E enjte, 28.03.2024, 10:22 PM (GMT)

Mendime » Graciani

Deo Graciani: Shpërbërja e partisë demokratike

E merkure, 24.07.2013, 04:42 PM


Shpërbërja e partisë demokratike

Nga Deo Graciani

Nëse i analizojmë me kujdes zgjedhjet e 23 Qershorit dhe humbjen katastrofike të partisë demokratike, vërejmë se kjo është diçka që pritej prej kohësh. Këmbanat e alarmit për qeverinë Berisha u dëgjuan që në zgjedhjet e vitit 2009, ku megjithë manipulimet që bëri klani i Berishës, partia demokratike nuk arriti t’i fitonte ato zgjedhje. E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet më të fundit bashkiake, ku partia demokratike humbi bashkitë më të mëdha në vend, por mori nën kontroll bashkinë e Tiranës duke manipuluar haptazi procesin zgjedhor aty. Ishte hera e parë në histori, kur vjedhja e votave dhe manipulimi i procesit bëhej në dritën e diellit, pa asnjë përpjekje për ta fshehur sadopak këtë katrahurë zgjedhore, duke lënë gojëhapur opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Berisha i përket atyre njerëzve që gjithmonë përpiqet të çudisë opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar, të vetët dhe kundërshtarët, me marrëzira dhe lajthitje të pafundme, të cilat tregojnë se Berisha nuk ka qenë asnjëherë i vetëdijshëm për përgjegjësitë që duhet të ketë kryeministri i një vendi. Edhe sot si kryeministër në largim, nuk përpiqet sadopak që të mundësojë një rotacion sa më të butë, në një periudhë vendimtare për Shqipërinë.

Këto zgjedhje treguan edhe diçka tjetër po aq të rëndësishme sa edhe humbja e partisë demokratike,  humbjen e elektoratit të saj dhe zhgënjimin e anëtarëve të saj ndaj klanit që udhëheq partinë demokratike. Tashmë, partia demorkatike nuk është më një parti e mirëfilltë, por vetëm një grusht i vogël njerëzish, me interesa klanore dhe mafjoze, plotësisht të izoluar nga elektorati blu. Ky fakt u duk qartë në zgjedhjet e brendshme për kryetarin e ri të partisë, të cilat ishin plotësisht të manipuluara. Klani Berisha që gjithmonë ka manipuluar zgjedhjet parlamentare, nuk kishte si të mos manipulonte edhe zgjedhjet brenda partisë së tij. Ky manipulim i zgjedhjeve brenda partisë ka mundësi që të jetë goditja përfundimtare që mund të çojë në shpërbërjen e partisë demokratike, e cila nuk përfaqëson më vullnetin e të djathtës shqiptare. Kjo parti, arriti më në fund, që përveç humbjes së pushtetit, të humbasë edhe atë pak reputacioni që i kishte mbetur në sytë e anëtarëve të saj. Siç duket, ky ishte qëllimi i Berishës, që 4 vitet e ardhshme ta linte Shqipërinë pa një opozitë të mirëfilltë dhe dinjitoze, por vetëm me një grup analfabetësh politikë e juridikë, që kanë si pikë lidhëse interesat e ngushta klanore, dhe asnjë interes kombëtar. Mjafton t’i hedhësh një sy disa emrave në listën e deputetëve të PDsë, për të kuptuar se kush do ta përfaqësojë opozitën shqiptare. Fatkeqësisht, kjo është çerdhja e antivlerave që do ulet këmbëkryq në parlament dhe do të përfaqësojë opozitën e Shqipërisë prej tani e tutje.

Për të djathtët por edhe më gjerë, është një fatkeqësi që këta simbole të dekandencës shpirtërore, morale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare, të luajnë rolin e një opozite “konstruktive.” Këto mumje parlamentare që kurdisen si marjoneta gjysmë të prishura, nga mëngjesi e deri në mbrëmje, nuk do bëjnë asgjë më tepër nga ç’kanë bërë deri tani. Ata do të vazhdojnë të shërbejnë si kanalizimi i të gjitha antivlerave që rrezaton një individ dhe një shoqëri në kohët e sotme. Ata janë dhe do të mbeten pjesa vegjetative e një shoqërie në zhvillim.

Është e domosdoshme që edhe ato pak filiza të brishtë kulture që kanë mbetur akoma në partinë demokratike, të largohen sa më parë nga kjo kënetë thithëse që helmon vlerën dhe moralin e çdo individi që ajo prek. Ajo pjesë tepër e vogël, dhe akoma e shëndoshë që mund të ketë mbetur në partinë demokratike, duhet të krijojë një grupim të ri, ose t’i bashkangjitet një grupimi tjetër. Fryma e Re Demokratike do të ishte njëra nga alternativat. Ky grupim i djathtë ndodhet akoma në një fazë të brishtë, edhe për faktin se sot jeta parlamentare dhe përballja politike vazhdon të ngjasojë akoma më një përplasje pothuajse gangsterizmash, dhe në këtë realitet, intelektualit të mirëfilltë i duhet të përballet çdo ditë me gangsterizmin e mirëfilltë. Kur kultura shqiptare, shoqërore dhe parlamentare, sot akoma në fillimet e saj, të vijë gradualisht duke anuar nga vlera dhe duke u pastruar nga antivlerat, si rrjedhojë, edhe fryma e gangsterizmit në qeveri, parlament, dhe jashtë tij do të zbehet pak e nga pak, paralelisht me zhvillimin ekonomik, social dhe politik të vendit. Kjo frymë gangsterizmi pastaj nuk do të jetë më e nevojshme që të jetë pjesë e institucioneve shtetërore dhe sistemit ligjvënës, siç ka qenë deri tani. 

Qeveria në ikje u bë simboli i gangsterizmit politik. Kjo qeveri në ikje arriti të krijonte një sistem ku krimineli të ishte i mbrojtur ndërsa qytetari i thjeshtë të ishte i pambrojtur, i korruptuari të lëvizte i lirë ndërsa viktima e pambrojtuar e këtij korrupsioni të stigmatizohej edhe më tej. Ky sistem qeverisës nuk ishte asgjë më tepër se një kopje e keqe e sistemit të brendshëm funksional të partisë demokratike, një sistem që “pastroi” frymën ndryshe brenda saj, stigmatizoi intelektualët e mirëfilltë në gjirin e kësaj partie, dhe pak e nga pak largoi gjithë ata anëtarë që kishin dhënë kontribut real ndër vite. Kjo parti sot nuk përfaqëson as vlerat e Dhjetorit, as shtresat intelektuale, dhe as shtresat e të përsekutuarve, dhe veçanërisht nuk përfaqëson aspiratat e popullit shqiptar pë demokraci dhe zhvillim. Kjo parti është kthyer në një mumje politike që kundërmon tribalizëm e korrupsion. Ajo përfaqëson frymën e regresit shoqëror. Është simboli i gjithçakje që nuk funksionon siç duhet në shoqërinë e sotme shqiptare.  

Kjo strukturë e kalbur, si pjesë e çudive të saj të pafundme, “volli” kryetarin e ri të saj, të “zgjedhur” me anë të një sistemi mosfunksional. Anëtarët e mbetur të partisë u detyruan të zgjidhnin midis dy opsioneve, midis Skilës dhe Karibdës. Olldadhi dhe Basha u shtirën sikur po bënin e fushatë, e sikur po ziheshin me njëri tjetrin. Pas shumë “përplasjesh,” filloi procesi i “votimit” gjatë të cilit mijëra anëtarë nuk gjetën as emrat në listë, vetëm e vetëm sepse fituesi kishte kohë që ishte përcaktuar. Votimi ishte i deformuar dhe i manipuluar, siç thotë edhe vetë Olldashi, “rivali” i Bashës në këtë garë.

Farsa e zgjedhjes së kryetarit të ri të PDsë, është edhe një faktor shtesë që mund të ndikojë në shpërbërjen përfundimtare të partisë demokratike. Lulzim Basha është kloni i mentalitetit berishian në PD. Ai ngjason më tepër me një demagog idhnak. Fjalimi i tij përmbyllës i fushatës për kryetarin e ri të partisë demokratike ka habitur jo vetëm opinionin publik por edhe elektoratin blu. Ai fjalim nuk përmbante asgjë më tepër sesa derdhjen e një urrejtje patologjike ndaj qeverisë së re. Ishte gjëja më e neveritshme që kemi dëgjuar ndonjëherë. Tamam si një pacient i sapodalë nga një periudhë e pasuksesshme rehabilitimi, ky idhnak shpalosi gjithë gangsterizmin e tij banal. Ky gënjeshtar cinik, pasi volli e volli helm pafund ndaj qeverisë së re, dhe ndaj çdo kundërshtari që kishte votuar kundër qeverisë Berisha, tregoi edhe një herë se nuk mund të përfaqësojë asnjë lloj vlere në opozitën e ardhshme. Është për të ardhur keq, që një politikan kaq i ri, të jetë një mall kaq i dëmtuar. Në vend që Basha të fillonte një marrëdhënie të re, midis qeverisë dhe opozitës, duke shprehur më shumë qytetari dhe kulturë si udhëheqësi i ri i opozitës së ardhshme, përkundrazi zgjodhi të ecte në gjurmët e lëna nga këpucët e pista të Berishës, duke përdorur të njëjtin fjalor hakërryes dhe të neveritshëm që përdor rregullisht tutori i tij, dhe që do t’ia kishin zili edhe prokurorët e partisë së punës.

Ka ardhur koha që të hiqet gjuha e urrejtjes. Praktimi i gjuhës së urrejtjes nuk e lejon një shoqëri të ecë përpara dhe as të zhvillohet psikologjikisht. Kjo vlen për partitë dhe grupimet e gjithë spektrit politik, qofshin të djathta, të majta apo të qendrës. Njerëzit si Basha, Berisha, e të tjerë të ngjashëm, që derdhin urrejtje ndaj çdo kundërshtari politik dhe u kërcënohen kritikëve të tyre, janë shembulli më i keq për shoqërinë e sotme. Asnjeri nuk ka nevojë për helmin e tyre. Gjithë ai helm e ka konsumuar tashmë partinë demokratike, e cila rrezikon të shpërbëhet plotësisht, dhe sot kjo parti nuk ka mbetur më shumë se një sigël blu, e fundosur në llumin moral, të cilin e krijoi vetë.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora