E marte, 20.04.2021, 06:08 AM (GMT+1)

Mendime

Man Poga: Besimtarët e dhunës

E hene, 26.08.2013, 07:52 PM


BESIMTARËT E DHUNËS

Nga Man POGA

U bënë disa ditë që mediat vizive dhe të shkruara po pasqyrojnë në mënyrë intensive episode të dhunës që erdhën si pasojë e konfliktit mes disa policëve privatë e përmbaruesve nga njëra anë dhe priftërinjve të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që shërbejnë në Përmet nga ana tjetër. Lajmi mori dhenë, aq shpejt sa për çudi të parët që u shqetësuan ishin përfaqësuesit e komunitetit minoritar grek në Shqipëri, pastaj Konsullata greke, dhe në fund Kisha Ortodokse “Autoqefale” Shqiptare…! Në analizë të parë të tekstit dhe frymës reaguese, konstatohet fare thjeshtë se deklaratat kishin veçse një qellim: ta servirnin para opinionin ndërkombëtar situatën si konflikt fetar, deri aty sa ta cilësonin si pengesë e të drejtës për të besuar apo për të ushtruar të drejtën e besimit në ritin ortodoks etj, etj.

Si një orkestër e organizuar mirë në fund erdhi dhe “ndihma” e shtetit fqinj mik, Greqisë. E cila shpejt e shpejt nëpërmjet Ministrisë së Jashtme bëri një dalje për shtyp, duke “futur hundët” në një çështje pronësie të një shteti tjetër sovran. Vendi fqinj nuk e la me aq, por shkoi aq larg sa hartoi dhe një raport kritik për Shqipërinë drejtuar KE, duke provokuar edhe më tej situatën.

Mirëpo, po të lexohen me kujdes të dhënat në terren, del se “ngjarja flluskë e Përmetit” nuk është një konflikt fetar por një konflikt qartësisht pronësie mes Bashkisë Përmet dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Konflikt i cili “de juro” ka marrë fund me vendimin e formës së prerë nga Gjykata. Por, përkundër asaj që pritej (të paktën kësaj radhe), kjo situatë absurde po konfirmon faktin e përsëritur e të rëndomtë: atë të moszbatimit të vendimeve të gjykatave shqiptare, anipse në këtë rast kemi të bëjmë me njerëz të zotit. Nga kjo ngjarje vihen re disa detaje që në plan të parë duken absurditete, por që në fakt janë indikatorë që na ndihmojnë për të kuptuar të vërtetën.

Së pari të bie në sy ripërsëritja e zinxhirit reagues (-përfaqësues i minoritetit-konsullata greke-shteti grek) pa lidhje me ngjarjen, por vetëm e vetëm për qëllime politike, duke sjelle zvarrë një mendësi mesjetare e lidhur me konceptin se ku ka ortodoksë ka grekë…! Nga kjo mendësi shpjegohet dhe bllokimi i qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare greke, si hakmarrje për situatën e Përmetit;

Së dyti të bën përshtypje reagimi befasues i priftërinjve. Të cilët të vetme mundësi proteste menduan dhunën. A thua se ata ishin predikues të dhunës e jo paqes; Së treti, a nuk është absurde dhe anormale që të sjellësh me autobusë të ashtuquajtur besimtarë nga Saranda, Delvina, Gjirokastra dhe ti yshtësh drejt dhunës…mu në mes të Përmetit?!

Duke patur miq nga Përmeti ju telefonova duke shprehur shqetësimin për ngjarjen por dhe habinë se pse paska qenë e nevojshme të shkojnë besimtarë nga rrethe të tjera, fundja, nëse priftërinjtë nuk arrijnë dot të bindin besimtaret e Përmetit pse u dashka ajo shtëpi Kulture për Kishë..?!

-Normalisht se do t’i merrnin nga rrethe të tjera, – më tha miku im nga Përmeti, – se ne jemi besimtarë të qetë jo besimtarë të dhunës.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora