Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Emigrantët në Greqi, shtatë "rrugët" për të fituar legalizimin

| E diele, 15.04.2007, 07:02 PM |


Ministria e Brendshme greke u ka dhënë një tjetër shans legalizimi emigrantëve që kanë qenë në Greqi prej dhjetorit 2004
ATHINË- Një shans i ri për të gjithë emigrantët e paligjshëm, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi. Qeveria greke ka vendosur dy ditë më parë t'u japë një tjetër mundësi të gjithë atyre që jetojnë në Greqi, por që ende nuk janë të pajisur me leje qëndrimi. Me një vendim të firmosur në qeveri, janë përcaktuar dokumentet e domosdoshme për të gjithë ata që do të përfitojnë nga kjo fushatë e re legalizimesh në Greqi. Bëhet me dije se vendimi për legalizimin e emigrantëve, ku pjesa më e madhe janë shqiptarë, është firmosur nga zv.ministri i Brendshëm, Thanasis Nakos dhe është bërë publik dy ditë më parë.

***

Mundësia e re për legalizim përfshin të gjithë ata emigrantë, të cilët mund të vërtetojnë se banojnë në Greqi që nga 31 dhjetori i vitit 2004. Të vetmit që përjashtohen nga legalizimi janë ata emigrantë, që edhe pse e plotësojnë këtë kriter, janë shpallur "non grata" nga autoritetet greke të drejtësisë. Sipas vendimit të ministrit të Brendshëm, nuk përfitojnë ata shtetas të huaj mbi të cilët rëndojnë akuza nga drejtësia greke apo janë shpallur të padëshiruar për shkaqe të sigurisë dhe rendit publik. Ndërkaq, bëhet me dije se për të përfituar një leje qëndrimi në Greqi duhet të dorëzosh pranë zyrave përkatëse njërën prej 7 dokumenteve të përcaktuara në vendimin e fundit të qeverisë greke, prej të cilave vërtetohet se emigranti ka qenë në këtë shtet para dhjetorit të vitit 2004.

***

Një vërtetim regjistrimi në sistemin grek arsimor, të ulët, të mesëm ose të lartë do të shërbejë për të konfirmuar kohën e qëndrimit në Greqi. Një tjetër dokument i kërkuar për legalizim është edhe vërtetimi i regjistrimit të fëmijëve në shkollat publike, në rastet kur këta fëmijë janë regjistruar para 31 dhjetorit 2004. Çertifikata e lindjes ose e regjistrimit të fëmijës, para 31 dhjetorit 2004, certifikata e martesës, vendimi negativ për rinovim lejeje, vendimi negativ për dhënien e lejes për Omogjenët, si dhe leja e veçantë për Omogjenët. Sipas vendimit të qeverisë greke, secila prej këtyre vërtetimeve do të merret si dokument që vërteton se prej 31 dhjetorit 2004, emigrantët kanë qenë në Greqi.

DOKUMENTET

1-Vërtetim regjistrimi në sistemin grek të arsimit të ulët ose të mesëm ose vërtetim se vazhdon studimet në të njëjtën shkallë ose më të lartë ose ke mbaruar studimet.

2-Vërtetim regjistrimi i fëmijës në shkollat publike të nivelët të ulët ose të mesëm, nëqoftëse fëmija është regjistruar përpara 31/12/2004 si dhe vërtetimin nga shkolla shtetërore ose private se fëmija vazhdon studimet.

3-Çertifikatë lindjeje ose çertifikatë regjistrimi fëmije në Greqi deri më 31 Dhjetor 2004 nëqoftëse njëri nga prindërit jeton i ligjshëm në Greqi.

4-Çertifikatë martese e bërë në Greqi deri më 31 dhjetor 2004 meqënëse njëri nga bashkëshortët është grek ose qytetar i ndonjë shteti tjetër të BE ose shtetas i ndonjë shteti jashtë BE por që jeton i ligjshëm në Greqi.

5-Vendim negativ i periferisë ndaj kërkesës së emigrantit për marrjen ose rinovimin e lejes së qëndrimit

6-Vendim negativ për dhënien e Lejes së Veçantë për Omogjenët

7-Leje e veçantë për Omogjenët. Të gjithë të huajt që deri tani janë akoma në procesin për marrjen e kësaj leje duhet të drejtohen në zyrat e veçanta për të huajt dhe emigrantët në bashkinë apo komunën ku banojnë deri më 30/09/2007, me qëllim që të bëjnë kërkesën dhe të dorëzojnë dokumentet e nevojshme që parshikon qarkorja në fjalë për tu pajisur me leje qëndrimi. 

Altin Metaj