E enjte, 21.11.2019, 04:15 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Poezi të qëndisura nën dritë hëne

E merkure, 21.08.2013, 06:01 PM


Poezi të qëndisura nën dritë hëne kur pena i bëhet bajrak

Nga Kozeta Zylo

Është ngazëllyese të lexosh librat e një poeti, kur më parë ke dëgjuar tingullin e zërit të tij aq melodioz që kanë hovur si dallgë anembanë Atdheut, por veçanërisht në Jug nga dhe e ka origjinën poeti.  Muzikaliteti dhe poezia e tij janë dy sinonime që s'mund të kuptohen pa njera tjetrën kur bëhesh lexuesja e rregullt e tij.  Kam kohë që i kam lexuar dhe dëgjuar zërin e tij, këngëtarit poet dhe kuptoj se ato jane një muzë që kanë folezën në shpirtin e butë të tij.  Është fjala për autorin e disa librave me poezi dhe njëkohësisht këngëtarin që ka krijuar grupin muzikor "Zëri i Trebeshinës" zt. Pëllumb Aliaj nga Buzi i Tepelenës.  Poezitë e tij janë një lirikë e ngrohtë dhe qiellit duket sikur i marrin trillet imagjinare, dhe çmendin Hënën në netët e gjata të verës.  Janë vargje që të japin fllad agimesh me vesë mëngjesi: Po le ta lexojmë më mirë në këto vargje të poezisë titulluar "Erdha prapë" nga dhe ka marrë titullin libri më i ri i poetit.

O miqtë e mi/ unë erdha prapë. E di që “bujrum” do më thoni/ Ç’kam mbledhur udhës do t’i hap/ Si pajë nusesh t’i shikoni/ Kam mbledhur agimeve vesën/ Dhe erën e luleve të prillit/ Me to kam ngjyer penën/ Të shkruaj këngët e bilbilit/...  Me këngët e bilbilit ka një lidhje gati hyjnore midis kryembretit të zogjve Bilbilit dhe poetit që vesh poezinë me pendë mëndafshi për ta mbrojtur nga pluhurat e kohës.  Poeti me një marramendje fluturuese ka takuar dhe Hënën dhe në feta të holla ja ka hapur zemrën, por nga kjo poezi dhe më pastaj miqve do t'ju tregojë sekretet e moshës së artë.  Detajet e holla poetike si filigrane shpirti krijojnë një lidhje midis poezisë dhe lexuesit të vëmendshëm, ngase ai po darovit me petalet e fjalës miqtë e tij.  Në rastin në fjalë ai shkon i përunjur para vendlindjes së tij që s'e harron kurrë dhe njëkohësisht ai ndjehet më i sigurtë se asnjëherë:  Tek ju kam ardhur qullur dhe lodhur/ U kam sjellë herë lule/ herë këngë/ Në vatrën tuaj s’kam ndier të ndrojtur/ Në oda ma keni shtruar vend/  Tek ju fjalën s’ma merr era/ Pena në dorë më bëhet bajrak/ Aty ku këngës i dihet vlera/ Tek ju kam ardhur/ do vij dhe prapë/.  Poeti është njëkohësisht dhe këngëtar që edhe pse udhëton duke kënduar në skenat më të njohura të qyteteve të Jugut, ai përsëri shpirtin e ka lënë në gjinjtë e Hënës së vendlindjes, në agsholet luleverdha të prillit.  Pena i bëhet bajrak pikërisht aty në Buzin e bekuar.

Një gjetje e bukur poetike është dhe poezia: "Dhe në qiell bëhesh zonjë", ku autori e shenjtëron fjalën nënë dhe thotë se ajo është ndoshta dhe më shumë se bota.  Fantazia e tij krijuese nuk njeh kufi ndaj dhe i thur hymn gruas dhe nënës zonjë dhe ja se si:   Kush është nënë në këtë botë/ Është sa bota dhe më shumë/ Barabar me fjalën Zot/- Bir pa nënë, s’gjen gjëkund/ S’ua them dot ç’ndien shpirti brenda/ Thirrja “”Nënë” bëhet jehonë/ Pa kur “Nënë” flet dhe Hëna/ Lart në qiell bëhesh zonjë/.  Poezia është adhurim për nënën, është mrekullia hyjnore për fëmijët, dashuria e saj bën që dhe burbuqet në pemën e lofatës të ndizen dhe qumështi i gjirit të saj të mëkojë buzën e birit poet dhe këngëtar dhe ta pagëzojë nënën mbretëreshë të rruzullimit. Autorin Alia natyra magjepsëse e krahinës nga vjen, pemët e ngarkuara me frute të pjekura vjeshte, romantizmi i nxjerrjes së rakisë nëpër kopshte ku dëgjohej zhaurima e bletëve medoemos të lë përshtypjen që kanë ndikuar fuqishëm në muzën e tij poetike.

Ai si një skulptor gdhend me daltë dhe gurin, ate gurë të rëndë shqipërie që s'luajnë kurrë prej vendit.  Ndaj ikjes së shumë njerëzve nga fshatrat, braktisja e tyre si në ikjet biblike e kanë bërë autorin që t'u jap shpirt dhe atyre dhe kërkon që mos t'i zërë mallkimi.  Metaforat e përdorura e bëjnë dhe më të ndjerë poezinë : "Nëma juaj mos na zëntë" Lum si ju, more gurë/ Emrin s’e kini ndërruar/ Dhe nga vendi s’luajtët kurrë/ Në dy faqet gjuhën shkruar/.  Kur ne ikëm pa u thënë/ Ju na e quajtët mëkat/ Ahet tuaja po na zënë/  Ditë për ditë e natë për natë.  Është një dialog i heshtur, është dhimbja e ikjes së poetit, është plaga e hapur nga braktisja.  Ndaj autori i mëshon fuqishëm poetikisht se Guri i rëndë në vend të vet!  Megjithatë largësia është vetëm fizikisht se zemra dhe shpirti i tij janë atje në tokën e ngrohtë me damarë gjaku, janë në bustin e Tafil Buzit qe i mbrojti me gjak vatanet nga osmanët turq.  Është tejet e ndjeshme dashuria e brendshme dhe biseda me gurin sidomos në këto vargje: Ku ju lëmë, ju gjejmë prapë/ Ballin strëng dhe myshk të veshur/ Ikur djalë e kthyer plak/ Si kokrra e fikut rreshkur.   Vargjet jane ballë kënge, janë kurorë peme stolisur me figura të argjendta dhe skulptori poet i vendos emblemë në portën mijëravjecare me gurët që s'lëvizën kurrë.  Duke lexuar këto vargje më kujton Mikelangelo i cili thotë se: "Çdo bllok me gurë ka një statujë brenda, por është detyra e skulptorit ta zbulojë atë".

Autori digjet nga malli, përulet në gjunjë dhe betohet se atje do të shkojë gjithmonë ndaj lutet për një besim që duhet të kenë gurët e rëndë:  "Për ju, o gurët e rëndë/ Burri vjen i bërë zhur/ Nëma juaj mos na zëntë/ Se s’u kemi nëmur kurrë. Poeti Aliaj është lindur dhe rritur brenda kohës së diktaturës, ndjen gjer në pejëza dhimbshëm kohën ku varfëria endej si shtrigë nate dhe ndërkohe bën figurativisht paralelizmin figurativ ndërmjet epokave dhe ja se si: Një diell ishte për të tërë/ Por matej me hije të rënda/ Jetova në epokë varfanjake/ Ku rrënja e shpirtit mori strëng/ E djeshmja gjallë më mbante/ E sotmja më sheh si njerkë/.   Koloriti lokal i fjalëve dhe semantika e tyre të sjellin pranë gjuhën plot art që ka përdorur mjeshtëria popullore, por mjerisht shumë autorë i largohen asaj.  Vetë fjala "strëng" merr një ngyrë tjetër emocionale pranë shpirtit dhe dallimet esenciale që egzitonin pamëshirshëm midis fshatit dhe qytetit me siguri e kanë tronditur skajshmërisht muzën e këngëtarit poet.  Lirikat e dashurisë janë ndër poezitë më të ndjera dhe më të ngrohta për lexuesin.  Ai kujton me nostalgji rininë e tij dhe me epitetet mjaltë ngjyen penën në hojet e saj duke na dhuruar ëmbëlsisht botën e artë në poezinë me titull "Të kthehen vitet": Të kthehen vitet që kanë ikur/ Ku u ndamë, të jemi prapë/ Zjarrin tënd të pafikur/ Me këto duar tani ta kap/.

Flakën e pashuar të dashurisë vetëm duartë e një poeti mund ta kapin dhe cuditerisht ai nuk ndjen dhimbjet nga djegjet e saj të shkallës së fundit, por shërohet në hapësirën e magjishme të frymes së saj.  Lirikat për dashurinë më kujtojnë thënien e poetit, novelistit dhe kritikut të famshëm irlandez Oscar Wilde i cili thotë se:  "Mbani dashuri në zemrën tuaj.  Një jetë pa atë është si një diell i vakët në kopesht kur lulet kanëvdekur". Një vend të veçantë zënë dhe poezitë patriotike, ku po shkëpus njërën prej tyre kushtuar 100 Vjetorit të Pavarësisë.  Në çdo cep të rruzullimit/ Ku ka gjak Shqipërie/ Bëhet shtizë qerpiku i syrit/ Mbi një shekull Pavarësie.  Poeti Alia me sytë e Lirisë prek tokën, puth Flamurin dhe ngjyen qiell e tokë me ngjyrën e saj të ndezur si e kuqja e Flamurit tonë.

Vokacioni poetik është joshës dhe herë herë shpërthyes duke proceduar estetikisht me përthyerje dhe një arsenal të gjerë të mjeteve shprehëse.  Me botën e këngës dhe ndërkalljen poetike poezitë e tij medoemos janë një vlerë dhe një tingjëllimë e bukur që ja vlen t'i dëgjosh me ëndje.  Poeti Alia brenda zërit të Trebeshinës nga ka marrë dhe emrin Ansambli krijuar po nga ai, lidh me fjongo dashurie botën labe me sofrën e bukur të festivaleve dhe aq miqësore gramshjote si në poezinë me titull: " Gramsh o sofër lezeti" me vargjet si më poshtë:  Dallandyshja shtron folenë/ se vijnë bilbilat për këngë/ edhe isua labe vjen/ stolisur si zonjë e rendë.  Me zemrën plot dhe këngën në buzë i këndon Devollit, kesaj treve të pasur në kulturë, folklor dhe natyrë të bukur si në këto rreshta:  Devolli ka shtruar qilim/ fustanellë kanë veshur malet/ miqtë vargje vargje vijnë/ ku kanë vendin festivalet.  Interesante jane poezitë me toponimet e ndryshme që flasin qartë për autoktoninë e lashtë të vendit tonë si psh poezia "Ne Qafën e Murrizit".

Natyra e bukur dhe e virgjër e frymëzon në çdo moment poetin, sa pa të duket sikur nuk merr frymë lirisht.  Me penelata piktori, poeti i jep jetë dhe dritë verbuese vargut nën simfoninë e zogjve që shpesh poetin e lenë të mbaj frymën për t'i dëgjuar dhe të hedh çapat nën ritmin e tyre.  Kjo është një copë nga vendi im, Këtu ku u ndodha unë sot, Edhe në stinën pa gjelbërim, Është më i bukuri vend në botë.  Vendi i tij është bukuria dhe dhimbja, dhe herë herë dhe si nje pikë e ngrirë loti në një gravurë kishe.  Këngëzimi i vargjeve medoemos shfaqet dukshëm si një ujëvarë Tepelene dhe sjellë  folklorin e pasur të trevës së Buzit dhe shpirtin artistik të familjes ku është rritur.  Çdo stinë për poetin ka bukurinë e saj, pemët e ndryshme që rriten atje, deri dhe dëllënjën e cila dallohet për frutin e saj si bimë medicinale dhe qëndron përgjithmonë si pishat e gjelbër.  Natyra në çdo stinë të saj e përshkruar aq hollë i jep mrekullisht frymëzimin duke kujtuar Albert Kamus i cili thotë se: "Vjeshta është një pranverë e dytë ku çdo gjethe duket si lule".  Poezitë e tij janë të shkruara nën dritë Hëne, dhe yjet e qiellit i ka bërë metafora rreth trupit të saj me aq elegancë sa të duken si një vashë e bukur, belkëputur veshur me mëndafsh të artë dielli, ndërkohë pena i bëhet bajrak. (15 Gusht 2013, New York)

P.S.: Të interesuarit mund ta dëgjojnë zërin e magjishëm të poetit:



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT