E marte, 16.04.2024, 02:19 PM (GMT+1)

Mendime

Lavdim Hamidi: “Sulltan” Tërnava

E hene, 02.09.2013, 08:00 PM


“Sulltan” Tërnava

Nga Lavdim Hamidi

Naim Tërnava po bëhet myfti i përjetshëm. Këtë e arriti pas shumë “peripecive”, “ndërskamcave” dhe duke eliminuar kundërshtarët, me përkrahjen e hapur të grupit radikal, Lëvizjes “Bashkohu”.

Tërnava, i cili heshti skandalet, rrahjet e hoxhallarëve, emërimet dhe shkarkimet me të “ngjofshëm”... u shpërblye me përkrahjen e klanit, i cili haptazi është në anën e ideologjisë së re radikale islame, që s’ka qenë e njohur për myslimanët tolerantë të Kosovës.

Udhëheqësi i BIK-ut, nuk bëri zë as kur u kërkua përgjegjësi për financat e institucionit që drejton, mjetet që grumbullohen nga zemërgjerësia e besimtarëve dhe të hyrat tjera të këtij institucioni fetar. Heshtja e tij u kurorëzua me postin, të cilin pritet ta rimarrë gjatë ditëve në vijim.

Pa e fshehur fare tendencën që të ulet përgjithmonë në kolltukun e myftiut, ai haptazi shkarkoi kundërshtarët dhe detyroi servilët e tij ta ndryshojnë Kushtetutën e BIK-ut.

Atij nuk i mjaftuan dy mandate dhe luksin që ia solli kjo pozitë, prandaj po i shtohen “apetitet” për mandate tjera, të cilën mundësi nuk e patën asnjë nga paraardhësit e tij në krye të bashkësisë më të madhe fetare në vend, pasi që Kushtetuta parashihte jo më shumë se dy mandate për myftiun.

Tërnava ka nisur të marrë rolin e politikanëve, të cilët me çdo kusht e duan postin e udhëheqësit, duke instaluar edhe mentalitet totalitar, ku të tjerët u nënshtrohen duke iu gjunjëzuar, ndërsa kundërshtarët eliminohen pa mëshirë dhe me metoda jodemokratike.

Prijësit fetarë është dashur të jenë më ndryshe nga politikanët, të promovojnë tolerancë, e jo të pasurohen në emër të Allahut. Në fund të mandatit të dytë ai faktikisht më shumë e luajti rolin e liderit partiak, e aspak të klerikut fetar.

Tash sa vite ai u akomodua mirë në pozicionin e politikanit, ku toleroi të fyhen edhe figurat më të larta kombëtare. Nuk reagoi as kur u fye Skënderbeu, e as kur u sha lavire Nënë Tereza. Sepse ata imamë si Shefqet Krasniqi e Irfan Salihu e shumë të tjerë, janë krahu i fortë i Tërnavës. Dorën në zemër, si të distancohet Tërnava nga këta imamë e këto grupe radikale, të cilët e mbanin në krye të Bashkësisë Islame.

Radikalizmi dhe ekstremizmi në fe janë devijime, nuk janë feja, prandaj si të tilla janë të rrezikshme për gjithë shoqërinë kosovare, pasi që nga radikalët e tillë u rrahën disa hoxhallarë, të tjerëve iu dogjën makinat.

Ndërsa, Tërnava në vend se të reagojë, ai zgjodhi të shkarkojë ata që haptazi promovojnë vlerat tolerante të besimit islam, ata që haptazi dolën kundër ideologjive wahaniste.

Të gjitha këto zhvillime haptazi që na treguan se çfarë po ndodh brenda institucionit më të rëndësishëm fetar në Kosovë, nuk është dashur t’i japin mundësinë Tërnavës të shpërblehet me postin e përjetshëm, në mënyrë që ai të sillet si sulltan dhe pa i dhënë llogari askujt.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora