E marte, 19.03.2024, 05:30 AM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Hashim! - Propozoj ta heqim edhe bustin e Skenderbeut nga sheshi...?!!

E merkure, 21.05.2008, 05:30 PM


Adnan Abrashi
HASHIM! – PROPOZOJ TA HEQIM EDHE  BUSTIN E SKENDERBEUT NGA SHESHI...?!!

Nga Adnan Abrashi

Me të dëgjuar lajmin e fundit se, Ekzekutivi i vendit miratoi unanimisht Projektligjin për festat zyrtare të Republikës së Kosovës, ku janë të përfshira 11 festa shtetërore, duke lënë jashtë saj  Festën kombëtare të 28 Nëntorit, u stepa në vend dhe nuk dëshiroja t’i besoj veshëve të mi.
A thua është e mundur një gjë e tillë?!!
Mu sikur viktimës, para daljes së shpirtit i parafytyrohen me shpejtësi të gjitha ngjarjet e rëndësishme nga jeta e tij, ashtu edhe mua  në atë moment, me shpejtësi të madhe mu shpalos  parafytyrimi i retrospektivës së skenarit nga të gjitha ngjarjet e pasluftës  UNMIK-ase  kosovare.
Menjëherë pas bombardimeve dhe hyrjes së trupave aleate të NATO-s në Kosovë, ndërmarrja e parë e miqve tanë ishte ajo që pak kush e parashikonte: çarmatosja e UÇK-së, dhe në vend të saj, krijimin e një force civile që ka karakter të zjarrfikësve dhe të ekipeve për dhënien e ndihmës së parë popullatës në raste emergjente. E quajtën si TMK-ja. Kjo strukturë as civili dhe as  ushtarake, e izoluar dhe e mbikëqyrur rreptësishtë nga ndërkombëtarët, gradualisht filloi t’i nënshtrohet filtrimit dhe spastrimin nga elementet më atdhetare dhe më meritore të nismës çlirimtare kundër okupatorit tonë shekullor. Fillimisht, ja nisën me disa dosje dhe afera të montuara të papërshtatshmërisë, ku mjaft emra të njohur patriotësh që kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si pjesëtar dhe komandant të UÇK-së, u dëbuan nga radhët e saj, duke u bërë më vonë edhe viktima të shumë burgosjeve dhe proceseve të montuara gjyqësore kundër tyre. Këso “gjueti shtrigash” ndaj komandantëve tanë më të lavdishëm të luftës së UÇK-së, nuk përfunduan vetëm me procese gjyqësore të nivelit kombëtare, por, miqtë tanë të rezolutës 1244, u përkujdesën që, me disa prej tyre, të merret edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krime Lufte. Nga ky presion i paparë kadrovik që i bëhej TMK-së, sikur edhe u pa më vonë, më besnikët dhe më atdhetarët “e hangarën pasulin”, kurse, të tjerët më labil, apo thuaja më të “mençur”, heshtën dhe u bënë pjesë statike e këtij dinamizmi antikombëtar, i cili, kulmin e transformimit të vetë (lexo:spastrimit) përfundimisht do ta arrij me fillimin e zbatimit të Pakos së Ahtisarit, me të cilën parashihet shndërrimi i saj në njëfarë force mbrojtëse të Kosovës. Më tej si vazhdimësi, e kemi Kornizën Kushtetuese. Një kinse kushtetutë që edhe formalisht na garantonte prezencën e pakusht ligjore të parimeve të nënshkruara në Rambuje si dhe atyre nga  rezoluta 1244 e OKB-së. Sikur e dimë, ky akt juridik, u pranua dhe u nënshkrua nga të gjithë liderët tanë politik. Vetëm një prej tyre atëbotë e kundërshtoi vendosmërisht këtë atë. Ishte ky Hashim Thasçi, lideri i PDK-së. Mu ai, të cilit ende i frëngëllonte në vesh betimi i UÇK-së, dhe, mu ai, të cilin ndoshta tanimë e ngacmonte edhe ndërgjegjja për nënshkrimin në Rambuje dhe pranimin e çarmatosjes së UÇK-së. Sido që të jetë, ja bëri si burrat, por, sikur do ta shohim më vonë, kjo do t’i kushtoj shumë shtrenjtë në karrierën e tij të mëvonshme politike dhe të PDK-së si parti  në përgjithësi.  Pasi, mu ky Hashim Thaçi, me kohë mësoi nga pësimet e mëparshme, tashmë, ai, asnjë deklaratë të veten publike nuk e përmbaron pa pasur të instaluar refrenin e obligueshëm “magjik”: “çdo gjë që do të ndërmarrim në të ardhmen, do ta bëjmë në bashkërenditje me miqtë tanë: Bashkimin Evropian dhe SHBA-të”. Dhe kështu, dikur Hashimi dhe PDK-ja të “anatemuar”, tani, para tutorëve ndërkombëtar, e kaluan me sukses sprovën e dëgjueshmërisë. Kjo, si duket, atyre iu shpërblye edhe në zgjedhjet e 17 Nëntorit.  Nga ana tjetër, sovranët të pacenueshëm që emëroheshin nga Nju Jorku, e që vinin dhe shkonin në cilësinë e administratoëve të OKB-së në Kosovë, nuk e braktisnin mandatin e tyre pa bërë ndonjë vepër të famshme antishqiptare dhe pro “multietnicitetit” që po ndërtohej si program afatgjatë politik. Ata, në emër të modernizmit dhe evropianizimit të arenës politike kosovare, në mënyrë më perfide, ngadalë por sigurt, margjinalizuan çdo forcë atdhetare shqiptare që synonte idenë e bashkimit kombëtar, duke favorizuar partitë e dëgjueshme. Për këto qëllime mirë të planifikuar, këtyre si logjistik, vetëm për disa para të vogla, ju bashkëngjiteshin dhjeta OJQ-të, që në mënyrë të devotshme punonin në bazë me popullin, duke propaganduar demokracinë, të drejta njerëzore, barazinë fetare, racore, gjinore…luftën kundër drogës dhe abuzimeve të ndryshme…etj., etj.. Gjatë këtyre viteve të pasluftës, në skenë dolën shumë OJQ-ja, por asnjëra e themeluar për ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare, bashkimit kulturor dhe etnik të hapësirës shqiptare të ndarë në shumë shtete…etj. Kuptohet, për këso OJQ-të, nga miqtë tanë ndërkombëtar  as që mund të priteshin donacione. Më tej, si vazhdimësi e dekombëtarizimit dhe deatdhetarizmit  të vlerave tona si popull, pasuan etapat e famshme të standardeve para statusit. Edhe pse shqiptarët në të ishin popull shumicë, tanimë, në zhargonin politik, Kosova cilësohej si regjion multietnik. Pastaj, erdhi Grupi servil dhe i dëgjueshëm i Unitetit, i cili, gjatë bisedimeve me Serbinë, as “cik” nuk ua bënte kërkesave të ndërkombëtarëve, duke e shndërruar pamjen e hartës e “Kosovës multietnike”  si lëkurë leopardi,  me shumë komuna të reja nacionale serbe dhe zona speciale mbrojtëse rreth tempujve fetar të tyre.  Kur u pa se një pjesë e madhe e popullit nuk e kafshoi si duhet karremin dhe e kundërshtonte këtë formë të shtetësisë së varur që po na imponohej nga Pakoja e Ahtisarit, si lojë tjetër e manipulimit me ne, pasuan bisedimet 120 ditësh shtesë, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të kurdisura të 17 Nëntorit. Edhe pse dihej se, bisedimet shtesë me Serbinë nuk do të kenë sukses, ato u mbajtën dhe kjo periodë e pakënaqësisë së popullit, u neutralizua me organizimin e zgjedhjeve të montuara, në mënyrë që tani, edhe ata që dyshonin dikur në Pakon e Ahtisarit, ta lakmonin atë si formë më të pranueshme. Po na ndoll njëjtë, sikur dikur kur ishim nën sundimin serb, dhe, nga kjo gjendje e padurueshme thoshim: “le të na vjen edhe dreqi i zi, vetëm ta heqim qafe Serbinë”. Tani, nën këtë regjim të UNMIK-ut, po e themi të njëjtën, por, pak ma ndryshe: “le të bëhet çka do që të bëhet, dhe le të vije çfarëdo qoftë pavarësie, vetëm të dalim një herë nga kjo krizë që po na e zë frymën”.
Kjo çfarëdo pavarësie na erdhi dhe ne e kremtuam atë si jo më së miri. 
Ithtarët dhe ekzekutuesit e projektit ç’kombëtarizues, përmes instalimit të petkut  të ri të “kombit kosovar” ishin në ekspansion.  Në këmbim të ardhjes dhe mbetjes sa më të gjatë të tyre në pushtet, këta nuk zgjidhnin mjete që sa më me konsekuencë t’i përmbushin  detyrat e pranuara nga urdhërdhënësit e tyre të huaj.
Këta nuk u ndalën vetëm me kaq. Vazhduan më tutje. Pasuan, fillimisht,  procedurat qesharake të aprovimit “qorre” të shumë ligjeve në Parlament, e deri tek kontrabandimi i aktit më të lartë ligjvënës - Kushtetutës, në të cilën as që përmendeshim ne si shqiptar; në të cilën, shokët me shokë, dhe shoqet me shoqe lejohen të martohen në mes veti, në të cilën... Si vazhdimësi tjetër e gjenocidit etnik mbi çdo gjë që është shqiptare, ishte kjo ndërmarrje e fundit sipas  “HOROR-SKENARIT” të kësaj qeverie: heqjes nga përfshirja në Ligj e 28 Nëntorit si kremte shtetërore në Kosovë  Me qëllim këtu e përdora termin “vazhdimësi” dhe jo “kulminacion”, sepse, në të ardhmen, nga këta politikan dhe kjo Qeveri nihiliste, duhet pritur edhe shumë befasi tjera të “këndshme”. Tek do të filloj zbatimi në praktikë  i decentralizimit;  eksterritorialiteti i hapësirave të tempujve ortodoks serb...etj.
Ndoshta duket nga pak si paranoide, por, pse në frymën e këtij  trendi që po zhvillohet, të mos i propozojmë Hashim Thaçit dhe Qeverisë së tij, iniciativën e heqjes nga sheshi në Prishtinë e përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.
Me logjikën  këtyre “KOSOVARËVE”, as ky nuk duhet t’i takon traditës dhe historisë së këtij shteti tonë të ri që po e ndërtojmë...??!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora