E enjte, 02.04.2020, 04:23 AM (GMT+1)

Aktualitet

Reagim për zhvendosjen e shtatores së Nënës Tereze

E premte, 23.08.2013, 07:29 PM


Kryesia e PSHDK-së i ka dhënë mbështetje të plotë deklaratës së Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Klinë, lidhur me tendencën e rrezikshme për zhvendosjen e shtatores së Nënë Terezës në Klinë. Ajo shfaq shqetësimin e thellë me tendencat e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, që pa ndonjë motiv të qartë të zhvendosë shtatoren e Nënë Terezës nga vendi ku është, në një vend që nuk dihet as në pronësi të kujt është.

Përmes një kumtese për opinion, PSHDK-ja deklaron shqetësimin me frymën anti Tereze të disa segmenteve të kësaj qeverie, që filluan me Ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, i cili që në ditën e parë në postin e ministrit e hoqi figurën e Nënë Terezës nga Ministria e Kulturës.

“Po ashtu, gjatë këtyre viteve janë dëgjuar shumë zëra ogurzi, që hedhin baltë mbi figurën më të madhe të shqiptarëve dhe të botës, mbi Nënë Terezën, ndërkaq na shqetëson tej mase fakti se institucionet tona, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi heshtin përballë këtyre përbaltjeve, që ndonjëherë vijnë edhe nga segmente brenda qeveritare.

Kosova nuk duhet të harrojë që ishte pikërisht Shoqata ‘Nënë Tereza’ e cila gjatë viteve të rënda të okupimit u bë burim i ekzistencës për shqiptarët. Kjo shoqatë, nën emrin e nobelistes shqiptare, nuk e la asnjë shqiptar të përkulet para regjimit të Milosevicit”, vazhdon komunikata.

“Loja me shtatoren e Nënë Terezës në Klinë, pikërisht në kohën para fushatës zgjedhore, është një gjunjëzim i institucioneve tona para rrymave dhe elementeve radikale në vend, që nuk e duan Nënë Terezën në atë vend dhe që kultivojnë një frymë anti Tereze brenda kombit shqiptar. Pikërisht për këtë, PSHDK-ja kundërshton ashpër zhvendosjen e shtatores së Nënë Terezës në këtë kohë fushate dhe pa asnjë sqarim të pranueshëm për qytetarët e Klinës.

Zhvendosja e shtatores së Nënë Terezës nga ai vend nuk bëhet me asnjë motiv tjetër, përpos për të plotësuar aspiratat e ndonjë grupi ekstremist që s’e do atë në atë vend.

Kryesia e PSHDK rikujton se Nënë Tereza gjatë jetës dhe veprimtarisë së saj ishte dhe mbetet shembull i mirësisë dhe bashkimit në gjithë botën. Ajo ka bashkuar popuj, kultura e fe dhe ka shuar dallime të shumta, nën flamurin e mirësisë dhe bashkimit. Ajo duhet të jetë edhe simboli i bashkimit dhe unitetit të shqiptarëve dhe jo i dallimeve”, thuhet në kumtesë.

PSHDK-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale, që të kenë kujdes me këto segmente të cilat po kultivojnë një frymë kundër Nënë Terezës në vend.

“Këto segmente, kështu siç po veprojnë, po i bëjnë një shërbim të keq vendit tonë dhe të ardhmes së tij”, përfundon kumtesa.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT