E enjte, 28.03.2024, 10:58 AM (GMT)

Kulturë

Timo Flloko: Larg teatrit, s’ka drama me vlera

E hene, 19.05.2008, 07:48 PM


Timo Flloko
Nga Oliverta Lila

Nën petkat e Edi Karbones, Timo Flloko ka rrëmbyer trofeun e “Apollon ‘08". Edicioni i shtatë i Festivalit Mbarëkombëtar të Aktrimit, mbështetur nga MTKRS dhe Bashkia e Fierit, ka ulur siparin. “Ky çmim është i rëndësishëm sepse e mora në teatër”, shprehet Flloko, i vlerësuar si aktori më i mirë i këtij edicioni. Roli i emigrantit italian të Artur Miller, vënë në skenë nga Albert Minga, është përmbyllur me një çmim në Festivalin e Fierit. Timo Flloko shihet rrallë në teatër. Kohët e fundit edhe në film. Mungesa e një dramaturgjie profesioniste për të është shkaku i vetëm i këtij distancimi. Ai flet me nota kritike për prurjet, të cilat i krijojnë mëdyshje para një roli. Më mirë rrallë e për mall, shprehet aktori që megjithatë ruan dëshirën që një ditë të realizojë një film me skenar e regjisor të mirë.

Jeni vlerësuar si aktori më i mirë në “Apollon ‘08". Çfarë domethënie ka për ju ky çmim?

Është një çmim i rëndësishëm sepse jepet në një Festival Mbarëkombëtar të Aktrimit dhe kam marrë një çmim në teatër. Kjo më ka motivuar dhe ndjehem i çliruar nga barra e përgjegjësisë pas maratonës së këtyre shfaqjeve që kemi dhënë nga Tirana, Vlora, Korça dhe Fieri ku u kurorëzua si aktivitet. Është një klimaks i këtij procesi të lodhshëm dhe frytdhënës
.
Mendoni se ky është roli juaj më i mirë?

Unë nuk kam bërë shumë role në teatër. Kjo jo se nuk kam qëndruar pranë teatrit(unë jam pedagog në Akademinë e Arteve dhe fillimet e mia të karrierës kanë qenë në Teatrin e Rinisë së Kujtim Spahivoglit me shfaqje të tilla si “Shok i klasës tonë”, “Midis dy njerëzve”, “Babai” dhe me shfaqjet e fundit pas viteve 2000), por sepse dhe repertori nuk ka qenë interesant nëpër vite. Ka qenë një dramaturgji thuajse pa vlera artistike e profesionalisht e dobët. Kështu që më ka tërhequr më shumë filmi. Megjithatë e kam dashur përherë teatrin. Është përpunues i mjeshtërisë së aktorit dhe e rrit si profesionist. Në këtë sens them që kam bërë mirë që këtë kohë kam luajtur në teatër. Nuk është luks. Është padyshim një përpjekje e madhe, e mundimshme por që të jep kënaqësi. Duhet të falënderoj regjisorët për këtë, në rastin konkret Albert Mingën, që më angazhoi si Edi Karbone.
 
Keni bërë një rrugëtim prej disa shfaqjesh me këtë personazh. Si ka ndryshuar ai brenda jush?

Nuk do të them që unë jam ai Edi ideal, edhe pse publiku më mirëpret. Secili aktor ka prerjen e vet. Këtë rol mund ta bëjnë shumë mirë dhe aktorë të tjerë. Më takoi mua që ta luaj. Suksesi nuk është thjesht i Timo Fllokos. Është dramaturgjia e fortë e Artur Miller dhe regjisorët duhet t’i kthejnë sytë nga autorët e mëdhenj. Aty është vërtetësia e vlerave profesionale, emocionale. Është sukses i gjithë ansamblit që mori pjesë në këtë shfaqje që tashmë e ka merituar simpatinë e publikut artdashës.

Pak më lart përmendët repertor e dramaturgji pa vlera. Do të thotë që prezenca juaj në teatër do të kushtëzohet nga kjo?

Nuk e di. Unë futem me shumë rezervë nëpër projekte teatri. Duke mos luajtur vazhdimisht kam mundësi që të zgjedh. Sigurisht kur kam propozime nga regjisorët. Dua që të luaj teatër, por jo shumë shpesh.

Kjo distancë a nuk të largon edhe nga konkurrenca...?

Nuk mendoj se ka ndonjë largim apo mënjanim të projekteve që mund të jenë në teatër. Aktori është gjithnjë në një pritje aktive se çfarë do t’i ofrojnë regjisorët. Në këtë kuptim mund të duket si distancë. Por kjo ndodh edhe sepse nuk bëhen shumë projekte. Duke qenë pedagog në Akademinë e Arteve jam elektron i lirë nga angazhimet detyruese në teatër dhe kam privilegje të zgjedh. Kur më pëlqen i futem një projekti. Kur ndeshem me një gjë të vështirë kam dyshimet e mia, por te e vështira qëndron dhe përfitimi.

Çfarë fshihet pas kësaj mëdyshjeje?

Nuk fshihet gjë. Nuk i trembem teatrit, por them rrallë e për mall. Kur je i pa konsumuar ke dhe çfarë t’i thuash spektatorit. Edi Karbonen e kam pëlqyer si karakter, ashtu siç mund të kem disa karaktere personazhesh që do të doja ose do të kisha dashur t’i luaja, por kam pasur dyshime të konsiderueshme të mia. Në shumë drejtime jam përpjekur të fitoj betejën me Edi Karbonen. Më ka ndihmuar kërkesa e regjisorit Minga për t’i bërë një trajtim realist dramës psikologjike e pasionale të Edi Karbones. Kjo më ka interesuar më shumë se trajtimi i veçorive të jashtme të një dokeri emigrant gjysmë shekulli më parë. Jeta, labirintet shpirtërore të Edi Karbones, ajo çka ai ndjen ndaj humbjes së fuqisë dhe impaktit që ai ka mbi mbesën e gruas, humbja e pushtetit shpirtëror që e kthen jo vetëm të dyzuar, por dhe natyrë absurde. Gjërat që ai bën drejtohen nga inkoshienta dhe këtë e bën atë interesant.
 
Edi Karbone ka frikë të humbasë. Nga çfarë ka frikë Timo Flloko?
 
Realisht kam bërë një luftë e përpjekje të madhe që ta fitoj shfaqjen e parë të rolit. Edhe pse me lëkundje të ndjeshme gjatë procesit të punës(kjo më karakterizon dhe është e natyrshme që duke luajtur rrallë vetvetiu humb ndonjëherë edhe drejtpeshimin), por e kam kompensuar me një punë të madhe që të siguroj qetësinë dhe procesin normal të koncentrimit psikologjik të karakterit të Edi Karbones. Bëra atë gjë që duhet të bëjë një boksier që ndeshet me kundërshtarin. E kam këtë frikë krijuese, jo patologjike. Në këtë kundërshti me besimin, ky i fundit i merr gjithnjë e më shumë territor frikës në sajë të një pune të bërë pa hile.

Një nga emrat e lakuar për këtë çmim ishte dhe aktori kosovar Çun Lajçi. Sa e njihni aktrimin e tij?

Çunin e kam parë në teatër. Është aktor dramatik me një profil të veçantë aktorial, karakteristikë për nga të dhënat fizike dhe vokale. Them se është aktor i mirë dhe emocional. Kjo është ajo që njoh, nuk e pashë shfaqjen sepse ne erdhëm ditën e fundit të festivalit. Megjithatë më thanë fjalë shumë të mira dhe çmimi që iu dha nga juria e tregon këtë.

Kohët e fundit i keni munguar edhe filmit. Si i shihni prurjet e skenarëve?

Situata për skenarët është akoma më keq sepse edhe xhirohet pak. Pak projekte kanë fuqinë të fitojnë, buxhetet nuk janë kush e di se çfarë. Por e rëndësishme është që bëhen. Një film si “Vdekja e kalit” apo “Parrullat” që janë bërë pas viteve ’90, mbeten kur janë realizuar mirë. Të tjerat shuhen. E rëndësishme është të këtë mundësi të konsumohet vlera artistike nga spektatori. Sot publiku është më afër teatrit, sepse është bërë më dinamik se filmi. Dikur krijoheshin 14 filma dhe viheshin më pak premiera. Sot ndodh e kundërta. Nga ana tjetër kjo është pozitive për të rinjtë, sepse nuk ka kush t’i zbulojë nëse nuk do të vihen në provë.
 
Meqenëse jemi tek të rinjtë, si i shihni ata krahasuar me brezin tuaj në të njëjtën moshë?

Ne gjithnjë kemi paragjykime që shkojnë deri në konservative kur themi se brezi ynë ka qenë shumë i talentuar e i përkushtuar. Kjo është shumë relative. Çdo brez ka të vetat. Sot janë më të avancuar. Ndoshta jo aq klasik sa ne, sepse mundësitë kanë qenë të tjera dhe masmedia e ka demokratizuar më shumë informacionin. Ne kishim më shumë librin. Atëherë ishte vetëm një televizion dhe gjërat ishin të kufizuara, dhe do t’i referoheshe librit dhe ëndrrën do ta kisha brenda atij cirkuiti që të lejonte dhe territori jo vetëm gjeografik, por dhe mental i jetës shqiptare. Sot të rinjtë provojnë, kanë mundësi, kanë ekonomi tregu, por në kuptimin tjetër është shumë e vështirë se veçanërisht në film. Unë jam afirmuar si aktor kinemaje dhe kam qenë me fat që kam pasur mundësi të luaj në filma. Shumë pak talente angazhohen. Por e rëndësishme është që filmi nuk është ndalur, ka mbijetuar.

Si e shihni në të ardhmen?

Filmi te ne kurrë nuk do të kthehet në industri, siç ndodh në Amerikë. Por nuk do të zhduket. Do të vijë koha që do të prodhohen numër më shumë.
 
Keni nostalgji për rolet e para?

Çdo gjë që lidhet me jetën e njeriut ngjall nostalgji e kujtime. Edhe atëherë ka pasur vlera dhe filma të realizuar profesionalisht. Një pjesë kineastësh kanë studiuar në shkolla të huaja dhe pse teknika ka qenë e konsumuar. Sot niveli teknik është rritur, por ka probleme të tjera.
 
Çfarë ndjesish të pashfaqura apo merake keni ju?

Nuk kam ndonjë merak të madh, por kam përherë dëshirë që kur ka diçka që më intrigon, t’i futem dhe të kem mundësi që t’i komunikoj spektatorit një mesazh përmes përjetimeve të mia profesionale në film apo teatër. Do të doja të bëja një film me një skenar dhe regjisor të mirë. Kjo gjë sa duket e pamundur, ndodh që ta sjellë fati. Sukseset që mbërrin një aktor gjithnjë janë të lidhura dhe me fatin. Ky çmim që mora, është i lidhur me faktin që unë pata fat ta luaja Edi Karbonen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora