E premte, 19.04.2024, 02:44 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Përmet dhe Kishë!

E marte, 20.08.2013, 06:00 PM


Përmet dhe Kishë!

Nga Elvi Sidheri

Në këto ditë tejet të nxehta verore, kohë kur politikisht nuk kemi më çfarë të flasim e të diskutojmë, pasi një qeveri po vazhdon sa për inerci mandatin e saj (kushtetues) gjer në shtator dhe tjetra pritet të zerë vendet, e uritur për pushtet pas tetë vjetëve opozitë ku nuk la gjë pa bërë (mini-kryengritje disa orëshe po ashtu dhe dy vjet e ca bllokime, goma të djegura, tenda hezbollahu mes Tiranës etj), tashmë na mbetet të diskutojmë televizioneve, kafeneve apo Facebook-ëve, vetëm për një kishë-jo kishë në Përmetin e vogël dhe të fjetur.

Mirë, ç’të keqe të ketë fundja, të flitet për kishë në rregull është!

Edhe për xhami apo teqe edhe ndonjë tempull hindu, konfucist, budist, sikh a gjëra të ngjashme, supozohet se tempujt fetarë t’a qetësojnë shpirtin, nervat dhe të sjellin në vete ore njeri, jo të të zgjojnë kacabujt dhe të t’i bëjnë nervat tel siç po ndodh prej ca ditësh me kishën e Përmetit!

Vetëm sot kam lexuar një duzinë shkrimesh me temën në fjalë, sportin e preferuar të këtyre ditëve pra!

Niset biseda nga “Është kishë apo jo?” dhe vazhdon me “Prifti i Kosinës”...”Greqia iu hakmorr emigrantëve të gjorë në kufi për këtë punë”...”Priftërinjtë boksierë morën me grushta policinë (private)” e shkon puna deri në budalliqe të nivelit të lartë pa asnjë lidhje me realitetin, të modelit të “Po na sulmon greku Përmetin”!

Kaq gomarllëqe në pak ditë, rrallë i bie mundësia njeriut që të shohi sa në eter, aq edhe në gojët pa fre dhe në mendjet njerëzore.

Shqipëria për ata që nuk e dinë, është diku tek 28 mijë e 700 km katrorë, pra jo ndonjë vend aq i madh saqë lajmet të lindin në një formë e të fryhen e bëhen më keq se “qimja-tra” në këtë mënyrë jashtëzakonisht groteske.

Do e kuptoja që në SHBA të ndodhte diçka në Alaskë (në Anchorage të themi, sikur atje një ish-kishë ruse, sepse rusët ja kanë shitur amerikanëve Alaskën, një ish-kishë pra, të jetë bërë bilardo dhe tashmë dikush, besimtarët të duan t’a kthejnë sërish objektin fetar, në shenjtërinë dhe funksionin që i takon me ligj të Zotit).

Por ja që të imagjinojmë se ky lajm, rrugës për në New York, shumë larg nga Alaska, në bregun lindor të SHBA-së, të merrte trajta të tjera, tejet jo-normale dhe kështu shumë “nacionalistë” amerikanë (nga ata WASP-ët, White AngloSanxon People të Mid-West-it, ”Bible Belt” republikan amerikan) të protestonin ethshëm për faktin “e papranueshëm” se Rusia (kisha ortodokse në SHBA si ruse nënkuptohet, ashtu siç tek ne, gjerësisht si greke shihet ajo dashakeqësisht nga jo-ortodoksët shqiptarë)...të jetë duke “pushtuar” një territor sovran amerikan me restaurimin e kishës në fjalë.

Por në Amerikë këto gjëra edhe mund të ndodhin sepse edhe distancat gjeografike janë mjaft të mëdhaja mes një rajoni dhe tjetrit e prandaj gjërat mund të deformohen dhe një realitet të marri konotacione irreale dhe totalisht të paqena.

Por po ashtu në SHBA, kurrësesi shteti “In God we trust” amerikan, nuk do të lejonte kurrë që (siç është xhiruar nga kamerat dhe jo siç pretendohet tani lart e poshtë sikur nuk ka ndodhur dhe pamjet filmike të mos ekzistonin fare)...ikonat, këmbanarja sado modeste dhe kryqi i një kishe, të plandoseshin përdhe si mall pa zot, më keq se në 1967-ën e Revolucionit Kinez.

Ky është sakrilegj ore njerëz, t’a lyejnë me dogma nacionaliste, t’i fryjnë këngës së preferuar se “Ja si i mori kompania e lavdishme private e sigurisë me shqelma këlyshët e qelbur të grekut” e gjëra të ngjashme!

Kur dikush shkon të përdhosi, me ndërgjegje të plotë objektet e një kulti çfarëdo (Kishë, Xhami, Teqe, Tempull Hindu apo Budist), atëherë këtu bëhet fjalë për një sakrilegj dhe ndonjë besimtar, qoftë edhe formal i fesë në fjalë, këtë akt do t’a merrte edhe si fyerje eventualisht.

Kjo është zanafilla e konfliktit për kishën e Përmetit këto ditë.

Këtu është “A-ja” e kësaj çështje dhe prej këtu do nisur secila analizë normale, jo nga dokrrat e zakonshme që po dëgjohen papushim.

Të duash të rrish drejt e të flasësh shtrembër, atëherë po, mund të këndojmë këngën e vjetër të uzurpatorit Janullatos, të priftit të Kosinës, të varrezave të Boboshticës, të Vorio Epirit e çfarë t’i dojë zemra njeriut që ortodoksët e kombësisë shqiptare, i sheh gjithmonë si të njerkës, apo si Kalë Troje i Athinës në Shqipëri.

Po kjo do të ishte baraz me të lexuarin e alfabetit nga shkronja “Zh-ë” dhe jo nga “A-ja” që nuk lëviz ndonjëherë nga kreu.

Puna në Përmet nuk ka fare të bëjë as me fortlumturinë e tij Anastas, as me priftin e Kosinës dhe aq më pak me Vorio Epirin.

Në vendin ku sot ndodhet një godinë gjysëm-kishë dhe gjysëm ish pallat kulture çerek shurrëtore e çerek bilardo, për qindra vjet ka ekzistuar si tokë e shenjtë, një kishë që është quajtur Kisha e Shën Mërisë së Pazarit.

Këtë fakt e dëshmojnë më së miri dëshmi pronësie qysh nga koha e turkut, fotografi dhe njerëz që janë akoma gjallë.

Sa përqind e territorit të godinës në fjalë ka qenë pronë e kishës, ndoshta edhe 14% siç po diskutohet, pse nuk mjafton kaq për të hedhur poshtë pallavrat e thëna në inflacionin e deklaratave pa sens dhe masë të këtyre ditëve, se gjasme aty kishë nuk kishte pasur fare?

Kisha në fjalë na paska qenë e shkatërruar!Edhe?

Sa kisha janë lënë pa zot dhe kujdes sot e kësaj dite në Shqipëri, sa xhami të vjetra e teqe po dërrmohen nga mos-përkujdesja shtetërore dita-ditës?

Në vitet 60-të, në periudhën e marrëzisë komunisto-kineze të Shqipërisë socialiste, kishës së sipërpërmendur i paskan vënë kazmën dhe mbi të kanë ngritur një palo pallat kulture, nga ato tipikët që kishte çdo qytet i yni gjer në 90-ën.

Ato ku jepnin shfaqje grupet amatore diletante folkloriko-kllasë punëtore, ku i këndohej dhe recitohej sukseseve të pandalura të shokut Enver dhe symprehtësisë së pashoqe të Partisë sonë heroike si dhe vendit tonë “Kështjellë të pamposhtur” buzë Adriatikut, të socializmës dhe komunizmës.

Pas ndryshimit të sistemit, aty është gëluar në bilardo dhe lojëra fati dhe pastaj, me urdhër të “Asfalisë së nëmur”, janë futur tinzash në ato ambiente legjendare të këtij pallati kulture, ”djep të shqiptarizmës”, priftërinjtë armiq të popullit dhe partisë, të cilët të armatosur me mjekër të gjatë, rraso (veshja e priftit ortodoks për ata që s’e kuptojnë)...dhelpërake dhe Shën Mërinë ose Kryqin varur në qafë, kanë zënë ambientet e pallatit në fjalë, për t’a kthyer atë në kishë siç pati qenë më parë.

Kjo pra është historia e thjeshtë dhe e vërtetë e kësaj ngjarje.

Të paktën deri kur me datë 16 gusht, ndërsa ende vazhdonte festa e Shën Mërisë (të cilën e feston gjithë bota e krishterë, me katolikë, orthodhoksë, protestantë, baptistë, ungjillorë e gjithë kishat e mundshme), falë një plani shumë të detajuar dhe mirëmenduar, një polici private, e urdhëruar nga përmbarimi, u fut dhunshëm në kishë dhe rrëzoi këmbanaren e saj të vogël me përçmim, hodhi kryqin në tokë gjithë nerva dhe plasi në një mur të lagësht gjithë ndotje, ikonat  e shenjtorëve të krishterë (ca edhe i vodhën duan të thonë, asgjë e re kjo krahasuar me sulmet e pafundta ndaj kishave shumë  më të vjetra anembanë Shqipërisë, si Valshi i Elbasanit në fillim të këtij viti, kur iu futën veprave të Onufrit me sqepar, apo dëmtimet në kishat e Voskopojës, Bregut etj).

Indinjimi që shkaktoi një gjest i tillë nënçmues dhe fyes e nëpërkëmbës kundrejt popullsisë ortodokse shqiptare të shtetit Shqiptar, u tentua të frenohet me metodën e zakonshme që përdoret rëndom në këto raste.

Pra sa herë ka një shkelje apo prekje të interesave direkte të komunitetit ortodoks shqiptar, atëherë si me magji dalin në skenë të tëra intrigat e Asfalisë, Janullatosit, grekëve të qelbur, Agimit të Artë, vonesave në kufi, Vorio Epirit e ku di unë më tepër!

Pra kësaj i thonë shkurt dhe qartë:”Mbylleni gojën ore shqiptarë që keni qëlluar të jeni edhe ortodoksë për nga përkatësia fetare (s’ua hoqi dot këtë fe të mallkuar turku, s’u bëri dot helenë greku, s’ua zhbëri dot fenë as Enveri, s’u fshimë dot as ne me atë palo census gënjeshtar nga faqja e dheut)...se ndryshe ju bëmë grekë dhe pastaj u sulmojmë me çdo mjet, ligjor, polici private, media e çfarë më tepër”!

E vërteta e thatë dhe pa “lajle lule” kjo është, tërë të tjerat janë zbukurime të tepërta për një rast shkeljeje kaq flagrante të lirive fetare, në një vend si Shqipëria që në botën e qytetëruar akoma vëzhgohet me lupë tejet ekzakte, sa i përket lirisë fetare, për shkak të bëmave të tmerrshme të regjimit komunist kundrejt çdo feje gjatë diktaturës (pushkatime priftërinjsh...shumica katolikë, përndjekje shumëvjeçare të klerikëve katolikë, ortodoksë, myslimanë e bektashinj, ndalim të adhurimit të Zotit, burg edhe sepse dikush guxonte të bënte shenjën e kryqit apo i falej Allahut, shkatërrim e hedhje në erë i kishave dhe xhamive apo teqeve, deri në nxjerrje nga varri të eshtrave të hoxhëve, dedeve apo peshkopëve dhe priftërinjve).

Në Shqipëri kanë hedhur kockat e Gjergj Fishtës në lumë mesa di unë, neve mund t’a kemi harruar një fakt të tillë, por bota e di mirë sidoqoftë!

Jo rastësisht një nga shtyllat e të dështuarës me turp, AK deri para zgjedhjeve, ishte sulmi konstant kundër ortodoksëve, duke vënë parrulla injorante gjer në stadiume (“Cyprus is Turkey”, pse jo Kosovo is Albania të paktën?-Turq janë këta që u djeg për Qipron që nuk është as Greece e as Turkey, por vetëm Cyprus, më tepër se për Kosovën 98% shqiptare?), duke zgjedhur lideri i tyre “vizionar” se kush Kishë ishte vërtetë ortodokse e cila jo dhe duke përcaktur gjithmonë AK-ja se cilët ishin “ortodoksë të ndershëm” dhe cilët jo (“poshteni albanci” ideja gjithmonë, siç serbët donin t’a përcaktonin vetë shqiptarin e ndershëm, pra që mundësisht të mos fliste as shqip, ashtu edhe AK-ja filoturke dhe shumë mendues të ngjashëm me të akoma sot, duan të zgjedhin ata kë është apo nuk është shqiptar ortodoks i ndershëm sipas këndvështrimit të tyre!).

U bë një census me prapanicë nga shteti shqiptar që si fillim kishte qëllim t’i linte njerëzit (të varfër për shembull, pra që mund të shiteshin për dy lekë jo vetëm tek greku, po edhe turku, boshnjaku, sllavi i Maqedonisë, serbi etj)...të shpreheshin pa asnjë kontroll për etninë.

U ngrit populli dhe me të drejtë shtetin e papërgjegjshëm e detyroi që censusin sa i përkiste etnisë, t’a amendonte dhe vetëshpallja e kombësisë të bëhej me kontroll.

Shumë mirë!

Por ndërkohë tek feja u bë një katrahurë e vërtetë dhe si me magji, ortodoksëve iu ra me sëpatë, duke i zhdukur pa lënë gjurmë mbi 17% shqiptarë të kësaj feje.

Pse ore, ka njerëz me funksion normal të trurit, që të besojnë se të vetmit që na paskan emigruar, janë vetëm shqiptarët ortodoksë?

Po myslimanë, katolikë (500 mijë shqiptarë në Itali, me shumicë edhe shumë katolikë për arsye tejet të kuptueshme lidhjesh fetare e kulturore aty) e bektashinj, nuk emigruan gjë fare?

E “hëngrën” kështu vetëm ortodoksët që u pakësuan frikshëm dhe bektashinjtë që praktikisht i eliminuan numerikisht.

Dikujt këto dy komunitete do i kenë dalë “tepër” duket andej nga census-bërësit!

Një census pak gjë përcakton sidoqoftë, kishat apo teqetë aty janë, njerëzit që të një feje ndihen, nuk kanë nevojë t’i marrin leje shtetit për të krijuar lidhjen e tyre me perëndinë.

Kjo qeveri që po ikën, këto ngatërresa edhe fetare që krijoi, lidhjet e forta me Erdoganin si dhe ca prirje orientaliste, i pagoi me votën e qytetarëve shqiptarë që budallenj s’janë dhe gjithashtu me një akullosje të marrëdhënieve me botën e civilizuar.

Po ashtu edhe i vetëquajturi “kryeministër i zgjedhur”, iku me vrap të falet po tek i njëjti sulltan i Ankarasë për të mos mbetur prapa.

Kështu kryeministri ende në detyrë, kaloi nga “Burrë shteti” pas 21 janarit kur turmat e majta sulmuan kryeministrinë e një vendi të NATO-s, në një njeri që ka bërë historinë e tij dhe të vendit ku ka lindur, por që përfaqëson një parti me vetëm 30% elektorat dhe 46 deputetë.

Kjo sepse në dy vjet pas 21 janarit dhe blindimit të pushtetit, ai zgjodhi të merret me bashkime territoresh (pa pyetur aspak etërit amerikanë që Kosovën e çliruan, serbët i bombarduan dhe shqiptarët i shpëtuan nga masakrat serbe duke na dhënë lirinë të rinjihemi me njëri-tjetrin, të komunikojmë dhe të shihemi e vizitohemi pa andralla në pak orë nga Tiranë në Prishtinë, Sarandë e Shëngjin)...të zihet me këdo nga fqinjët (derra janë fqinjët s’e mohoj, por ka një kulturë politike ndërkombëtare që nuk mund të shkelet me deklarata të pamatura) dhe të rrënojë balancat fetare në një vend me bashkëjetesë dhe indiferencë religjioze të admirueshme si Shqipëria.

“Përça e sundo” është tezë e suksesshme, por në Shqipëri jep efekte momentale të mira për ndokënd dhe shkatërruese për vendin në këndvështrim afatgjatë!

Tani kur politikisht jemi mjaftueshëm të përçarë, rajonalisht kemi xhelozi e gjëra të vogla, por për fat nuk ndahemi, përse të na mbinte edhe përçapja për ndasi të stisura fetare?

Këto lojëra e kanë sjellë çështjen deri në pikën që është sot.

Kur si shqiptari i thjeshtë “orthodhoks” (shqipja korçare, me të cilën është shkruar gjuha kishtare kur kisha jonë u nda vërtetë nga kthetrat greke)...ashtu edhe kisha jonë autoqefale, ngritën krye ndaj atij censusi pa kuptim dhe përçmues, apo ndaj gërryerjes aspak rastësore të kishës së Valshit (me sqepar nuk shkon askush për të vjedhur, por vetëm për të prishur ato vepra arti qindravjeçare), menjëherë nisën në mediat tona, historitë debile me Agim të Artë dhe Kristo Papë e Robert Hajdhë.

Mesazhi ishte e qartë sërish:”Kristua dhe Robertua janë shqiptarë gjakprishur, ashtu si edhe ata janë gjithë ortodoksët shqiptarë (ata që mbetën edhe pas censusit, se të tjerët i fshimë ligjërisht), prandaj mos ua vini re se të gjithë greqër të qelbur janë, për çfarëdo të protestojnë me të drejtë apo jo”!

Edhe këto ditë e njëjta “mizanskenë” po luhet.

Një konflikt pronësie mes kishës dhe shtetit shqiptar (që cazë komunist në marrëdhëniet me komunitetet fetare ka mbetur), po trajtohet gjerësisht si luftë gjer në pikën e fundit të gjakut, mes shqiptarisë dhe greqërise helene.

Në Përmet ore popull greqër nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë!

Ka shqiptarë orthodhoksë dhe shqiptarë myslimanë.

Pra për atë kishë po zihen besimtarët shqiptarë orthodhoksë me përmbarimin po ashtu shqiptar dhe një kompani “security” shqiptare që synon që kishën t’a bëjë prapë pallat kulture.

Prifti i Kosinës në atë mes ka shumë pak zë.

Priftërinjtë e tjerë dhe besimtarët e irrituar ortodoksë shqiptarë nuk kanë lidhje me Kosinën e as me eshtrat e shqiptarëve që ai humbameno grekofil, u përpoq t’i mbidhte dëng si gjasme kocka ushtarësh grekë.

As Mitropolia e Beratit, ajo e Korçës (rajon ku Autoqefalia e Kishës sonë ka marrë jetë dikur dhe ku gjaku shqiptar ortodoks është derdhur lumë sa kundër grekut aq edhe kundër turkut) apo e Tiranës, nuk janë qendra të greqizmës kur reagojnë në shqip ndaj fyerjes që po i bëhet shqiptarëve ortodoksë në Përmet.

Janullatosi në këtë punë pak ka të bëjë.

Unë jam shqiptar, me zgjedhjen time të lirë ortodoks dhe marrëdhënien time me fenë dhe perëndinë nuk m’a kushtëzon aspak fortlumturia e tij Anastas dhe aq më pak njerëz që kujtojnë se kanë në dorë të shpallin dikë ortodoks të mirë apo të keq, sipas shijes së tyre të prishur.

Mënyra sesi ai u fronëzua në krye të një kishe autoqefale si e jona, do studiuar, dikush e lejoi t’a bënte këtë gjë, regjimi i kaluar e pati prerë komplet kokën e kishës sonë autoqefale dhe do pranuar se në fillim të viteve 90-të shumë segmente shtetërore kishën tonë ortodokse do kishin preferuar t’a eliminonin për fare.

Por brenda kishës sonë ortodokse shqiptare, meshohet shqip (veç zonave të minoritetit në Dropull a Prespë) dhe aty veprojnë qindra klerikë shqiptarë, patriotë dhe njerëz të fjalës e besës si çdo shqiptar tjetër.

Çështjen e kishës sonë, do t’a zgjidhin me kalimin e kohës vetë besimtarët shqiptarë ortodoksë dhe kurrësesi jo të tjerë që shqiptarët e kësaj feje i kanë e pakta të themi, halë në sy!

Por ky sulm i përhershëm brendashqiptar, kjo tendencë për t’i njëhësuar ortodoksët shqiptarë me të qënit grekë edhe më shumë se çfarë thonë e pretendojnë vetë helenët në këtë drejtim, ka pasur si rezultat edhe reagimet e këtyre ditëve nga ministria e jashtme greke.

Sikur çështja e kishës së Përmetit të ishte trajtuar siç është, pra si një punë pronësie mes kishës ortodokse shqiptare dhe përmbarimit shqiptar të qytetit 100% shqiptar të Pëmetit dhe jo siç po ndodh nga shumë qarqe brenda vendit tonë, si një konflikt greko-shqiptar, thua ti se përmetarët ortodoksë që mbrojnë kishën e tyre (edhe dhunshëm, e pranoj që një prift i dhunshëm nuk më pëlqen shumë as mua)...të jenë grekë e jo shqiptarë, atëherë asnjë zyrtar grek s’do i kishte futur hundët në gjërat tona.

Por kjo politikë dritëshkurtër dhe makiavelike brendashqiptare që synon të njollosi vazhdimisht shqiptarët ortodoksë si grekë, po u mundëson qarqeve shoviniste helene, atë që ata me pensione të majme dhe karta homogjeniteti apo Vorio-Epirotësh, nuk e arritën për 20 vjet (0.25% dolën grekët në census, pra dështim komplet i investimeve miliarda dollarëshe greke për helenizimin e shqiptarëve)...tanimë t’a realizojnë fare lehtë, duke u nisur pikërisht nga ky margjinalizim zyrtar dhe etiketim e anatemim i qëllimshëm shqiptaro-shqiptar, që po godet ortodoksët dita-ditës.

Shteti ynë i fjetur dhe mos-reagues ashtu si edhe nacionalistët e fijës së kashtës (që digjen shpejt, s’u mban aq gjatë sa nevojitet zjarri)...trimërinë anti-greke t’a dëshmojnë në Himarë kur në përkujtimoret e ndonjë qyqari himariot të vdekur pas ndonjë aksidenti, hajvanë grekë dhe gomerë shqiptarë filogrekë, venë aty dhe shajnë e nëmin pareshtur Shqipërinë.

Të njëjtët debilë kanë lirinë të futen brenda territorit shqiptar edhe të veshur kokë e këmbë me simbolet nazisto-homoseksuale të Agimit të Artë apo Vorio-Epirit dhe askush (policë kufiri, njerëz të thjeshtë, nacionalistë të tipit “të ikim në Përmet që të gremisim kishën që meqë është ortodokse, na qenka edhe greke”)...nuk i ndal.

Të ikte një kushdo shtetas shqiptar dhe të guxonte të kalonte kufirin në Greqi i veshur sikur edhe me një bluzë ku të ishte stampuar flamuri shqiptar, padyshim që grekët ose do e vrisnin në vend, ose do e arrestonin dhe rrihnin paq në qelitë e Janinës, ose do e masakronin në grushta dhe shqelma publikisht.

Ka mjaft raste pra, ku antigreqizmi në kuptimin jo të urrejtjes së marrë dhe të verbër, por të kundërshtisë ndaj shovinizmit grek që ende sheh ëndërra me sy hapur në mes të ditës për Vorio Epir, mund të tregohet pra.

Ka qindra vizita nga deputetë të fantaksur grekë, nga individë të rrjedhur helenë, nga përfaqësues të Agimit të Artë dhe shoqatave Pan-Epirote që nga Boboshtica e gjer në Himarë, Këlcyrë etj, ku shqiptaria mund të tregohet me gjeste, me fjalë dhe vepra (pa ushtruar dhunë se nuk jemi mesjetarë si grekët nga ajo anë).

Por të njëjtët që këto ditë, të shtyrë më tepër nga dashakeqësia sesa nga padia për thelbin e kontestit mes kishës shqiptare ortodokse të Shën Mërisë së Pazarit dhe përmbarimit e bashkisë së qytetit shqiptar të Përmetit, ata pra që thërrasin e gulçasin për të nxjerrë me shqelma “grekët” nga kisha atje, do ishte mirë që provat e nacionalizmës së thekur, t’i kishin dhënë para një jave në varrezat e Himarës për shembull kur Shqipërinë e shanë sa u shqepën, kur u betuan grekët për çlirim të Vorio-Epirit dhe kur Priftin e kishës ortodokse shqiptare e nxorrën jashtë helenët për shkak se ai refuzoi t’u bindej urdhërave të tyre të çmendura shoviniste (Po ai prifti i ngratë çfarë ishte, grek gjë, pse nuk e lavdëroi askush gjestin e tij refuzues ndaj gomerëve të ardhur nga Greqia?).

Zakonisht çudia më e madhe tre ditë zgjat tek ne, kaq do e ketë kohën edhe kjo, më pas gjithçka si më parë, derisa të vijë rasti prapë për të sulmuar agjentët e Asfalisë (ortodoksët shqiptarë).



(Vota: 22 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora