E shtune, 20.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Mendime

Tritan Shehu: Kolegët kosovarë dhe identiteti ynë

E premte, 23.08.2013, 08:28 PM


Kolegët kosovarë dhe identiteti ynë

Nga Tritan Shehu

Prej disa kohësh vihet re një lloj shqetësimi mediatik nga publicistë e intelektualë kosovarë në lidhje me disa këndvështrime vlerësuese të figurave kombëtare, apo dhe për disa vizione të deformuara që janë hasur aty. Kjo ndoshta nxitet apo interferohet dhe nga ndonjë agresion mesjetar ndaj europianizmit të grave të atyshme, nga ndonjë gjest të turpshëm të dikujt, që unë nuk e njoh as atë, as statusin e tij psikik, ndaj ndonjë prej figurave më madhore të kombit tonë, nga ndonjë formë antiamerikanizmi të ndonjë aventurieri apo diçka tjetër. Unë e pranoj se Kosova është një vend sovran, por duke u nisur nga fakti i thjeshtë se aktualisht po preken figura kombëtare shqiptare, interesa kombëtare, do të desha të bashkohesha me shqetësimin e ngritur. Sidoqoftë, në fillim dua të theksoj se ndoshta gaboj, ndoshta e tërë kjo është një fryrje mediatike. Realisht shpresoj të jetë kështu. N.q.s. do të kihej si pikë referimi mendimi e mentaliteti që ekziston në Shqipëri, pa asnjë dyshim do të thosha që e gjithë kjo është një tullumbace mediatike. Në Shqipëri për këtë temë nuk ka asnjë lëkundje, asnjë ekuivok midis politikës, botës civile, fetare, asaj universitare apo shkencore. Ose më mirë të themi që lëkundjet janë krejt të papërfillshme.

Dhe kjo është një nga avantazhet tona të mëdha, një garanci për stabilitet në zhvillim e integrim, në realitet është një mrekulli për ne, që duhet ta konservojmë me të gjithë forcën tonë, morale, ligjore, institucionale, politike etj. Shpresoj shumë të jetë kështu dhe në Kosovë. Në realitet nuk mund të jetë ndryshe, ne jemi njëlloj, një komb, kemi të njëjtën prejardhje, kemi të njëjtën aspiratë për të ardhmen, të integrohemi plotësisht në botën tonë reale, në atë nga vijmë dhe që na përket, në botën perëndimore, pra të jemi pjesë e familjes europiane. Aty dhe do ta ndiejmë veten të bashkuar, pikërisht aty ku po bashkohet Europa vetë. Si një komb që jemi, ne dhe miqtë e mëdhenj i kemi të përbashkët, na kanë ndihmuar e shpëtuar njëlloj, i kemi sot në krah, do t’i kemi dhe nesër mburojë dhe forcë zhvillimi e integrimi. Besoj se të gjithë ne e kuptojmë që këtu në radhë të parë bëhet fjalë për SHBA. Fatmirësisht kjo është menjëherë e vetë kuptueshme në Shqipëri e Kosovë bashkë. A nuk ka qoftë vetëm ky fakt një domethënie të madhe për të gjithë ne, duke justifikuar kështu dhe të drejtën që kemi për të këshilluar njeri-tjetrin? Besoj se po.

Pra, që të mos zgjatem në këtë linjë mendimi, sidoqoftë nuk mund të mos them se pavarësisht nga dimensionet e ndodhive, vetë fakti që personalitete të atij vendi shqetësohen, debatojnë, kërkojnë të tërheqin vëmendjen, tregon që diçka, qoftë dhe e vogël, po ndodh. Siç duket kërkohet që askush të mos qëndrojë indiferent. Unë e di se ky nuk është fenomen, kjo ka të bëjë kryesisht me ndonjë lajthitje të ndonjë apo disa individësh, marrëzi e irrealizëm të dikujt, apo qoftë dhe me dëshirë cinike të ndonjë “sekti” për të cenuar vlerat tonë kombëtare, miqësitë tona madhore, pasurinë tonë të madhe, paqen e admirueshme fetare që kemi midis nesh, identitetin tonë perëndimore, ecurinë tonë të pandalshme për të qenë pjesë integrale e botës perëndimore.

Fatkeqësisht në historinë tonë jo rrallë ne kemi pasur brenda nesh dhe të tillë pseudopersonazhe, që jo pak probleme i kanë krijuar kombit tonë. Megjithatë, ne në shekuj kemi mbetur tërësisht perëndimorë. Dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë identitet, ashtu si gjithsekush duhet të krenohet për identitetin e tij, në çdo cep të planetit, duke respektuar më tej thellësisht njëri-tjetrin. N.q.s. nuk njeh dhe nuk respekton identitetin tënd, nuk mund të respektosh as të tjetrit dhe as të kontribuosh për bashkëjetesën njerëzore.

Pikërisht identiteti ynë i përbashkët është i lidhur me historinë tonë, me gjeografinë tonë, me personalitet tona, kontributet tona në shekuj, zakonet e mentalitetin tonë perëndimor, me miqtë tanë të mëdhenj, që nga Presidenti Willson tek ai Klinton, me organizmat ndërkombëtarë ku bëjmë pjesë apo ku do bëjmë pjesë detyrimisht nesër, si NATO dhe BE. Ky është thelbësisht i lidhur dhe me figurat tona madhore kombëtare, veçanërisht me ato që nuk i shërbyen vetëm kombit tonë, por njerëzimit mbarë, vlerave universale, lirisë e qytetërimit, Europës apo më tej. Dhe këtu ne, megjithëse jemi një popull i vogël, kemi shumë me se të krenohemi. Në fakt, me këta krenohet e gjithë bota e qytetëruar dhe e civilizuar. Përkatësinë tonë atje e kanë konsoliduar edhe këto personalitete të dimensioneve universale. Ndër to do të përmend vetëm dy, ndoshta më emblematikët dhe më simbolikët për ne, më të patjetërsueshmit e të padiskutueshmit, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe Nënë Terezën. I pari, udhëheqësi i madh i yni dhe i qytetërimit perëndimor, në mbrojtje të lirisë e të vlerave tona, mburoja e Europës për çerek shekulli. E dyta, Shenjtorja e Madhe, ajo që me dhembshurinë e saj, me mesazhin e saj të madh në shërbim të individit të thjeshtë, duke e vënë atë në epiqendër të shoqërisë njerëzore, dha jo vetëm një mesazh vlerash të pamatshme, por dhe iu kundërvu qartësisht filozofisë represive e kolektiviste komuniste të asaj periudhe. Mos harrojmë se diktatura e anatemoi atë pikërisht për këto vlera që ajo transmetonte kudo ku ndodhej. Popuj të tjerë, jo rrallë përpiqen të sajojnë të tilla vlera. Jo të gjithë e kanë fatin e madh të kenë të tyret figura si Skënderbeu apo Nënë Tereza. Pra ne nuk kemi nevojë t’i krijojmë artificialisht ato, ne i kemi realisht. Ne duhet të krenohemi e t’i mbrojmë me fanatizëm ata. Ky është një privilegj i madh, i pamatshëm vlerash për ne. Gjeni ynë, mentaliteti ynë, fati apo Zoti e solli t’i kemi shqiptarë. Sido që të jetë shkaku, detyra jonë është që t’i ngremë sa më lart midis nesh, t’i vëmë në piedestalin më të lartë të mundshëm, t’i kemi si udhërrëfyes të së ardhmes sonë, t’i përdorim si gjenerator për të përshpejtuar arritjen tonë, aty ku aspirojmë të stacionohemi të gjithë së bashku, në shtëpinë perëndimore, atë europiane. Kjo është e ardhmja jonë, për arritjen e së cilës janë bërë kaq shumë sakrifica, janë humbur dhe shekuj nga pushtimet, por që më tej janë rifituar pikërisht sepse vlerat e identiteti nuk mund të zhbëhen. Dhe për ta bërë më të lehtë këtë rrugëtim, nuk duhet të lejojmë askënd, kushdo qoftë ai, që nga marrëzia apo perversiteti i tij, me veprime apo demagogji, kërkon të cenojë qoftë dhe figurat tona madhore, gjë që direkt apo indirekt tenton të na largojë nga aspirata jonë, të na kthejë prapa apo të na fusë, qoftë dhe përkohësisht, në ndonjë stacion periferik, larg finishit të shumëpritur. Pikërisht për këto arsye, askush nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj shqetësimeve që ngrenë kolegët kosovarë, edhe n.q.s. këto mund të duken sot si të papërfillshme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora