E hene, 19.08.2019, 05:29 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Plumba në breg të Jonit!

E diele, 04.08.2013, 10:00 AM


Plumba në breg të Jonit!

Nga Elvi Sidheri

Po kalojmë ditë të nxehta gushti, bën vapë, plazhet janë mbushur me gjindje të etur për ujë të kripur deti dhe rërë të pastër e rreze dielli, por sërish megjithëse më shumë se një muaj ka kaluar nga dita e zgjedhjeve, përsëri mendja si shqiptarë të mirë, aty që aty na mbetet e s’na shqitet.

Bukë e politikë siç dihet botërisht neve hamë natë e ditë (edhe kur nuk ka bukë vërtetë, politika dhe bëmat e mosbëmat e saj sërish na ngopin me lugën e zbrazur sa edhe premtimet plot), ndaj dhe asgjë të habitshme unë nuk gjej tek kjo traditë shqiptare sa herë vjen dhe kalon koha e zgjedhjeve, që me to të merremi pafund edhe me nesh, pra popullit, mes miqsh, familjarësh dhe shokësh, sikur të mos ekzistonte në këtë botë, gjë më interesante dhe e prekshme sesa politika e përditshme shqiptare, e cila prej 23 vitesh sillet dhe përdridhet në të njëjtat shina.

Ja këtë ditë në bregun e detit pak jashtë qytetit të mrekullueshëm turistik dhe historik të Vlorës së Pavarësisë, dikush shkau nga trutë dhe “provokimit” të madh që supozueshmërisht i qe bërë motrës së tij, iu përgjigj me anë të kallashnikovit të shokut, duke palosur 3 plazhistë të pafajshëm të cilët siç doli më pas, me ngjarjen (po qe se një çfarëdo ofendim apo fjalosje mashkull-femër mund të quhet e denjë për këtë emërtim dhe mbi të gjitha për atë bilanc lufte apo sulmi terrorist, si ai i para disa ditëve)...nuk kishin pasur as lidhjen më të largët.

Atë ditë kur kjo gjë ndodhi, mediat u shkulën nga ishin e nga s’ishin dhe përgjatë orëve të tëra plot ankth dhe tension të mirëkuptueshëm, i ndoqën zhvillimet drejt e nga bregu i Jonit pranë Vlorës së bukur në gropë, tërë vëmendje dhe përkorje televizive, duke përcjellë informacione të vlefshme në kohë reale për gjithë audiencën shqiptare.

Unë kur më erdhi para syve lajmi i sipërpërmendur (sa kalova televizorin në një kanal 24 orësh lajmedhënës), menjëherë përveç tronditjes së kuptueshme, erdha në dy lloj përfundimesh lidhur me arsyen përse një çmenduri e tillë (e pahasur më parë edhe në një vend për shumë aspekte jonormal si Shqipëria jonë)...të kishte ndodhur.

Pra mendova se ose bëhej fjalë për ndonjë grindje të çastit të përfunduar në atë mënyrë tejet tragjike siç qemë vërtetë dëshmitarë se ndodhi, ose se ndërkohë ishte ndonjë rast sulmi të matur kundrejt ndokujt që atë ditë shullohej nën diell, por të cilin ndokush donte t’a vriste, duke marrë sido që të jetë në qafë edhe plazhistë të rastit aty rrotull.

Mesa dukej dhe duket qartë, gjasat ishin dhe u verifikuan të flitej për versionin e parë!

Jo rastësisht ajo ishte ideja e parë që ndezi llampën në trurin tim të shokuar dhe revoltuar teksa ndiqja në ekran të vinin me rradhë njoftimet lidhur me bilancin e tmerrshëm të luftës në breg të Jonit.

Karakteri dhe mënyra e të menduarit dhe reaguarit të shqiptarit, tashmë secilit prej nesh që kemi lindur e jemi rritur apo thjeshtë mbajmë në vena dhe ADN këtë gjak dhe trashëgimi gjenetike shqiptare, na janë bërë mëse të qarta dhe të lexueshme.

Shqiptari ka si prirje më tepër të ndezurin si fije kashte ose shkrepseje, përvëlimin dhe djegien e shpejtë, pa u menduar gjatë, pa kërkuar arsye dhe mbi të gjitha ndonjë lloj arsyetimi të shëndetshëm.

Kjo lloj teorie tejet shqiptare, bën të mundur që të ndodhin edhe ngjarje të tilla të cilat tjetërkund do të ngrinin në këmbë një shoqëri të tërë, por që si rëndom, në rastin tonë specifik shqiptar, u shuan dhe ranë në harresë brenda pak ditësh “të lume”, pa u bërë ndoshta akoma varrimet e të ndjerave viktima të pafajshme të kësaj masakre të përgjakshme.

Me ardhjen e “të shtatave” të viktimave, padyshim që kjo vrasje e trefishtë do bjerë në harresën kolektive (përveç organeve gjyqësore dhe policore të cilat do të vazhdojnë të ndjekin të dyshuarin kryesor ende në arrati dhe që do të vijojnë të mbledhin prova, evidenca dhe dëshmi)...dhe do të kalojë në të njëjtin raft të memories sonë shtetërore dhe popullore, ku stivosen dhe fshihen mijëra krime të tmerrshme të ndodhura në vendin tonë qysh prej vitit 1992 kur demokracia përfundimisht triumfoi si sistem në Shqipëri.

Vetë kam folur para disa muajsh për dikë që “hoqi qafe” si pa gjë të birin dhe nusen e tij të huaj, ose për dhunën e vazhdueshme dhe të pashërueshme ndaj gruas dhe femrës në përgjithësi në Shqipëri, apo po ashtu për seleksionin tejet anti-natyror shqiptar, i cili përcakton me dhunë vendimi çnjerëzor, se cila foshnje ende e paformuar brenda barkut të nënës, duhet të lindi, pra domosdo një mashkull (që pastaj babatë shqiptarë mundësisht të marrin kallashnikovin dhe të dalin në oborr a ballkon e të qëllojnë në ajër, ashtu sa për të vrarë me plumb të verbër ndonjë të gjorë që i bie fati i keq t’a ketë rrugën nga ato anë ku po festohet “plumbshëm” një eveniment i tillë).

Kur të tilla gjëra të kobshme ndodhin, për to flitet disa kohë, ndonjë ditë, ka syresh që edhe gjejnë guximin që qoftë edhe pak veta, të protestojnë përpara ndonjë ministrie a diku në ndonjë shesh.

Ka emisione të respektueshme ku për këto ngjarje edhe flitet, diskutohet dhe kërkohen zgjidhje (nëse janë të mundura) optimale për këtë kancer që ndër të tjera, e gërryen shoqërinë tonë bashkë më shumë infeksione të tjera, ditë pas dite përherë e më tepër.

Ndryshimi vjen edhe kështu, dalëngadalë, qoftë edhe nga një grup i vogël njerëzish jo të iluminuar, pra të ndriçuar nga mendja dhe arsyeja, por të ndërgjegjësuar për atë që i kanoset këtij vendi dhe kësaj shoqërie në qoftë se këtyre fenomeneve nuk i vihet fre!

Çdo ndryshim i vërtetë që ka shkundur rrënjët e së keqes në botë, ka lindur dhe është fermentuar brenda një grupi të vogël njerëzish, midis për shembull një grupi dishepujsh (të dymbëdhjetët e Jezusit për shembull, etërit themelues të kombit amerikan Jefferson, Franklin dhe Washington, rilindasit tanë të mëdhenj etj), prandaj numri i atyre që ngrenë zërin kundër tiranisë së krimit, injorancës edukative dhe fushatës natyrale anti-femër e familje-shkatërruese që ka lëshuar rrënjë në Shqipëri, nuk është kurrësesi më i rëndësishëm sesa idetë e tyre të cilat sidoqoftë nuk ka dyshim që janë të afta të thyejnë një ditë murin e shurdhërisë shqiptare kundrejt të tillave fenomene dhe shfaqje aspak të denja për një popull me origjinë të lashtë dhe histori të vjetër siç pretendojmë dhe jemi faktikisht ne.

Ngjarja e Vlorës ishte një atentat terrorist me nuanca shqiptare!

Sepse për fat neve ende nuk kemi ardhur (dhe mos arritshim kurrë në atë pikë) në gjendjen e atentateve të mirëfillta të atij lloji.

Por ajo që ndodhi ishte një atentat i llojit tonë specifik, sepse moskurimi i simptomave të përhapjes së tentakulave të krimit brenda shoqërisë sonë, mosluftimi si dhe me mjetet dhe kundërmasat e duhura, të krimit që ka tejshkuar çdo por të shoqërisë sonë, na shpuri të gjithë së bashku, deri tek një akt i tillë i padëgjuar.

As në vitin e nëmur 97-ë, kur çfarë nuk ndodhi, kur çdo gjëmë e paimagjinueshme mori jetë, sërish askush nuk mori armën për të vrarë njerëz plazheve tona.

Ka pasur në Shqipëri kontestime politike, kryengritje të armatosura, atentate të shumëllojshme, vrasje, vetëvrasje, djegie, sulme, prindër që hedhin fëmijët nga dritarja, fëmijë që vrasin të afërmit e tyre për asgjë, fqinjë që i bien në kosë apo sëpatë fqinjit për një kanal ujitës (aman mos i thoni më “vaditës” se ujin nuk e quajmë “voda” në shqip).

Por kjo që pamë para ca ditësh bregut të mrekullueshëm të Jonit, asetit tonë më vyer turistik (që bashkë më trashëgiminë kulturore, po s’e rrënoi kush dhe malet tona të virgjëra, do të jenë burimi i bukës sonë të përditshme në të ardhmen, po qe se ndonjëherë turistët perëndimorë dhe botërorë do t’a zbulojnë dhe frekuentojnë vërtetë Shqipërinë e cila nuk do të kapet më pas bishtit të të ashtëquajturit “turizëm patriotik”), kjo pra ishte një formë atentati terrorist, në mënyrën sesi u ekzekutua krimi dhe në shkaqet e tij haluçinante.

Dikush mori në duar armën dhe e shkrehu atë drejt një grumbulli pushuesish të vaposur, që ishin në punë të tyre dhe faji i tyre i vetëm vdekëtar, ishte se ata gjendeshin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar!

Tre të pafajshëm humbën kështu jetën.

Çfarë ndryshimi ka kjo me ndokënd që në Lindje të Mesme hyn brenda lokalit i mbushur me lëndë eksplozive dhe hedh në erë veten bashkë me këdo që i ka rënë fati të shpërthejë bashkë me atentatorin?

Apo me dikë tjetër që diku në Perëndimin e kulturuar dhe qytetëruar, merr pushkë, automatiqe, granata dhe bën kërdinë në ndonjë shkollë, universitet apo ishull plot pushues apo të rinj, si në Norvegji para disa kohësh?

Ndryshimi është se kur të tilla gjëra ndodhin sidomos në Perëndim, për to flitet edhe pas disa vitesh, gjyqet ndaj atentatorëve janë domen publik, ligjet ndërrohen dhe përforcohen, vrimat në sistemin ligjor dhe të sigurisë mbyllen ose taposen dhe iniciativa të reja ndërmerren sidoqoftë.

Ne flemë, shënojmë në bllokun mortor shqiptar edhe viktimat e rradhës dhe të nesërmen ikim në plazh (se verë është)...si zakonisht pa e vrarë fare mendjen.

Na lumtë vërtetë!!!

Pra ky është “terrorizëm” kriminal dhe asgjë më pak!

Ne nuk jemi fare popull me prirje terrorizmi të mirëfilltë nga ai model 11 shtatori 2001, por ajo që ndodh përditë në plazhet tona, brenda familjeve tona apo kundër grave, femrave, nënave dhe vajzave tona, është terrorizëm që origjinon nga një mentalitet shtazëror dhe mungesë frike ndaj ligjit, që shpie më pas deri në akte të tilla.

Krimi që ka marrë dhe merr akoma kaq shumë jetë shqiptarësh sa ç’nuk do të kishte marrë as një luftë prej vërteti, tashmë ka ngritur krye aq shumë, sa shfaqjet e efekteve të tij, bëhen aq të përgjakshme dhe të tmerrshme, sa edhe në ngjarjen e fundit në breg të Jonit pranë qytetit të bukur të Vlorës.

Shqiptarët mjaft janë terrorizuar nga pushtues, diktatura të marra si ajo komuniste, politikanë të papërgjegjshëm etj, të gjejmë një mënyrë që së paku marrëzinë tonë tipike, t’a frenojmë, kurojmë dhe mundësisht edhe t’a ndalim një ditë, përpara se ajo të na shfarosë si popull!

Ky është tipi i terrorizmit që na kërcënohet ne përditë, atë dhe simptomat e tij të përgjakshme duhet të luftojmë me çfarëdo mjeti.

Nga shfaqjet e tjera të terrorizmit global, ka kush të na mbrojë, ka një arsye që qëndrojmë në anën perëndimore të Europës dhe jo vetëm, por as aleatët tanë amerikanë apo NATO e BE-ja, nuk mund të vijnë e të na zgjidhin problemin tonë jetësor me mendësinë malore, izoluese dhe prapanike shqiptare që nuk njeh ligj, familje, grua apo fëmijë dhe të pafajshëm, sa herë dikujt i prishet qejfi apo kur automatiku dhe plumbat e tij, janë zgjidhja më e shpejtë dhe efikase.

Ditën kur ligji do të ketë forcën dhe zbatimin e duhur, kur kallashnikovi do të mbetet në histori si çmenduri enveriane dhe kriminale, atëherë edhe Shqipëria do të bëhet vërtetë një vend normal!



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT