E premte, 29.03.2024, 02:18 PM (GMT)

Mendime

Vilma Premti: Fëmijëria vjen vetëm një herë…

E marte, 20.05.2008, 05:42 PM


Fëmijëria vjen vetëm një herë…

Nga Vilma Premti
    
(20 maji dita e fëmijëve jetimë)

Nuk është fjala që për fëmijët jetimë të kujtohemi vetëm në një ditë të vitit, siç është 20 maji që është “dita e tyre”. Të gjithë ditët e vitit duhet të jenë për fëmijët sepse për çdo njeri fëmijëria vjen vetëm një herë dhe ajo është pjesë vendimtare në jetën e tij. Realisht në kujdesin për ta ka politika shtetërore, strategji për mbrojtjen e tyre, institucione që ofrojnë shërbime të specializuara, që synojnë integrimin e tyre përmes alternativave që krijojnë kushte sa më të ngjashme me familjen. E megjithatë ne nuk duhet të jemi të kënaqur me atë që është bërë dhe bëhet. Për fëmijët jetimë, për gjendjen e tyre sociale ne, shoqëria civile, komuniteti dhe shteti asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur aq më shumë të vetëkënaqur.
Të gjithë fëmijët janë prioritet për të gjithë për familjen, shtetin, komunitetin, shoqërinë. Natyrisht në mënyrë të veçantë janë në vëmendje fëmijët që për shkaqe të natyrës biologjike, sociale apo arsye të tjera janë jetimë. Asnjëherë nuk ka qenë kaq impresiv, sensibiliteti social për të drejtat e fëmijëve në shoqërinë tonë sa sot. Padyshim, është një nga shenjat e sigurta të pjekurisë qytetare të shoqërisë tone, e cila tashmë nuk e shikon më këtë problem si të veçantë dhe të ndarë nga detyrimet e tjera sociale. Qëndrimi ndaj fëmijëve, ndaj të drejtave të tyre, garantimi pa kusht i integritetit, është shenjë e ndikimit pozitiv të presionit social, ndaj të gjithë aktorëve, strukturave sociale moshore që merren me ta. Megjithatë, ende shoqëria jonë është peng i konceptimeve të vjetra sociale, që problemin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, e shikon ende si ekskluzivitet të strukturave sociale të shtetit dhe jo si obligim madhor qytetar të shoqërisë civile. Shikoni se çfarë po ndodh në sytë tanë, me fëmijët. Braktisen në maternitet nga nëna të papërgjegjshme, të cilat i lindin fëmijët duke i lënë në anonimitetin fatal biologjik. Po shtohen së tepërmi rastet e fëmijëve, që nenat që “sigurojnë martesë” të re e kanë më për “zemër”, të braktisin fëmijët nga martesa e tyre e mëparshme, duke kërkuar që ata të sistemohen në institucione të përkujdesit social, duke i lënë madje, “të drejtën shtetit”, që shteti të sigurojë për ta, familje birësuese, adoptuese apo kujdestare. Këto fenomene, tani nuk janë më as të shkëputura e as sporadike, që nuk përbëjnë fenomen social. Braktisja e fëmijëve, është dukuri sociale shqetësuese, e cila tashmë nuk mund të përballohet vetëm me kujdesin social të shtetit dhe të institucioneve të përkujdesit social. Presioni i fenomenit të braktisjes, së plotë apo të pjesshme të fëmijëve, është bërë dukuri shqetësuese, që duhet të preokupojë të gjithë, shtetin, pushtetin vendor, familjen dhe shoqërinë civile.
Por nuk është vetëm ky fenomen që ka prekur padrejtësisht fëmijët. Krahas me të, janë zhvilluar edhe dukuri të tjera si angazhimi i tyre në punë të këqija, shfrytëzimi për punë jashtë moshore, prostitucion dhe lypje. Ka në rritje të dukshme të fëmijëve që qëndrojnë në rrugë, (jo rrugaçë) dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut social, mundësisë për trafikim dhe abuzim fizik, psikik dhe seksual. I gjithë ky realitet social, i fëmijëve është shqetësues dhe objektiv i madh për shtetin, familjen, komunitetin, organet e ligjit, strukturat e shërbimit social, publik, privat dhe joqeveritar, objekt madhor i kujdesit social, të shoqërisë në përgjithësi. Nuk është se nuk kemi struktura sociale, që kanë për detyrë të luajnë role dhe të mbajnë përgjegjësi,, për mbrojtjen e fëmijëve, që janë në rrezik. Ka, madje edhe të specializuara dhe impakt të gjërë social. Në mentalitetin ende sundues të shoqërisë, shfaqet dukshëm prirja që konsideron shtetin, si të vetmin faktor që ka përgjegjësi në këtë aspekt. Dhe kur konceptojnë shtetin, shumica e njerëzve e kanë mendjen tek 10 rezidencat publike të kujdesit social për fëmijët dhe në disa të tjera, të shoqërisë civile, të cilat padyshim kanë rolin dhe përgjegjësinë e tyre. Mirëpo, është fare naïve, që të mendohet se shteti sado “paternalist” që të jetë dhe sado të madh të ketë “dimensionin social”, nuk mund të plotësojë të gjitha nevojat e shumta të fëmijëve. Do të ishte koncept fare primitiv, madje i pamundur, zgjidhja e problemeve të fëmijëve vetëm me trajtim rezidencial. Në qoftë se ka një problem që duhet ndryshuar, është shmangia e veprimit dhe e strategjive paralele, të të gjithë institucioneve që kanë detyrim social për fëmijët, duke ndërtuar një veprim më kompakt social të tyre, duke filluar nga obligimi i familjes, për të qenë e detyruar të tregojë kujdes ndaj të drejtave të fëmijëve, duke mos i shfrytëzuar ata, e deri tek organet e rendit dhe të ligjit, për të penalizuar pa hezitim abuzantët e fëmijëve.
Doemos, në qendër të punës sonë është është vënia në jetë e strategjisë së Qeverisë, e cila e ka të mbështetur politikën e saj të mbrojtjes së fëmijëve, në veprimin e kompaktësuar social, të gjithë strukturave që kanë role dhe përgjegjësi. Sidomos procese të tilla me përmasa të mëdha siç është decentralizimi i shërbimeve për fëmijët jetimë, kalimi i institucioneve të përkujdesit social në vartësi të pushtetit vendor, krijimi i shërbimeve të de-institucionalizuara me bazë komunitare, fillimi i shërbimit të kujdestarisë dhe aplikimi i procesit të birësimit ligjor të fëmijëve jetimë, synojnë të krijojnë një sistem të ri të mbrojtjes së fëmijëve nga rreziqet sociale. Koha kërkon që të gjithë ne aktorët dhe faktorët që kemi përgjegjësi morale, shtetërore dhe ligjore për fëmijët duhet të bëjmë gjithçka por jo vetëm në një ditë të tyre, jo vetëm në 20 maj për të bërë vetëm “shou” publik dhe mediatik për ta. Fëmijët nuk ndihmohen me demagogji dhe veprimtari sociale për bujë, por me punë të vazhdueshme, të përditshme, të pandërprerë me shpirt, profesionalizëm dhe abnegacion human të veçantë. Bashkëveprimi më i kompaktësur i politikave, strukturave të shtetit, i institucioneve të kujdesit social të shoqërisë civile, bashkë me opinionin publik, do të ndikojnë për të krijuar atë që i duhet në këto momente fëmijëve jetimë, një “front të qëndrueshëm social”, që është garanci për fëmijët dhe mbrojtjen e tyre, nga rreziqet e shumta që i kërcënojnë ata. Ne kemi momentalisht të gjitha gjërat që na nevojiten për të pasur politika dhe shërbime moderne për fëmijët jetimë, kemi strukturat që nevojiten, një “Strategji Kombëtare”, komplekse, polivalente, ndërdikasteriale, afatmesme, e cila në të vërtetë është e ndërtuar e tillë, që mund të organizohet për të vepruar në formën e “ortekut social” për mbrojtjen sistematike të fëmijëve jetimë. Praktikat e mira të punës sonë tani i kanë në eficencë të gjithë mekanizmat politikë, profesionalë dhe instrumentalë për të pasur sukses të dukshëm në punën me fëmijët jetimë. Momentalisht në praktikën e shërbimeve sociale në Shqipëri janë në përdorim të gjithë tipologjitë e shërbimit modern, po implementohen në rrugë pilot apo masivisht praktikat e mira të shërbimit ndaj tyre, janë hartuar të gjithë standardet dhe manualet e shërbimit që garantojnë një shërbim social cilësor, po krijohen modele të reja të shërbimit bashkëkohor si “shtëpi familje”, qendra ditore, shërbime komunitare që po tentojnë drejt shërbimit të personalizuar për fëmijë. Së shpejti do të fillojë shërbimi i kujdestarisë për fëmijë i cili si formë e shërbimit alternativ do të ndikojë të shmang sa më shumë të jetë e mundur institucionalizimin e fëmijëve jetimë në strukturat klasike të shërbimit rezidencial, që ne në punën tonë nuk i konsiderojmë si praktikë e mirë, që nu ndihmon për të gjetur zgjidhje të integruar të problemeve më të cilat përballen ata.
Megjithatë në këtë ditë të tyre ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi bërë gjithçka dhe me siguri që ju jemi ca “borxh”. Mbase, ka diçka që duhet përmirësuar më shumë në “mekanizmin e mbrojtjes” së fëmijëve jetimë që duhet ta bëjmë që të veprojë më mirë në veprimin e integruar social të familjes, shtetit, komunitetit, shoqërisë dhe Institucioneve specifike të përkujdesit social, për të siguruar “veprimin e integruar” të tyre. Kjo punë në të vërtetë ka filluar dhe ne kemi besim dhe po presim me padurim dhe siguri, që impaktet e politikave sociale, për mbrojtjen e fëmijëve do të jenë më të dukshme, më të prekshme në punën tonë. Viti 2008 është vit i provës vendimtare në implementimin e politikave të reja për mbrojtjen e fëmijëve, sepse çdo ditë “sistemi i mbrojtjes” së tyre po bëhet më i gjerë, më masiv dhe modern. Tani është momenti që e gjithë shoqëria shqiptare t’i kthejë sytë dhe kujdesin nga fëmijët. Fëmijët nuk mbrohen me shmangie të përgjegjësisë, duke filluar nga familja, natyrisht. Fëmijëria vjen vetëm një herë në jetën e secilit…

*Autorja është Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora