Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Hutat cofin duke kënduar

| E shtune, 17.08.2013, 04:38 PM |


HUTAT E BARDHA COFIN DUKE KËNDUAR

NGA KALOSH ÇELIKU

         Herët si fëmij e kam dëgjuar nga im Atë një thënie kërçovare: Nuk do të rrojmë me hutat e bardha. Në atë kohë si fëmij nuk i kam vënë shumë rëndësi kësaj urtësie të popullit shqiptar. Përçudi, kësaj mençurie të popullit deri më sot nuk i janë qasur me seriozitet edhe studiuesit e letërsisë popullore. Mendja ma thotë se, kjo perlë e popullit e ka burimin në Kërçovë. Shkak ky, që nuk njihet dhe nuk është përhapur aq shumë me të madhe në popull.

         Vite më vonë, në prag të Lirisë nuk e di se kush ma dërgoi nga qielli si porosi këtë thënie të popullit. Edhe, t’i vë gishtin kokës: Çka ka dashur të thotë im Atë me këtë filosofi antologjike?! Nateditë e vrava mendjen, dhe më në fund mezi erdha në përfundim: Hutat e bardha rrojnë shumë gjatë nëpër pyje. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe këtë fjalë e shpjegon disi në këtë mënyrë: HUT/Ë, a~A: f. sh. ~A, ~AT, 1. zool. Femra e hutit. Zogu i hutës. Ra huta në pula. 2. Fig. Grua a vajzë e trashë nga mendja; femër e shushatur e matufe. Kishte marrë një hutë.  Edhe, atë leximin mes rreshtave: vetëm hutat e bardha na i grabisin pulat para syve në lëmë, mes Ditës Madhe. Ose, ajo tjetra: nuk do të jetoj gjithë jetën, që t’ua baj gajlen në shoqëri. Edhe, unë gati gjithë jetën përmes shkrimeve të mia publicistike ju them me vite: ja, ku është ujku. Ju, jo janë gjurmët e ujkut. Unë, përsëri: ky është ujku. Jo, ju më përgjigjeni: janë gjurmët e egërsirës. Inatë çoni me vetëveten në këtë kohë rreziku për Atdheun. Përpiqeni, me këmbëngulje të më bindni se janë gjurmët e ujkut. Vazhdimi, është humbje kohe, që t’ua mbushë mendjen edhe në të ardhmen se, është ujku me këmbën e lyer me miell pas porte, e nuk janë gjurmët e tij në Lëmë.

         Askushët ende përpiqen me thashetheme e përralla arabe ta përqajnë popullin shqiptar nëpër katunde e qytete. Cili katund, apo qytet ka derdhë më shumë gjak për liri e ka shpallur më shumë komandantë e dëshmorë lufte në familjet e tyre mes varreve. Dudumët, që shtihen gjoja se nuk e dinë, kush e bëri  Luftën e fundit në Kosovë e Maqedoni. Tekefundit, historikisht populli shqiptar nuk ka bërë luftë vetëm me pushkë maleve nëpër shekuj, po edhe me penë në mes të Stambollit. Një popull për të arritur te qëllimi historik, në ballë duhet t’i ketë burrat e ditur, pastaj vijnë të pasurit dhe në fund veten e tij si ushtri popullore. E, a i ka sot populli shqiptar këto tre faktorë kryesor?! Fatkeqësisht, ende jo. Nesër, me siguri do të flasë vetë koha. Sot për sot, dimë vetëm për “luftën e tyre heroike” flakë më flakë matanë gardhit, që soji i tyre  kur krisi pushka e parë në Drenicë e Tanushë, ikën me të katra me gjithë familje në bregdetin shqiptar dhe pas lufte erdhën të parët të na “çlirojnë” nga hordhitë barbare për poste politike.

