E merkure, 24.04.2024, 01:00 PM (GMT+1)

Mendime

Islam Lauka: Konservatorizmi destruktiv

E merkure, 24.07.2013, 09:31 PM


PUQJA E EKSTREMIT POSTMODERN ME KONSERVATORIZMIN DESTRUKTIV

Nga Dr. Islam Lauka

Para pak ditësh, në gazetën “Panorama”, në rubrikën “Opinion”, u botua shkrimi i analistit Fatos Lubonja, “Nën qiellin e Europës”. Në qendër të këtij shkrimi është Ramush Haradinaj, njëri ndër komandantët më të shquar të UÇK-së, ish- kryeministër i Kosovës, i akuzuar dy herë për krime lufte nga Tribunali i Hagës dhe të dyja herët i shpallur i pafajshëm dhe i liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Por liberali post modern, Fatos Lubonja, në shkrimin e tij dëshmon se nuk e njeh vendimin e Tribunalit të Hagës që shfajëson Haradinajn, prandaj, me një vendim të tij personal, që do t`ja kishin lakmi edhe interpretuesit më konservatorë të kanuneve të maleve për vetëgjygjësinë, e shpall atë fajtor, jo mbi bazën e fakteve, sepse të tilla, siç dëshmoi Tribunali i Hagës, nuk u gjetën, por mbi bazën e intuitës, apo të “zanatit dhe të instiktit”, “ pa i pasur provat dhe shenjat”, siç do të shkruante të nesërmen e botimit të shkrimit të Lubonjës, një ndër mbështetësit e tij në Prishtinë.

Po bëhen vite që Fatos Lubonja është angazhuar në axhendën e çmontimit të miteve dhe simboleve kombëtare shqiptare. Në axhendën e tij janë përfshirë himni dhe flamuri kombëtar, gjuha shqipe, kështjellat, besa, toleranca fetare, figura e Skënderbeut, lufta e UÇK-së, lufta e shqiptarëve të Maqedonisë, “Rruga e Kombit”, etj, etj. Sipas Lubonjës,“ Historia shqiptare e shekullit XX ka qenë periudha e formimit të ndërgjegjes shqiptare” dhe se “periudha, relativisht e shkurtër,e procesit të kombformimit shqiptar ka qenë, në pjesën më të madhe të saj, e dominuar nga sundimi komunist” dhe se Enver Hoxha, i cili “ndryshe nga ndonjë ide e përciptë se nuk ka qenë nacionalist”, i integroi në ideologjinë komuniste mjaft elementë të ideologjisë nacionaliste, duke krijuar një sinkretizëm nacional komunist, në funksion të sundimit dhe të trushplarjes. Nga ky këndvështrim, ai i trajton mitet si anakronike dhe për këtë arsye, sipa tij, shqiptarët nuk mund të komunikojnë me botën, ndaj dhe duhen ndërtuar mite të reja që të shprehin frymën e kohëve të reja.

Vlerësimet e mësipërme, e pakta që mund të thuhet, janë të diskutueshme. Në gjykimin tim, formimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare ka filluar para shekullit të XX, të paktën që me Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që elementë të vecantë të saj kanë filluar të ravijëzohen edhe më përpara. Veç kësaj, një pjesë e mirë e miteve dhe simboleve kombëtare shqiptare vijnë nga thellësia e shekujve, natyrisht të përshtatura në kohën e Rilindjes Kombëtare, siç ka vepruar çdo popull. Në këtë kontekst, është i pabazë pohimi se procesi i kombformimit shqiptar, në pjesën më të madhe është dominuar nga sundimi komunist. Është shumë i dyshimtë, për të mos thënë i pasaktë kategorizimi i Enver Hoxhës si nacionalist, kur kihet parasysh që rebelimin antikombëtar të Haxhi Qamilit, ai e pati vlerësuar si “lëvizje përparimtare”, që marrëveshjen e Mukjes, me urdhër të jugosllavëve, e prishi vetëm pak ditë pas nënshkrimit të saj, që vendimet e Konferencës së Bujanit, gjithashtu me urdhër të jugosllavëve i çbëri, që pushkatoi, burgosi apo përdhosi figura të shquara kombëtare nga rradhët e luftëtarëve dhe veprimtarëve për liri e pavarësi, të shkrimtarëve, të klerikëve etj. Në thelb, Enver Hoxha ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një kundërshtar i egër i nacionalizmit të vërtetë shqiptar. Tjetër gjë është instrumentalizimi me mjeshtri, nga ana e tij, i nacionalizmit shqiptar në funksion të ruajtjes së pushtetit.

Epoka në të cilën jetojmë, me çvendosjet tektonike të viteve `90 kur iu dha fund Luftës së Ftohtë, por edhe të fillimit të shekullit të XXI që po çon drejt formësimit të një sistemi ndërkombëtar shumëpolësh, pa përmendur pasojat negative të krizës së zgjatur financiare globale, përbën një shtrat të ngrohtë për lindjen dhe zhvillimin e ideve që lidhen me prishje, çmontim, rishikim, rishkrim, duke kaluar shpesh në ekstreme që, herët a vonë, rrezikojnë të çojnë edhe në shkatërrim.

Siç dihet, ekstremet puqen. Në përpjekjet e tij për çmontimin e miteve dhe të simboleve kombëtare, çmitizuesi Fatos Lubonja nuk është i vetëm. Ai mbështetet nga disa analistë e publicistë që e mbajnë veten si të krahut liberal, më shumë në Tiranë, por ndonjë edhe në Prishtinë, si dhe ndonjë tjetër jashtë vendit, sidomos midis atyre që po merren me hartimin e historisë alternativë të shqiptarëve. Midis këtyre të fundit, më aktivi duket të jetë historiani austriak, Oliver Shmitt, i cili, me botimin brenda një kohe të shkurtër të tre librave mbi shqiptarët, vërtet ia ka arritur të sajojë një histori tjetër për ta por alternativa e tij, ashtu si çdo gjë tjetër e sajuar, është larg së vërtetës. Në orvajtjet e tij për ta çmitizuar, çherorizuar dhe, në fund të fundit, për ta banalizuar historinë e ”shqipfolësve të Kosovës”, në librin “Kosova, një histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, Shmitt qëmton “fakte” e “argumente”, të cilat, në mënyrë të pashmangshme të çojnë në përfundime të gabuara si ai, me të cilin mbyllet edhe libri i tij: “ Pavarësia e Kosovës nuk e ka zgjidhur çështjen e Kosovës, por vetëm ka hapur një kapitull të ri në një ballafaqim tashmë 100 vjeçar”. Rezulton se historia alternativë e Shimittit na paskërka edhe një zgjidhje alternativë për Kosovën, të ndryshme nga pavarësia, anipse për të gjithë shqiptarët, për qendrat kryesore të vendimmarrjes ndërkombëtare dhe për aleatët tanë strategjikë, ajo konsiderohet si zgjidhje e vetme, e drejtë dhe e qëndrueshme, që mbylli përfundimisht kapitullin e përgjakshëm të shpërbërjes me dhunë të Jugosllavisë dhe që, me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 22.07.2010, u legalizua edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkaq, kohët e fundit tërhoqi vëmendjen deklarata e një deputeti të kuvendit të Kosovës, me besim musliman, sipas të cilit, Skëndërbeu nuk qenkërka figurë kombëtare, por, në rastin më të mirë, një hero vetëm për shqiptarët e besimit të krishterë, pra jo edhe për ata muslimanë.

Nisur nga prapavija fetare, këto ditë, në fshatin Muçibabë të Komunës së Gjilanit, u rrënua përmendorja e simbolit të betejës së Kaçanikut, Idriz Seferi, me pretekstin se ai nuk na paskërka qenë musliman.

Në vazhdën e logjikës përjashtuese mbi baza origjine, besimi, seksi apo idenditeti kulturor, një i ashtuquajtur “Forum i të rinjve muslimanë” e shpalli deputeten Alma Lama “persona non grata”, duke e konsideruar atë një fshatare refugjate që duhet të kthehet, sipas tyre, andej nga ka ardhur, pra në Shqipëri, pavarësisht se ajo është shtetase e Kosovës, e martuar në Kosovë dhe e votuar nga zgjedhësit e Kosovës si deputete në Kuvendin e saj. E gjithë kjo, sipas tyre, për shkak se në një fjalim të saj në Parlament, Alma Lama, gjoja paskërka fyer fenë muslimane. Është e paktuptueshme se si sulme të kësaj natyre mund të ndërmerren kundër pjesëtarëve të të njëjtit komb e popull, i cili historikisht ka përjetuar fatin e refugjatit, por që edhe sot e kësaj dite, për fat të keq, vazhdon të vuajë hemoragjinë e emigrimit. Sulme të tilla ndaj shqiptarëve të pajisur me dokumente të rregullta qëndrimi në vendet përkatëse nuk kanë guxuar të ndërmarrin as forcat më ekstremiste, ultra të djathta, që kanë filluar të aktivizohen në disa kryeqytete europiane.

Në Maqedoni është shkuar edhe më tej, kur një pjesë e shqiptarëve të atjeshëm, në protestat e tyre, në vend të flamurit kombëtar, kanë përdorur simbole të tjera, me natyrë fetare, dukuri që Arbën Xhaferi do ta stigmatizonte si “ rrëshqitje të luajalitetit të shqiptarëve nga kombi në besime”.

Në këtë mënyrë, liberali postmodern Fatos Lubonja, i angazhuar në çmontimin e miteve, përgjithësisht gjithëpërfshirëse kombëtare shqiptare e gjen veten në të njëjtën pistë me ekstremin fetar, i cili stafetën e Lubonjës e çon më tutje, duke krijuar mite e simbole të reja, fatkeqësisht, përjashtuese, mbi bazën e dallimeve, sipas përkatësisë etnike, fetare apo kulturore. Në interes të kujt është krijimi i miteve e simboleve përjashtuese? Është e qartë se ato nuk janë në interes të shqiptarëve, as të paqes e stabilitetit rajonal, por as të integrimeve europiane dhe euroatlantike.

Tribunali i Hagës në shënjestrën e treshes Nikoliç- Çurkin- Lubonja

Më 10-11 prill 2013, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u zhvillua debati tematik “ Roli i drejtësisë penale ndërkombëtare për pajtim”. Debati u organizua me nismën e Kryetarit të AP, Vuk Jeremiç, ku siç pritej, mbajti një fjalim Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç. Ja disa nga tezat kryesore të fjalimit të tij: Serbët e Kosovës dhe Metohisë janë rrëmbyer në mënyrë të organizuar, organet e tyre janë hequr mizorisht dhe janë shitur në tregun e zi. Këtë e ka provuar edhe raporti i Senatorit Dik Marti. Në vend që këto krime të ndiqen penalisht, Tribunali i Hagës i zhduku të dhënat për to; ky Tribunal, në fakt e ka lejuar Ramush Haradinajn të vrasë dhe të frikësojë dëshmitarët; me lirimin e Ramush Haradinajt, mbi punën e Tribunalit të Hagës ka rënë një hije e zezë; Mos ndëshkimi i të akuzuarve jo serbë, mosobjektiviteti dhe tendencioziteti, diskriminimi dhe drejtësia selektive, në dëm të serbëve, kanë karakterizuar veprimtarinë e Tribunalit të Hagës. Si i tillë, “ ai nuk ka realizuar qëllimin e tij parësor – pajtimin në rajon, ndaj nuk mund të jetë e ardhmja e drejtësisë ndërkombëtare, por vetëm e kaluara e saj e shëmtuar”.

Në mbështetje të tij doli ambasadori rus, Vitali Çurkin, i cili theksoi se në rastin e Ramush Haradinajt nuk u dha drejtësi, “se dëshmitarët iu nënshtruan shantazhit të hapur, frikësimit, bile edhe eleminimit fizik. Dhe gjithë kjo ndodhi, sipas tij, në atmosferën e mosndëshkueshmërisë së plotë dhe miratimit në heshtje të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Ai vuri në dukje se “faktet e vrasjeve dhe torturave duken sheshit, por fajtorët që i kanë kryer ato nuk janë gjetur”. Në vazhdim, Çurkin shtroi pyetjen: “ A mundet një organ i tillë drejtësie, veprimtaria e të cilit sikur është drejtuar me qëllim në kultivimin e kompleksit të fajit vetëm tek një popull (kupto serbët- I.L.) dhe shfajësimin e çdo krimineli të palëve të tjera në konflikt, t`i kontribuojë pajtimit midis popujve të Ballkanit Perëndimor?” Dhe përgjigjen e jep po vetë Çurkin, “ Është e qartë se jo!”

Le t`i referohemi tani një fragmenti nga shkrimi i lartpërmendur i Fatos Lubonjës, në ligjëratë të drejtë: “Ironia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të pasur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta. Pra se në vitet 1998-1999, dhe vecanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë.” Dhe më tej Lubonja pyet: “ Atëherë si do ta shpjegojmë këtë glorifikim nga shqiptarët të Haradinajt me kthimin e tij nga Haga, me gjithë këto fakte të tmerrshme?”

Pavarësisht se Tribunali i Hagës është krijuar në bazë të një rezolutë të këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk ka të bëjë me BE-në, Fatos Lubonja e lidh shfajsimin e Haradinajt apo pandëshkueshmërinë e atyre që thonë se “ligji e drejtësia janë ata vetë” me “dobësinë e Europës së qytetarëve ndaj Europës së shteteve kombe” dhe se kjo pandëshkueshmëri është kërcënim për paqen dhe integrimin e vërtetë europian.

Po të krahasohen tezat e Presidentit serb Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste dhe ato të ambasadorit Çurkin, si përfaqësues i një vendi autoritar, me ato cfarë shkruan liberali Lubonja, rezulton se kanë shumë elementë të përbashkët, sidomos lidhur me akuzat që i bëhen Ramush Haradinajt, të cilat, pavarësisht se nuk janë vërtetuar në Tibunalin e Hagës, merren si fakte të mirëqena, me prezumimin e fajësisë së tij, me mosndëshkimin nga Gjykata e Hagës për, gjoja, krimet e kryera, si dhe për rolin e drejtësisë penale ndërkombëtare për pajtim.

Qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar, lidhur me Tribunalin e Hagës, i shprehur hapur nga përfaqësuesi ynë në OKB në debatin tematik të lartpërmendur është në një linjë me atë të BE-së, deklaratës të së cilës i është bashkuar edhe Shqipëria, si dhe të SHBA-së dhe vendeve të tjera demokratike. Thelbi i këtij qëndrimi është ky: Vlerësojmë Tribunalin e Hagës për ruajtjen e paanshmërisë, dhënien e drejtësisë si dhe kontributin e tij për të lehtësuar procesin e pajtimit. Vlerësojmë lart arritjet e kësaj gjykate në luftë kundër pandëshkueshmërisë.

Për t`iu kthyer pyetjes së Lubonjës lidhur me glorifikimin e Haradinajt, pas kthimit të tij nga Haga, mund të thuhet se, në thelb, para së gjithash, shqiptarët nderuan dhe respektuan vendimin e Tribunalit të Hagës, si një vendim i pavarur dhe i paanshëm i një organi drejtësie të krijuar nga OKB. Respektimi i vendimeve të gjyqësorit është një vlerë e shtuar e shqiptarëve, që jo gjithmonë i ka shoqëruar ata. Natyrisht ata nderuan dhe respektuan UÇK-në dhe drejtësinë e luftës së saj çlirimtare. Ata nderuan dhe respektuan Ramush Haradinajn, jo vetëm për kontributin personal dhe të familjes së tij në luftën për çlirimin e Kosovës, por edhe për atë pas luftës, sidomos për përqasjen pozitive ndaj komuniteteve pakicë gjatë kohës sa ishte Kryeministër i Kosovës, si dhe qëndrimin dinjitoz në Tribunalin e Hagës. Nuk duhet harruar qe Ramush Haradinaj nuk u fsheh skutave, siç bënë shumë të tjerë, por u dorëzua vetë në Hagë, i bindur në pafajësinë e tij dhe në drejtësinë e Gjykatës së Hagës. Në këtë kontekst, është e çuditshme dhe e pakuptueshme se si një liberal postmodernist dhe luftëtar i të drejtave të njeriut si Lubonja nuk e njeh vendimin e kësaj Gjykate, duke treguar se në këtë pikë ai nuk arrin të ngrihet në lartësinë e një luftëtari dhe komandanti të UÇK-së, siç është Haradinaj.

Në përfundim, është me vend t`i kujtohet z. Lubonja si ithtar i shkollës së çmontimit të miteve, se ekziston edhe një shkolllë tjetër mitologësh, me të cilën ai nuk është dakort, por që e njeh mirë, nëpërmjet njërit prej përfaqësuesve të saj më të spikatur, George Schoplin, sepse punimet e tij janë përfshirë në botimin e Lubonjës ( Revista “Përpjekja”, nr 15-16, 1999).

Sipas Schoplin, mitet ekzistojnë për të krijuar dhe mbështetur koherencën, rrjedhimisht, stabilitetin, se ato ndihmojnë për të mbështetur kombet, të cilat, nga ana e tyre edhe vetë mbështeten tek mitet, se besimi dhe mbështetja tek miti nuk është ndonjë lloj relikeje paramoderne. Siç vë në dukje Lubonja, tek i referohet Schoplin “ kur komunitetit i sulmohet një nga mitet e tij, ai mund ta ndjejë veten te sulmuar”.

Pikërisht këtë i ka bërë komunitetit vetë Lubonja, i cili, ka sulmuar jo një mit, por u është turrur me radhë, pothuaj, të gjitha miteve dhe simboleve kombëtare shqiptare. Mendimi ndryshe, qëndrimi kritik, dyshimi etj që e karakterizojnë Lubonjën janë të nevojshme si ajri për çdo shoqëri që pretendon të jetë e lirë dhe demokratike. Por kjo nuk do të thotë të hedhësh poshtë gjithçka, të nxisë e të shkatërosh çdo gjë, sepse mbi gërmadhat e krijuara mund të mbijnë gjithfarë egjërash.

Krijimi i miteve dhe simboleve është një proces kompleks dhe, relativisht i gjatë, jo si një akt i menjëhershëm. Si rregull, ai është produkt i komuniteteve të caktuara, jo i një apo disa intelektualëve, sado të shquar qofshin ata.

Integrimi Euroatlantik, ku aspirojnë pothuajse, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk i përjashton vlerat, simbolet as mitet kombëtare. Asnjë nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë ato që janë themeluese të kësaj organizate, nuk kanë hequr as nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga vlerat dhe simbolet e tyre kombëtare. Çdo popull e komb serioz, moralisht i pjekur, i mbron, i zhvillon dhe i pasuron vlerat e tij.

Së fundi, pavarësisht se në epokën e globalizmit kemi një zhvillim dhe intensifikim të jashtëzakonshëm të marrëdhënieve të ndërvarësisë dhe ndërveprimit, si dhe të bashkëpunimit të paparë dypalësh e shumëpalësh, rajonal apo ndërkombëtar, përsëri marrëdhëniet midis shteteve vazhdojnë të mbeten qartësisht si marrëdhënie interesash konkrete politike, ekonomike, ushtarake, kulturore etj, që jo gjithmonë përputhen me ato të të tjerëve. Në realizimin e këtyre interesave, vlerat dhe simbolet kombëtare, përfshirë edhe mitet kanë vendin dhe peshën e tyre të padiskutueshme.

Autori është: Ambasador i Shqipërisë në Prishtinë.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora