Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Si mund të veshë nimfa poezi...

| E diele, 04.08.2013, 05:06 PM |


VËZHGIM

SI MUND TE VESHË NIMFA - POEZI KOMBINEZONIN E PARASË?

NGA PËLLUMB GORICA

Të krijosh komoditet për jetën, jo vetëm nga ana materiale, por edhe shpirtërore, padyshim, miku më i mirë është libri, përmes së cilit çdokush sheh botën, duke u pajisur jo vetëm me dije, por duke mbushur zbrazësinë shpirtërore, jo rrallë herë, me anë të magjisë së fjalës, që vetëm pena e njerëzve të letrave di të dhurojë. Edhe pse duhet pranuar se sot shumë pak lexohet libri artistik. Kompjuterizimi dhe interneti, dominuese në këtë kohë si ekperiencë e re e me vlerë klasike, ka krijuar “dembelosje” në përgjithësi. Kjo ka bërë të mundur që kontakti, me librin, të jetë i paktë ose krejtësisht i mënjanuar. Zhvillimet e vrullshme të realitetit drejt teknologjise dhe informacionit e kanë bërë njerëzimin të rendë përpara për të sfiduar kohën. Në këtë hulli zhvillimi është e vështirë të merresh me art.

Letërsia, si krijimtari artistike, ka shumë gjini, si në prozë e poezi. Në fillimet e tyre krijuesit, shkruajnë më shumë në poezi. Poezia është më e kapshme, më prekshme, më e shpejtë. Ndez fillimisht si flakë kashte e pastaj djeg si prushi. Duke qenë më e manovrueshme dhe më tërheqësë nga të gjithë llojet e tjera të krijimtarisë, poezia i tërheq krijuesit dhe i fut pastaj në atë labirinthin e krijimeve të tjera, ku ata piqen e rrihen në udhën e bukur, por të vështirë të  artit. Krijuesit në përgjithësi e gjejnë veten më shumë tek poezia, sepse ajo ka emocionin, ritmin, rendjen në një shtrat me dinamizmin e kohës, fokusi që thith tërë ndjenjat dhe pasqyrohet në tempin e papërmbajtur. Kështu, të impresionuar nga kjo ndjenjë, dalin edhe zbulohen edhe talentet e vërteta, duke u përpjekur të lëvrojnë edhe tematika të tjera.

Edhe pse talentët po shfaqen me krijime të mirfillta dhe po lenë gjurmët e tyre si dëshmia më fisnike e ndjenjës, që vjen prej fjalës së përjetësisë se tyre të  krijimit, jo të gjithë gjejnë kushtet dhe terrenin e përshtatshëm për t'i nxjerrë në pah vlerat e veprës së tyre të shkruar. Në fakt katrahura e kohës nuk po i njeh të shumëpriturat krijime të tyre. Në këtë realitet të prekshëm çdokush, që është i dashuruar pas fjalës së shkruar bukur, ndien keqardhje përtej dhimbjes, tek sheh, që si mielli i përzier me krundet, ashtu edhe talentet po anashkalohen prej krijuesëve mediokër të mbështetur prej individëve redaktorë, botues e sekser, ngaqë në këtë kohë, antikohë janë ndërtuar mardhënie interesi dhe kamercializmi, paraje dhe shoqëri e sëmurë. Po vërehet se sot bëhet shkrimtar a poet jo ai që ka talent, por ai që ka para dhe kjo edhe prej lulëzimit të biznesit mediatik në dëm të artit, që  anashkalon e shpërfill vlerat. Lidhje krijuese dhe individë drejtues synojnë përfitim ndaj tyre me forma e gjetjeje të habitshme, që bien ndesh me moralin shoqëror. Etja për fitim ka errësuar vlerat krijuese dhe është vështirë të përcaktosh talentin e vërtetë. Konkurencë e pandershme që ndikon ndjeshëm. Të talentuarit, në përgjithësi, kur nuk kanë mbështetje financiare e përkrahje shoqërore, për të botuar librin, edhe denigrohen pa le t’i bëjë promovime deklamative. Po vlerësohet njeriu i veshur me këmishën e parasë dhe harrohet krijuesi i vërtetë ai që prodhon vlera.  Kjo tregon për humbjen e vlerave dhe ngritjen e ativlerave, si një nga plagët e "tregut të lirë".  Kështu pra, sot është bërë tregimtar apo poet, romancier apo monograf, ai që hedh ca lekë, dhe boton një libër, apo botohet në antologji, pavarsisht se botimi i tyre nuk ka vlerë cilësore. Bum botimesh. Një rendje drejt sasisë. Ndodh që edhe redaktorë, që në fakt nuk janë të tillë, në emër të parasë, pasurojnë krijimet e këtyre mediokërve me figuracione të errta, që edhe ai që ka emrin në kapakët e librit nuk i kupton vetë.  Po ashtu shtëpitë botuese, gazetat e revistat, me një mori artikullshkrues mediokër, që bubërrijnë pranë tyre, të cilët rendin për t’i thurur kaq shumë lavde dhe vlerësime, duke i bërë të njohur me demonstrimin e tyre dhe reklamime publike në median e shkruar, internet dhe vizive, dhe, natyrisht  këta “talente” më vonë humbasin pa nam e nishan.  Para pak kohësh në Tiranë u botua  nga një  lidhje krijuese  një antologji poetike( që e tillë nuk ishte) si shumë nga antologjitë private dhe miqësore, që kohët e fundit janë shfaqur si këpurdhat pas shiut. Shumica e  emrave të kësaj antologjie janë të panjohur për veshin e lexuesit. Sepse shumicën e tyre nuk mund t’i quajmë poet, por thjesht vargëzues a bejtexhinj. Por edhe pse kanë botuar, nuk kanë arritur të shpalosin para nesh profile vlerash.  Edhe pse duhet pranuar se  i njohur mund të bëhesh edhe thjesht me një poezi ose libër. Këtë e kanë vërtetuar më së miri shekujt. Jehona e një poezie apo një libri vjen magjike dhe se poet apo shkrimtar (për t’u vetquajtur i tillë) nuk të bën botimi në antologji e as elozhet që bëhen nga një propogande mashtruese të x lidhje krijuese apo x autorinë rrjetet sociale internetike. Në fakt, botimet e  këtyre mediokërve janë të destinuar të përfundojnë si stogje, madje, edhe aty ku dhurohen, mbesin të palexuara. I gjejmë fatkeqësisht të shiten lirë rrugëve ose në tezga të mallit të skaduar.

Me gjithë anomalitë e theksuara, vlerat letrare të talenteve, herët apo vone, dalin në sipërfaqe, duke e gdhendur emrin në mermerin klasik të memorialit të letersisë sonë, në të gjitha gjinitë në përgjithësi, sidomos në atë të poezisë në veçanti. Një shoqëri e shëndoshë matet edhe nga fakti se sa ndihmohen e përparojnë talentet. Për rolin paraprijës që ka, arti kërkon inkurajim, evidentim dhe financim. Ndaj jo vetëm të zbulohen, afirmohen me realizëm talentet, por edhe t’u krijohen hapësirat dhe klima e nevojshme për inkurajimin dhe konsolidimin e tyre si një pikënisje përkrahëse dhe dinamike të më të aftëve në ecjen e bukur të rrugës së vështirë të artit, që në të ardhmen të bëhen vërtet një vlerë e krijimtarisë sonë letrare.