         Gjenitë lindin dhe vdesin një ditë, po nuk jetojnë aq gjatë siç thoshte shpesh im Atë, me hutat e bardha, që t’i bindin këto fundërrina anadolli se, ujku na troket pas porte. Dorën në zemër, jetojnë veprat e tyre nëpër shekuj. Populli shqiptar jeton gjatë kohë me shekuj maleve me hutat e bardha për zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan. Kulminacioni i këtij shkrimi: herë pas here e kam përsëritur nëpër shkrimet e mia se, mua më lejohet edhe gabimi i rastit si shkrimtar, po jo edhe  politikanëve teknefesë që janë sot në ballë të popullit shqiptar. Fundi i fundit, më mirë të gaboj unë si shkrimtar, sesa udhëheqësit tanë politik. Shkaku se nëse gaboj unë, pasojat kombëtare do të jenë më të vogëla në krahasim me ato të politikanëve shqiptar. Tjetër punë është ajo se, ai në Ditën e sotshme  udhëhiqet nga hutat e bardha. Fatkeqësi kombëtare.

         Hutat e bardha ma kujtojnë edhe një ngjarje historike në shkollën fillore “Liria”, në Shkup. Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar, i thirrur para kohe (1998), kur një grusht i arratisur komunistësh deshën me dhunë të më shkarkojnë nga posti i kryeatarit, i fituar në atë kohë me punë dhe vota të lira demokratike. Ministrin e atëhershëm të informatave (R. Z.), që nxirrte edhe shkumë nga goja për shkarkimin tim si kryetar. Këlyshin e Llagut, që e kisha rritur gjithë jetën me bukë misëri te mulliri i Arapit, Këlysh Langaçin me një asht në gojë, që para syve tanë u rrok fytas me poetin e ndjerë Ramadan Sinani. Hojdodolen, që bënte “luftë heroike” në atë kohë qorre duke lëvizur bishtin t’i kërcejë një Qen Sharri në shpinë. Këlysh Sharri i Nënës Parti me gjuhën jashtë dy pëllëmbë nga vapa, që edhe atij i kisha hudh në atë kohë të vështirë një copë buke pas porte. Ngjarje historike, të cilën unë do ta përjetësoj në bibliotekë te libri im me drama: Kopeja me zgjebe ndjek Autorin (2000).

        Situatën e asaj lufte të ashpër “artistike e qetësoi” shkrimtari Murat Isaku, edhe atë, pas ndërhyrjes të bashkëvendasit të tij Ramadan Sinani, kur tha më në fund i zemëruar se: do t’i hapim letrat. Poeti i ndjerë Ramadan Sinani, nuk është më në mesin tonë, poashtu edhe Murat Isaku. Megjithatë, e njihnin mirë njëri-tjetrin si studentë të Beogradit. Doktorziu, edhe ky student Beogradi, që e udhëhiqte betejën policore pas dere duke i ndërsyer me gisht këlyshët me zgjebe, ende është gjallë me dy-tre pensione shtetërore e honorare si anëtar i tre akademive shkencore. Këlyshët me zgjebe me nga një asht në gojë, poashtu ende janë gjallë me bishtin ndër këmbë (me përjashtim të ndonjërit që zvarritet ende para cofjes rrugëve të Bit-Pazarit), dhe si dje edhe sot turren me të katra pas partive politike, posteve në Qeveri si dhelpëra pas dashit mos i bien udhës.

         Realiteti sot, është në duart e Komisionit Lustrues, i cili i ka nëpër duar dosjet policore dhe duhet t’i nxjerrë rrufjanët në sipërfaqe si kunguj Stambolli. Përsëri, mu si sot më kujtohet ajo kohë e gjuajtjeve të “irredentistëve”, atëherë kur ndërhyri Murat Isaku për ta qetësuar situatën, hedhë një kovë ujë zjarrit: Kryetari i tanishëm (K. Ç.) le ta vazhdojë mandatin e kryetarit edhe një vit, me kusht që në fund të vitit para kohe ta thirrë Kuvendin zgjedhor. Rrumaduci, edhe ky një këlysh besnik komunist i tyre me zgjebe (trim pas lufte), u ngritë si një spec i skuqur Kopështi në Katund dhe vendosi “pajtimin kombëtar”. Tek tashti, unë e pash se me cilët “shkrimtarë” oborri kam punë organizative krijuese në gojë të Ujkut. Gabimin tim si kryetar, që nuk desha të merrem me të kaluarën e tyre komuniste “të flijimeve artistike” për të mos shkaktuar përçarje edhe në mesin e shkrimtarëve, po me të tashmen dhe të ardhmen artistike për Ditën e Nesërme. Nuk desha të krijoj në Shoqatë hendeqe të thella krijuese. Po, e gjithë kjo përpjekje për t’i bërë bashkë të gjithë krujuesit nën një çati, qe e kotë mes këtij bërlloku shqiptar i grumbulluar me vite në sistemin komunist. Populli thotë: Uji fle, po hasmi nuk fle. Dudumët, pas disa viteve vullnetarisht e lëshuan Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptar, kaluan në atë maqedonase për përfitime e interesa personale.

         Vite më vonë gjatë lustrimit të bashkëpuntorëve të UDBA –ës jugosllave, Ministri i informatave na doli spiun si kungull fushe mbi ujë. Spiunë na dolën dhe vazhdojnë të na dalin edhe disa “shkrimtarë” të tjerë oborri, që në kohën komuniste e kishin shitur veten lirë: një vend pune në redaksi, një banesë ose një torbë taxhi. Doktorziun, përpiqen me çdo kusht ta shpëtojnë “vëllezërit” nga “përmbytja e madhe”, po vetëm përkohësisht edhe ndonjë ditë, bythët i kanë dalë moti mbi ujë. E di, denoncime me thasë kanë dërguar në polici duke i spiunuar krijuesit. Ndonjëri me direktiva policore do t’i sulet në gazetë edhe Ismail Kadaresë. Shumica e rebelëve, do të përfundojnë edhe në burg. Ose, do t’i përzënë nga vendi i punës: Sadudin Gjura, Mehmedali Hoxha, Abdulazis Islami, Vahit Nasufi, Teki Dërvishi, Fadil Bekteshi, Shaqir Sadiku e ndonjë tjetër poet. Daut Gurrën do ta përcjellin para kohe në varr. Radhën e presin ato “patriotët kuqezi” të strukur nëpër parti politike, hiç më pak 20 halldupë në numër me emër e mbiemër, që në atë kohë me nënshkrimet e tyre më dërguan në “bisedë informative” në polici si armik i shtetit, gjoja se: unë qënkam i dërguar nga Kosova të veproj në këto anë: i paskam patur disa takime të fshehta në Bullgari, i kam dërguar me dhjetra mijëra marka Partisë Socialiste në Shqipëri, dhe Çështjen shqiptare dua ta zgjidhë me luftë (1993)?! Kopeisht m’u sulën me shkrime serike policore në gazetën Flaka e vëllazërimit (gazetën e tyre të famshme neokomuniste). Sulmet e tyre pas shpine, ende “flejnë” mes faqeve të asaj gazete policore, në bibliotekë. Përveç etiketimeve të lartëpërmendura, kësaj radhe edhe se, unë kisha shkruar nëpër libra: “Kur’ani është burim i gënjeshtrave”. Linçe itelektuale e fizike, të kurdisura mirë në zyrat e radaksisë policore nga kulturofagët për të më shti mes dy zjarreve: Policisë së Shtetit dhe Bashkësisë Fetare, në Maqedoni. Përçudi, “ajka intelektuale” shqiptare ende si nuk delë në sipërfaqe?! Gjurmët e thella i kanë shti rrugës deri në fyt, cila dhelpër ua fshin sot me bisht?!

         Interesante. Dhe, është shumë aktuale edhe në Ditën e sotshme kjo puna e hutave të bardha që rrokan kësaj radhe jo nëpër pyje, po në mesin e shqiptarëve. Krah për krahu me Zogun e Keq edhe sot duke na kënduar këngë kobëzeza vajtuese mbi çati. Përmëtepër, kur patjetër brez për brezi duhet të hipim në Baba Tomor. Malin e shenjtë të Perëndive. Tyrben, ku pihet vera me shtamba, shkruhet poezia dhe bëhet dashuri…