E premte, 29.03.2024, 01:33 AM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Kulla e kujtimeve

E enjte, 15.08.2013, 07:05 PM


Kulla e kujtimeve

Tregim nga Hazir Mehmeti

         Liqeni shikoi i hutuar drejt monitorit lajmërues të fluturimeve. Me të shpejtë thithi duhanin pranë taketukës,  në hapësirën ndarëse nga xhamat, mori valixhën, shkundi xhaketën nga gjoksi për të vërtetuar pasaportën dhe u fut në rresht. Çdo gjë i dukej si në ëndërr. Nuk u durua dhe nga xhepi nxori ftesën. “Kemi nderin t’iu ftojmë...” arriti të lexoj shkarazi...

       “Ata që udhëtojnë me Aer German të renditën pranë sporteleve me ngjyrë portokalli”- u dëgjua thekshëm altoparlanti në gjithë hapësirën. Kishte kaluar disa minuta në rreshtin e gabuar, që mbaronte pranë sporteleve me ngjyrë të verdhë dhe ndjeu në vete shqetësim.

            U vonova, mendoj me vete. Ah, e shkreta kokë, ku do vete kështu, dhe ku, atje ku flitet për rrugën tonë drejt së nesërmes, dhe po të mos i kishte duart e zëna, do i kishte rënë tëmthit me gishtin e tij tregues e të trashë si bisht grabuje. Ngushëllimin e gjithë shqetësimit e gjeti  në muzikën Betovenit, e cila dëgjohej në bordin e avionit.

       Rendi i tetë, ulësja A,- lexoi gati me zë. Një zonjë, e cila ishte rehatuar në ulësen e mesit, i lëshoj rrugë, duke u ngritur nga vendi. Liqeni nuk harroi ta falënderonte. Pas mësimeve që dha stjuardesa si të veprohet në rastet e rrezikut me mjetet rrethuese, motorët fuqizuan zhurmën, duke i dhënë avionit shtytje drejt qiellit të errët.

      Derisa udhëtarët u qetësuan nga dridhjet e shkëputjes, avioni zhytej në qiellin e natës së ftohtë dimërore. Nga dritarja e vogël  dukeshin dritat e shumta që krijonin figura të ndryshme në fantazinë e kujtesës krahasuese. Poshtë tij dukej hapësira e zezë, pa kufij, e shpuar nga dritat e shumta të mëdha e të vogla, në radhë e në vijëzime, paralele e gjithfarë formash. Pa dashur iu kujtuan figurat gjigante mijëravjeçare në shkretëtirat e Perusë, siç mendohej dikur për komunikim me jashtëtokësorët.

            - Çfarë doni të pini zotëri?  - iu drejtua stjuardesa, me buzëqeshjen profesionale të mirësjelljes.

            - Kafe të Zezë, ju lutem,- foli Liqeni me një zë të rënduar nga pështjellimet e mendimeve të shumta që i silleshin në kokë.

         Nuk kishte ndodhë asnjëherë një ringjallje e kujtimeve kaq të fuqishme, sikurse sonte në fluturimin e tij drejt Shtutgardit, ku e prisnin mërgimtarët hallexhinj, ashtu siç ishte edhe ai. Huaji për ta ndezur një cigare i vlonte në kokë. Ndërrimet e informatave në navigator sikur e qetësonin, duke  dhënë konditat e pozitës së avionit në lartësinë dhjetëmijë metra dhe temperaturë pesëdhjetë e dy gradë nën zero.

            Një ngrohje e brendshme e vuri në meditim kotës, i shoqëruar me valëzimet e grunajave të gjelbëra Arës së Madhe, në kujtesën e aromës së barit që ngrohej nga dielli pas shiut pranveror. Koka e rënduar peshonte anash në mbështetëse, e pa kontrolluar në botën e largët të ëndrrave. 

    “Jo, nuk do të lë  arën djerrinë, derisa të rrah edhe damari i fundit, gjysh. E sheh si valon bereqeti, kjo është pasuri shkuar floririt të gjithë botës”.

  ...Një autoblindë e kaltër armike me zhurmën trishtueshëm para se ta shkelte Arën e Madhe me grurë, u ndërpre kur  avioni preku tokën në pistën e ndriçuar.

       -“E rëndë është jeta”- belbëzoi, duke drejtuar kokën nën dhembjen e qafës.  Shkëlqimet e dritave të shumta të korridorit lëvizës, ngjitur me  avionin, tani nuk i bënin përshtypje. Doli nga stacioni në katin e parë dhe pa vargun e gjatë të taksive. “Do ta ndez një, e pastaj do shohim”- gati sa nuk foli me zë.

          Pak pas mesnate Liqenin e solli taksi në fshatin e vogël Enstingen. Restorati ishte shndërruar në kullë shqiptare. Në ballë të hapësirës valonte flaka në oxhakun e stilit të kullës shqiptare. Masha, hiri, tangari e drutë, dukeshin nën shkëlqimin e flakës së kuqërremtë, shoqëruar me hijet gri të rrethit.  Një postiqe, gjysmë e bardhë e gjysmën e zezë, kishte para xhezven e verdhë me bisht të ngritur pak mbi madhësitë e buzëve të saj, me skaje të harkuara nga jashtë, që shkëlqenin herë pas herë, sipas lojës së  flakës. Dy filxhanë pa vegë, me shqiponja të zeza brenda kornizave ngjyrë ari, rrinin përulur anash njëri nga tjetri, sipas  fundëses  që kishte zgjedhur i zoti i shtëpisë. Tabakat e bakrit, të punuara me mjeshtri, të kujtonin mjeshtrit prizrenas të njohur për artin e tyre. Lahuta me pëlhurën e grisur, e varur  në murin e nxirë nga koha, përballë pianon që shkëlqente në këndin solemn.

          Liqenit i bëri përshtypje ambienti i traditës, i ngjashëm ma atë ku kishte kaluar fëmijërinë, në vendlindjen e tij. Për një moment iu kujtua gjyshi, mbështetur për muri, pranë oxhakut, me llullën e tij që tymoste së bashku me oxhakun e zi e plotë blozë brezash...

         Porosia e tij për Arën e Gatë, që ia lakmonin hasmit, e cila denbabaden kishte qenë e tij, kishte mbetur e pashlyer në kujtesën e tij. Gruri kallirëndë, që çdo maj valëzonte mahnitshëm deri në fantazinë e përbotshme, këtu, në dhe të huaj, i fanitej disi më ndryshe. Bec Sytrimi, stërgjyshi i Liqenit, u kishte lënë porosi në bisht të lahutës  palosjen dymbëdhjetë kokëve me shajka të përdherë, kur kishin guxuar të shkëlnin tokën e bekuar stërgjyshore. Dardhënia, nga vinte ai, kështu e kishte pasur gjithmonë, kur e lypte mbrojtja e vatrës  shekullore. Prekja e tokës do thoshte prekje në nder e jetë dhe vdekja për të quhej e shenjtë. Lahuta përcillte këngën  pranë oxhakut që thyente dimrin e gjatë e të egër. Ulërima e ujqve ishte përditshmëri e jetës që në pragun e kullës me frëngji mbante erë baroti.

        Mëngjesi i ftohtë dimëror sfidohej nga oxhaku përplot drurë me valëzimet ndriçuese këndeve të kullës. I zoti i shtëpisë, një burrë thatan e  i gjatë dhe  zonja e shtëpisë, një grua e bukur me veshje elegante, përshëndetnin mysafirët e ardhur nga atdheu i lodhur nga robëria dhe mërgata. Ministri i parë, njeri me kulturë e orator i buzëqeshur, zuri vendin ballë oxhakut, në një karrige banaku nga druri. Tryeza ngjyrë kafe shkëlqente me nyjëzimet drunore, kushedi nga cili mal i  kontinentit ishte sjell. Pas tij, Ministri i Dytë,  nga ministra më e re e shtetit më të ri në Europë.

      - “Mirësevini, në shtëpinë tonë, kjo është nderim për ne, të kemi dy ministra dhe shumë mërgimtarë nga e gjithë kontinenti”- u dëgjua zëri i Durimit.

          Prapa tij, në mur, qëndronte “Kosovarja”, një punim mjeshtëror në pikturë. Anash mureve, vështronin gjallërisht, pamje nga gjuha e kamerës, protestuesit në sheshet e Bonit, Berlinit. Sytë e tyre ishin sa magjepës aq edhe qortues, të rrethuar me flamurin kuqezi, tani i  rikthyer në kujtesën e ditëve të rënda të atdheut.

      Vargu i mysafirëve ishte i gjatë. Secili prej tyre barte një histori në vete në kopshtin e përbashkët të kombëtares. Njëri nga Londra, tjetri nga Berlini, nga Vjena, Brukseli, Parisi, Roma, Torino, Bostoni, Athina, Stokholmi, Osllo. Mungonin përfaqësuesit nga Stambolli, dikur qendër e aktiviteteve për liri.

       Kuvendi i parë i lirisë në Kullën e Kujtimeve të historisë së secilit në thurjen e së përbashkëtës, e cila tani prekej në hapat e parë. Rektori, një burrë me mustakë të shkurtër e të vijëzuar mbi buzën e trashë, ishte thelluar në mendime. Ai e kishte provuar largimin nga Universiteti, burgun dhe maltretimet nga më të egra nga pushtuesi. Kulla tani sillte qetësinë pas betejës së gjatë që nga stërgjyshërit në vendlindjen, tani të lirë e me plotë halle, të vjetra e të reja. Të gjithë ishin ushqyer me kafshatën e kriposur nga djersa e mërgimtarit mallpërvëluar...

      Nuk kishte fjalë. Kulla e Re po lindte në themelet e Kullës së Kujtimeve të Përbotshme.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora