E enjte, 28.03.2024, 06:33 PM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Naiviteti i lidershipit kosovar dhe ana tjetër e politikës serbe

E marte, 20.05.2008, 07:50 PM


NAIVITETI I LIDRSHIPIT KOSOVAR DHE ANA TJETËR E POLITIKËS SERBE

Zgjedhjet e fundit ne Serbi dhe fitorja e forcave pro evropiane të paraprira nga kryetari i saj aktual Boris Tadiq, shkaktoi shumë reagime pozitive në Evropë, e posaçërisht një kënaqësi e dukshme u tregua edhe nga politika dhe politikanët tanë zyrtarë kosovarë. Ky disponim i shprehur, nuk ishte i dukshëm vetëm tek deklaratat e tyre optimiste, por, ajo, në opinionin tonë, u manifestua fuqishëm edhe me kontributin amator të analistëve dhe publicistëve tanë, të cilët, do si do, krijojnë një ndikim të konsiderueshëm në opinioni publik vendor.

Shkruan: Adnan ABRASHI

Adnan Abrashi
“Ujku qimen e ndërron, por hujin kurrë” – na mëson një fjalë e urtë popullore. Të llogarisësh se me fitoren e Tadiqit “pro evropian” në zgjedhjet e fundit në Serbi, në të ardhmen do të evoluojë edhe qasja e politikës serbe ndaj Kosovës, është njësoj sikur nga trungu i dardhës të presësh të “pjellë rrush”.
Shikuar nga një këndvështrim krejtësisht paradoksal dhe jashtë dukjes oficiale të politikave ditore, rrënjët e vërteta të veprimit strategjik afatgjatë të politikës serbe, nuk janë tek figurat publike sikur të “tadiqëve”, “ nikoliqëve” apo “iqëve” tjerë që paraqiten si “liderë” dhe personalitete të fuqishme në arenën politike të Serbisë, por, ato burojnë nga një program ekzistues nacional, në të cilin decidivisht janë të parapërcaktuara “vijat e kuqe” të veprimit të çdo autoriteti shtetudhëheqës. Andaj, mbikëqyrja e çfarëdo politike dhe politikani aktual në Serbi, gjithmonë në mënyrë rigoroze vigjilohet nga ana e kësaj Qeverie konspirative të heshtur në prapaskenë. Kjo Qeveri e ashtuquajtur “nën hije”, sipas nevojës së momentit të paraqitur, qëllimisht lason në skenë figura liderësh që shpesh në publik na tregohen edhe si “të moderuar”, por, asnjërit prej tyre, kurrsesi dhe në asnjë mënyrë nuk do t’i lejohet që ta tejkalojë kufirin e parapërcaktuar, përtej së cilës mund të dyshohet se do të rrezikohej interesi “nacional serb”.
Mu kjo Qeveri, e ashtuquajtur “nën hije”, gjatë viteve të shkuara të kohës së federalizmit Jugosllav, pa ndonjë zhurmë të madhe dhe në mënyrë perfide, ka ndikuar me sukses në “komprometimin” e disa principeve ideologjike të socializmit “titist” të “vëllazërim-bashkimit”. Nën pretekstin e trumbetimit të gjoja të mbrojtjes së “tokës së shenjtë serbe”, ajo ka arritur që edhe përball kësaj sfide të madhe të kohës, ta ruajë si të pacenueshme pozitën e vet sunduese ndaj popullatës shqiptare shumicë të Kosovës. Shembullin tjetër pragmatik të reagimit më ekstrem të kësaj “Qeverie nën hije”, në kohën e fundit, e kemi te rasti i Gjingjiqit demokrat të rebeluar pro evropian! Dihet se si e pagoi ai mosbindjen e vet ndaj këtyre forcave ?!!
Më kujtohet shumë mirë paraqitja, para disa vitesh, e z Veton Surroit, në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Krime Lufte. Atëbotë, procesi gjyqësor zhvillohej kundër të akuzuarit për krime lufte në territoret e ish RSFJ-së Sllobodan Millosheviqit. Në pjesën procedurale ku atij i lejohet si të akuzuar t’i bëjë pyetje dëshmitarit, Millosheviqi iu drejtua z. Surroit kështu: “A ka ende asi njerëz në Kosovë që mendojnë se në Serbi mund të ketë lindin dikur ndonjë politikan që do ta bekonte shkëputjen e Kosovës dhe Metohisë nga trungu i saj amë??!”. Kjo ishte një pyetje më tepër cinike dhe politikisht provokuese, se sa kontra-argument mbrojtës ndaj dëshmive më parë të parashtruara të z. Surroit. Përgjigje adekuate nga ai nuk pati. E, sa për mua si vrojtues i vëmendshëm, kjo ishte një tregues i qartë se, fatkeqësisht, te ne në Kosovë, sot ka mjaftë politikanë dhe intelektualë naivë, servilë dhe mediokrit, të cilët, ende ushqejnë shpresa se Serbia dikur mund ta evoluojë qëndrimin e saj të ashpër ndaj Kosovës. Ky entuziazëm i tyre nuk konsiston vetëm në bindje optimiste dhe deklarata qesharake para opinionit, por ajo, si politikë në pushtet, themelon edhe propozime të dokumenteve shtetërore me peshë ndërkombëtare, përmes së cilave, me çdo kusht tenton ta dëshmojë sinqeritetin e vet në drejtim të realizimit të këtij synimi.
Dokumenti i fundit si propozim i këtij lloji është ai i “fqinjësisë së mirë me Serbinë”, që në fakt, nuk është asgjë tjetër, veçse krijim i favoreve ndaj kërkesave të pangopshme të Serbisë, prapa së cilave fshihet plani sekret i ndarjes apo konfederalizimit të Kosovës.
Bazuar në këto dhe shumë shembuj tjerë, aspak nuk duhet dyshuar se në prapaskenën zyrtare të politikës së Serbisë vërtet ekziston një qeveri konspirative dhe fuqiplote, e cila vepron “në hije” dhe ka një ndikim të madh në shoqërinë e atjeshme. Për t’u marrë më gjerësisht me strukturën organizative të kësaj force të ndikimit jashtëinstitucional, sigurisht na ishte dashur mjaftë kohë dhe hapësirë. Sa për të pasur një njohuri elementare të këtij realiteti, mjafton ta dimë se si bartës kryesor i këtij organizmi kompleks shoqëror-politik të Serbisë, janë: Kisha Ortodokse dhe një pjesë elite e inteligjencës së lartë akademike të Serbisë.
Vetëm analizoni luftërat e fundit të përgjakshme në trojet e ish RSFJ-së: Sllovenia (katolike) në të si republikë, kaloi disi; Kroacia (po ashtu katolike) u përgjak mjaftë; Bosnja dhe Hercegovine (me shumicë myslimane) qe kasaphane; ndërsa neve në Kosovë dihet se çfarë na ndodhi?! Krahasoni më pas, dy ish republikat që u pavarësuan pa derdhur asnjë pikë gjaku nga Serbia?! Ishin: Maqedonia dhe Mali i Zi. Nuk pat luftë aty, a po jo?
Pse? Sepse, këto dy ish republika të Jugosllavisë, banoheshin me shumicë të popullatës të konfesionit fetar ortodoks!?
Atë çfarë do ta konstatoj në vazhdim, ndoshta, dikujt, mund t’i duket nga pak qesharake apo “mistike”. Edhe pse për këto gjëra askund nuk flitet publikisht, bota sot sundohet nga MASOINËT. Rendi i ri botëror me Evropën e bashkuar është projekt i tyre si synim. Serbia, që nga koha e mbretërisë, ka pas degët e saja të fuqishme në këto struktura konspirative të ndikimit politik global. Andaj, në rastin e pavarësimit të Kosovës, ajo kurrë nuk do të ngurrojë të shërbehet me këto lidhjet e vjetra miqësore.
Serbia si “jaran” i kahmotshëm i tyre, me fitoren e forcave pro demokratike në këto zgjedhje, po i kthehet duarhapur shoqërisë së vjetër, dhe ata, mikun dikur të “rebeluar”, në shenjë të mirëseardhjes, patjetër duhet të shpërblehet disi...E, ajo, si shpërblim të merituar, dihet se çka do të kërkojë nga ta?!
Po ashtu, ne shqiptarët, nuk duhet harruar kurrsesi se Serbia ka miqësi të dëshmuar historike dhe tradicionale me disa shtete të fuqishme të Evropës, e posaçërisht me francezët dhe anglezët. Kjo miqësi e tyre, edhe pse në dukje e zbehur, ende nuk është venitur. Afrimi edhe zyrtar i Serbisë Evropës, vetëm do ta sforcojë edhe më shumë këtë miqësi.
E tani, t’i kthehemi Tadiqit dhe fitores së tij të fundit në zgjedhjet e Serbisë.
Ai, edhe pse tregohet “pro evropian”, kurrë nuk ka deklaruar se do të heqë dorë nga angazhimi i tij për kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Prandaj, është vërtetë naivitet politik i lidershipit tonë vendor, kur deklaron se, fitorja e Tatiqit dhe forcave tjera politike pro evropiane, na jep shpresa për një qasje më liberale të Serbisë edhe ndaj marrëdhënieve tani për tani tejet të acaruara ndërmjet dy shteteve tona fqinje.
Pa marrë parasysh se sa dëshirojmë ta pranojmë këtë realitet, për të gjitha rrjedhat aktuale politike, e veçanërisht ato që ndërlidhen me Kosovën, qëndrimi zyrtar i lidershipit tonë, është vetëm si një përkthim shqip nga ato Brukseliane dhe asgjë tjetër. Andaj, nëse i vështrojmë me vëmendje deklaratat e tyre të fundit në lidhje me fitoren e Tadiqit në Serbi, do të vërejmë se, për nga përmbajta, aspak nuk dallojnë nga prononcimet e Solanës dhe funksionarëve tjerë të lartë evropianë në Bruksel.
Duke i bërë verbërisht “amin” planeve të caktuara politike që udhëhiqen dhe imponohen nga qendrat e mëdha të ndikimit dhe vendimmarrjes ndërkombëtare, ne i rrezikojmë seriozisht interesat tona kombëtare, veprim ky, që në të ardhmen, mund të na kushtojë shumë shtrenjtë.
Nëse kjo politikë aktuale kosovare e stilit “lidhe kalin ku të thotë pronari”, edhe më tej vazhdon me këto veprime kryekëput servile ndaj interesave strategjike të të tjerëve, mund të na ndodhë shumë lehtë që, gjeneratat tona të ardhme, edhe më tej të merren me analiza boshe se , “ku kemi gabuar si popull edhe këtë herë në histori” 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora