Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Ndërhyrje të dënueshme dhe nga kush?

| E enjte, 29.08.2013, 09:30 PM |


Ndërhyrje të dënueshme dhe nga kush?

Nga Elvi Sidheri

Katrahura me Pallatin e Kulturës-bilardo-lojëra fati (degdisja e kulturës shqiptare në përgjithësi e tillë është, jo vetëm në këto godina të mbetura gjer sot nga regjimi komunist) dhe Kishën e Shën Mërisë së Pazarit në Përmet, siç edhe e parashikova me saktësi të padëgjuar, zgjati 3 ditë me zjarr të madh dhe ndërkohë bishtat e asaj ngjarje ndihen ende.

Temë e këtij shkrimi, sidoqoftë nuk ka ndërmend të jetë thelbi i ngjarjes së lartpërmendur, sepse mendimin tim lidhur me tërë këtë “gjellë qensh” pa pikën e shijes dhe kripës, e kam thënë një shkrim më parë dhe nuk i lëviz as një presje, të më tregojnë Fan Nolin, Papa Kristo Negovanin, Stathi Melanin a kë hero tjetër shqiptar orthodhoks të vrarë e jetuar heroikisht për atdhe e fe!

Paraardhës të familjes sime, pikërisht të anës ortodokse të krishtërimit, vetë janë kacafytur me grekun (si edhe turkun) dhe janë vrarë prej helenëve andartë pasi kanë luftuar për mbetjen e Korçës në Shqipëri pas pavarësisë, ndaj edhe di çfarë flas.

Histeria kolektive tipike shqiptare, me dëshirën e pamaskuar dhe etjen e madhe për të gjetur “koka turku” pa u thelluar aspak dhe pa kërkuar arsyet e vërteta që qëndrojnë në aksin “shkak-pasojë” të një ngjarje si ajo e Përmetit, më bën të mendoj se shpesh edhe diskutimi është i tepërt në vendin tonë.

Vend i cili masivisht jeton i qetë brenda disa shablloneve “bardh e zi” që jo rrallë na çojnë midis shqiptarësh, në përplasje idiote fizike, gojore dhe intelektuale të paqena dhe të panevojshme, siç po ndodh këto ditë mes atyre që edhe pa qenë “pro” fortlumturisë së tij Anastas, sidoqoftë nuk kanë sesi të pranojnë në vitin dhe shekullin që jemi, një përdhosje të asaj forme që iu bë një objekti kulti dhe ikonave, kryqit të shenjtë e këmbankës së vogël të kishës së Shën Mërisë...dhe të tjerëve që herë nga padia dhe mosnjohja e fakteve dhe herë nga dashakeqësia model “ortodoks baraz me grek”, po sulmojnë pareshtur në këtë drejtim.

Por thelbi i shkrimit nuk është fare ky!

Do flas për zhurmën e madhe që u bë për shkak të ndërhyrjes greke në punët e Shqipërisë pas ngjarjeve të turpshme me kishën në Përmet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke foli për këtë punë, ndoca greqër edhe në Bruksel pranë institucioneve të rëndësishme europianë e ngritën zërin lidhur me temën në fjalë, ashtu si edhe doganierët dhe punonjësit e zellshëm “kompjuterprishur” grekë të kufirit me shtetin tonë, në Kapshticë e Kakavijë, nisën sërish gomarllëqet e zakonshme me vonesa emigrantësh shqiptarë, kthime prapa të tyre etj.

Esenca e kësaj çështje pra, për mua kjo është, ”pordhët” helene në kufirin tonë, sikur të mos ishin hequr fare vizat me zonën Shengen prej dhjetorit 2010-ë dhe sikur shqiptarët që prej 20 vjetësh jetojnë e punojnë në Greqi (duke mbajtur në këmbë sektore të tëra të ekonomisë greke, si bujqësinë dhe ndërtimin, por edhe duke dërguar miliarda mbrapsh në Shqipëri tek familjet e tyre dhe duke i dhënë oksigjen ekonomisë shqiptare për dy dekada)...të ishin ende ata emigrantët e gjorë që kalonin ilegalisht Gramozin e ngrirë për të shkelur në tokën greke.

Këtu, pikërisht në këtë stad të evoluimit të një situate tragji-komike konfliktuale si ajo mes Pallatit të Kulturës së shokut Enver dhe Partisë sonë të Punës “që na prin në ballë drejt fitorjeve dhe sukseve të reja”...dhe një kishëze ortodokse shqiptare me emrin e Shën Mërisë, aty pra shteti ynë me 100 vjet pavarësi pas shpine dhe 23 vjet demokraci e 5 vjet anëtarësi në NATO, duhej të nxirrte dhëmbët (edhe dhëmbë qumështi kalamajsh apo proteza pleqsh po t’i ketë) dhe të kafshonte me forcë grekun dhelpërak.

Situatë që vërtetë ndodhi.

Një drejtor kufiri, zoti Abrija në mos jam i gabuar, ktheu mbrapsh për në anën greke të kufirit një autobuz me grekë të fantaksur nga ky trajtim prej “vdektarësh të zakonshëm” (se shpesh si shumë të huaj të tjerë janë mësuar keq nga nënshtrimi i habitshëm shqiptar ndaj kujtdo të huaji) dhe “dueli i heshur” kufitar mori zgjidhje sa hap e mbyll sytë.

“Sy për sy e dhëmb për dhëmbë” thotë edhe Bibla!

Kështu zgjidhen punët në botën e qytetëruar të sotme, pra “ti më shkel një herë dhe unë t’a kthej me të njëjtën monedhë”.

Grekët u sollën si zakonisht keq me emigrantët tanë në kufi, harruan që rregullat e sistemit të ri lidhur me vizat mes Shqipërisë dhe vendeve të zonës Shengen (ku hyn edhe Greqia)...nuk përfshinin atë trajtim skandaloz ndaj bashkëqytetarëve tanë në Kakavijë dhe Kapshticë, atëherë shteti jonë dha një provë të vogël force, i trajtoi qoftë edhe pak shtetas grekë njëlloj siç bëjnë ata me njerëzit tanë shpesh, i ktheu prapa si qënie pa vlerë dhe me aq u mbyll kontesti e nuk po dëgjohet më për vonesa në kufi apo gjëra të ngjashme.

Në praktikë kjo ishte pika e nxehtë ku u fokusua marrëzia greke pas ngjarjeve me kishën në Përmet.

Aty mesa kam kuptuar, përgjigja e duhur nga autoritetet tona nuk ka munguar.

Për të tjera, është e vërtetë që në një realitet normal europian dhe jo ballkanik e aq më pak specifik shqiptar, diplomacia greke, konsulli i tyre në Gjirokastër etj, nuk do kishin asnjë punë me çështje mes shtetit tonë, bashkisë së një qyteti 100% shqiptar si Përmeti dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Por, sepse një “por” ka edhe në këtë rast, sa ndërhyrje nga më fyeset keni parë deri sot, në punët  e shtetit tonë ore njerëz???

Unë mbaj mend shumë të tilla dhe ndërkohë reagim kaq të gjallë dhe të ethshëm nuk para kisha vënë re mes shqiptarësh si kësaj rradhe.

Para pak javësh, një përfaqësues i policisë italiane “Guardia di Finanza” më duket, erdhi në Tiranë dhe pa iu dridhur syri, na deklaroi si pa gjë të keqe, se as më tepër e as më pak se Lazarati dora vetë, na paskësh qenë qendra Europiane, në mos botërore e mbjelljes, rritjes dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës!!!

-“E ka seriozisht ky italiani, apo i ka rënë dielli i gushtit në çaçkë të kokës”?-mendova unë si një njeri me aftësi intelektuale ende në funksion normal që supozoj se jam.

Thashë kështu sepse sipas fjalëve të financierit polic italian, i binte që Lazarati ynë pak-frymësh, shumë shtëpishë dhe mjaft kopështesh të mbjella “hijshëm” me kanabis, t’ia kalonte paq edhe Afganistanit qendër botërore për prodhimin e Opiumit (talebanët me çfarë e mbajnë frymën do thoni ju, çfarë kultivojnë, shesin dhe trafikojnë, me çfarë financohen dhe armatosen aq sa kanë 12 vjet që luftojnë me amerikanët dhe NATO-n e ushtarët tanë aty?), apo Kolumbisë së bosëve të drogës dhe Meksikës së klaneve të fuqishme, të pamëshirëshme dhe miliardere të trafikut me lëndët narkotike që skuq çdo ditë në gjak Ciudad Juarez-in apo kalimet e tjera për në SHBA!

Nuk vura re ndërkohë ndonjë reagim nacionalist ndaj këtyre pohimeve, qoftë edhe një të vetëm sa për t’u dukur të paktën, se mua si dëngla me bisht dhe fryrje idiote gjigante pa sens m’u dukën ato gjëra që thoshte e gjasme dëshmonte ai italiani.

Shtoj këtu, që filo-italian jam vetë dhe i mirëkuptoj shumë bashkëatdhetarë që budallëqet e italianëve lidhur me ne, shpesh i anashkalojnë, sepse do pranuar që nga fqinjët tanë, Italia është më normalja në çdo këndvështrim, 500 mijë emigrantë shqiptarë pas 90-ës dhe qindra-mijëra arbëreshë që kanë qenë dhe janë akoma të lirë prej 5 shekujsh që të ruajnë kulturën dhe gjuhën e tyre shqipe atje, shërbejnë si konfirmim për këtë.

Po se m’u kujtua dhe për këtë rast kam folur edhe vetë, kur ministri i jashtëm serb para njëfarë kohe ishte për vizitë tek ne dhe iku gjer në Fier të “zbulonte” një palo komunitet serbësh myslimanë (nonsens total ky) në fushat e Myzeqesë dhe më tej lëshoi edhe disa mufka në konferencën e shtypit pranë homologut të tij shqiptar (z.Panariti), duke thënë hapur se serbët jo vetëm që nuk kanë bërë asnjëlloj genocidi në Kosovë ndaj shqiptarëve, por ata vetë e paskan provuar në lëkurë genocidin, po atëherë ku qenë strukur vallë nacionalistët e fortë shqiptarë?

Po shikonin ndonjë ndeshje tek SuperSporti gjë?

Po dëgjonin me ëndje Shakon kur komenton mrekullitë e Mesit dhe Kristiano Ronaldos?

Ishte më interesant Reali i Madridit apo Barcelona sesa gospodin Mërkiç dhe llogjet e shumta fyese si dhe veprimet e tij denigruese ndaj shqiptarëve dhe shtetit tonë?

Po kur z.Gruevski sa herë vjen në Shqipëri ia fut ndonjë xhiro si pa gjë për në Gollobordë, rajon ku zyrtarisht nuk ekziston asnjë copë minoriteti (përveç disa fshatarëve të varfër dygjuhësh në shqip dhe maqedonisht)...dhe aty sillet e flet sikur të jetë midis njerëzve të tij pa e çarë kokën fare, atëherë mënjanë autoriteteve tona të përgjumura, po ky popull që këto ditë po çirret e thërret më tepër kundër një kishe shqiptare të dhunuar sa nga Partia dhe sistemi enverist, aq edhe nga një përmbarim privat, sesa kundër vetë grekut, gjindja nacionaliste pra, nga vete dhe fshihet në raste si ky që po përmend?

Dhe së fundi, sepse qershiza mbi tortë, për në fund lihet, po kur autoritetet turke në Kosovë më tepër, por jo më pak edhe në mes të Tiranës, kërkojnë, pretendojnë, ngrenë zërin për librat tanë të historisë, për gjykimin që neve si shqiptarë në shtetet tona të lira, u dashka të kemi lidhur me heronjtë tanë dhe luftërat e pushtimin turk-osman, atëherë përse reagimi populloro-nacionalist o s’ndihet fare, o është aq i vakët sa edhe uji i një bolieri të hequr nga priza?

Në të tilla situata vërehet serioziteti dhe pastërtia nacionaliste apo paanësia e atyre që reagojnë!

Kur çdo provokim ndaj territorit shqiptar, ndaj historisë sonë të përbashkët, ndaj personazheve tona historike, ndaj gjuhës dhe trashëgimisë sonë, nuk merr kurrëfarëlloj përgjigje dhe në të njëjtën kohë, na ndizet dhe fiket zjarri nacionalist vetëm kur shqiptarëve me fe ortodokse u shkelet ndonjë e drejtë, u shkatërrohen ikonat qindra-vjeçare, u prishen altaret e kishave të tyre, u përçmohen objektet e kultit, u sajohen censuse të gënjeshtërta etj...dhe ata (ortodoksët) gjejnë rastin edhe të ngrenë zërin e protestës, kjo minimalisht do të thotë se këtu ka diçka të zhdrejtë që nuk shkon fare.

Përveçse duke i stigmatizuar kolektivisht shqiptarët e fesë ortodokse si “grekë të qelbur” mbi të cilët mund të bjerë pa kufi çdo fyerje e mallkim i ndrydhur (i atyre që nuk i lëvizin të pasmet nga vendi kur nevoja dhe rasti e kërkon një gjest të tillë, kur grekët e vërtetë nga Greqia hyjnë me apo pa leje në Shqipëri dhe shajnë e provokojnë pa i ndalur kush, pra as policia e as nacionalistët e ethshëm të kafenesë “Na bashkoi dërdëllitja dhe thashethemi”)...duke mos-reaguar ndaj kujtdo dhe duke zgjedhur si armike vetëm njërën palë, gjërat nuk kanë për të gjetur kurrë përmirësim në marrëdhëniet tona me fqinjët, të huajt dhe ndërhyrjet e tyre në punët tona të brendshme.

Asgjë nuk mund të jetë e vërtetë, spontane dhe e paanshme (reagimet në këtë rast), po qe se nuk janë globalisht gjithëpërfshirëse e jo-miope!