E merkure, 24.04.2024, 04:29 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Muhameti ka ardhë te bregu

E diele, 18.08.2013, 04:19 PM


HAZRETI MUHAMEDI a. s. KA ARDHË TE BREGU

NGA KALOSH ÇELIKU

Edhe, si zakonisht ulem t’i marrë “ilaçet” e mia krah për krah me gratë azgane të Filipit të Maqedonisë me fëmijë në gji përballë Kishës Ortodokse “Shën Dhimitri”. Shatërvaneve gjigante që në këto ditë vere me vapë korriku, përpiqen me ujin e Vardarit ta freskojnë Shkupin. Qytetin me dy stinë të vitit: Verë dhe Dimër. Pranverë dhe Vjeshtë, moti nuk kanë parë këta banorë të harruar rrëzë Kalasë Dardane.

Matanë tavolinave, sytë më ikin te shatërvani me tre luanë që vjellin ujë nateditë. Përçudi, vetëm njëri e ka hapur gojën, i ka nxjerrë dhëmbët dhe thonjtë nga Çarshia shqiptare. Dy të tjerët gojëhapur, nuk vjellin asnjë pikë uji nga ana maqedonase, matanë Vardarit. Në anën tjetër të Urës Gurit, kuaj pa kalorës me bythën e bishtin nën beton e këmbët në qiell, sikur duan ta shkelin pasmesnate Çarshinë. Edhe ata, në këtë vapë të madhe, herë pas here nuk kanë as një kovë ujë në bark për ta shuar etjen. Luanët, matanë mbi urë në hyrje – dalje, bythë më bythë bëjnë roje rrëzë Kalasë. Mitropolitët e Beogradit me Biblën në duar, moti janë nisur më këmbë drejtë Shkupit shqiptar. Aleksandri Madh i Maqedonisë e ka shaluar kalin me shpatën lartë në dorë për luftë. Filipi i Maqedonisë i del para me grushtin lartë duke e përshëndetur si xhaxhi Enver. Skënderbeu mes parkingut të makineve, fillkat vetëm i pret vëllezërit antik me shpatën në brez mbi kalë e dorën lartë: Ndaluni, o burra e gra azgane, këtu është kufiri natyror! Vështirë e keni ta kaloni Vardarin mbi Urën e Gurit pa anijen e Gruevskit që ndërtohet matanë, pranë bregut të lumit. Hasan Prishtina siç duket gjatë muajit të Ramazanit, i lutet në rendin e parë Zotit në xhami  para këmbëve të hoxhës për Shqipëri Etnike.

Një grusht “patriotësh” shqiptar të dalldisur nëpër Çarshi, në shënimin e pesëdhjetëvjetorit të tërmetit katastrofal në Shkup, debatojnë krah për krahu me “vëllezërit” në një librari se, Shkupi deri para tërmetit katastrofal ka qenë i banuar me 47 përqind shqiptar?! Pavetëdije “vajtojnë”, plasojnë dezinformata historike dhe huti në opinion, se: shqiptarët i shpërnguli në Turqi tërmeti katastrofal (1963) e jo Regjimi komunist me dhunë, përmes strukturave pushtetare e sidomos UDB –së jugosllave. Dukuri teknefese kjo e llojit të vet “patriotik” në Ditën e sotshme, nën direktivat e politikës trumbetuese ditore për “bashkëjetesë” që e shpie Historinë shqiptare në qorrsokak. Shkaku se, shpërngulja masovike dhe dëbimi i shqiptarëve me gjithë familje në Turqi, nuk ka filluar pas tërmetit katastrofal (1963) në Shkup, por më herët që nga Marrëveshja e Turqisë Kemaliste që pati bërë me Jugosllavinë Mbretërore (1938). Marrëvëshja tjetër mes Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërngulejn masive me dhunë të shqiptarëve në Anadoll, u nënshkrua në Split të Kroacisë në vitin 1953 mes Josip Broz Titos dhe minsitrit të jashtëm turk Mehmet Fuat Kypryly.

Shqiptarët, si rezultat i këtij presioni politik u regjistruan si turqë dhe pati një rritje të ndjeshme të pakicës turke në Kosovë e Maqedoni. Serbia shpërngulejn e shqiptarëve për në Anadoll e bënte haptas para syve të Evropës. E cila në atë kohë si Njerkë e shqiptarëve, përfitonte prona dhe shtëpi të braktisura për kolonistët serb. Proces ky, i turqizimit të shqiptarëve, që fatkeqësisht zgjatë aty - këtu edhe në Ditën e sotshme përmes Fesë Islame. Faji i atyre dy marrëveshjeve politike, shqiptarët e fshatrave të Karshiakës së Shkupit deri në regjistrimin e vitit 1981, ishin të regjistruar si turqë. “Zbulim i ri” ky i një grushti historinësh të arratisur nëpër parti politike, që përpiqen të përurojnë në Shkup me trumbeta si “arritje shkencore historike”, se: shqiptarët u shpërngulën vullnetarisht rrugës natyrore nga tërmeti për në Turqi?!

Vetëmevete, them: kujt i është kujtuar kjo “ide madhore” e pushtimit të Shkupit me vepra antike  e dezinformata historike: artistëve dhe historianëve, apo Gruevskit e Erdoganit?! Përpiqen me këmbëngulje ta “zbusin” Historinë Shqiptare nëpër plan-programet shkollore. Papritmas, më kujtohet edhe thënia e Hazreti Muhamedit a. s.: nëse bregu nuk vjen te Muhamedi, atëherë Muahamdi shkonë te bregu. Që, sipas gjuhës politike të pajtimit me “vëllezërit” e Njerkës do të thotë: Nëse, Ali Ahmeti nuk shkonë te Gruevski, atëherë Gruevski dhe Erdogani vijnë te Ali Ahmeti.

Çarshia shqiptare, përditë e më shumë gjallërohet verë e dimër. Përveç banorëve të asaj ane e vizitojnë edhe shumë turistë. Përkarshi rakisë së rrushit deri në “syfyr”, çohen dolli edhe gotat e çajit të rusit. Lokalet nuk mbyllen në mes të ditës si në kohën e LSDM –së dhe PPD -së, po punojnë edhe natën. Shqiptarët flejnë në mes të ditës, janë në gjumë. Gjatë muajit të  Ramazanit punojnë sipas orarit të punës edhe Zotit. Hoxha përmes altoparlantëve në minare e thirrë ezanin. Çarshia duket se merr lirisht frymë. Edhe, seç ma kujton kohën e viteve shtatëdhjeta, “vëllazërim-bashkimin”, kur e gjithë ana tjetër matanë Vardarit dyndeshte në mbrëmje në këtë anë të Çarshisë. Vite rinie, kur Skënderbeun e mbanim fshehurazi nën jakën e setres. Kohë e përndjekjeve të mëdha, kur një mike “turke”, guximtare e kojshive në atë kohë edhe ma qëndisi me penjë të zi në këmishën e kuqe gjak portretin e Skënderbeut. Fotografi, të cilën e ruaj me xhelozi edhe sot e kësaj dite në këmishën e kuqe arnë përmbi arnë në album. Kurrë, nuk më ka shkuar mendja se, Heroi ynë legjendar një ditë do ta shalojë kalin e tij me të katra edhe në Shkup. Tjetër punë është ajo se, sot dudumët ende nuk duan t’ia përmendin as emrin, po ende i lënë takimet e punës dhe i shtrojnë sofrat e “iftarit” të Ramazanit te Kali.

Përgëzime! Hazreti Muhamedi a. s. ka ardhë te bregu. Fatkeqësia është, se: asgjë nuk ka të veshur në shpirt e trup shqiptare. Tekefundit, së paku ta kishte në kokë kësulën e bardhë të Bajram Currit. “Iftari” i Ramazanit në mënyrë festive bashkë me ilahi, shtrohet para këmbëve të kalit të Skënderbeut. Edhe pse, shumë besimtarë të Fesë Islame ende e kërkojnë sofrën tradicionale shqiptare gjatë festave fetare, “myslimanët” e sotshëm kanë bërë “ndryshime” rrënjësore. E di, arabo-turqit do të na e marrin pak inatin pse sofrën e “iftarit” e shtrojmë në rrugë, para këmbëve të kalit të Skënderbeut. Punemadhe. Përgjigje: matanë, në mes të Çarshisë grupi tjetër radikal i “myslimanëve” në mes të rrugës i luten Zotit t’ua falë mëkatet në “Mekën maqedonase”. Përveç xhamive, faltore të “Allahut” duan t’i shpallin edhe rrugët e Bit – Pazarit. Kalimtarët e rastit nëse nuk duan t’i bashkohen “xhematit” të tyre me “Din e Iman” për në Xhenet, mund të presin të kryehet ceremonia fetare në mes të qiellit hapur mes gjithë këtyre xhamive me dy e katër minare në Shkup e nëpër katunde.

Edhe, për fund: Lamtumirë lexuesi im me “Din e Iman” mes dy zjarreve! Ose, siç thotë populli shqiptar: Hyp se të vrava, zdryp se të vrava! Koha është, tashti edhe për mua pak pushim i merituar vjetor. Edhe mua, në këto ditë me vapë të madhe në Shkup, më pret faltorja ime me nëntë minare: Xhamia shqiptare...



(Vota: 34 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora