Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Trashëgimia kulturore në Prishtinë

| E enjte, 22.08.2013, 07:44 PM |


Trashëgimisë kulturore në komunën e Prishtinës

Nga Qazim Namani, phd në fushën e Trashëgimisë kulturore

Letër drejtuar kuvendit komunal në Prishtinë dhe MKRS

Trashëgimia kulturore dhe historike në komunën e Prishtinës është duke u shkatërruar si pasoj e çrregullimeve administrative dhe përzierjes së kompetencave mes pushtetit lokal dhe atij qendror (Komunës së Prishtinës dhe MKRS).

Siç e dini fushë veprimtaria e drejtorisë së Komunës është udhëheqja me resurse kulturore lokale, duke përfshirë muzetë lokale dhe resurset e trashëgimisë kulturore që kanë vlera lokale.

Me duhet të ju shkruaj se unë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoi me ju por nuk kam hasur në mirëkuptim, kam parashtruar edhe kërkesën me shkrim nr. 01.037-241 të datës 23.02.2010 për të biseduar lidhur më trashëgiminë kulturore në komunën e Prishtinës por nuk jam ftuar.

Gjendja e rëndë në fushën e kulturës po më shtynë që të ju drejtohem me anë të kësaj letre me të vetmin qëllim që të evitohen procedurat e jashtë ligjshme të investimeve në kulturë e në veçanti në fushën e trashëgimisë kulturore.

Si punëtor profesional shkencorë në këtë fushë me një përvojë relativisht të gjatë jam shumë mirë i njoftuar me mbarëvajtjen e institucioneve lokale dhe qendrore të kulturës andaj edhe shprehu shqetësimin tim profesional. Institucionet e pushtetit qendror MKRS shumë pak ka investuar në Komunën e Prishtinës dhe në kufirin veri-lindor të Kosovës. Departamenti i Trashëgimisë Kulturore që vepron në MKRS asnjëherë prej vitit 1999 e deri më tani nuk e ka bërë përnjohjen sipërfaqësore të terrenit në kufirin veri-lindor të Kosovës për të evidentuar asetet e trashëgimisë kulturore dhe historike. Përkundrazi kinse në saj të bashkëpunimit mes MKRS dhe Komunës së Prishtinës që një dekadë është ndarë një shumë mjaftë e madhe e buxhetit komunal për të investuar në monumente të kulturës, potencoi investimet ne Hamamin e qytetit dhe në Xhaminë e Gurit etj. Të dy këto objekte e kanë statusin e monumentit të kulturës dhe përgjegjëse për konservimin dhe restaurimin e tyre është MKRS, andaj ndarja e buxhetit nga komuna është i jashtë ligjshëm dhe ka ndikuar dukshëm në varfërimin e jetës kulturore në komunë me rrethinë. MKRS vërehet se ka dështuar në organizimin institucional, andaj si në shumë komuna edhe në Komunën e Prishtinës vepron Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, institucion me kompetenca të pa definuar që më shumë i ka sjellë dëme komunës se sa përfitime.

Nga çrregullimet organizative sot komuna e Prishtinës nuk ka muze të qytetit, nuk ka publikime dhe ka rrezikuar të humbë përgjithmonë objektet edhe ashtu të pakta me vlera lokale kulturore dhe historike. Duhet kuptuar se komuna është e obliguar që të ruaj objektet me vlera lokale ne territorin e saj e jo të shpenzoi buxhetin në objekt që kanë vlera monumentale. Kur komuna akoma nuk e ka një muze të qytetit shtohet pyetja atëherë p.sh. si mund të ketë qyteti muze për Gjergj Kastriotin, Pjetër Bogdanin që u masakrua po në Prishtinë, Gongje Bojagjiun,  Hasan Prishtinën etj. Për Hasan Prishtinën nuk ka muze as qyteti i lindjes së tij Vushtrria, por për çudi në mes Prishtinës dhe Vushtrrisë, pikërisht në fshatin Mazgit është ngritur muzeu për Sulltan Muratin! Na thanë se jemi rast i veçantë Suigeneris. Vërtet mendoi se jemi të tillë,  sepse kam bindjen po të hulumtohen krejt popujt dhe fiset e botës vështirë se do të haset ndonjë komunitet që nderon të huajt dhe pushtuesit më shumë se sa vetveten!

Bazuar në vendimin e miratuar nga Ministri i Kulturës nr 2171/2012 të datës 01.10.2012 për  listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, në pikën 4 shkruan: Trashëgimia kulturore në mbrojtje të përkohshme do të ketë të njëjtat atribute me trashëgiminë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Po të kishte aty profesionist nuk do ta hartonin një listë të tillë të trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme. Në mesin e kësaj liste hasen shume falsifikime të historiografisë së objekteve e deri të futja në listë të objekteve arkitektonike pa plotësuar asnjë kriter të vetëm për tu listuar si monument kulture!  Po i ceku vetëm tre shembuj:

1. Sa dinë këta ekspert që e hartuan këtë listë kur në numrin rendor të kësaj liste renditet Manastiri i Sokolicës ku shkruan se është ndërtuar në shekullin XIV! Ju bëjë me dije se Kisha e Vogël në pronat e familjes së Boletinve është shpallur Manastir i Grave në vitin 1956 pas konfiskimit të pronave të Isa Boletinit.

2. Pyes se a janë të vetëdijshëm këta ekspert se në listë i kanë përfshirë 1181 asete të trashëgimisë kulturore pa e bërë të paktën një herë përnjohjen në terren në trevën veri-lindore të Kosovës, ku bënë pjesë edhe rajoni i komunës së Prishtinës.

3. Këta ekspertë a mundë ti parashikojnë pasojat dhe pengesat e zhvillimit urban të qyteteve e sidomos Prishtinës kur në këtë listë figurojnë objekte arkitektonike që nuk e plotësojnë të paktën as një kriter të vetëm për ti klasifikuar se mundë të merren në mbrojtje si monumente të kulturës.

Duke i pasur parasysh pengesat që do ti shkaktoi kjo listë në zhvillimin urban të Prishtinës, propozoi që ti bëhet kërkesë ministrisë  ta shqyrtoi edhe një herë këtë listë. Po ashtu nga gjendja e krijuar në fushën e kulturës në komunë, propozoi që komuna të mos ndajë buxhet për konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës në mbrojtje të shtetit, por që të hartoi programe për ruajtjen e vlerave kulturore lokale. Propozoi që komuna e Prishtinës të merr vendimin për themelimin e muzeut të qytetit dhe të themeloi një qendër të pavarur për ruajtjen,  hulumtimin, studimin dhe  publikimin e vlerave të trashëgimisë kulturore lokale në territorin e saj.

Duhet kuptuar se Trashëgimia Kulturore si shkencë u konsolidua që nga fundi i shekullit XIX kur u vënë bazat e shkollës moderne të konservimit dhe  restaurimit shkencor, po në këtë kohë u përcaktuan konceptet teorike të konservimit për ta ruajtur origjinalitetin e monumentit kulturor dhe integritetit të tij. Në fillim të shekullit XX  filloi interesimi për organizimin e kongreseve për të trajtuar monumentet e kulturës ne rrafshin e konservimit dhe restaurimit të tyre në plan ndërkombëtar. Trajtimi i monumenteve të kulturës u shqyrtua në shumë takime ndërkombëtare nga ku dolën shumë dokumente që e rregulluan qasjen në monumente. Ekspertë të shumtë ndërkombëtar i kushtuan rëndësi të madhe ruajtjes së vlerave të autenticitetit të monumentit. Si pas normave ndërkombëtare të konservimit autenticiteti duhet të reflektoi etapat e rëndësishme të ndërtimit dhe shfrytëzimit përgjatë rrjedhës historike të monumentit. Në shumë takime ndërkombëtare u pohua se autenticiteti rrezikohet atëherë kur prishen shtresat historike apo zëvendësimi i elementeve origjinale me elemente moderne.

Shumë punë konservuese që kryhen në Kosovë bëhen në kundërshtim me rregullat dhe proceduarat ndërkombëtare të konservimit.

Studiues të shumtë ndërkombëtar për monumente të kulturës me kohë i kanë rregulluar kriteret se kush është kompetent që të kujdeset për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës. Ata e kanë paraparë rrezikun e dëmtimit të vlerave autentike të monumentit prandaj edhe kanë sugjeruar konservimin para restaurimit. Rregullat ndërkombëtare të konservimit e parashohin që ndërhyrjet e  reja të jenë të dallueshme për të mos i falsifikuar vlerat monumentale. Në takime ndërkombëtare është kundërshtuar restaurimi stilistik apo analogjisë, dhe është sugjeruar që çdo hap që ndërmerret gjatë konservimit të mbështetet në të dhëna historiko-dokumentare  për të ruajtur çdo fazë të ndërtimit të monumentit. Bazuar në këto dokumente të rëndësishme që e rregullojnë fushën ë trashëgimisë kulturore thuhet se në asnjë monument të kulturës nuk lejohet rrënimi i ndonjë faze historike të ndërtimit të objektit. Çdo fazë e ndërtimit duhet të konservohet dhe të jetë e dallueshme nga fazat tjera historike.  Rrënimi i hajatit të xhamisë së gurit në Prishtinë është në kundërshtim me çdo normë dhe konventë ndërkombëtare.

Në bazë të burimeve historike hajati i Xhamisë  së Gurit në Prishtinë është ndërtuar në kohën e ndërtimit të objektit  të sotëm të Muzeut të Kosovës. Këto ndërtime me stil të ndërtimit barok u bënë me donacione të siguruara nga Austro-Hungaria. Këto donacione në atë kohë vinin falë veprimtarisë së Hasan Prishtinës i cili me donacione nga Austro-Hungaria ndërtoi edhe disa shkolla për mësim në gjuhën shqipe. Duke i pasur parasysh të dhënat e cekura më lartë konsideroi se në rast konkret kemi të bëjmë me humbjen e vlerave autentike të një faze të rëndësishme historike të këtij monumenti duke e shkelur çdo normë dhe rregullore për monumente të kulturës.