E premte, 29.03.2024, 04:58 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Pak “SHQUP” në vend të piperit

E hene, 02.09.2013, 05:00 PM


Pak “SHQUP” në vend të piperit (reflektime të lira për qeveri vajtëse dhe ardhëse)!

Nga Elvi Sidheri

2 shtator sot!

Ditë me rëndësi për ndonjë arsye të veçantë do thoni juve lexues?

Ditë normale, më e zakonshme sesa speciale do të thoja unë, po të mos qe që edhe sot, si shumë ditë të mëparshme të kësaj periudhës së fundit shqiptare, hapësira jonë politiko-qeverisëse, ndahet sërish mes dy gati-qeverish, asaj kushtetueshmërisht ende në funksionin e saj ligjor dhe asaj tjetrës që ka prapa “mandatin” popullor të “1 milionëve”!

E dini çfarë?

Ky termi pa shije “1 milionë” vota, se ç’më kujton!

1 milion dhe çfarë më pas?

Se në emër të turmave “oqeanike” çfarë nuk ka ndodhur (për keq) jo në botën e paqytetëruar, por edhe në mes të Europës sonë djep të lashtë qytetërimi.

Sheshe plot në Nyremberg të themi nga vitet 30-të të shekullit të kaluar ku gërthiste e gulçonte si gic para se t’a therin një mustaqe-vogël nga kufiri austro-gjerman, marshime milionëshe mbi Romë në vitet 20-të po të shekullit që lamë pas...nga ithtarë duçistë këmishëzinj apo turma miliardashe maoiste me kazma dhe lopata në duar që rrethonin qytetin, për t’a fshatarizuar atë gjer në palcë (sepse borgjezia dhe fisnikëria si qytetare shihej shtrembër nga opingashët komunistë jo vetëm në Kinën e Revolucionit të Timonierit të Madh).

Mjaftojnë këto tre shembuj për të ilustruar idenë?

Pushteti nuk ka rëndësi se në emër të sa votave vjen, rëndësi ka që ai të jetë i fituar në mënyrë demokratike, të ketë buruar nga një zgjedhje e lirë sikur edhe e 50+1 përqind të gjindjes së thjeshtë që thirret të japë opinionin e saj lidhur me qeverisjen e vendit ku jeton dhe paguan taksat, njëherë në katër vjet.

Ashtu siç jo më larg se PD-ja e 92-shit do të ishte dashur t’a kishte të qartë se ajo përqindje tejet e lartë votash që pati marrë në 22 mars të atij viti, nuk tregonte gjendjen reale të ndarjes djathtas-majtas të banorëve të Shqipërisë (por eventualisht një grusht popullor majtas-djathtas, nga të vuajtur, të pabukë dhe të palekë, të vrarë e dergjur në skamje dhe internime, të secilës shtresë dhe rajon, kundër regjimit 45 vjeçar rrënues monist që ende nuk kishte njohur reformim)...ashtu edhe kryeministri “in pectore”, i ardhëshmi pra, nevojitet t’a vërë re dikur, se 1 milionët që e kanë votuar, i shërbejnë që të qeverisi i qetë (shkak numrash në parlament), por jo që të ndihet Zot!

Ja ku e sqaruam temën e parë pra!

Kujtoj këtu, duke qenë vetë thelbësisht me bindje të djathta, kënaqësisht mos-votues i majtë, se zgjedhjet e vitit 96, të fituara nga e djathta, u morën në qafë dhe morën në qafë edhe vetë Shqipërinë, për shkak se në PD, nuk kishin kuptuar akoma se përqindjet “milionëshe” të votave të 22 marsit 1992, nuk mund të përsëriteshin më (ndaj dhe bashkë me vetëlargimin “strategjik” të komisionerëve të majtë, dikush fryu numrat e një fitorje sidoqoftë ekzistente, në atë pikë sa partnerët perëndimore dhe amerikanë, nuk e pranuan atë rezultat fiktiv).

Ç’ndodhi më tej e dimë të gjithë dhe s’është kjo tema e këtij shkrimi.

Por sido që të jetë, një fitore është fitore edhe me 70+1 deputetë (2009-a), kur si qytetarë duruam edhe pa qenë të majtë, sheshe me tenda, greva urie, parrulla në mes të bulevardit që himnizonin vetëm vizionin “njëngjyrësh” deri në ekstrem të njërës palë (humbëses, qoftë edhe për 25 mijë vota)...e deri tek fund-janari 2011-ë dhe ngjarjet që pasuan.

“Të shkuara-të kaluara” këto!

Tani jemi përballë fitores “1 milionë votëshe” dhe presim të shohim frytet e kësaj shumice mbështetje të rrallë për një qeveri gjatë këtyre 23 vjetëve demokraci.

Dy përbërëset e vërteta të mazhorancës së re (LSI dhe PS), kanë duar të zgjidhura për të bërë çfarëdo politike të kenë menduar...për t’iu futur letrarisht “Detit me këmbë”, për të vënë në jetë (tentuar të paktën) realizimin e çdonjërit prej premtimeve të tyre populiste, mjekësi falas e legalizime e ç’mos tjetër më tepër!

Janë të lirë të veprojnë, brenda suazave të një gjendje ekonomike pranë stanjacionit për shkak të asaj çfarë na rrethon (Itali+Greqi sa të frenuara, aq edhe në krizë të thellë), por gjithësesi të lirë, për shkak të 83 deputetëve në 140 në kuvend dhe si pasojë e një pritshmërie popullore, që do pranuar se nuk është e vogël kundrejt tyre.

Urime pra!

Sipas praktikës së vendeve perëndimore, ku edhe ne synojmë të bëjmë pjesë dikur në të ardhmen, fituesi urohet pas fitores së ligjshme në zgjedhje (edhe kur ka bërë ndonjë proçkë të vogël, tip Lezhe)...dhe atij i lihet të paktën një afat 100 ditësh për të parë sesa do të impenjohet realisht për t’u përpjekur të vërë në jetë me rradhë, premtimet e fushatës elektorale.

Dakort jam edhe unë me këtë formulë, ndaj dhe s’më takon, edhe duke i përkitur kampit tashmë efektivisht opozitar të ri, që të nis të kritikoj qeverinë e re që akoma nuk ka filluar zyrtarisht punën, për gjëra që ende nuk i ka bërë, si për mirë e si për keq!

“Tu pa e tu bo”- i thonë edhe tironsit, e mbështes edhe unë këtë thënie të tyre!

Të shohim pra se çfarë kryeministri i ri dhe shoqëria e tij gazmore e shumë ministrave të rinj, gra, vajzka e djemka apo burra, do të bëjnë të gjithë bashkë, për të mirën (shpresohet) e këtij vendi i cili i yni është përbashkësisht, se nuk ia ka lënë njërës palë nëna dhe tjetrës njerka.

Të durojmë bashkërisht edhe ne të frontit opozitar të pas 9 shtatorit, sikur edhe për 100 ditë, se tre muaj do jenë.

Më pas, po qe se pritshmëritë tona (tejet të ulta) për këtë qeveri, do të dalin dhe jetësohen si katërcipërisht të vërteta, si të kenë kaluar 100 ditët, le të nisim e flasim atëherë, pa rënë në gabimin e paragjykimit politik për fakte të pandodhura (siç do ndodhte po të kritikonim tani që ende zyrtarisht në pushtet është partia që votojmë ne), duke u mbështetur eventualisht mbi fakte me bazë reale.

Tre muaj më pas 9 shtatorit, jetë sipas termave kushtetuese, qeverisë në ardhje, do i ketë mbetur edhe për 3 vjet e 9 muaj, kohë për kritika, aksion opozitar, denoncime, faktim abuzimesh, konferenca shtypi nga selia e partisë (tek ish-SHQUP-i) etj, do kemi sa të “hanë qentë” siç thotë populli, pra sa të duash.

Por meqë megjithë shumë anormalitete që i shoqëruan, këto zgjedhje, na bënë dëshmitarë edhe të ndonjë evenimenti të padëgjuar si njohje të humbjes nga humbësi dhe përdorim gjuhe normale dhe jo triumfaliste nga fituesi, uroj që për të vazhduar me vënien e disa piketave historike për zhvillimin e këtij vendi, opozita e re, PD-ja, siç ka rrëzuar mumjet gjakatare moniste, ka dorëzuar pushtet edhe kur i kanë kthyer armët, është ngritur nga hiri pasi janë përpjekur t’a shfarosin dhe sërish ka fituar me votë të lirë, tanimë të bëjë këtë zgjedhje ala-perëndimore dhe t’i japi kohë mazhorancës së re që të tregojë veten dhe të nisi  të mbajë premtimet e saj, duke ndenjur sidoqoftë në dritare, gati për të ngritur zërin që ditën e parë, për çdo shkelje dhe arbitrarizëm nga fituesit e etur për pushtetin që u mungoi 8 vjet!

(Të mësuar me 4 vjet ilegalitet dhe 45 vjet pushtet të pandalur të majtë, me të mirë apo të keqe, do pranuar që tek shumë të djathtë, dyshimi lidhur me urinë e majtë për pushtet, është me themele të shëndosha dhe vështirë se dobësohet).

Pas 100 ditësh nga 9 shtatori, flasim prapë për këtë temë pra, deri atëherë, punoftë mirë qeveria e “Rilindjes që Ecën më Shpejt”...dhe iu plotësofshin ëndërrat dhe dëshirat e iu zgjidhshin problemet me të vërtetë, atyre shqiptarëve që me të drejtën e tyre të lirë, e votuan këtë alternativë politike (si dhe mos iu mbarofshin nga 50 në 300 eurot atyre të djathtëve që aq e cilësuan çmimin e votës së tyre, se edhe në dyshek t’i fusin, aq lekë nuk zgjasin 4 vjet sa ç’zgjat një mandat qeverisës)!

Kaq për qeverinë “ante portas” (para derës...së pushtetit).

Tani tek tema e dashur e kaq ditëve...SH.Q.U.P-i!

Sa më kënaq ky emër-pa emër, se ç’më bie në mend edhe “S.P.Q.R” të Romës antike!

Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore...përballë për shembull homologes Senatus PopulusQue Romanus!

Tani ashtu siç për SPQR-në ka edhe anekdota të llojit “Sono Pazzi Questi Romani”...pra “Janë të çmendur këta romakët” (se botës kështu i dukej ky qytet-shtet-popull legjendar që përveçse e pushtoi, por edhe i dha rrugë, qytetërim, ligje, ujësjellësa, shkolla, shkrim e këndim gjithë Mesdheut e më larg)...edhe unë mund të krijimtaroj mbi inicialet e SHQUP-it.

Shtazët e Qethura tek Ura e Përmetit (ushtarët në monizëm trajtoheshin nga shteti si shtazë, qetheshin dhe shërbenin për një luftë imagjinare, që kurrë nuk ndodhi, me NATO-n dhe Traktatin e Varshavës si kundërshtarë, që ne pa pikën e vetme të dyshimit, që do t’i mundnim e shkërmoqnim bashkërisht)...ose pse jo edhe “SHTETI QË URDHËRON PUSHKATIME”!

Kjo e dyta shkonka edhe më tepër, pra të mos kapet njeri pas ca inicaleve debile dhe pa lëng (“Merre me lëng se mishi u mbarua”...edhe disa nostalgjikëve, u iku xhaxhi merhumi dhe Ushtria Popullore e copës së preshit me kripë dhe tani ngrenë zërin e ngjirur, për t’u kacavjerrur mbi pasqyra, sikur çfarë na ndodhi që u zhbë SHQUP-i)...se asgjë nuk rregullon dot.

Mua SHQUP-i, Piramida e “Kumandar na mori malli”, Vila e tij luksoze tek Blloku, vetë Blloku etj, më ngjethin mishin dhe më sjellin NEVERI dhe asgjë më pak!

Pra po qe se avionët e NATO-s (organizata që SHQUP-dashësit e thekur, këta të Ushtrisë Popullore të Titos, Stalinit dhe Mao-s...që me NATO-n pra kanë qenë armiq për vdekje)...andej nga 1999-a godinës së SHQUP-it (pa njerëz brenda largqoftë), Piramidës dhe Vilës së xhaxhi Dullës, do u kishin hedhur “gabimisht” (sipas idesë së njohur “friendly fire”)...rrugës për në Kosovë...edhe ndonjë bombë disa tonëshe dhe do t’i kishin rrafshuar me tokën, kjo gjë do të më kishte entuziazmuar mua dhe shumë shqiptarë të tjerë...pamasë si dhe po ashtu do e kishte shpëtuar Tiranën tonë të bukur nga dilema Shekspiriane “To be or not to be?...Çfarë to do with the Pyramide of the living dead comrade Enver and with his Villa in the Block”???

Ja edhe zgjidhja e vërtetë për SHQUP-in (aty e shihnit pastaj çfarë proteste të vërtetë dhe të zjarrtë do bënin ish-SHQUP-sat e shumtë, më keq se tani që PD-ja, pra ish “kllasat e përmbysura”, kulakë, njerëz me shkollë, fisnikë, borgjezë e ballistë apo legalistë, hyri në territorin e ish-Pushtetit Popullor dhe të ish-Ushtrisë së tij të lavdishme)...por edhe për Piramidën dhe Vilën e Zombie-s, që më keq se të vdekurit e gjallë të filmave hollivudianë, s’po na lë të qetë dhe na shfaqet akoma me hijen e tij të errët edhe nëpër konferenca të organizuara nga partia e më e madhe e pushtetit dhe qeverisë së ardhëshme.

Konferenca (flas me fakte tani, s’po cënoj 100 ditëshin, sepse këto propozime pa sens, tashmë kanë ndodhur)...ku të huaj pa idenë më të largët të asaj çfarë ka ndodhur në Shqipëri para viteve 90-të të shekullit të kaluar, kanë turinj të na propozojnë edhe rrëshqitje turistike tek përkujtimorja e diktatorit apo gjumë morboz në dhomën e tij!



(Vota: 17 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora