E premte, 29.03.2024, 07:49 AM (GMT)

Kulturë

Veton Surroi: Në dy të mëngjesit

E enjte, 22.08.2013, 06:17 PM


Në dy të mëngjesit

Nga Veton Surroi

Në dy të mëngjesit, Arbën Xhaferi shikonte filma. Dikur shikonte filma më herët. Kur punonte në Televizionin e Prishtinës, shikonte filma gjatë ditës, me detyrë zyrtare dhe qejf personal. Ndonjëherë shkonte edhe në kinema, por nuk kishte kinema që të jepte filma në dy të mëngjesit.

Në dy të mëngjesit shikonte filma Arbën Xhaferi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Gjatë tërë ditës ishte kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Priste mysafirë që i vinin në zyrë.

Aso që jepnin ide se si të bëhet më mirë Partia, Kombi, Shteti.

Aso që kërkonin. Aso që kërkonin ide se si të bëhet më mirë Partia, Kombi, Shteti.

Aso që ofronin përkrahje politike, dhe të ndonjë natyre tjetër, nëse ai do të merrte këtë apo atë qëndrim ndaj kësaj apo asaj ngjarjeje.

Aso që kërkonin. Që kërkonin favore në emër të familjes, kombit, shtetit. Që kërkonin vend pune për familjarë, deklarim personal të tij për kombin, kalimin e ndonjë ligji të nevojshëm për shtetin.

Gjatë tërë ditës, kryetarit i ndalohej të shikonte filma. Nuk kishte kush t’ia ndalonte, sepse ai vetë ishte kryetar- Kryetari ia ndalonte Arbën Xhaferit të shikonte filma.

Dhe atëherë mbërrinte ora dy e mëngjesit, kur mulliri kishte bluar të gjitha idetë e ofruara e të marra, të gjitha favoret e ofruara dhe të premtuara, të gjitha fytyrat që hynin e dilnin – një botë krejtësisht e prekshme, krejtësisht reale. Aq reale sa në dy të mëngjesit të duket e pavërtetë.

Aq reale sa që në dy të mëngjesit sytë e Arbën Xhaferit ta zgjojnë gëzimin në të parë se në televizion po jepet një film artistik që nuk e ka parë.

2.

Kur nuk shikonte filma, Arbën Xhaferi lexonte Brzezinskin. Apo dikë të ngjashëm, njërin prej emrave për të cilin kryetari i PDSH-së nuk do të dëgjojë gjë gjatë ditës. Sepse gjatë ditës emrat e rëndësishëm janë ata që zënë faqet e para të gazetave, minutat e para të lajmeve televizive, tri pikat e para të rendit të ditës së Parlamentit, të gjitha pikat e rendit të ditës të kryesisë së Partisë. Janë edhe të gjitha ata që janë të paralajmëruar për t’u takuar me të – sepse çdonjëri që takohet me të ka rëndësinë e vet. Janë edhe të gjithë ata që bisedojnë me të në telefon, duke e kuptuar mezi. Apo të gjithë ata që, meqë mezi e kuptojnë në telefon, i shkruajnë SMS. Dhe marrin përgjigje, sepse çdokush që i shkruan meriton të jetë i rëndësishëm.

E bëri mik Brzezinskin. Bashkëbisedonin. Brzezinski fliste për një botë ku aksi historik botëror është në EuroAzi, se të gjitha konfliktet në histori janë bërë për të kontrolluar këtë bosht, pastaj fliste për një botë ku historia po zhvendoset në lindje të këtij boshti, në Azi. Arbni fliste për nevojën që shqiptarët të mos jenë pjesë e zhvendosjes për në Lindje, për nevojën që të mbesim aty dikund, në të majtë, në Perëndim të pastër, në Perëndim të pastër të Boshtit kudo që të shkojë ai.

Në dy të mëngjesit, Arbën Xhaferi dhe Zbignieë Brzezinski, analizonin veç e veç dhe në përbashkësi hartën e Hemisferës Veriore të kësaj bote dhe vendin e Tetovës, shqiptarëve të Maqedonisë, Kosovës, mbarë shqiptarisë, në të.

Në fund të terminit të quajtur “ora dy e mëngjesit” Arbni do të palojë me pedanteri librin, kroatisht, “Loja e madhe e shahut, supremacia amerikane dhe përparësitë e veta gjeostrategjike” të profesorit Zbignieë Brzezinski.

Në të zgjuar, pas orës nëntë, do t’i hedh edhe një sy kopertinës, me tabelën e shahut, para se të shkojë për takim me të gjitha emrat e rëndësishëm për kryetarin e PDSH-së, zotin Arbën Xhaferi.

3.

Në dy të mëngjesit, kur nuk shikonte filma dhe kur nuk e lexonte Brzezinskin, Arbën Xhaferi e thërriste Vulen. Vule e kishte emrin Vullnet, kishte shtëpinë më të bukur të Tetovës kur që të dy ishin fëmijë. Shtëpia ishte mes Teqes Arabati dhe Xhamisë së larme, e Xhamia e larme ishte e gëzuar dhe me pikturim gondolash veneciane para se në Tetovë të vinin fundamentalistët, ta zinin Teqenë dhe të konsideronin se gondolat veneciane në Xhami tregojnë për një mungesë të përhershme disipline të kësaj popullate. Të cilën do disiplinuar, salafisht.

Vule ndërtonte autostrada kur Arbni ishte në pushtet.

Vule lozte shah me Arbnin edhe kur ishte, edhe kur nuk ishte në pushtet.

Vule ankohej se si popullata po disiplinohej, salafisht.

Kryetari i PDSH-së kishte bërë disa shkrime dhe prononcime. Kryetari i PDSH-së mendonte se Islami politik po e dëmton rëndë kauzën kombëtare shqiptare në Maqedoni, dhe se është një rrezik latent, si një ideologji antikombëtare, kudo që gjenden shqiptarët.

Vule i thoshte se nëpër xhami, hoxhallarët e rinj kanë filluar ta shajnë Arbnin.

Arbni i thoshte Vules se e ka radhën të lozë, se e ka në rrezik topin, ndoshta kalin, ndoshta mbretëreshën, ndoshta të gjitha së bashku. Sepse në atë vend, çdo gjë ishte në rrezik të humbet, përherë, sikur gondolat, sikur Teqeja.

4.

Në dy të mëngjesit Arbën Xhaferi bënte edhe gjëra të tjera, siç do të bënte çdo njeri tjetër që do të kërkonte, në atë orë, azilin, atë të vetmisë për vete.

Ka mbetur pa i thënë. Njerëzit që kërkojnë azil, ata që gjejnë vetëm orën dy të mëngjesit të jenë me veten, e kanë vështirë të rrëfejnë; mbajnë ende në vete rrëfimet e të tjerëve, të mbledhura gjatë tërë ditës.

Azilin e përkohshëm, të orës dy të mëngjesit e ka zëvendësuar, ka një vit, me atë të përhershëm. Prej atij, prej azilit të përhershëm, tash na i dërgon, me buzëqeshje të lehtësisë këto rrëfenjëza të vogla



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora