E premte, 19.04.2024, 03:46 PM (GMT+1)

Mendime

Ismail Kadare: Fenomeni Kosove

E hene, 19.05.2008, 10:11 PM


Ismail Kadare
Fenomeni Kosove

Nga Ismail Kadare

Më 17 shkurt të vitit 2008, një shtet i ri u shtua në hartën e Evropës: Kosova. Krijimi i një shteti të ri mund të përbënte një lajm të rrallë dikur, por jo në kohën tonë. Pas Luftës së Dytë Botërore pati kaq shumë shpallje shtetesh saqë ngjarja u bë e rëndomtë. Sot ka rreth 200 të tilla. Megjithatë duhet thënë se në mbrëmjen e 17 shkurtit lajmi i shpalljes së shtetit të Kosovës, krijoi kudo në Evropë një elektrizim që kapërcente përmasat e ngjarjes. Shpjegimi duhet kërkuar përtej kushtëzimeve me zanafillë politike, fetare ose gjeostrategjike. Ai ka lidhje me diçka më të thellë, me thelbin e historisë së njerëzimit.

Drama e Kosovës më 1999 tregoi se kulti i lirisë, që njerëzimi e kishte krijuar aq mundimshëm gjatë tre mijëvjeçarëve të fundit, ishte pasuruar, më në fund, me një bërthamë të re: mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për këto të drejta ishte folur edhe më parë, por asnjëherë nuk ishte bërë luftë për to. Dhe aq më pak nuk ishte përfytyruar që, për shkak të tyre të bombardohej një shtet mu në mes të Evropës.

Ishte ky moment i madh kur Kosova doli nga radha e rëndomtë e ngjarjeve, për të marrë tiparet e fenomenit. Një qokë (referencë), një shenjë e re u shfaq në histori: mund të bëhet luftë jo veç për interesa pragmatike, për naftë, për porte detare, për gjeopolitikë, por edhe për parime morale.

Në skenën botërore të ngjarjeve, drama e Kosovës u gjend në kohën e duhur. Natyrisht si çdo fenomen i ri, Kosova do të krijonte ndarje, opinione të kundërta, nervozizëm. Ato kanë nisur vite më parë, qysh kur u shtrua çështja e ndëshkimit të Serbisë. Të bombardohej një shtet sovran anëtar i OKB-së? Aq më tepër të ndëshkohej për shkak të shqiptarëve, një kombi me shumicë jo të krishterë, që propaganda serbe e stigmatizonte si trup i huaj midis Evropës?

Për fat të mirë, Evropa, SHBA, Aleanca Atlantike u besuan fakteve dhe viktimave. Shqiptarët nuk luftonin as për fe, as kundër qytetërimit të krishterë evropian, por vetëm për lirinë dhe të drejtat. Ata ishin evropianë, si gjithë të tjerët, por zëri i tyre, në kundërshtim me propagandën e kundërshtarit ishte i dobët. Megjithatë e vërteta triumfoi. Perëndimi, NATO e hodhën hapin e madh: ndëshkimin e krimit.

Kosova është një fenomen në zhvillim. Dhjetë vite pas bombardimit, vazhdon përpjekja për balancimin e krimeve, për krijimin e një lloj simetrie midis xhelatëve dhe viktimave. Hezitimi për njohjen e shtetit të ri e dëshmon këtë.

Të gjithë e kuptojnë se nuk ka kthim për Kosovën. Ndërkaq, ndërsa të gjithë e pranojnë se Ballkani i vjetër ngatërrestar duhet të paqësohet, për mënyrën e paqësimit mendimet ndahen. Për disa ndarja me të shkuarën nëpërmjet mbylljes së dosjes së krimeve është zgjidhja më e mirë. Për të tjerët është e kundërta, jo mbulimi, por nxjerrja gjer në fund e së vërtetës, sado e lemerishme të jetë ajo, është mënyra e vetme e shëndetshme për t‘u ndarë me të shkuarën. Është thënë disa herë, por duhet përsëritur se antikiteti grek u bë i aftë për të qenë baza e qytetërimit evropian vetëm atëherë kur dënoi krimet e shkuara dhe, bashkë me dënimin, u pendua për to.

Flitet shpesh për nevojën e rishkrimit të historisë në Ballkan. Mendimi është i drejtë nëse me rishkrim do të kuptojmë pastrimin e historisë prej urrejtjes, mashtrimit dhe miteve të rrejshme, dhe jo zëvendësimin me mashtrime të reja, siç është ngatërrimi i xhelatëve me viktimat e mjegullimi i fajit. Bota ende nuk e di krejtësisht të vërtetën e asaj që ka ndodhur në Kosovë. Kur e vërteta të dalë në dritë plotësisht, e sidomos kur bashkë me të vërtetën të shfaqet më në fund pendimi, atëherë mund të thuhet se Ballkani po hyn në një epokë të re.

Gjatë gjithë kohës së konfliktit ndërballkanik është folur shpesh për fantazmën e një lufte të vjetër, asaj të Fushë Kosovës. Me atë betejë është justifikuar konflikti i fundit. Me të është lidhur preteksti kryesor që çoi në gjakderdhje: miti i Kosovës si djep i Serbisë.

Më 28 qershor 1989, tirani serb Millosheviç, në mitingun e 600-vjetorit të betejës së Kosovës shpalli programin e tij të revanshit kundër... shqiptarëve! Habia ishte e madhe: përse revansh kundër shqiptarëve? Dihej historikisht se beteja e Kosovës kishte qenë kundër perandorisë otomane. Jo vetëm kaq. Dihej se shqiptarët ishin pjesë e aleancës ballkanase përkrah serbëve, kundër osmanëve.

Miti i rrejshëm i betejës së Kosovës, ndryshimi i së vërtetës së saj, ka qenë një nga mashtrimet më makabre në historinë e Evropës. Ishte pikërisht ky përçudnim që solli kaq fatkeqësi 600 vite më pas.

Nëse duhej nxjerrë patjetër një simbolikë nga kjo betejë mesjetare, simbolika do të ishte fare e kundërt. Kjo betejë, ku ballkanasit, duke përfshirë serbët e shqiptarët, luftuan bashkërisht për mbrojtjen e Evropës, duhej të projektonte jo armiqësinë, siç deshi Millosheviçi, por të kundërtën e saj, afrimin e dy popujve.

Për fat të keq, ndodhi e kundërta. Për një paradoks të madh, Shqipëria e sotme, atdheu historik i shqiptarëve, atyre që aq herë u akuzuan si armiq të qytetërimit evropian, ndodhet sot më pranë Aleancës Atlantike dhe Perëndimit, se sa Serbia.

Historia është nganjëherë e pamëshirshme. Po të ktheheshim te beteja e famshme, më saktë, te rreshtimi i trupave ndërluftuese në mëngjesin fatal të 28 qershorit 1389, historia jep një kureshti të habitshme: Në qendër të aleancës ballkanike ishin trupat serbe, të kryesuara nga Car Llazari. Ndërkaq, në kampin kundërshtar ishin prapë trupa serbe, aleatë me turqit osmanë, të kryesuara nga Marko Krajleviç. Pra Serbia ndodhej në të dyja anët: pjesa më e arsyeshme e saj, në mbrojtje të Evropës, pjesa më e keqe e saj, kundër Evropës. Tabloja të kujton çuditërisht Serbinë e sotme, të ndarë (të dyzuar) kështu, për shkak të Kosovës, pro dhe kundër Bashkimit Evropian.

Fenomeni Kosovë do të vazhdojë me sa duket. Ai është një shans i mirë për ata që i kanë sytë nga e ardhmja. Dhe shans i keq për ata që shikojnë pas. Është vështirë të besohet se shteti më i ri i botës, ai që u lind si mbrojtje e vlerave të qytetërimit europian, do të rrethohej me izolim dhe vetmi. Në rast të tillë, nëse vetmi do të kishte, kjo nuk do të ishte thjesht vetmi e Kosovës, por edhe e Perëndimit.

Artikulli që po botojmë është publikuar në gazetën "The New York Times", sipas përkthimit të John Hodgson. Artikulli është ribotuar në gazeta të tjera, me të cilat NYT ka bashkëpunim, të gjitha të përkthyera nga anglishtja.

Gazeta "Shqip", në mënyrë ekskluzive po boton origjinalin në gjuhën shqipe, marrë prej autorit, Ismail Kadare



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora