Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Deo Graciani: Intervistë me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha

| E shtune, 27.07.2013, 06:05 PM |


Intervistë me kryetarin e sapoemëruar të PD-së, Lulzim Basha

Humor Politik

Nga Deo Graciani

Gazetari: Cili është mesazhi juaj për publikun pas emërimit tuaj si kryetar i ri i PD-së?

Basha:   Nuk jam emëruar por jam zgjedhur me anë të sistemit 2 anëtarë një votë.

Gazetari:      2 anëtarë një vote? Po Berisha deklaroi që sistemi i përdorur ishte një anëtar një votë. Pse e ndryshuat sistemin?

Basha:    E ndryshuam sepse një në dy anëtarë nuk e gjente dot emrin në listë. Prandaj bëmë që dy anëtarë të binin dakord se për cilin do votonin. U votua dy e nga dy. Mosgjetja e emrave në listë nuk ndodhi për fajin tonë, por për fajin e tyre sepse disa mijëra qytetarë erdhën të regjistroheshin në momentin e fundit, ndërsa disa mijëra të tjerë kishin harruar të rinovonin kartat e anëtarësimit.

Gazetari: Si është e mundur që mijëra qytetarë paskan dashur të regjistrohen si anëtarë të një partie që u mund keqas në zgjedhje? Si e shpjegoni këtë fenomen?

Basha:    Nuk e shpjegoj dot. Asnjeri nuk e shpjegon dot. Ndoshta ka të bëjë me figurën karizmatike të Berishës, i cili sa herë që hap gojën, i bën njerëzit për vete dhe e magjeps publikun.

Gazetari:      E kuptuam. Atëherë cili është mesazhi juaj për votuesit dhe anëtarët e partisë demokratike pas zgjedhjeve të brendshme në PD?

Basha:    I falënderoj nga zemra anëtarët e partisë demokratike, sidomos ata që deshën të votonin por nuk arritën të votonin. Megjithëse nuk i gjetën emrat në listë prapëseprapë u përpoqën brenda hapësirave ligjore që të votonin. Përpjekja ka më shumë rëndësi se rezultati, dhe këta anëtarë me këmbënguljen e tyre për të gjetur emrat në listë treguan edhe një herë frymën e vetëmohimit që e ka karakterizuar gjithmonë partinë demokratike dhe anëtarët e saj. Lavdi përpjekjeve të tyre për të votuar!

Gazetari:      Rivali juaj Olldashi, deklaroi se procesi i votimit brenda partisë ishte i manipuluar dhe i deformuar. Ai u shpreh se listat ishin plot parregullsi. Më pas edhe nënkryetari i PD-së Astrit Patozi u shpreh se zgjedhja juaj si kryetar ishte paracaktuar dhe procesi i votimit ishte i pakuptimtë. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?

Basha:   Fillimisht më duhet të them se këto nuk janë akuza por opinione. Janë pjesë e lirisë së mendimit dhe veprimit brenda partisë sonë. Unë përkundrazi, jo vetëm që nuk i mbaj mëri rivalit tim Olldashi, dhe as koleut tim Astrit Patozi për këto deklarata, por i përgëzoj ata, sepse folën haptazi, ashtu siç u ka hije demokratëve të vërtetë. Ata u shprehën se ka patur manipulime dhe deformime në procesin zgjedhor brenda partisë demokratike. Kjo është një shenjë e qartë që tregon transparencën e plotë në parti, dhe gjithashtu tregon përpara së gjithash respektimin e opinioneve dhe mendimeve të çdo anëtari. Ne, edhe kur manipulojmë apo vjedhim votën, e kemi guximin dhe e bëjmë haptazi. Nuk fshihemi skutave dhe ferrave duke u bërë njerëzve presione me paratë e krimit siç bëri koalicioni i majtë, që bleu e shiti vota në fshehtësi të plotë. Ne gjithçka që bëjmë, e bëjmë në dritën e diellit, sepse jemi partia që solli diellin mbi natën e diktaturës komuniste.

Jemi ne që udhëhoqëm revolucionin antikomunist në vitet 90-të, kur Rama akoma nuk kishte lindur.

Jemi ne që me vizionin tonë e drejtuam Shqipërinë nga Evropa, dhe e shpëtuam ekonominë kur Nanoja e kishte fundosur atë.

Jemi ne që mundësuam liberalizimin e vizave, dhe bëmë gjithçka që t’i nisnim me qindra mijëra shqiptarë drejt Evropës për një jetë më të mirë atje, sepse mendonim gjithmonë për të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre. Nuk donim që familjet të mbeteshin të ndara, disa këtej e disa andej, por u përpoqëm maksimalisht që të gjithë të bashkoheshin andej në Evropë.

Jemi ne që filluam negociatat për të sjellur për herë të dytë në Shqipëri eshtrat e Ismail Qemalit.

Jemi ne që për arsye turistike, të paktën 2-3 herë në vit e kthyem Shkodrën në një Venecia të dytë për të thithur turizmin dhe nxitur peshkimin edhe në brendësi të qytetit, në zona ku nuk ishte peshkuar më parë.

Ishim ne që e futëm vendin në NATO dhe së bashku me aletatët tanë çliruam Irakun e Afganistanin, e shumë shtete të tjera duke sjellur demokracinë në vendet që akoma ndodheshin nën diktatura komuniste.

Ishim ne që eksperimentuam dhe arritëm mrekullinë e rritjes ekonomike duke përdorur formulën e suksesshme më pak punë dhe më shumë lekë. Megjithëse papunësia u rrit, edhe ekonomia u rrit paralelisht, një fenomen që nuk kishte ndodhur më parë në asnjë vend të botës. Në këtë sistem të suksesshëm ekonomik, megjithëse shumë njerëz punonin pak ose aspak, ekonomia vazhdonte të rritej. Shumë ekonomistë nga e gjithë bota, na u lutën që ta bënim publike çelësin e këtij suksesi por ne nuk e treguam, sepse e drejta e autorësisë së këtij zbulimi në fushën ekonomike-financiare na përket vetëm neve si parti demokratike. As qeverisë së re nuk ia tregojmë. Le të lodhet aleanca e majtë duke punuar ditë e natë për mbarëvajtjen e ekonomisë. E kemi ne dhe vetëm ne çelësin e suksesit ekonomik.

Ne ishim ata që nuk e dorëzuam shtetin kur grupet e armatosura sulmuan qeverinë me 21 Janar, me armë, tanke dhe aeroplanë luftarakë, madje u përdorën edhe stilolapsa me helm dhe çadra raketahedhëse, por ne nuk u frikësuam, sepse u mbështetëm tek NATO.

Ishim ne që i dhamë një pjesë të detit Greqisë, në mënyrë që qytetarët të laheshin më pranë bregut, duke ulur kështu numrin e mbytjeve gjatë sezonit turistik.

Gazetari: Nuk ju pyetëm për arritjet por parregullsitë e listave të anëtarëve të PD-së.

Basha:   Çrregullimet me listat e anëtarëve të partisë demokratike siç e thashë edhe më lart ndodhën sepse 2-3 javë pas zgjedhjeve parlamentare pati një dyndje të madhe të qytetarëve për t’u bërë anëtarë të partisë demokratike. Ky numër i madh kërkesash nuk u përballua dot nga regjistruesit dhe prandaj lindën edhe problemet me listat. Disa mijëra emra, nga shpejtësia dhe intensiteti i procesit të regjistrimit nuk janë shkruar ashtu siç duhet.

Gazetari: Si është e mundur që Shqipëria edhe pas këtyre 8 viteve ka mbetur vendi me qeverinë më të korruptuar në Evropë?

Basha:    Kjo e ka një shpjegim. Kur ne erdhëm në pushtet, e gjetëm vendin të zhytur plotësisht në korrupsion. Qeveria e Fatos Nanos e kishte përhapur korrupsionin në çdo qelizë të shoqërisë. Ne, menjëherë i shpallëm luftë korrupsionit. Pas 8 vitesh luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, arritëm ta kufizonim korrupsionim vetëm tek qeveria dhe e çliruam qytetarin nga kjo peshë e panevojshme që rëndonte në jetën e tij. Në mandatin e tretë të cilin fatkeqësisht nuk e fituam, ne kishim hartuar planin e zhdukjes përfundimtare të korrupsionit edhe në rradhët e qeverisë. Gjatë dy mandateve të mëparshme ne luftuam dhe arritëm që ta zhduknim korrupsionin nga shoqëria dhe prandaj nuk patëm kohë të merreshim me korrupsionin në qeveri. Këtë e kishim planifikuar ta bënim gjatë mandatit të tretë.

Gazetari: Keni thënë se do t’i mbroni të gjithë punonjësit e administratës shtetërore që mund të  largohen nga puna me ardhjen e qeverisë së re.  A do t’i mbroni vërtet?

Basha:    Sigurisht që po. Do t’i mbrojmë me çdo mjet të drejtat e tyre nëse pushohen   padrejtësisht nga puna.

Gazetari: Pse nuk i mbrojtët të drejtat e punonjësve të bashkisë që u pushuan nga puna, kur u bëtë kryetar bashkie?

Basha:    Kjo është pyetje e pakuptimtë. Si mund t’i mbroja, kur isha unë që i pushova nga puna!

Gazetari: Po pse i larguat të gjithë punonjësit kur u zgjodhët kryetar bashkie?

Basha:     Po sepse ndryshoi administrata dhe kur ndryshon një administratë punonjësit e administratës së mëparshme duhet të largohen automatikisht.

Gazetari: Po atëherë, pse nuk duhet që edhe qeveria e re të veprojë ashtu si ju?

Basha:    Për disa arsye. E para, që nga viti 2011 të drejtat e njeriut kanë evoluar edhe më tej. Në kohët e kaluara njerëzit kanë gëzuar më pak të drejta se sot. Edhe Shqipëria ka evoluar që nga viti 2011. Sot jemi në vitin 2013 dhe shqiptarët gëzojnë më shumë të drejta se ç’gëzonin 2 vite më përpara. E dyta, pushteti vendor nuk është qeveria. Administrata vendore nuk e ka peshën e administratës shtetërore. Pra janë dy gjëra krejt ndryshe, janë dy standarte të ndryshme. E treta, qeveria do të humbasë shumë kohë për të gjetur zëvendësuesit. Ne, punonjësit e administrates i kemi kemi marrë në punë me anë të njohjeve dhe jo me meritë. Do të kishim shpenzuar shumë kohë sikur të bënim konkurse dhe intervista për të parë kush është më i aftë se tjetri. Pra, faktori kohë është shumë i rëndësishëm. E katërta, edhe nëse kërkojnë vështirë se do gjejnë njerëzit e duhur. Mos të harrojmë se 57% e të rinjve janë analfabetë funksionalë. Kurse pjesa tjetër janë emigrantë. Pra ku do i gjesh punonjësit nëse i largon këta që ke!

Gazetari: Si është e mundur që arsimin e katandisët në këtë pikë, dhe sot 57% e të rinjve janë analfabetë?

Basha:    Nuk jemi ne që e kemi katandisur në këtë nivel arsimin. Ne nuk e kemi prekur arsimin, nuk jemi marrë fare me të, kështu e gjetëm dhe kështu e lamë. S’kishim kohë të merreshim me arsimin sepse jemi marrë me ndërtimin e rrugëve dhe kanalizimeve. Pse përpiqeni të na e hidhni fajin për gjithçka!

Gazetari: Tani që do jeni në opozitë, çfarë veprimesh politike do ndërmerrni në parlament?

Basha:    Nuk e di, këtë e di kryetari, Sali Berisha.

Gazetari:      Si e di kryetari? A nuk u zgjodhët ju kryetar i ri i PD-së?

Basha:    Ah po, keni të drejtë, sapo u zgjodha kryetar. Më kishte dalur fare nga mendja. Jemi kaq të ngarkuar me punë saqë nganjëherë harrojmë edhe pozicionet që kemi. A mund të ma përsërisni pyetjen?

Gazetari:      Tani që do jeni në opozitë, çfarë veprimesh politike do ndërmerrni në parlament?

Basha:    Si kryetar i PD-së dhe deputet i parlamentit shqiptar…

Gazetari:      Më falni por ju nuk jeni deputet.

Basha:    Nuk ka problem, do bëhem edhe deputet. Do mbledh kryesinë e partisë, dhe do bëjmë një zëvendësim. Një nga deputetët e zgjedhur do të më zëvendësojë mua si kryetar bashkie dhe unë pastaj do bëhem deputet. Madje e kam një ide se cili deputet mund të më zëvendësojë mua si kryetar bashkie.

Gazetari:      Për cilin e keni fjalën?

Basha:    Për kryeheroin tonë kombëtar, prijësin historik të demokracisë dhe politikanin e ndritur, Sali Berisha.

Gazetari:      Pse pikërisht Berisha?

Basha:    Sepse gjithmonë e ka patur endërr të bëhej kryetar bashkie. Ka qenë president dhe kryeministër por nuk ka qenë asnjëherë kryetar bashkie, dhe prandaj le ta provojë edhe këtë post. Ai edhe në mbledhjet e PD-së gjithmonë shprehet se po të ishte kryetar bashkie i Tiranës, brenda një kohe të shkurtër Tirana do të lulëzonte siç lulëzon sot qyteti Detroit në Amerikë.

Gazetari:      Pyetja e fundit e kësaj interviste. Meqënëse deklaruat pak më parë se në partinë demokratike gjithçka thuhet dhe bëhet haptas në dritën e diellit, me guxim dhe transparencë, atëherë po ju pyes, a ka bërë partia demokratike manipulime në zgjedhjet e 23 Qershorit?

Basha:    Po kemi bërë manipulime, por në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit këto manipulime kanë qenë më të vogla se ato të zgjedhjeve parlamentare 2009 dhe atyre vendore 2011. Ka disa arsye. Në vitin 2009 dhe 2011 arka e shtetit kishte akoma ca lekë brenda dhe ne e boshatisëm plotësisht për të manipuluar ato zgjedhje, ndërsa zgjedhjet e 23 Qershorit e gjetën arkën bosh. Edhe ato pak para që arritëm të mblidhnim, ishin nga kontributi i anëtarëve të PD-së. Meqenëse shuma e lekëve ishte e vogël, vendosëm ta përdorim për të blerë vota vetëm në disa zona të caktuara, ku menduam se humbja e PD-së mund të ishte më e madhe. Votat i blemë me lekë dhe ushqime. Por u befasuam nga ajo që ndodhi.

Gazetari:      Çfarë ndodhi?

Basha:    Ndodhi ajo që nuk ishte parashikuar. Edhe ata qytetarë që i pranuan lekët dhe ushqimet tona nuk na e dhanë votën. Nuk e kuptoj sjelljen e tyre. Këta qytetarë na e vodhën votën megjithëse ne u dhamë lekët në këmbim të votës. Kjo është paturpësi.

Gazetari:      Do i hidhni në gjyq dhe do u kërkoni kthimin e lekëve? Si do veproni?

Basha:    Nuk e bëjmë dot sepse shpërndarësit e lekëve dhe ushqimeve nuk kanë mbajtur një listë me emrat e personave dhe meqenëse numri i tyre është i madh, është e pamundur të mbahen mend pa listë dhe emra. Mend për herë tjetër.

Por diçka dua t’u them atyre qytetarëve që votuan kundër Berishës. Pas katër vitesh do ta kërkoni Berishën por ndoshta nuk do ta gjeni. Sot ai është në kulmin e energjisë, dhe të gjithë e keni parë sesi i thyen rekordet, ndërsa pas katër vitesh ai mund të mos ketë takatin që ka sot. Ai kishte parashikuar të bënte mrekulli ekonomike për Shqipërinë dhe shqiptarët në mandatin e tretë. Por ne si demokratë, edhe pse në opozitë, jemi të bashkuar si shkëmb graniti rreth partisë dhe Sali Berishës, të vendosur për ta rikthyer partinë demokratike në udhëheqje të projektit tonë historik, Shqipërisë moderne, të zhvilluar dhe evropiane!