Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Një histori e zakonshme???

| E hene, 26.08.2013, 08:05 PM |


Një histori e zakonshme???

Ekskluzive nga Entela Binjaku

Sa më e varfër ekonomikisht, kulturalisht dhe në pikëpamje të impulseve pozitive shpirtërore, të optimizmit,  të jetë një shoqëri, aq më e pasur është ajo me aspekte të problematikës sociale dhe situatave për t´u trajtuar. Nëse shteti në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, fondacionet, shoqatat, organizatat apo grupimet qytetare, do të organizohej seriozisht në përballimin e situatave të tilla, gjendja do të shkonte përherë drejt përmirësimit. Fatkeqësisht ne përjetojmë “një recension” të këtyre problematikave, në të cilat të zbulosh atë më të mprehtën, nuk është shumë e vështirë.

Pikërisht, si drejtuese e Fondacionit “Harriet Martineau” dhe si sociologe, kam zgjedhur të bëj publike dhe të hedh thirrje për ndihmë të një prej historive më të dhimbshme, të trishta dhe më problematike që kam hasur në punën time, në këtë periudhë.

Në këtë larmi situatash në të cilën e gjëjmë veten, sot nuk është e vëshitrë të humbësh përqëndrimin nga problemet që lidhen ngushtë me vetë ekzistencën dhe mbijetesën tonë.

Kjo që do të rrëfej  është historia e familjes Pitarka nga Grykë Nokë e Dibrës, një familje që jeton në mjerim të thellë. Asgjë e re deri këtu...një ndër të shumtat familje shqiptare..

Sot, në moshën 77 vjeçare Halil Pitarka dhe e shoqja, Nazife, jetojnë në mjerim të plotë, të sëmurë dhe pa ilaçe.. Edhe kjo asgjë e re...dhe duket krejt e zakonshme...megjithatë ata nuk dorëzohen para halleve që jeta ju ka vënë përballë.

E pazakontë është se para disa vitesh për të jetuar me ta  erdhi dhe e bija, Pashe Pitarka. E ndarë nga 3 fëmijët dhe bashkëshorti, për arsye se ajo vuan nga depresioni, shkak i cili solli dhe ndarjen e saj. Sot ajo ka 8 vjet që nuk i ka parë fëmijët dhe gjithë ditën përmend vetëm emrat e tyre.

8 vjet janë vuajtje maksimale të kësaj krijese dhe po ashtu 8 vjet janë  faje  të rënda të gjithë strukturave shtetërore, shërbimit social dhe shëndetësor si dhe  fyerje për gjithë shoqërinë tonë  të civilizuar që kanë braktisur këtë njeri në fatkeqësinë dhe mjerimin e vetë; ndërkohë që sëmundja është e shërueshme...Është vetëm një depresion.

Pashe nuk ka mundësi të vijë në Tiranë dhe të kurohet rregullisht, ashtu si shteti nuk ka as mundësi ta marrë e ta shtrojë Pashën në spitalet e tij. Sigurisht Pashe nuk ka para të blejë kurën pasi të dalë nga spitali, dhe shteti nuk ka mundësi t´ja dhurojë këtë kurë.

I vetmi njeri në rrethin e saj që po përpiqet ta ndihmojë deri më sot është një i afërm i cili për këtë i ka shkruar Kryeministrit aktual, por që tashmë “nuk ka asgjë në dorë” sepse i konsumoi “8 vitet e tij të lumtura”.

I ka shkruar Ministrit të Shëndetësisë i cili gjithashtu “nuk ka asgjë në dorë”, pasi me gjithë përpjekjet e tij nuk arriti të rregullojë këtë situatë alarmante të shëndetësisë sonë;  i ka shkruar edhe Kryetearit të ri të PD, ashtu si dhe Kryetarit të PS, të cilët asnjëherë nuk gjetën kohë të mendonin për 8 vitet e shkuara të Pashes dhe për të gjithë jetën e saj në të ardhmen.

Ky njeri i afërt i shkroi edhe ish-Presidentit Topi, tashmë Kryetar i FRD-së, i vetmi që ju përgjigj kërkesës.

Në këtë tranzicion të stërzgjatur kur çdo ditë në media dëgjojmë e përcjellim me dhjetra raste vrasjesh e vetëvrasjesh, dhunimesh e grabitjesh, aksidentesh dhe fatkeqësish, askush nuk mendon seriozisht për arsyet e vërteta, për rrënjët e këtyre ngjarjeve dhe nuk bën asnjë analizë të hollësishme se nga një depresion (i thjeshtë) kanë ardhur shumë nga vrasjet që përmenden;

Se nga mungesa e optimizmit dhe shpresës për të ardhmen vijnë shumë nga vetëvrasjet e mësipërme, vijnë konfliktet, dhunimet, ndarjet, e deri tek krimet.

Ky është një rast tipik i cili ka nevojë të ndihmohet nga shoqëria për pak fonde, sepse mund të marrë atë gëzim dhe dinjitet që i takon gjithësecilit prej nesh në shoqëri, por nëse lihet në gjendjen aktuale të saj,  me siguri që ajo do të shkojë natyrshëm drejt degradimit të plotë.

Si sociologe, dhe si drejtuese e Fondacionit “Harriet Martineau” po hedh thirrjen për të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë këtë grua, përmes ndihmës për të cilën kanë ndihmuaredhe familjen e saj: fëmijët që nuk i ka parë prej vitesh, bashkëshortin,  prindërit e moshuar, motrat dhe vëllezërit e saj.

Fondacioni që drejtoj merr përsipër shoqërimin e saj në gjithë kalvarin e rrugës që e pret drejt shërimit.

Nëse dikush kërkon ta ndihmojë këtë histori njerëzore, mos hezitoni...

E-mail: martineauharriet@gmail.com