Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Të jesh shqiptar në Shqipëri!

| E merkure, 14.08.2013, 07:00 PM |


Të jesh shqiptar në Shqipëri!

Nga Elvi Sidheri

Të them të drejtën e të drejtave, merita e këtij shkrimi tim të sotëm, i takon koleges në këtë faqe, Entela Binjaku.

Është pikërisht një shkrim i saj i sapo botuar me temë qëndrore popullsinë rome dhe kushtet e saj skandaloze të jetesës krah nesh të tjerëve në vendin tonë, që shërbeu si burim, apo frymëzim fillestar për këtë që po bëj.

U kujtova pra që romët prej ndoshta 600 vjetësh a më pak (se nuk jam ndonjë ekspert lidhur me historinë e tyre pas lënies së Indisë së origjinës, vend me të cilin ndajnë edhe flamurin e tyre, si indianët, ashtu edhe romët nëpër gjithë Europën), jetojnë dhe bashkëjetojnë, apo bashkëvuajnë me tërë shqiptarët e tjerë, banorë të kësaj tokës sonë.

Sepse këtu qëndron puna!

Pra që domethënë se në Shqipëri, pak-kush nuk ka probleme, qoftë ai shqiptar, banor etnik në tokën e vet, rom shqipfolës apo jo, grek minoritar, sllav maqedonisht folës nga rrethinat e Prespës, malazez vrakaçor, boshnjak Shijaku apo vlleh ende dygjuhësh jo vetëm shqipfolës si shumica e pjesëtarëve të këtij komuniteti të nderuar me aq kontribut madhështor përgjatë historisë tonë kombëtare.

Por problemi si dhe veçantia e Shqipërisë si vend specifik, është se ndërkohë, përveç kujtdo anëtari të ndonjë komuniteti minoritar që mund të haset në përditshmërinë e tij, me pengesa, pamundësi ose probleme të ndryshme, jetësore apo jo (si ky i romëve së fundi, të cilët po i nxjerrin për leckash jashtë), vetë banorët shumicë të atdheut të tyre historik, pra shqiptarët, populli formues, origjinues dhe themelues i shtetit shqiptar me shqipen si gjuhë zyrtare, përballen çdo ditë, me një mori vështirësish që nuk kanë të numëruar.

Të jesh shqiptar në Shqipëri, nuk duket të jetë aspak gjë e lehtë dhe kurrësesi diçka e tillë nuk mund të konsiderohet si “bukë e djathë” për shqiptarët banues, të lindur, rritur apo me origjinë nga ky vend.

Të jesh shqiptar në Shqipëri, do të thotë që për shembull të kesh jo pak, por 23 vjet që të ikin dritat!

-“Mirë”- do thotë dikush, ”E çë pastaj, normale është, s’u mësuat”?

Epo ja që nuk mësohemi sepse nuk jetojmë në epokën e gurit, të drurit e as të pishës si fshatarët e ngratë të para 80 vjetëve në katundet e largëta të malarjosura, të moçalosura, të insektosura, të qelbura, të varfëra, të shkretuara, të pangrëna e të sëmura!

Nuk jam nga ata që preferoj krahasime enveriste nga ato që u bënë bozë sidomos në fund të viteve 80-të kur plasën tallonet dhe mishin e kopështeve zoologjike të botës (atë që do hante luani dhe ariu), na e shiste partia dhe byroja për ushqim normal pasi gjindja vritej rradhave për t’a blerë si të ishte ujët e pakët, pra kur bëheshin pafund përballje mes 1939-ës zogiste dhe zhvillimit “marramëndës” me shokun Enver dhe tetën (cazë lavire) parti me yll në ballë në krye!

Për këtë arsye edhe krahasimet e lodhura të qeverisë në ikje të partisë që mbështes vetë, kohët e fundit të paktën m’u bënë të mërzitshme dhe pa sens, pas plot 8 vjetësh në pushtet (2005-a dhe vitet korruptive socialiste, nuk mund të shërbenin për kohë të gjatë si alibi e inercisë dhe bllokimit të kreativitetit dhe dëshirës për reformim dhe punë të reja me vlerë për vendin, nga ana e qeverisjes së djathtë).

Po për të njëjtën arsye, edhe përparimet prej kërmilli kampion 100 metërshi (distancë të cilën në rastin më të lumtur, kjo qënie zvarritëse jargavitëse, e përshkon për nja dy javë)...të KESH-CEZ-it (pse akoma s’ia ndërrojnë emrin e flamosur të çekëve që vodhën dhe abuzuan sa u shqepën me tregun tonë energjitik si të kishin të bënin me Somalinë a ndonjë vend të dështuar afrikan?)...në drejtim të përmirësimit të situatës së furnizimit me energji, unë nuk i shoh askund dhe gjendja më duket tragjike, duke u krahasuar me vitin në të cilin jetojmë.

Mungesa e dritave në Europë haset ekskluzivisht në dy vendet me popullsi dërrmuese shqiptare, pra Shqipëri dhe Kosovë.

Tjetërkund dritat ikin në Irak (domosdo 10 vjet luftë sektare bën të vetën), kohët e fundit në Siri, ku kuptohet se mes një bombe kamikaze, ndonjë bombardimi të aviacionit qeveritar ushtarak dhe ndonjë rrethimi të përgjakshëm, energjia edhe mund të shkëputet me raste, si dhe në vende çerek e më pak të zhvilluara si Venezuela, Kuba komuniste “Con Fidel adelante” dhe pa bukë për të ngrënë (hanë ideale edhe ata siç na këshillonte partia edhe ne dikur) etj.

Në linjë me këto vende jemi edhe ne pra!

Kot të gënjehemi dhe të vetëmerremi me të mirë duke i pohuar vetes para pasqyrës si të marrë, se jemi në Europë dhe gjërat janë në rregull.

Në Europë jemi sigurisht, nga gjaku jemi vendas, rracë e pastër indo-europiane, me një gjuhë të lashtë, me rrënjë të thella në ato troje ku jetojmë prej mijëra vjetësh.

Por po të vihesh që vendin tonë t’a gjykosh për nga pamja, fenomenet dhe veprat apo mendësia, punët çoku ndryshojnë dukshëm dhe ashtu Europës sonë të dashur, i largohemi me vrap dhe më tepër afrohemi me republikat e bananeve ose kastravecave e patllixhanëve, apo vendet e botës së tretë, katërt, pestë e më tej.

E ndërkohë të gjitha këto shfaqje e gjëra që pengojnë dhe kushtëzojnë për keq jetën e përditshme të gjithë banorëve të Shqipërisë apo që ngadalësojnë zhvillimin e vendit tonë (ku për arsye të drejte shekullore, historie dhe numrash të pastër, shqiptarët janë faktor vendim-marrës dhe popullsi shtetformuese), godasin njëtrajtësisht të tërë ata që jetojnë në këtë vend, 97-98% e të cilëve janë pikërisht shqiptarë për nga kombësia dhe gjuha e origjina.

Pra Shqipëria në këtë mënyrë, prej 100 vjetësh në përgjithësi, gjatë 23 vitesh në demokraci (i thënçin!), vijon që të keqtrajtojë dhe të diskriminojë tërë banorët e saj, me në krye vetë shqiptarët dhe kjo ndodh me anë të gjithë arsenalit të privimeve, vuajtjeve, prekjeve, përçmimeve dhe kufizimeve që iu imponohen atyre (neve pra, të ashtëquajturit dhe të papërfillshmit, të tallshmit, të pazëshmit dhe të gënjyeshmit “popull”) nga administratat e paafta (prej 1992-shit deri tani, me ndonjë përjashtim cilësor të pamohueshëm), diktatoriale (partia dhe merhumi për 45 vjet), gjysëm-autoritare (Zogu), apo nga kaosi anarkik, feudal, krahinor dhe analfabet e injorant që shpesh ka sunduar këtë vend.

Analiza e shtetit shqiptar është e thjeshtë, aq sa ç’është edhe një labirint tejet i koklavitur të cilit njeriu nuk di t’i dali në fund.

Por ndërsa këto ditë qindra romë Tirane janë marrë dhe hedhur në mes të rrugës si thasë me patate, pa u shqetësuar kush aspak lidhur me të ardhmen e tyre si qytetarë me të drejta të plota të këtij vendi, ndërkohë nëpër tërë Shqipërinë, bashkëqytetarët shqiptarë për nga nacionaliteti të këtyre romëve, jetojnë po të njëjtat vuajtje dhe vështirësi nga më të rëndat dhe të paimagjinueshmet.

Nuk mund të them kurrësesi që t’u kushtohet më tepër vëmendje shqiptarëve sepse ky është vendi jonë dhe neve na takonka në këtë mënyrë preçedenca sa i përket kujdesit të shtetit dhe institucioneve ndaj banorëve të origjinës shqiptare!

Këtë kurrë!

Ajo që po rrekem të argumentoj, është se në këtë vend, pa drita, pa shtëpi, pa strehë janë të gjithë.

Pa të drejta për t’u ankuar dhe ngritur zërin ndokund ndaj ndonjë padrejtësie me mundësinë që kjo ankesë edhe të dëgjohet nga dikush dhe eventualisht t’a marri edhe një zgjidhje shtetërore apo jo, pa bukë, të strukur në shtëpi të rrethuar me mure të larta, duke u ruajtur nga ndonjë plumb gjakmarrës që nuk pyet më për gra, fëmijë dhe të moshuar (Lekë Dukagjini i gjorë do jetë duke u acaruar përjetësisht në varr, teksa sheh këtë popull mosmirënjohës që ia ka deformuar ligjësinë e tij mesjetare sipas dëshirës dekadente shqiptare, pa vënë re se qysh nga koha e Lekës në fjalë, kanë kaluar jo pak, por nja 500 vjet dhe gjërat medoemos që nuk janë më të njëjta si para pesë shekujsh), me njëmijë e një probleme ditore dhe jetësore pra, janë ndoshta të tërë 2 milionë e tetëqind mijë banorët rezidentë të Republikës së Shqipërisë, pa përjashtim feje, krahine, ideje, shqiptarë shumicë dërrmuese e minoritarë përfshirë.

Edhe 1 milionë e gjysëm emigrantë shqiptarë të shpërndarë mes Italisë dhe Greqisë, Europës perëndimore dhe Amerikës e Kanadasë, kur dëshira, malli për të afërmit apo puna, i sjellin në Shqipëri, edhe ata do merren me andrallat e zakonshme, të cilat shteti i tyre “i dashur”, ua përplas turinjve sapo vënë këmbë në atdhe!

Që nga policët e kufirit barkmëdhenj dhe përtacë, tek rradhat në kufi e aeroporte, tek trafiku i çmendur nëpër autostradat e saposhtruara (ala-shqiptarisht, pra pa gardhe rrethuese sadoqë aty parashikohet ecja deri me 120 km në orë, me lopë qesëndisëse mes korsisë së shpejtësisë së lartë, pa anash apo mbi e nën-kalime, me shitës ambulantë krah rrugës, me kalimtarë që hidhen “kamikazshëm” të presin udhën nga njëra anë në tjetrën etj), me taksa idiote nëpër zyra bashkiake, ku të takon të paguash mijëra lekë për gjelbërim, në qytete ku nuk është mbjellë një pemë prej vërteti qyshkur xhaxhi Enver shkruante akoma memoriet e tij në kartë, sadoqë ti banon 365 ditë në vit jashtë shtetit dhe gjelbërimin bashkia nuk ka sesi të t’a taksi ty si detyrë mbi detyrat dhe sa e sa dokrra të ngjashme.

Shqipëria është një “peshë” shumëtonëshe pra për kurrizin e çdonjërit prej nesh, pa diferencë se çfarë origjine kemi, shqiptarë, romë apo grekë etj!

Ah po, me siguri që vendi ynë nuk përbën fare një peshë, por një derrkuc plot me thesare të paimagjinueshme nga ata ku kalamajtë mbledhin me durim (derri) kursimuqet e tyre të vogla ditë pas dite, apo si një pulë që bën vezë të arta, për të gjithë apo shumicën e atyre që këtë shtet e kanë menaxhuar gjatë 100 vjetëve të ekzistencës së tij shpesh të komplikuar dhe traumatike.

Për gjindjen e thjeshtë Shqipëria është idealisht siç kumtonin me të drejtë rilindasit (prandaj edhe përfunduan të vrarë, helmuar, atentatuar pabesisht, të varfër apo pajetë ata, se e deshën atdheun si ideal, jo si mall për shfrytëzim apo lopë për t’u mjelë)...toka ku “balta është më e ëmbël se mjalta”, vendi ku lindim, rritemi, bëhemi burra e gra, jetojmë, punojmë dhe ndoshta bëhemi edhe njerëz më të mirë e pak nga pak ngremë nga hiri sa herë bie apo digjet (si rëndom) këtë vend, e zhvillojmë dhe përparojmë atë me anë të punës, intelektit dhe përkushtimit tonë të përbashkët.

Për të tjerë ndërkohë, ky vend shërben si guvë apo pus i pashtershëm nga ku brez pas brezi ata të nxjerrin fitime dhe të majmen si kacëkë, të fryhen e të pëllcasin nga kamja dhe të velen nga të mirat që ky vend dhe populli që atë e jeton, vuan dhe ndërton çdo ditë, u fal!

Prandaj, duke dashur me të vërtetë, që duke parë edhe investimin e përfaqësuesve të huaj, BE e ambasada, problemi serioz i familjeve rome, të zgjidhet, në respekt edhe të shumë miqve romë që si unë, edhe mjaft lexues në fëmijëri, lagje apo shkollë, kemi pasur, unë sido që të jetë, nuk dua që të harrohet, se Shqipëria në të kundërt absolute me atë që ndonjë palo shoqatë nordike se ç’ka dëshirë të pohojë, nuk është fare një vend racist!

Jo për të huaj apo komunitetet minorancë ose të margjinalizuar.

Shqipëria është ende shtet që nënvlerësimin, përçmimin e shfaq, ndaj tërë banorëve të saj, 98% të tyre mbeten shqiptarë!