tjetër, i njëjtë, i ftohtë, me telashe, borxhe të vazhdueshme dhe strese të pafundme. Shpesh ajo provonte një frikë të padukshme kur hapte kutinë e vogël te postes, sepse pothuajse gjithmonë detyrime për te paguar do gjente në të, dhe rroga zhdukej sa hap e mbyll sytë. Me njerëzit e dashur te familjes, në atdheun e largët zakonisht bisedonin në telefon. Ajo vrapimin marramendës të kohës e perceptonte krejt ndryshe, qëndrimi pranë familjes sipas saj zgjaste pothuajse një minutë, ndërsa rrëmeti i ditës së punës, një shekull, me praninë torturuese të menaxherit të ri. Një ditë shikimi i tij i akullt i u mbërthye papritmas mbi gjoksin e saj, aq sa ajo u detyrua të mbërthehej deri në grykë...
 - Dëshiroja ti puthja fëmijët, - dëgjoi ajo zërin e butë të shoqit.
 - Të lutem, mos i zgjo,- i u përgjërua ajo, sa e lodhur që ndjehej. Ajo nuk mundi te ndalte hapjen e pavullnetshme te gojës, dhe fshiu me nxitim me shpinën e dorës dy bulëza loti te gjumit ne cepat e syve. Menaxheri i ri i kishte ngarkuar edhe detyrën e një punonjëse që ishte pushuar një ditë më parë. Ajo edhe bukën e hëngri me nxitim, gllomka-gllomka pa lëvizur nga vendi i punës, duke vështruar përreth me frikë mos e shihte kush. Ajo shtoi me zë të ulët gati si pëshpërimë, - gjumi fëmijët i rit.
 - Mirë, nuk i zgjoj, - tha ai dhe fërkoi ballin. Ai vështroi serish dhomën dhe shtoi gjithashtu me zë të ulët, - gjumi është i mrekullueshëm për fëmijët.
 - Vajza nesër ka konkursin në klasën e baletit, besoj se nuk do harrosh,- i tha ajo.
 - Sigurisht që nuk do harroj, - tha ai dhe tundi kokën me vrull.
 - Vajza ka besim se do fitojë, ndaj ne duhet të blemë disa lule si dhuratë,- tha ajo.
 - Sigurisht që do fitoje, - i a bëri ai i ngazëllyer dhe shtoi, - dhe unë do ble lulet me të bukura për të. Fëmijët janë drita e syve tanë.
 Vajza ishte shejtane e vogël e mrekullueshme, ajo bënte te gjithë zallahinë në familje, pastaj se nga gjente ca marifete, që dilte gjithmonë pa lagur. Djemtë ishin më ndryshe, më te rritur, më seriozë, por edhe atyre u pëlqente te lodronin me motrën e vogël, e cila ëndërronte te behej yll baleti.
 Ne muajt e parë te mbërritjes ne qytetin e madh te kontinentit te ftohte, gruaja ishte e mendimit qe te nisnin të flisnin vetëm anglisht në shtëpi, në mënyrë qe ta përvetësonin sa më shpejt gjuhen e huaj. Ai e vështroi një copë herë pa folur, pastaj i tha me zë të ulët por te vendosur: “Do më duket vetja i pavërtete po të flas në gjuhë të huaj në familjen time. Ambienti ynë familjar është një cope mëmëdhe.”
Ai buzëqeshi lehtë dhe ngriti krahun te shtronte flokët, por befas ndjeu një sëmbim në gjoks, majërat e gishtërinjve i depërtuan në hapësirën e ngushtë midis dy kopsave të këmishës dhe fërkoi butë anën e majtë të gjoksit të leshtë. I u duk sikur një grerë e padukshme kërceu papritmas dhe nguli thumbin e nxehtë në gjoksin e tij, si për ti larguar përfundimisht gjumin.
Ai vërtet nuk do ti zgjonte fëmijët, le të flinin, sigurisht gjumi i rit dhe le të shihnin ëndrra të bukura, fëmijët gjithmonë shikojnë ëndrra të trëndafilta. Nesër ai do blinte lule shumëngjyrëshe për lepurushën e vogël e ai dëshironte me gjithë shpirt që ajo të bëhej yll baleti. Ai u përpoq të risillte ndër mend ëndrrat e fëmijërisë së tij, por ato ishin jashtëzakonisht larg, si copëra ishuj të vetmuar në përhimë. Kishte qenë vërtet një fëmijëri e vështirë, dhe ëndrrat thërrmoheshin si rërë.
  Ai  rrotulloi qafën dhe u ndesh me vështrimin disi gjurmues së gruas së tij. Ai u përpoq të buzëqeshte sërish dhe bëri një lëvizje të shkujdesur me dorë.
 - Sot dukesh disi i çuditshëm, - i foli gruaja dhe tundi shpejtazi kokën, kaçurrelat e arta përkëdhelën ballin e bukur dhe ai ndjeu një marramendje të lehtë.
 - Jam mirë, - foli ai ultazi. Përshkënditja e dëshirës po e tundonte, por nuk ishte tanimë koha për kësi gjërash. Pavetëdijshëm vështroi orën, akrepi i madh vraponte pamëshirshëm dhe atij i duhej të largohej. Thumbi e grerës ishte larguar prej gjoksit të tij dhe ai ndjehej i qetë.
 - Mos ndoshta nuk ke fjetur mirë gjatë ditës, - dëgjoi zërin e së shoqes.
 - Jo. Jam mirë. Jam shumë mirë. Jam shkëlqyeshëm, - foli ai pa pasur mendjen aty.
Vështroi buzët e plota si dy kokrra qershie të gruas së tij dhe nuk mund të mposhte dëshirën për ti puthur. Ai futi dorën në xhepin e djathtë dhe kërkoi çelësat e makinës. Ngrohtësia e ambientit po i shkaktonte një përgjumje të lehtë, të ëmbël, çlodhës, por mbi të gjitha kurmi gruas së tij...
Përshkundi kokën, nuk ishte koha për tu hallakatur dhe lëshuar veten në krahët provokuese dhe djallëzore të plogështisë. Akrepi i madh i orës vraponte çuditërisht shumë shpejt, gati në çmenduri. Ai vetëtimthi rrëmbeu kokën e bukur të gruas së tij e puthi nxehtë dhe eci me hap të madh drejt derës.
 - Ta kyç derën nga jashtë, - i a bëri ai.
 - Mirë, - tha gruaja,- mbylle derën me çelës nga jashtë.
Ai zakonisht kthehej në shtëpi kur ajo kishte braktisur teshat e shtratit. Ajo nuk e kishte marrë akoma veten nga hutimi i puthjes së tij gjithë afsh. Çfarë ishte kjo dëshirë e nxehtë, e pazakonshme në prag të nisjes se tij për në punë. Asaj i erdhi mirë. Ajo donte ta pyeste, pse jo edhe ti kthente puthjen, por ai tërhoqi derën mbas vetes dhe rrotulloi çelësin në bravë.
Përnjëmend burri i u duk tmerrësisht i brishtë me dëshira të pa shprehura. Ai zakonisht largohej në punë turn i tretë, duke lënë ngrohtësinë e trupit të tij në shtroje dhe ajo rrotullohej nëpër shtrat, për të thithur plotësisht erën mashkullore që linte pas burri i saj. Ngandonjëherë atë e trembte vetmia në netët e gjata të ftohta dhe të thella, dhe nuk gjente të ngrohtë. Ai kishte vite që punonte gjithë javën turn i tretë dhe shpesh here takimet bëheshin gati telegrafike, me puthje në cepat e buzëve, te nxituara, të lehta, si kartolina poste të varura ne pragun e derës. Ata duhej të sakrifikonin për ardhmërinë e fëmijëve.
Ai zbriti shkallët me nxitim, hapi derën e garazhit dhe me hapa të shpejtë u drejtua nga makina. Ishte një makinë ngjyrë portokalli e tipit të vjetër, motorin e kishte të fortë veçse i harxhonte shumë gaz. Kur të gjente kohë të lirë duhej të shikonte për një makinë disi më të mirë, mbasi gazi po shtrenjtohej dita ditës.
Ai ndezi makinën, doli jashtë në rrugën e madhe. Përmes xhamit të përparmë vështroi qiellin e përmbytur nga yjet dhe hënën të zvogëluar që qëndronte diku në cep të qiellit si një fëmijë i vogël i trembur, i hutuar. Ai kishte pasur përshtypjen e mirë për hënën në muajin pranveror të prillit. Por këtë herë hëna akoma nuk kishte shkundur nga supet dimërimin e gjatë dhe dëborën e madhe që u derdh pa ndërprerje mbi qytetin e madh. Nuk mbahej mend prej vitesh një dëborë e tillë, por  çuditërisht pa reflekse mbasi përlyhej në çast nga vrapimi i harbuar i makinave. Edhe në qytetin e tij të lindjes binte pothuajse çdo vit dëborë, por dëbora atje ishte krejt ndryshe, e butë, miqësore, lozonjare, e mrekullueshme, gjithë reflekse, që mund të luajë i shkujdesur, si në një përrallë dimri...
Në çastin që do të merrte kthesën për të hyrë në rrugën e madhe, ndjeu për së dyti thumbin e hidhur të grerës në gjoks. Piu disa gllënjka uji nga shishja plastike. Ku dreqin ishte kjo grerë që ai nuk e shihte. Tejet i bezdisur ngadalësoi shpejtësinë dhe u fut në rrugën dytësore. Mendoi një çast të kthehej në farmacinë më të afërt, për të blerë aspirinë. Mbasi e fërkoi gjoksin një copë herë, me lëvizje rrethore, ndjeu një farë lehtësimi. Gjatë ditës fëmijët kishin bërë zhurmë ndoshta më shumë se zakonisht, a mbase i ishte dukur atij, sepse nuk kishte mundur të plotësonte gjumin. Me kalimin e viteve duke punuar turn i tretë, i ishte redaktuar gjumi i plotë deri në tre orë. Ai mund të vërtitej në shtrat në kërkim të gjumit, por kjo nuk do të thoshte qe ai flinte.
Rruga dytësore ishte e qetë, pa shumë lëvizje, dhe shtëpitë në të dy anët e rrugës ishin të zhytura në gjysmë errësirë. Ngandonjëherë shtëpitë i dukeshin si shtëpi kukulle prej kartoni, të brishta, dhe të vendosura njëra pranë tjetrës me rregullsi gati lodhëse.
Vite më parë ai provoi magjinë dhe joshjen e qytetit të madh. Qyteti i kontinentit te largët befasisht të robëronte, të mbërthente dhe të gozhdonte me mijëra fije. Ndaj jo rrallë i dukej vetja sikur ndodhej midis dy skajeve të një litari të tendosur dhe të padukshëm, por që ndjehej edhe në këto dy skaje diçka i huaj. Ai kishte shumë gjëra që e lidhnin me vendlindjen e largët, dhe mbi të gjitha, flokëargjënda, e mira, e ëmbla, e palodhura, nëna e tij. Ajo po mplakej dhe rrëgjohej nga dita në ditë. Ai kishte pesë vjet që nuk kishte mundur të shkonte të vizitonte nënën, të ndjente mbi flokë si dikur dorën e rrudhosur të saj, dhe të dëgjonte urimin drithërues të saj.
Dreqi ta hajë sa shpejt shkisnin vitet, si të kishe hipur në një ski metalike dimërore, e cila zhurmë ndjellëse, shkiste dhe shkiste pa u ndalur, mbi ditët, muajt dhe vitet. Ai punonte pa u lodhur dhe pa ndërprerje duke kursyer të  holla për të një folesë të ngrohtë në kontinentin e ftohtë. Ndërkohë zëri i nënës dëgjohej së largu, më përgjërues, përcëllues, që përcillej vetëtimthi nëpër hapësirat e pafundme, por që befas humbiste nga zhurma dhe rrëmeti i qytetit të madh verior...
Vëllai kishte thyer këmbën nga një aksident automobilistik, mbasi atje sinjalet rrugore ishin të tepërta, të pavlera dhe gruaja e tij ishte e papunë. Sigurisht shtëpia e madhe me shumë dhoma kishte filluar të rrënohej, dhe ata vërtiteshin vetëm me pensionin simbolik të plakës.
 Djali i komshiut kishte rrëzuar murin ndarës midis dy shtëpive për të  futur makinën e re.
Ishte hera e tretë që ndodhte prishja i murit. Shkatërrimi i parë i murit ndarës ndodhi në vitet e para mbas luftës së dytë botërore. Atëherë i ati i tij kishte ndërtuar mur të madh të trashë guri, por familjes se tij i ndalohej të mbante mure ndarës dhe aq më shumë të lartë. U duhej të ishin vazhdimisht nën vëzhgimin e komshinjve të rinj, gjithashtu nuk u lejohej të varnin në dritare perde të rënda tyli si dikur. Kohët kishin ndryshuar dhe shtëpia e tyre e madhe ishte përmbytur nga qiraxhinjtë e rinj provokues dhe rrëmujaxhinj, te cilët hynin befasisht nëpër dhoma rrëmonin nëpër sirtarë e dollapë duke buzëqeshur pa teklif sikur te mos kishte ndodhur gjë. Asgjë nuk ishte pronë e tyre tanimë. Në mesin e viteve gjashtëdhjetë i ati ndërtoi një mur të hollë tulle, por që u shemb në mëngjesin e ditës së nesërme me urdhër të këshillit të lagjes, gjithashtu familja u dënua me gjobë të rëndë, dhe me paralajmërim me internim afat gjatë. Atëherë mbas rrafshimit te murit, bashkëmoshatari i tij vërtitej mes pluhurit, bythëjashtë, nëpër oborr dhe bërtiste në kupë të qiellit:
“- O borgjez, o qymez, i ke brekët me pekmez.”
Ai nuk kishte asnjë kuptim të saktë mbi fjalën e tmerrshme “borgjez”, që adresohej kundër familjes së tij, dhe që atakohej aq shpesh nga komshinjtë, dhe pushteti, duke zgurdulluar sytë, ngërdheshur fytyrën, dhe përdredhur trupin, si të kishin përpara një shpirt te vjetër, të  frikshëm. Ai atëherë ishte tepër i brishtë, ndaj drithërohej dhe shpeshherë i dukej se qenia “borgjez” e ardhur aksidentalit nga thellësia e viteve, i ngjante një sfinksi të tmerrshëm që i ndiqte ngado dhe pamëshirshëm, hap pas hapi, aq sa i merrte frymën. Ndaj ai donte të përleshej dhe ta ndëshkonte bashkëmoshatarin, por i ati i a kishte ndaluar kategorikisht, mbasi të tjerët kërkonin marana për trahana.
Ai e mbante mend fort mirë atë adoleshent sherrxhi, djalin e bashkëmoshatarit, ai ishte ndër të parët që theu depot, dhe së bashku me të atin vodhën armë dhe thasë me miell, në ditët e mjegullta të pranverës së hidhur. Ditë më vonë ata shisnin miell duke shëtitur me karrocë nëpër rrugët e ngushta te qytetit.
Ai kishte plot gjëra për të bërë në shtëpinë e vendlindjes, të zbuste dhembjen e nënës. Të ngrinte sërish me tulla murin ndarës, për të bllokuar sykeqin, djalin e komshiut, i cili pinte me shokë dhe dehej majë makinës, pastaj ngacmonte dhe përpinte me sy gruan e vëllait edhe pse ajo ishte shumë vjet më e madhe se ai dhe i kishte fshirë qyret kur ishte i vogël.
“ - Ç’e do sakatin, hajde me mua në makinë të shohësh botë, do mplakesh, do mbetesh shushkë.”
Gruaja e vëllait qante fshehurazi në kuzhinë. Ajo ishte grua namusqare, çfarë kishte bërë që ai malukat i thoshte ato fjalë. I vëllai tërbohej duke tërhequr këmbën zvarrë. Vëllai ishte tip i vrullshëm dhe nëna trembej mos ndodhte ndonjë hata. Ajo qëndronte mes dy shtëpive, në vendin e prishjes së tretë të murit, merak madhe, ashtu e imët, flokët e bardhë shpupurishur, si në mesin e dy skajeve te një litari te padukshëm, të tendosur në vite.
Ai dërgoi disa të holla, por që u tretën në çast si kripa në ujë. U blenë drutë e dimrit, mbasi plakës i ishte holluar gjaku, sepse kishte shumë erëra dhe shtëpia e madhe qëndronte përherë akull. Dikur babanë e arrakatit e kishte bërë shok, duke flakur tej mërinë, ai dinte vetëm te falte, bile e kishte ndihmuar te gjente pune kur u ngeli i papunë, në fillim te viteve nëntëdhjetë.
Më në fund kishte mundur të mblidhte disa të holla dhe kishte blerë biletat për gjithë familjen, për të shkuar në vendlindje në muajin qershor. Ai ndoshta mund të kishte shkuar vetëm më parë, por nëna i lutej vazhdimisht, me zërin drithërues:
“ - Biro eja së bashku me fëmijët, të çmallem me ta. E njëherësh fëmijët e tu të mos harrojnë gurët e vendlindjes, sepse guri rëndon në vendin e vet.”
 Por nëna e mirë nuk mund ta kuptonte se rëndesa gurit në lëvizje nuk ishte si më parë.
Ai ndezi cigaren dhe e thithi disa herë me vrull, ai kishte menduar që ta linte duhanin, i behej goja shafran, ndaj detyrohej të pështynte here mbas here. Cigaret ishin shtrenjtuar mjaft, dhe ai ishte i detyruar të blinte duhan të lirë të futur pa doganë. Shitësi, një indian i imët me çallmë blu i jepte paketën me cigare kur nuk kishte njeri, dhe ai e falënderonte zë ulët. Gruaja nuk e duronte erën e rëndë te duhanit dhe ai detyrohej ta pinte jashtë në ballkon. Në vendlindje asnjëherë nuk behej zhurme dhe potere për pirjen e duhanit, do te ishte surprize për ndonjë që nuk e pinte duhan. Kudo tymosej dhe ishte një kënaqësi e hatashme.  
Ai duhej me patjetër te hynte në autostrade, mbasi fabrikën ku punonte e kishte pak larg, ne veri te qytetit. Ai mori kthesën nga e krahu i majte dhe rrotat fërkuan me shpejtësi asfaltin e rrugës së gjere. U mbështet tërësisht në ndenjëse dhe riti shpejtësinë.
Ne krahun e djathte te autostradës, në mesin e fushës të rënduar nga errësira vezullonin dritat e fabrikës së plastikës. Ai uli shpejtësinë dhe hyri ne daljen e djathte te autostradës. Ai kishte pothuajse pese vjet qe punonte ne fabrikën e plastikës. Fillimi ishte i vështire, mbasi ndryshonte kryekëput me punën qe kryente ne vendlindje,por me kalimin e viteve u fut ne rrjedhën e zakonshme. Kishte menduar të fillonte ndonjë shkollë ose kurs, por puna e natës dhe kujdesi ndaj fëmijëve e lodhnin tej mase, ndaj fillimin e shkollës e shtynte nga dita në ditë. Ai kishte tre fëmijë zhurmëtarë dhe të mrekullueshëm dhe ndjente një adhurim te jashtëzakonshëm për ta. Vajza e vogël ishte magjia e familjes.
Ai hyri ngadalë në oborrin e gjerë te fabrikës, atë çast ndjeu sikur dikush e goditi befasisht me çekan mbas shpine, mu në mesin e shpatullave, aq sa i shkaktoi dhembje të padurueshme. Ai u drodh i teri, shtrëngoi me gjithë forcën timonin dhe rëndoi ashpër në pedalin e frenit, makina u shkund dhe kërceu përpara.
Atëherë kur po fillonte të lehtësohej pakës dëgjoi mbas shpine burinë nervoze të një makine. Ai me ngadalësi hapi sytë, uli xhamin anësor dhe zgjati kokën jashtë, dalloi fytyrën ezmere të pakistanezit, kolegu i punës, kushëriri i pare i përgjegjësit te repartit.
- Hej, te zuri gjumi, lëviz, keni bllokuar rrugën, kam pesë minuta qe po i bie borisë, - tha ai. Zëri i pakistanezit ishte i lartë, i paduruar.
 Ai luajti kokën ngadalë dhe me shumë vështirësi drejtoi makinën drejt vendit të parkingut. Pakistanezi zakonisht mbante një fustanelle të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve te zbathura dhe një pale pantofla plastiku, kjo ishte uniforma e tij e përditshme.
Ai mendoi të ndizte një cigare për tu qetësuar, ne çastin po nxirrte çakmakun, ndryshoi mendje, beri cigaren shuk, e thërrmoi neper gishtërinj dhe e flaku jashtë, përtej dritares në asfaltin e errët.
 - Hej, - dëgjoi serish zërin larte te pakistanezit, - shkoi vone.
 Pakistanezi pothuajse vraponte në korridorin anësor dhe gjysme te ndriçuar te fabrikës. Ai dëgjonte trokëllimën nervoze te pantoflave prej plastiku dhe mbas disa sekondash fustanella e bardhë humbi në bërrylin e korridorit. Ai u mundua të vraponte, por nuk mundi, ndaj u përpoq te shpejtonte hapin, megjithëse ndjente vështirësi në frymëmarrje. Ai veshtoi orën, kishte edhe plot dhjetë minuta derisa të fillonte koha e punës. Gjithsesi kishte mundësi të ndërrohej, pse jo të pinte edhe një cigare, por pakistanezi si zakonisht ishte shembullor i kushëririt. Shpëlau fytyrën me ujë të freskët dhe pothuajse indiferent u vështrua në pasqyrë, i u duk vetja pakës i zbehtë, me siguri ishte lojë idiote e neonit ngjyrë qumështi të banjës. Ai nuk kishte sesi të hallakatej si kaqol përpara pasqyrës, piu një aspirinë, spërkati dhe njëherë fytyrën, përnjëmend u ndje mirë. Ai mendoi që ditën e nesërme të vizitohej tek mjeku i familjes, megjithëse nuk i kishte fort për zemër vizitat mjekësore. I dukej tmerrësisht bezdisëse qëndrimi në radhe dhe vështrimi disi gërmues i mjekut, edhe pse mjeku i familjes ishte një kinez trup vogël i qetë, që buzëqeshte vazhdimisht, ngandonjëherë edhe pa shkak.
 Përgjegjësi po e priste tek dera e repartit, i hodhi vetëtimthi një vështrim të pjerrët, nëpërmjet syzeve të trasha si xhama kavanozi dhe i foli me ton disi të zvargur:
 - Do të mbash dy makina sot, - dhe shkroi diçka në bllokun e tij të madh.
 Ai e vështroi me mëdyshje. Ai shpesh herë kishte pranuar të mbante gjatë punës dy makina, kur mungonte dikush. Punonjësit e tjerë përtypeshin të mbanin dy makina, por për të kjo ishte më se e zakonshme.
 - Do paguhesh si gjithnjë, një pagë e gjysmë, - dëgjoi zërin e paduruar të përgjegjësit.
 - E di, - i a ktheu ai, donte të shtonte që kishte pasur disa shqetësime në zemër, por aspirina i kishte bërë mirë.
 Ai nuk mund të kundërshtonte, askush nuk e pëlqente kundërshtimin, sidomos përgjegjësi me xhama kavanozi, i cili me siguri gjatë gjithë jetës së tij në vendlindje kishte qenë një punonjës me bindje shembullore. Përgjegjësi vazhdonte të shkruante në bllokun e madh me mbulesë lëkure të zezë që e mbante përherë me vete, pastaj ngriti kokën vrulltas dhe foli zë rëndë:
 - Hë!
 I luajti kryet në shenjë pohimi dhe u drejtua me hapa të ngadalta tek vendi i punës.
 Gjatë punës ndjehej i plogët edhe i duhej të lëvizte pa ndërprerje në dy makina. Herë i thahej fyti, ose i dhembte trupi. Tre herë shkoi me nxitim në banjë të bënte ujët e hollë. Mezi priste pushimin e parë. Edhe pakistanezi, kushëriri i përgjegjësit, mbante dy makina, i cili punonte në krahun e majtë.
 Nuk i  hapej goja të hante bukë edhe pushimin e kishte pritur me padurim. Ai donte vetëm të shtrihej ose së paku të mbështetej diku. Ishte hera e parë që ndjehej kaq i dërmuar. Çfarë të ishte vallë! Ai gjatë jetës së tij nuk kishte ndjerë dhembje të tilla. Në fëmijërinë e largët kishte pasur disa aksidente të vogla, gjatë lojërave të ndryshme, kur çau këmbën në fabrikën e qelqit në kërkim të xhamave shumëngjyrëshe, ose kur theu krahun aksidentalisht gjatë një mundje me një bashkëmoshatar.
 Ndjeu që pakistanezi me fustanellë po e përgjonte me vështrim. Ai u përpoq të lëvizte nga vendi i bezdisur. Pakistanezi i u afrua fare pranë, në cepat e buzëve të tij kishte gjurmë orizi.
 - Nuk jeni mirë, - i tha pakistanezi, brenda hapësirës së bardhë së syve të tij, ai do të shihte si gjithnjë ishuj të vegjël ngjyrë gri.
 - Nuk e di, - i a ktheu thatë. Pakistanezi ishte baba i shumë fëmijëve, ndaj lumturohej kur dikush mungonte në punë, sepse një ditë e gjysmë page e kishte të sigurt, - por më duket sikur kam një peshë te rende diku këtu në gjoks.
 Sytë e pakistanezit u zgjeruan tej mase dhe ai dalloi ishuj të tjerë gri. Ai u pendua që i tregoi dikujt dhembjen e tij, edhe pse punonte me të prej disa vitesh. Këtu marrëdhëniet në punë ishin krejt ndryshe nga miqësitë e vendlindjes. Këtu kishte vetëm mirësjellje standarde pune, që treteshin sa hap e mbyll sytë, kur kapërceje murin e fabrikës.
 - Ti them përgjegjësit, - dëgjoi zërin e pakistanezit.
 - Jo, - i a preu ai, - me siguri do të kalojë.
 - Unë i them atij, - këmbënguli pakistanezi, - ose të marrin në telefon 911.
Ai befas u ndje nervoz dhe i a preu shkurt,
 - Jo, faleminderit.
 Pakistanezi tundi kokën i preokupuar, pa e shkëputur vështrimin nga ai. Gjurmët e orizit i vareshin ne cepat e buzëve.
 Ai nuk ishte aq i sëmurë sa të lajmëronin urgjencën, veçse disa dhembje krejt të panjohura më parë. Ai ishte burrë i fortë. Pushimi i u duk tmerrësisht i shkurtër. Mendimi se duhej të pinte si zakonisht cigare po e torturonte, por  gojën e kishte të hidhur farmak, por ngandonjëherë shafrani del me shafran. Për t’u shmangur vështrimit disi të habitur dhe te pandarë të pakistanezit, shkoi në banjë dhe bëri për herë të katërt ujët e hollë. Pas kësaj e ndjeu veten jashtëzakonisht mirë, të lehtë, pa dhembje. Është vërtet  mrekullueshëm të mos kesh dhembje. Përnjëherësh i u kujtua para se të shkonte në shtëpi duhej të kthehej në dyqanin e luleve për bubuleshen e dashur. Gjithë shkujdesje tërhoqi pas derën e banjës dhe eci me hap të çlirët në korridorin e gjatë për tu drejtuar tek vendi i tij i punës. Pakistanezi me siguri kishte filluar si zakonisht punën pa përfunduar koha e pushimit.
 Atëherë kur i u bë sikur dëgjoi zërin e nënës, ndjeu një shkundje të fortë dhe goditje të tmerrshme midis dy shpatullave. Nuk ishte e lehtë të mbante drejtpeshimin. I dukej sikur një hekur i nxehtë po i shponte trupin tej përtej dhe ai po gremisej nëpër  korridorin e errët. Atij i u duk sikur diku tej ne mugëtirë, shqoi trupin e imët të nënës ngujuar mes dy shtëpive, në vendin e murit të prishur, si midis dy skajeve të një litari të tendosur. Ajo ishte tmerrësisht e zbehtë, e ligur, e lodhur nga jeta, brengëmadhe. Erërat e forta te halleve e kishin leqendisur. Ajo ishte e kruspullosur aty në mes, rreth e rrotull kishte dhera, gurë, pluhur dhe litari i mallit ishte mbështjellë rreth saj. Ai zgjati krahët ta prekte, ai donte ti fliste, por vorbulla e rrëmbeu sakaq dhe ai humbi nëpër terr...

Kristaq  Turtulli
Maj 2008



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora