E enjte, 28.03.2024, 04:23 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Besim Perjuci: Sejdi Berisha - “Teatri i Pejës”

E merkure, 21.08.2013, 06:48 PM


Monografia “Teatri i Pejës”, vepër e ardhur me vibracione shpirti e me karakter kronologjiko-historik dhe reflektime sakaq shkencore autentike, e botuar kohë më parë nga “Club Kultura”, në Edicion të Shtëpisë botuese “Dukagjini” në Pejë, nga autori pejan Sejdi Berisha

“Duke lexuar autorët që shkruajnë mirë,    mësohësh të flasës mirë”   Volter

Nga Besim Perjuci

Mbetem i vendosur të ndërtoj mendimin tim e për ta rritë kontributin lidhur me identitetin e monografisë “Teatri i Pejës” të Sejdi Berishës edhe pse, mbase, me pak vonesë por shumë të arsyeshëm. Sepse të kalosh nëpër shtegun e mbijetimit të këtij Monumenti artistik kulturor duhet të jeshë i prirur për ta rikujtuar e përballuar kërdinë fashizoide përmes egzodit të madh të fateve tona, e cila ravijëzoi vertikalen dhe horizontalen e popullit tonë në vitet më të brishta të një epoke historike, ashtu siç do të nëntheksonte autori i veprës.

Përndryshe, këtë shkrim shpirti ma detyron për dy arsye:

E para, autorin e veprës Berisha e pata njohur qysh në bankat e shkollës së mesme, kur po e përfundonim klasën e katërt/v.shk.1966/67/, si një i ri që premtonte shumë, ngaqë në vete shihej të mbarte diçka të madhe, diçka si peshë që ia rëndonte shpirtin, jetën, diçka të fuqishme, diçka të pashpjegueshme, diçka të ndrydhur, diçka që përjetohej çdoditshëm, kurse varfërinë e kishim njëjtë të varur qafe si shtojcë mbijetese. Atëbotë e kishim të pakët çdo gjë, madje edhe fjalën, edhe ecjen, edhe bukën, edhe shumëçka tjetër.

E dyta, vërehej se kishte një shpirt aktori që do të vijë në shprehje më vonë, kur do të shkelë e s’do të largohet kurrë nga dërrasat e teatrit. Edhe dërrasat, edhe kulisat, edhe skena, edhe fjala kumbuese, edhe reflektorët, edhe nata, edhe dita do ta kapërthejnë përgjithmonë mikun tim, z.Sejdiun. Megjithatë, veprimtaria e tij nuk përfundon me kaq, ai do t’i rreket me shumë entuziazëm e frymëzim penës dhe fjalës poetike, asaj artistikjes që ia shemblleu ditën në ecje. Pra, më shumë se kaq ai bëri emër në letrat shqipe të zhanreve të ndryshëm me afro 30 vepra të botuara. Prandaj, me plotë gojë mund të themi se tek ai mëshifej një gurrë e madhe për popullin tonë, për kombin tonë. Dhe, askush e askurrë s’mund ta mohojë argumentin me faturë të madhe jetësore siç eshte ky i z.Sejdiut. Ai, tashmë, po hyn krenar në antologjinë e letrave shqipe.

Rrjedhimisht nëpërmjet kësaj vepre shumëdimensionale, me vlera, jo vetëm të një vepre me qasje kronologjike të thjeshtë, por edhe arkivore historike e me argumentacion e metodologji shkencore, për diçka që ka frymuar vite e dekada me rradhë, shfaqet një përpjekje që imponon specifikat e qytetërimit të këtij nënqielli me konsideratën e rezervuar për fjalën e hyjnore të artistit në skenë. Thjeshtë, autori dëshiron të japë një fakt konkret në rrafshin kulturor, duke identifikuar Pejën dukagjinase, Pejën e freskive të mëdha, aty ku teatri nusëron bri Lumbardhit dhe shëtirorës së madhe të të rinjve, me shumë teatro të tjerë të spikatura të kohës.

Bëri një provë të dinjitetshme që përmes një brumi të përgatitur mirë dhe një investimi të qartësuar në fushën e trajtuar, të ndërtojë një imazh me vlera të dobishme për ta arkivuar dhe sirtarizuar si kontribut i së nesërmës, i një brezi të ardhshëm. Në këtë rrafsh autori ndjehet gjithsesi i kushtuar ndaj këtij misioni me veçanti.

Ankorimi i të menduarit cilësor rrëket t’i kapërthejë sfidat nëpër të cilat kaloi teatri pejan dhe trupa e saj, edhe përtej mënxyrave historike me të cilat u përballë. Prandaj, fitohet përshtypja se, nëpër tërë brumin e kësaj Monografie enden kohë dhe periudha, herë të prekura nga dhëmbi që kafshoi egërsisht dëshirat dhe vullnetin e njeriut të skenës, herë të gdhendura me mjeshtri të rrallë me fjalën e artit skenik, me të gjitha ngritjet dhe tatëpjetat e veta, por të thëlluara e të mbetura për histori të brezave me tërë atë battalion personazhesh artistik të rekrutuar brendapërbenda.

Cili ishte dhe mbeti “meraku dhe synimi” i autorit?

Etja e madhe e qytetarëve pejan për teatrin dhe fjala e bukur artistike e artistit, ka qenë aleanca më e fuqishme që ka mbajtur gjallë e në rrymë të frymës kombëtare me nuanca gjithmonë sociale, shoqërore, psikologjike dhe etnopsikologjike etj.

Vepër me peshë të madhe historiografike me melmesa të rëndësishme kulturore, shoqërore e historike, me invencion të lartë në zbatimin e stilistikës shkencore, duke e bërë kështu, mbase, edhe të parën vepër voluminoze, ku, radhitja përveç tekstit të qëlluar, të ilustrohet edhe me pamje të shumta fotografish të gjalla nëpër kohë e vite, që, pa dyshim e përplotësojnë brumin e ardhur mirë.

Autori detyrohet të rikthej vështirësitë, si një mënyrë e të ecurit drejt një gjykimi të shpalosur si momentum i pakapërcyeshëm e me rëndësi, që, pa dyshim nxjerrin sheshit kuptimet afirmative me dobi të mëdha, për bindjen se mjeshtërisht i ka paraqitur e seleksionuar ngjarjet e kohës dhe rolin e artistit nëpërmjet angazhimit shpirtëror e fizik që, në instancën e fundit do të risjellin skica jete të reales, të ndodhurës si monumentin më faktik origjinal të kohës.

Autori, jo vetëm që i shkroi këto fakte, por edhe i shijojë me fizikun e vet, qoftë skenik, qoftë si regjisor e autor dramash e monodramash, skeqesh e pjesë të tjera me mendim të thellë skenik, që, pa dyshim përbëjnë një trinom veprimi. Përndryshe, thënë me gjuhën e popullit, vepra në fjalë është pjesë e përvojës së autorit i cili e kaloi gati tërë jetën mbi dërrasat e teatrit.

Gjykojmë se asnjëherë e askund, për ato që sjell si dëshmi për teatrin e Pejës dhe lojtarët e vet, në këtë vepër autori e ngrit veten si autor apo skenarist-shkrimtar/tekstesh/ të shumë veprave dramatike, narrative e poetike, publicistike, gazetareske etj., që fare s’dëshiron të jetë i theksuar nga modestia qytetareske. Pra, ai flet për veten me shumë thjeshtësi, pa lavde e epitete. Megjithatë, për të tjerët kryesisht për liderët e artit skenik e filmor flet me admirim të madh, për aktorë të talentuar e entuziastë të mirëfilltë që s’iu ndanë skenës deri në vdekje, si: Krist Berisha, Malo Gami, Istref e Faruk Begolli, Ahmet Jakupi, Atdhe Gashi, Igballe Gjurkaj- Qena, Afrim Kasapolli, Ekrem e Selami Taraku, Ragip, Ramiz e Nuredin Loxha, Fetah Çavdarbasha, Emine Shabi, Atifete Kryeziu, Agime Begolli, Iliaz Nushi, Viktor Gashi, Avdullah Shala, Nexhmije Thaqi, Shahindere Bërlajolli, Sofije Gashi, Shaip Grabovci, Nuradin Sadiku, Ruzhdi Spahija, Sejdi Berisha, Halil Gashi, etj.etj.,kryesisht një plejadë e tërë aktorësh, regjisorësh, artistësh e dramaturgësh të mirëfilltë e me cen, bëhen produkt dhe sinonim i rëndësishëm i kulturës dhe zhvillimit intelektual në këtë fushë, jo vetëm brendpërbrenda qytetit të Pejës e Kosovës, por edhe përtej...

Ai, këtë e bën kështu sepse ka guximin njerëzor dhe është në kohezion të drejtpërdrejtë si pjesëtar i ngjarjeve të kohës.

Gjithmonë duhet llogaritur në mendimin që kërcënon harresa dhe zbehja e pjesëve më të rëndësishme të kulturës dhe të angazhimit shpirtëror të gjeneratave, thotë autori. Dhe, shih për këtë, ai është këmbëngulës e i përkushtuar e më shumë “kokëfortë” që ta shoshitë kryqetërthur brumin e ikonës së madhe të qytetit, si monumentin shpirtëror e institucional e historik me vlera të pamatshme kombëtare e gjithënjerëzore – Teatrin.Pra, “ky ishte dhe mbetet meraku, synimi im”-thotë autori.

Të peshuara e me dinjitet i barti shënimet me vete moteve të brishta

Teatri pejan, sigurisht ka kaluar nëpër gjithë ferrindhe pamundësinë objektive të zhvillimit të vet.

Teatri i mirëfilltë shqiptar pejan përjeton katrahurat më të rënda të jetës. Autori, jo vetëm që mbajti kujdes, por ato i barti kohëve më të liga me rrëbeshe e tmerre të rremetshme, duke i shpëtuar ato pak shënime nga “ligatina e kohës” siç shprehet autori. Kjo shembje duhej të flakej tejpërtej harresës dhe pikërisht këtë e bën autori Berisha, pa marrë parasysh haraçin që do ta paguante po t’i ziheshin dorëshkrimet.

Kjo ka ngjallë një interes. Kthimi në origjinalitet të asaj që ka ngjarë.

Tempulli i artit të qytetërimit, lufta kundër braktisjes së skenës në periudha të ndryshme për shkaqe tejet të njohura, shtypëse e gjenocidale etj.etj., e deri në zbehjen apo edhe asimilimin e gjithçkaje të vlefshme për një popull, si ky yni, që do të mbijetojë ferrin e tmerrin.

Kjo është formula e autorit; ta ruaj “të bardhën të bardhë”me tërë frymën dhe rrjedhën e vet.

Me mjeshtri të rrallë autori i kontrollon gjërat më të imta, ato më të harruarat, më të skajuarat, që, thjeshtë nuk mund të duken dhe gati-gati të pashpalosura i mbesin kohës.

Autori e ndjen thellë të pajetësuarën, të përplastën, por me optimizëm të pakusryer shprehet në momente të caktuara si:...ato shëtitje dhëmjesh, tani sikur më përqafojnë duke më ngushëlluar, duke më përgëzuar:”ja, na bëre përjetësi”! E, për më tepër shton”Kjo, është pjesë e rrëfimit, nëse do të thotë diçka, për ruajtjen e vlerave shpirtërore dhe kulturore, për përjetësimin e thesarit historik që është krijuar me përkushtim e sakrificë...Kjo, është kështu! Dhe e tëra, tani është vulosur në libër, në dokument i cili do ta forcojë kujtimin dhe dëshminë, do ta lindë edhe një dashuri për flijimin dhe djersën e njeriut, i cili denjësisht ka luftuar dhe lufton për t’i dhënë dritë gjërave dhe jetës, për ta madhështuar veprën dhe rrugëtimin nëpër periudha...”

Teatri pejan me ide e koncepte moderne

Temat në fillim kanë qenë stereotipe, si instrument i kohës, sepse n’atë kohë, fillimisht janë imituar teatrot e atëhershme jugosllave.

Mirëpo, viteve 70-ta shfaqen koncepte të reja, me interferime të reja, me artistë të shkolluar e të ngritur profesionalisht. Ia vlen të përmendën, sa për ilustrim pjesët

teatrale si: “Njerëzit me shpresa të thyera” dhe “Memoarët” e Shaip Grabovcit, “Ngjarja në Vishi” e Molierit, “Valësi i kuq”i Sejdi Berishës e shumë e shumë të tjera me tematikë moderne, që i dhanë frymë të re Teatrit të Pejës dhe artit skenik në përgjithësi.

Teatri ka komunikuar me jetën e përditshme me të gjitha teket e veta. Gjatë viteve teatri goditet shumë herë, qoftë nga mungesa e artistëve/që tërhiqen drejt Teatrit Krahinor/, qoftë nga hegjemonizmi i skajshëm i regjimit satrap serb gjatë viteve 90-ta. Kjo është faza e mbijetesës.

Pjesëmarrja aktive e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit dhe të fshatrave, fabrikave e uzinave industriale, si dhe kontributi i madh i femrës shqiptare/ e cila më vonë sikur e harron, për pak kohë, teatrin dhe artin skenik/, Berisha e paraqet si reale të rritës dhe të zhvillimit të kulturës dhe artit skenik, gjithnjë në kohën kur po lulëzonte dhe po senzibilizohej arti i fjalës, ai skenik, ai pamor e muzikor në përgjithësi në qytetin e Pejës. Dhe, të korrurat ishin të begatshme, me bollëk flitej për artdashësit pejan, pse jo edhe për njerëzit e saj që pushtuan skenat më të mëdha të kohës.

Gjithmonë në dobi të lexuesit artdashës

Autori, sikur nuk dëshiron t’i largohet skenës, artit skenik dhe rolit brenda dhe jashtë teatrit, në rrugë, në kafene, në shoqëri, në shtëpi e në familje. Ai këtë e ndjen dhe e bën në dobi të lexuesit. Asgjë e huaj nuk është për te. I tëri mbushet nga gurra e çiltër e burimit të racës dhe e favorizon përmes një angazhimi krijues, i pajisur me mjete të paracaktuara që, çdo gjë t’i shpëtojë harresës.

Monografia e Sejdi Berishës sikur pajiset me të gjitha shqisat; në të parit, të prekurit, të dëgjuarit, të nuhaturit, të shijuarit. I gjithë materiali merr jetë, gjëllon dhe bëhet i përdorshëm me lehtësi shpirtërore-emocionale si shtesë jete për mbamendje në rrjedhë historike. Vepër shumëdimensionale që prek edhe fushën e artit skenik, artit pamor, muzikor, poetik etj. Trupëzohet e heshtur e gjithëkohëshme, del kornizës së vet, merr me vete fizionominë dhe pushton lexuesin e pasionshëm.

Orvatjet e autorit për ta parathënë të rëndësishmën dhe gjithsesi të rëndësishmën përbëjnë esencën mbresëlënëse që sjell kënaqësi për një produkt të sapothënë.

Produktet, t’i quajmë kështu titujt e dramave, komedive, tragjedive, personazhet e tyre, fotot, lojën skenike, lëvizjet, gjuhën dhe sintaksën e interpretimit etj.etj., janë të vendosura gjthandej skenës dhe hapësirave të kësaj embleme pejane.

Pra, vepra flet për vlerat e mirëfillta të një qytetërimi që prek kuptimin e trashëgimisë, kulturën e tashme dhe me guxim thotë se këto mbesin të mbërthyera kah ardhmëria. E vërteta e saktë.

Në planin makroskenik teatri ynë nuk e përkufizon veprimtarinë e vet vetëm brenda kornizës së zhvillimit afatshkurtër, por nga ky këndvështrim del me kërkesa e nevoja shumë më të mëdha, duke synuar zhvillime të reja e cilësore në radhë të parë, por

edhe për konfigurimin e kësaj shtëpie në diçka moderne, tërheqëse e mbi të gjitha me koncepte e interes shkencor, kombëtar, moral e psikologjik gjithëshoqëror.

Autorit Berisha nuk i mungon, për asnjë çast, sinqeriteti, kur shprehet:” Unë i konsultova njerëzit e ditur të penës e të mendjes, ata të artit skenik dhe të kulturës, jeta e të cilëve shkëndijonte gjithandej dërrasave të teatrit”, pjesë e të cilit ishte dhe mbetet dhe vetë autori. Të gjitha këto dëshmi i materializoi sipas një akti kronologjik të ndodhive dhe ngjarjeve, duke i sinkronizuar e përforcuar nëpër tërë lëndën e shfaqur, si vlerë e pakontestueshme institucionale.

Autori Berisha, me shijën e mendjes, të shpirtit e të zemrës e përjetësoi aq sa mundi, siç na thotë me vokacion të theksuar:”...Unë, kaq thash...”, këtë thesar të çmueshëm me vlerë të madhe për artin, për dritën dhe jetën, që hapi rrugë të reja për të rrugëtuar në thellësi të kulturës shpirtërore të qytetit të Pejës dhe më larg...

Me vulën e dashurisë dhe të shpirtmendjes, autori vë në spikamë atë të pathënën e kahmotshme, të ruajtur diku thellë në sirtarin e arkivuar të kujtesës, si dëshmi të pashlyer të kohës. Ata, që do ta kenë nëdorë këtë Monografi, do ta kenë më të lehtë vjeljen e gjithë asaj begatie me gjithë atë begramë vlerash e që, na shpalosën çdoditshëm në skenat tona të jetës. Dhe, sigurisht shumëçka ngjan me përditësinë tonë, duke përjetuar në thellësi e gjërësi bashkudhëtimin me veprën dhe autorin në fjalë, sepse vetë autori i bashkëvuajti dhe i bashkëgëzojë ngritjet dhe tatëpjetat e teatrit dhe artit skenik në këtë nënqiell.

Dhe, krejt në fund ashtu siç i pashë, i ndjeva dhe i shijova vlerat artistike të kësaj monografie, pa shtesë subjektiviteti, edhe e bëra këtë rrëfim, sakaq shpirtëror.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora