E premte, 29.03.2024, 06:01 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Neki Babamusta nderohet nga Senati Amerikan

E shtune, 17.08.2013, 01:26 PM


Mësuesi i Merituar Neki Babamusta nderohet nga Kryetari i Senatit Amerikan

Nga Agron Berisha

Profesor Neki Babamusta u vlerësua nga Kongresi Amerikan me nderimin e lartë “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013” (International Advocacy of Democracy) për mbrojtjen dhe përhapjen ndërkombëtare të idealeve të paqes dhe demokracisë. Çertifikata e njohjes dhuruar Neki Babamustës nga Senatori Harry Reid në emër të Kongresit Amerikan vlerëson shërbimin e tij të shquar për demokraci dhe liri në Sh.B.A., Shqipëri dhe Kosovë, shërbimin e tij për arsim prej 40 vite, dhe kontributin e fisit Babamusta dhe Cani për ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Neki Babamusta është fitues i nderit të lartë ‘Mësues i Merituar’, dekoruar dy herë nga Kongresi Amerikan për mbrojtje të vlerave demokoratike në Washington DC si dhe i dekoruar për vlera patriotike në Tiranë, Shqipëri. Vajza e tij, Ermira Babamusta pranoi dekoratën në emër të babait dhe familjes në ceremoninë zhvilluar në Kongresin Amerikan me 1 gusht 2013 nga senatori Harry Reid, Kryetar i Shumicës në Senat.

Ndjehem shumë shumë i nderuar familjarisht për respektin e lartë që senatori Reid, Kryetari i Senatit Amerikan më dha si “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013, duke vlerësuar punën time dhe të familjeve Babamusta-Cani për demokraci, dhe për forcimin e miqësisë midis dy popujve tanë, miqësi e cila do të rrojë shekull pas shekulli, siç ka theksuar e nderuara Senatore Hillary Clinton. Ky vlerësim i qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Kongresit Amerikan është një mirënjohje e jashtëzakonshme e miqësisë tradicionale 100 vjeçare të familjeve Cani-Babamusta ndaj popullit amerikan dhe Sh.B.A.-së. Mbi të gjtha vlerësoj miqësinë midis dy kombeve tona. Ky dekorim i dytë nga Kongresi Amerikan i dedikohet të gjitha vlerave demokratike të kombit shqiptar, të cilët e shohin kombin e madh Amerikan si aleat të përjetshëm dhe besnikun historik të kombit tonë. ShBA-ja, Shtëpia e Bardhë, Kongresi Amerikan dhe qeveria e saj janë promotorët kryesorë për përhapjen e vlerave demokratike dhe të vendosjes së paqes në botë,” deklaroi prof. Neki Babamusta, Mësues i Popullit.

Veprimtaria patriotike e familjeve Babamusta-Cani

Diktatura komuniste izoloi Shqipërinë për 50 vite nga bota e perëndimit. Diktatura siç ka theksuar ish-kryeminstri Çërçill e bëri Shqipërinë një xhungël të izoluar. Ky izolim solli pasoja tragjike për popullin shqiptar ku pati dhjetëra mijë të vrarë, të burgosur, të internuar, etj.

Për dy fiset Cani dhe Babamusta pasojat qenë tepër të rënda: 20 vetë të burgosur (të vdekur edhe nëpër burgje), të përndjekur, mohuar e drejta e arsimit dhe sekuestrim pasurie. Nga dy fiset dolën patriotë demokratë të denjë si Ramazan Cani: (Hero i Popullit, Mësues i Popullit, bashkëluftëtar me Bajram Currin dhe me vëllezërit Myslim dhe Shyqyri Peza), Ramazani dhe i ati, Mustafa Cani u vranë nga reaksioni feudal (Verlaci), Kastriot Cani (Veteran i Rezistencës, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës Anti-Komuniste, me pseudonimin “Furtuna”, ish adjutant i Mustafa Gjinishit, pushkatuar nga diktatura si pjestar i Rezistencës), Dill Cani (Nënkryetar i Frontit të Rezistencës për rrëzimin e komunizmit, dënuar me 101 vjet burg), Përparim Cani (dënuar me burgim nga diktatura), Beqir Babamusta (i persekutuar, vdekur nga ataku në zemër prej kërcënimeve nga diktatura), Qemal Babamusta ( i biri i Beqirit, i burgosur politik, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës dhe Veteran), Murat Babamusta (vëllai i Beqirit, Patriot i Kombit, i dekoruar), Ibrahim Babamusta (Mësues i Popullit, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës, lauruar me Medaljen e Artë të Perandorit të Austrisë, Franz Ferdinant), Agron dhe Neritan Babamusta (djemtë e Ibrahimit, akademikë të shkencave egzakte), Hasan Babamusta (i persekutuar politik me 101 vjet burgim, i vdekur në burg), Halit Babamusta (i persekutuar politik, i dënuar 2 herë nga diktatura), Regip Babamusta (anti-fashist dhe patriot), Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës bashkë me vëllanë e tij Isuf Babamusta, bashkëpunëtorë me Mustafa Gjinishin, i pushkatuar nga diktatura), Neki Babamusta (i persekutuar, Mësues i Merituar, dekoruar dy herë nga Kongresi Amerikan dhe i dekoruar për vlera patriotike në Shqipëri), Suzana Babamusta (e shoqja e Nekiut, e persekutuar, pushuar nga puna), Qazim Tufa (burri i tezes së Suzanës, dënuar me 101 vjet burgim) dhe Halit Dervishi (shpalluar armik i popullit nga diktatura). Vëllezërit Cani (Kastriot dhe Skënder Cani) u klasifikuan nga diktatura familje raksionarësh dhe u internuan. Ndërsa motra e tyre Tuja Cani, internuar dhe burri i saj Xhuf Sufali, i burgosur politik  (Arshiva e Shtetit, 1945).

Neki Babamusta në shtator 1964 nuk pranoi t’i shërbente sigurimit të shtetit gjatë komunizmit, në Shërbimin Diplomatik jashtë shtetit, për të cilën u përndjek ashpër  nga diktatura. Këshilli Bashkiak i Kavajës, me miratim nga Prefektuara Tiranë i miratoi atij në shkurt 1996 marrjen e një pensioni të veçantë për merita patriotike-demokratike. Ndonëse vendimi ishte ligjor, i formës së prerë, kjo e drejtë iu mohua Nekiut, pas fitores së demokracisë në Shqipëri, dhe akoma nuk i është dhënë sot.  Po ashtu atij iu mohua edhe e drejta e studimit nga diktatura. Studimet universitare në degën “Histori, Letërsi dhe Histori Botërore” Nekiu i vazhdoi me korrespondencë, duke i kryer studimet në kohë rrekord.

Të dy fiset ndjehen krenarë për kontributin që kanë dhënë për çështjen e Rilindjes Kombëtare: me çetë të armatosur dhe luftëtarë morën pjesë në mbrojten e vendit kundër serbëve dhe pushtuesve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës, kontribuan për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Ndihmuan direkt patriotin e madh Ismail Qemali ku në fisin Babamusta ai u prit një natë, iu dhanë kuaj, ushqime, para dhe përcjellës. Ndërsa fisi Cani me Ramazan Cani dhe Bajram Xhani, dy miq të ngushtë të fisit Babamusta, me dy çetat e tyre të armatasoura, e shoqëruan Ismail Qemalin për në Vlorë me 26 tetor 1912. Patrioti Ramazan Cani, priti në Durrës dhe i shpëtoi jetën Avni Rustemit, duke e strehuar në një vend të sigurtë, pasi ai vrau tradhtarin Esat Pashë Toptanin në Paris me 13 qershor 1920.  Të njëjtën kontribut fisi Cani dha dhe për Kongresin e Lushnjes, ku Ramazan Cani (krahu i djathtë i patriotit Aqif Pashë Elbasani) bashkë me çetën e tij siguruan mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit të Lushnjes, në janar 1920.

Dy fiset Cani dhe Babamusta iu bashkuan Luftës çlirimtare kundër pushtuesve italo-gjerman në vitet 1940-44, duke i dhënë luftës ndihma të mëdha ekonomike dhe financiare. Si ideal lirinë e kombit shqiptar e shihnin të lidhur me idetë e Perëndimit, pa komunizmin. Prandaj dy fiset u lidhën në vitin 1944-46 me Organizatën Anti-Komuniste, Fronti i Rezistencës, themeluar nga Hamdi Frashëri (kryetar), Dill Cani (nënkryetar), Mustafa Gjinishi, Shyqyri Peza, etj. Qëllimi i kësaj organizate kombëtare ishte rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, në bashkëpunim me zbulimin anglo-amerikan. Pjesmarrësit patën pasoja tragjike pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, ku ndër të tjerë edhe bashkëpunëtorë patriotë si Shyqyri Peza, Cen Kruja, Rexhep Greca (pjesmarrës aktiv në luftën përkrah Frontit të Rezistencës kundër komunizmit, i burgosur politik në kohën e ish-ministrit të brendshëm, Koci Xoxe), Adem Qose (dënuar me 101 vjet burgim të përjetshëm), Aqif Averiku, etj, pësuan të njëjtin fat nëpër burgjet komuniste. Po ashtu familjet dhe fëmijët e të burgosurve politik u izoluan, internuan dhe iu mohuan të gjitha të drejtat njerëzore, si arsimini dhe punësimi. Fronti i Rezistencën luajti një rol të madh në luftën për rrëzimin e komunizmit në Elbasan, krahinën e Peqinit dhe zonën e Kavajës. Pranë Shtabit të Përgjithshëm në Pezë ndodheshin edhe oficerët anglez.

Gjatë Luftës çlirimtare në shtator 1943 prindërit e Neki Babamusta (Beqiri dhe Rabihane Babamusta) shpëtuan nga gestapo hitleriane 6 ushtarë dezertorë italian dhe një familje rrobaqepësish izraelite prej 4 vetësh. Ndërsa në kohën e “Operacionit të Florit” ku sigurimi i shtetit sekuestrone pasurinë e tregtaraëve, e ëma e Nekiut, Rabihania bashkë me Nekiun shpëtuan disa familje nga burgimi në 1953-56. Në kohën e luftës së klasave gjatë kohës së diktaturës Neki Babamusta shpëtoi nga vëllavrasjet politike, burgime dhe internime 80 jetë njerëzish, gjatë viteve 1953-84 në qytet dhe fshatëra e zonës Kavajës. Ai dhe familja e tij disa herë janë përballur me vdekjen.

Fillimi dhe forcimi i lidhjeve Shqipëri-Amerikë-Kosovë dhe familjes Babamusta

Bashkëpunimi i familjes Babamusta me Amerikën fillon në 1920 me hapjen e shkollës së parë amerikane në Golem, Kavajë. Kjo lidhje vazhdon me pritjen madhështore në 15 mars 1992, që i bëri Kavaja, patriotët, të persekutuarit, dhe pjesëtarët e fisit Babamusta të dërguarit të parë të Sh.B.A.së, ambasadorit amerikan Reilson me të shoqen e tij, bashkë me z. Sali Berisha. Familja Babamusta i dhuroi ambasadorit Reilson historikun e shkollës amerikane.

Aktiviteti i familjes Babamusta vazhdon me krijimin e shoqatës Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani” (1992-2004), për të forcuar miqësinë shqiptare me Sh.B.A-në dhe Perëndimit dhe për të mbrojtuar vlerat demokratike dhe të persekutuarve nga komunizmi. 

Në korrik 1999 familja Babamusta dha një kontribut të vyer në Detroit, Miçigan duke u lidhur me radion shqiptaro-amerikane Alba për forcimin e miqësisë me Sh.B.A.-në, për mbrojten e vlerave demokratike dhe në veçanti për luftën heroike të popullit martir të Kosovës.

  dy vizitat në Sh.B.A. janë kujtime të përjetshme për familjen time. Mikpritja, repsekti, dashuria, përkrahja që treguan familjet amerikane, kongresmenët, senatorët amerikanë dhe qeveria e Shteteve të Bashkura ndaj familjes Babamusta janë të paharruara. Vizita ime e parë në Amerikë në 1999 më la mbresa të jashtëzakonshme, ku njoha vlerat e vërteta të Demokracisë dhe lirisë, të një kombi që është ndërtuar mbi vlera demokratike. Qëllimi i vizitës ishte të njihej populli amerikan me luftën heroike të popullit të Kosovës kundër pushtuesve serb, me Millosheviçin në krye. Kjo na dha mundësi si familje të flisnim për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me komandant z. Hashim Thaçin dhe Adem Jasharin, Hero Legjendar, për rolin dhe vlerat e larta që pati presidenti Rugova për vendosjen e paqes dhe themelimin e shtetit të Kosovës dhe për ndryshimet e mëdha që pati Shqipëria në rrugën drejt Demokracisë. I jam mirënjohës kontributit që ka dhënë Amerika, sidomos Presidenti Klinton për ndërhyrjen që bënë forcat aleate, dhe presidentët në vijim Bush dhe Obama. Si hulumtues historie kam shkruar artikuj të ndryshëm, kumtesa historike që i dedikohen vlerave kombëtare dhe politike të Kosovës dhe Shqipërisë,” tha profesor Neki Babamusta.

Në gusht 2003 familja Babamusta u prit nga senatori Tom Harkin dhe senatorë të tjerë në Kongresin Amerikan, të cilët falenderuan në emër të qeverisë amerikane Ermira dhe Neki Babamusta, fisin Babamusta dhe Cani për veprimtarinë e tyre demokratike dhe miqësinë diplomatike me Amerikën. Gjatë  takimit të  familjes Babamusta me Senatorin Tom Harkin, familja Babamusta i dhuroi një  shqiponjë që  përfaqëson simbolin e lirisë    kombit shqiptar. Senator Harkin u përgjigj, “Dhe ne kemi të njëjton simbol për liri, shqiponjën” dhe senatori u ul në gjunë me respekt përpara simbolit të lirisë.

Senator Harkin iu drejtuar Neki dhe Suzana Babamustës: “Ju falenderoj ne emër të popullit amerikan, të Kongresit dhe të qeverisë të Shteteve të Bashkuara. Jemi krenarë që kemi mik dhe aletë të shtrenjtë Shqipërinë, dhe veçanërisht ndaj Familjes Cani dhe Babamusta jemi po aq krenarë për kontributin tuaj dhe që keni prodhuar fëmijë të shkëlqyer. ” Ndërsa Ermirës Senator Harkin iu drejtua më këto fjalë: “Me bindje e ke vendin këtu në Kongres, ashtu siç erdha edhe unë me shumë sakrifica.”

Në verë 2004 me propozim të Kongresmenit Mark Kennedy, Kongresi Amerikan dha tre nderime për Neki Babamustën, Kastriot Canin (gjyshin e Ermirës) dhe Ermira Babamusta, ku mbi Kongresin Amerikan u ngritën tre flamuj. Në Korrik 2013 Familja Babamusta (Neki dhe Ermira Babamusta) marin nderimin e dytë nga Kongresi Amerikan si dhe çertifikata njohje për kontributin diplomatik-demokratik. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora