E premte, 19.04.2024, 08:34 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Dexhalli Arapit

E merkure, 28.08.2013, 06:00 PM


DEXHALLI ARAPIT

NGA KALOSH ÇELIKU

Edhe, si zakonisht ulem t’i marrë “ilaçet” e mia krah për krahu me gratë azgane të Filipit të Maqedonisë me fëmijë në gji e prehër, përballë Kishës Ortodokse “Shën Dhimitri” te këmbët e Urës Gurit. Herë pas here, sipas tingujve të muzikës triumfale, njëra nga gratë e hazdisura të Filipit Maqedonisë i ndezë-shuan dritat e të gjitha ngjyrave festive. Shatërvaneve gjigante që në këto ditë vere me vapë gushti, përpiqen me ujin e Vardarit t’ia shuajnë “zjarrin” e ndezur me flakë Shkupit. Qytetin me dy stinë të vitit: Verë dhe Dimër. Pranverë dhe Vjeshtë, moti nuk kanë parë këta banorë të harruar nga Bashkimi Evropian dhe Zoti, rrëzë Kalasë Dardane.

Matanë tavolinave, sytë më ikin te shatërvani me katër luanë që vjellin ujë nateditë. Përçudi, vetëm njëri e ka hapur gojën, i ka nxjerrë dhëmbët dhe thonjtë nga Çarshia shqiptare. Tre të tjerët gojëhapur, nuk vjellin asnjë pikë uji nga ana maqedonase, matanë Vardarit. Në anën tjetër të Urës Gurit, kuaj pa kalorës me shalët e bishtin nën beton e këmbët në qiell, sikur duan ta shkelin pasmesnate Çarshinë. Edhe atë, në këtë vapë të madhe, herë pas here nuk kanë as një kovë ujë në bark për ta shuar etjen. Luanët, matanë mbi urë në hyrje - dalje, bythë më bythë bëjnë roje rrëzë Kalasë. Mitropolitët e Beogradit me Biblën e kryqa në duar, moti janë nisur më këmbë drejtë Shkupit shqiptar. Aleksandri Madh i Maqedonisë e ka shaluar kalin me shpatën lartë në dorë për luftë. Filipi Maqedonisë i delë para me grushtin te koka duke e përshëndetur si xhaxhi Enver. Skënderbeu mes parkingut të makineve, fillkat vetëm i pret vëllezërit antik me shpatën në brez mbi kalë e dorën lartë për paqe: Ndaluni, o burra e gra azgane, këtu është kufiri natyror! Vështirë e keni ta kaloni Vardarin mbi Urën e Gurit pa dy anijet e Gruevskit që ndërtohet matanë lumit, pranë bregut për t’ju përcjellur me trumbeta e muzika në Greqi. Hasan Prishtina, falë “historinëve” shqiptar, siç duket gjatë muajit të Ramazanit iu lutë Zotit në mes të parkut për Rumelinë. Interesant, kujt t’i teket për të dalë në “syrret artistik” me nga një tufë lule në dorë fotografohet para kamerave televizive. Zhurmë politike e pak punë për Shqipëri Etnike. Pavetëdije, e vrasin trimin historik për së dyti herë jo me pesë plumba në Selanik, po me një “tufë lule” në mes të Shkupit.

Një grusht “patriotësh kuqezi” të dalldisur e të arratisur nëpër Çarshi, në shënimin e pesëdhjetëvjetorit të tërmetit katastrofal në Shkup, debatuan plot zhurmë historike krah për krahu me “vëllezërit” në një librari të Bit - Pazarit se, Shkupi deri para tërmetit katastrofal ka qenë i banuar me shumicë shqiptare?! Jerm, “vajtojnë” e derdhin lot krokodili para kamerave televizive, plasojnë dezinformata historike dhe huti në opinion, se: shqiptarët i shpërnguli në Turqi tërmeti katastrofal (1963) e jo Regjimi komunist me dhunë, përmes strukturave pushtetare e sidomos UDB –së jugosllave. Dukuri teknefese kjo e llojit të vet “patriotik” anadollak në Ditën e sotshme, nën direktivat e politikës trumbetuese ditore për “bashkëjetesë” që e shpie Historinë shqiptare në qorrsokak politik. Shkaku se, shpërngulja masovike dhe dëbimi i shqiptarëve me gjithë familje në Turqi, nuk ka filluar pas tërmetit katastrofal (1963) në Shkup, por shumë më herët që nga Marrëveshja e Turqisë Kemaliste që pati bërë me Jugosllavinë Mbretërore (1938). Marrëvëshja tjetër mes Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërngulejn masive me dhunë të shqiptarëve në Anadoll, u nënshkrua në Split të Kroacisë në vitin 1953 mes Josip Broz Titos dhe minsitrit të jashtëm turk Mehmet Fuat Kypryly.

Shqiptarët, si rezultat i këtij presioni politik u regjistruan si turqë dhe pati një rritje të ndjeshme të pakicës turke në Kosovë e Maqedoni. Serbia shpërngulejn e shqiptarëve për në Anadoll e bënte haptas para syve të Evropës, e cila në atë kohë si Njerkë e shqiptarëve, përfitonte prona dhe shtëpi të braktisura për kolonistët serb. Proces ky, i turqizimit masovik të shqiptarëve, që fatkeqësisht zgjatë aty - këtu heshturazi edhe në Ditën e sotshme përmes misionarëve fetar “mysliman” - psikopatë antishqiptar, që nateditë rrinë në YoTube dhe Facebook duke “vajtuar” e derdhur lotë krokodili për popullin “vëlla” turko-arab. Faji i atyre dy marrëveshjeve politike, shqiptarët e fshatrave të Karshiakës së Shkupit deri në regjistrimin e vitit 1981, ishin të regjistruar si turqë “ehamdurila”. “Zbulim” i ri ky, i një grushti “patriotësh kuqezi” pa kokë të arratisur nëpër parti politike, që përpiqen të përurojnë në Shkup “përralla turko-arabe” me trumbeta të grisura arnë përmbi arnë si “zbulim shkencor historik”, se: shqiptarët me gjithë familje u shpërngulën vullnetarisht rrugës natyrore nga tërmeti për në Turqi?!

Vetëmevete, them: kujt i është kujtuar kjo “ide madhore” e pushtimit të Shkupit me vepra antike  e dezinformata historike: artistëve dhe historianëve, apo Gruevskit e Erdoganit?! Përpiqen me këmbëngulje ta “zbusin” Historinë Shqiptare nëpër plan-programet shkollore. Papritmas, më kujtohet edhe thënia e Hazreti Muhamedit a. s.: nëse bregu nuk vjen te Muhamedi, atëherë Muahamdi shkonë te bregu. Që, sipas gjuhës politike evropiane të pajtimit me “vëllezërit” e Njerkës do të thotë: Nëse, Ali Ahmeti nuk shkonë te Gruevski, atëherë Gruevski dhe Erdogani vijnë te Ali Ahmeti.

Çarshia shqiptare si për inatë, përditë e më shumë gjallërohet verë e dimër. Përveç banorëve të asaj ane e vizitojnë edhe shumë turistë. Përkarshi rakisë së rrushit deri në “syfyr”, çohen dolli edhe gotat e çajit të rusit “hallall”. Lokalet nuk mbyllen në mes të ditës si në kohën e LSDM –së dhe PPD -së, po punojnë edhe natën deri në agim. Shqiptarët, si zakonisht flejnë në mes të ditës, janë ende në gjumë. Gjatë muajit të  Ramazanit punuan sipas orarit të punës në harmoni me ligjet e shtetit edhe Zotit. Hoxha i YouTube dhe Facebook nga Shkupi, Prishtina, Tirana e Londra përmes altoparlantëve në minare (shejtan arapëve) e thirrë “ezanin”. Hoxha i Allahut, për inatë thirrë “sabahun”: O “myslimanë”, zgjohuni dhe rrokuni për pune! Përndryshe, Shejtani Allahut do t’ju përmjerë në gojë dhe nuk do të zgjoheni gjithë ditën. Fatkeqësisht, “myslimanët” nuk e dëgjojnë Hoxhën e Allahut, vazhdojnë me gjumin e arushës. Çarshia formalisht duket se merr lirisht frymë. Dexhalli Arapit me trumbeta i bie përmidisi Çarshisë shqiptare. Kurreshtarëve që dalin në rrugë ua vë nga një vulë në ballë. Punën ia lehtëson Xhebrahilit pas Përbmytjes së Madhe (Kiametit), dënojë besimtarët sipas mëkateve. Poetë servilë Oborri dhe minorë shqiptar marrin pjesë në Mbrëmjet e Poezisë Strugane, kur Kryetari i Komunës Strugës Zejadin Sela me arsye e bojkoton festivalin, shkaku mosrespektimit të gjuhës shqipe. Krah për krahu të buzëqeshur dalin në fotografi me shpresë se nesër do të hyjnë edhe në histori si pishtarë të “vëllazërim-bashkimit”. Artisti më i madh shqiptar, Xhevat Limani, kur i sheh kaq të lumtur e të dalldisur pas poezisë “patriotike”, i përshendet me  një koment te INA. Dexhalli Arapit, siç duket dudumë-shqiptarëve u ka hyrë në bark. Edhe, seç ma kujtojnë kohën e viteve shtatëdhjeta, “vëllazërim-bashkimin”, kur e gjithë ana tjetër maqedonase matanë Vardarit, grupe-grupe dyndeshte në mbrëmje në këtë anë të Çarshisë shqiptare. Vite rinie, kur Skënderbeun e mbanim fshehurazi nën jakën e setres. Kohë e përndjekjeve të mëdha, kur një Mike “turke”, guximtare e kojshive në atë kohë edhe ma qëndisi me penjë të zi në këmishën e kuqe gjak me jakë të zeza portretin e Skënderbeut. Fotografi artistike, të cilën e ruaj me xhelozi edhe sot e kësaj dite në këmishën e kuqe arnë përmbi arnë në albumin familjar. Kurrë, nuk më ka shkuar mendja se, Heroi ynë legjendar një ditë do ta shalojë kalin e tij me të katra edhe në Shkup. Tjetër punë është ajo se, sot dudumët ende nuk duan t’ia përmendin as emrin Kryetrimit legjendar Skënderbeu, po ende “takimet e punës” dhe sofrat e “iftarit” i lënë dhe shtrojnë te “Kali”. E kënaqën Shqipërinë, Kosovën, IRJ të Maqedonisë e Malin e Zi me ilahi, tashti u ka mbetur radha ta “çlirojnë Vatanin” dhe të bien “shehit” për Sirinë.

Rryma radikale të Fesë Islame dhe asaj Ortodokse nga të katër anët i sulen Skënderbeut dhe institucioneve kulturore të Shtetit Shqiptar. Përçudi, politika e sotshme shqiptare mbyllë gojën dhe veshët para bashibozukëve, nuk i merr në përgjegjësi halldupët e tërbuar në emër të Ligjit dhe Shtetit Shqiptar. Njëherë e përgjithmonë t’ua bëjë me dije se, sot për sot Trojet etnike shqiptare nuk janë Turqi e as Arabi. E, nëse i ka marrë malli për “vëllezërit” e Fesë Islame, mund të shkojnë kur të duan sipas vullnetit dhe dëshirës, jo si dikur me tren përmes Shkupit, po me aeroplan “xhamboxhet” nëpër qiell mbi “mjegulla” të përshëndetur edhe me rrufe. Serbët, në atë kohë ua hapën rrugën për në “Xhenet”, sot do t’i përcjellim ne shqiptarët me lodra e cingana përmidis Pazarit Shkupit. Dihet, sipas traditës shqiptare: te pragu i Derës Madhe do t’ju vëmë një xhygim me ujë t’i bien me këmbë, derdhin ujin. Në fund, do t’ju hedhim edhe një gur përmbrapa, që kurrë më të mos kthehen në Shqipëri. Nuk na duhet kjo farë e keqe hithëre, që e barazon Skënderbeun me Sllobodan Millosheviqin dhe Sheshelin. Symëshelë kanë hipur bythëprapë në minare, ose janë shitur një pjesë e lidershipit fetar, është vënë në funksion të politikave të shteteve të jashtme islamike. Grupe interesi personal e familjar në emër të Fesë Islame vazhdojnë të shfryejnë nateditë plot duf e mllef edhe në Ditën e Sotshme ndaj figurave kryesore kombëtare shqiptare.

“Përgëzime”! Hazreti Muhamedi a. s. ka ardhë te bregu. Fatkeqësia është, se: asgjë nuk ka të veshur në shpirt e trup shqiptare. Tekefundit, së paku ta kishte në kokë kësulën e bardhë të Bajram Currit në vend të çallmës “myslimane”. “Iftari” i Ramazanit në mënyrë festive bashkë me ilahi u shtrua para këmbëve të Skënderbeut. “Myslimanët” edhe këtu si në Tiranë e Prishtinë, iu sulën me të gjitha focat grupe-grupe me “Allahu Akbar”, sikur t’i suleshin Shejtanit Allahut. Bashkia e Kavajës (Shqipëri) gjatë festës së Bajramit e shtroi tortën e gjatë 25 metra “hallall”. Tortë të ciliën e shtroi qindra herë më të madhe në sheshin e Tiranës Sali Berisha në Njëqindvjetorin e Pavarësisë të Shtetit Shqiptar, edhe siç duket asaj torte ia  pa “hajrin”. Tortës së Pavarësisë, shqiptarët iu sulën para syve të botës me legenë e karroaca dore. Tortë festive fetare “hallall” shtruan në sofër edhe shumë politikanë në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Tetovë. Edhe pse, besimtarët e vërtetë të Fesë Islame ende e kërkojnë atë sofrën e dikurshme tradicionale shqiptare modeste gjatë festave fetare. Tjetër punë është ajo se, ato para që i derdhin sot me thasë nëpër rrugë e parqe mes bërllokut për Ramazanin dhe dasmat familjare plot “salltanete”, lirisht mund t’i derdhin për mëkambjen e arsimit dhe kulturës shqiptare.

Hije dikur na kishte si shqiptar, kur vinte Bajrami në trojet etnike shqiptare. Tashti dudumët i kanë banalizuar edhe festat fetare me simbole turko-arabe e ilahi patetike përsheshiane. Përditë, në mes të Shkupit organizojnë protesta politike-fetare t’ju dalin në ndihmë “vëllezërve myslaiman” me ushtarë vullnetar në Siri për “Vatanin dhe Imanin”. Hoxha në atë kohë, kur hipte në minare, nuk çirrej përmes altoparlantëve (shejtan arapëve). Xha Habibi na zgjonte me lodër për “syfyr” shtëpi për shtëpi, përderisa i ndiznim dritat: Ooo Çelike, zgjohuni për “syfyr”! Përderisa, nuk ju ka mashtruar Dexhalli Arapit me gjumë “hallall”! Përsëprapthi, nuk shtronim sofra “iftari” nëpër sheshe e parqe, nuk i luteshim Allahut në mes të rrugës të na i falë mëkatet. Dudumët, që sot na e kanë bërë banal edhe Ramazanin, edhe Bajramin. Fenë Islame e kanë zhveshur lakuriq nga tradita shqiptare. “Myslimanët” e sotshëm thonë: kanë bërë “ndryshime” rrënjësore. E di, arabo-turqit do të na e marrin pak inatin, pse sofrën e “iftarit” e shtrojmë në rrugë para këmbëve të kalit të Skënderbeut, syve të botës. Dikur, zemërohem, edhe me Skënderbeun, si nuk e nxjerrë më në fund edhe ky burrë mejdani shpatën nga brezi dhe me një të rame presë kokën dudumëve, hedhë para këmbëve të kalit si kunguj Stambolli.

Punemadhe. Përgjigje: në anën shqiptare, në mes të Çarshisë, grupi tjetër radikal i “myslimanëve” me Hoxhë YouTube e Facebook, në mes të rrugës i luten Zotit t’ua falë mëkatet në “Mekën maqedonase”. Përveç xhamive, faltore të “Allahut” duan t’i shpallin edhe rrugët e Bit - Pazarit. Kalimtarët e rastit nëse nuk duan t’i bashkohen “xhematit” të tyre me “Din e Iman” për në “Xhenet”, mund të presin të kryehet ceremonia fetare në mes të qiellit hapur me bythët në hava mes gjithë këtyre xhamive me dy e katër minare e me pak shkolla fillore në Shkup e nëpër katunde, që të përkujtojnë se ndodhesh në vendet arabe ose Stamboll e jo në Shkup, Kreqytetin më të madh të banuar me shqiptar pas Tiranës. Edhe, dëshpruese është në kohën e fundit kur dëgjon e lexon në mjetet e informacionit se, disa këngëtare deri dje “nuse pa koçi” të lokaleve të natës “mbajnë” Ramazan. Moti e kam ditur se këto këngëtare nuk janë të lindura, nuk e kanë dhunti këngën nga Natyra e Zoti. E kanë mashtruar veten dhe të tjerët se janë këngëtare me famë shqiptare. I hidhni një sy dhe veshë reportoarit të tyre që rrotullohen nateditë përmes valëve të radiostacioneve televizive të vendit dhe nëpër fushata parazgjedhore të partive politike, asgjë nuk kanë në gjak dhe shpirt origjinale, përveç imitimeve të zbehta të muzikës rome, serbe, bullgare dhe turko-arabe.

Zoti u ndihmoftë! Po, jam i sigurt se këngët e tyre nuk do të jetojnë gjatë, edhe po të mbulohen këmbekrye me veshje arabe dhe t’i luten Zotit natediditë në xhami me bythët dhe “zogun” në “hava”. Shkaku se, shumica e këtyre “hanëmëve” nuk e kanë dhunti nga natyra, po e kanë detyrim nga mamatë dhe baballarët e tyre, që patjetër fëmijët e tyre duhet të bëhen këngëtare. Dhe, nuk duhet të çuditemi, që kohën e fundit këngët tona popullore janë të mbushura përplot lule xheneti, xhanë, sheikë e ashikë turko-arabë. Fatkeqësisht, jemi bërë si popull edhe më zi se serbët, kemi filluar t’i festojmë humbjet e luftës, vrasjet dhe ditëvdekjet e heronjëve kombëtar, në vend të ditëlindjeve dhe fitoreve.

Edhe, për fund: Lamtumirë lexuesi im me “Din e Iman” mes dy zjarreve! “Mysliman” me kokën në xhami e bythën në polici dhe shtetet arabe. Ose, siç thotë populli shqiptar: Hipë se të vrava, zbrit se t’vrava! Koha është, tashti edhe për mua pak pushim i merituar vjetor. Edhe mua, në këto ditë me vapë të madhe në Shkup para këmbëve të Alaksandrit Madh mes luanëve që vjellin ujë “xheneti” me shtamba, më digjet zjarr mbi krye, më pret faltorja ime me nëntë minare: Xhamia shqiptare...

 



(Vota: 234 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora