Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baton Haxhiu: Të dashur radikalë islamikë

| E marte, 23.07.2013, 08:02 PM |


Të dashur radikalë islamikë

Një letër për ata që fyen dhe kanë dëshirë të mbrojnë të pambrojtshmen

Nga Baton Haxhiu

Në leximet, ose më mirë thënë në literaturën e radikalëve dhe militantëve myslimanë, që lexova këto ditë, armiku përkufizohet në mënyra te ndryshme si: hebreu, sionisti, nganjëherë kristiani, kryqtari, ndonjëherë imperialisti perëndimor, sot i përkufizuar si SHBA-të.

Në këtë botë, islamikët radikalë në Turqi dhe atje ku dominojnë me logjikën e tyre, armikun kryesor e konsiderojnë Kemal Ataturkun, sundimtarin më të madh dhe të vetmin sekularist të botës Islame. Nga do lexime të kësaj jave pashë se këtë njeri nuk e konsiderojnë as turk, as mysliman, por pa pikë turpi e etiketojnë si kripto-katolik?!

Derisa lexoja qindra reagime ndaj shkrimit tim të shkruar në formë letre, drejtuar mikut dhe kolegut tim Xhemal Ahmeti, pashë se në botën e këtyre njerëzve edhe për një kohë nuk ka, s’do të ketë edhe përgjatë kohë as Rilindje, as Reformë. Edhe për shumë gjatë këta do të mbeten të mbyllur për çdo lloj iluminizmi. Prandaj, Ataturku dhe sekularizmi i tij si ide, koncept dhe nivel qytetërimi, tërbon radikalët islamikë, sepse këta fesë ia besojnë të gjitha, pra është epiqendra e gjithçkaje.

Kjo mënyrë e të drejtuarit më duket mjaft e zorshme. Për arsye se këta njerëz me britma, duartrokitje kanë marrë stilin e djallit, madje çka është edhe më e keqja, duke fyer besimtarët tradicionalë, duke i shpallur vrasës dhe duke i trajtuar sikur të mos ishin të kësaj toke. Mos nga Marsi?

Tiradave tuaja urrejtëse kundër meje dhe të tjerëve që mendojnë ndryshe, unë nuk mund t’iu përgjigjem me ton të njëjtë: Fyerje të tilla kthehen te autorët që akuzojnë dhe fyejnë rëndë. Me gjuhën e tillë të çoroditur ata nuk kontribuojnë aspak në sqarimin e asaj që kam shkruar dhe gjithë asaj që sot është duke ndodhur në Kosovë – përkundrazi ata dëshmojnë se nuk kanë resurse as humane, as intelektuale që mund të komunikojnë siç komunikojnë rëndom njerëzit ndërmjet veti.

Prandaj këtë letër e konsideroj si kontribut dhe synim timin modest për të çarmatosur e kufizuar dëmin. Dhe, unë, po e shkruaj atë jo vetëm në kujtim të letrave të shkëmbyera me ju, por edhe nga shkaku se unë përfaqësoj po atë pikëpamje që e shpalosa një javë më herët.

Ne që shkruajmë në këtë mënyrë gjykohemi bazuar në atë që shkruajmë dhe jo duke u mbështetur në deklarimet e kujdestarisë fyese që ju bëni faqeve të internetit. Dhe, mes shkronjave tuaja ka pasur dy apo tri, të cilat mua nuk më kanë lënë indiferent. Kjo është shumë dhe është pothuaj krejt çka unë mund të them në të mirën tuaj.

Në qoftë se ju vazhdoni tërbimin tuaj, atëherë emri juaj “islam” do të zhbëhet. Unë po ju shkruaj edhe për një shkak tjetër, sepse nga koncepti juaj fyes po dëgjoj tone të larta dhe të ulëta të një dëshpërimi, të cilin unë mund ta kuptoj deri diku, meqë unë konsideroj se është e neveritshme nëse bisedohet me gjuhën e urrejtjes.

Ju keni shkruar dhe ofenduar me lirinë banale të të menduarit, e cila ofron vetëm thënie kot, fiktive dhe të paqëndrueshme. Beteja me Islamin radikal në Kosovë nuk është vetëm çështje e të menduarit të thjeshtë. Nuk është fjalëkryq për rubrikën e gazetës, zgjidhja e të cilit do të mund të gjendej në numrin e ardhshëm të saj. Kjo luftë shkronjash s’është as sfidë mendore, por një realitet, përballë së cilit edhe vetë ju si vëzhgues të regjur faqeve të virtuale do t’u mbetet në fyt pasiguria që i keni sjellë religjionit dhe popullatës që e duan këtë fe dhe këtë besim.

Kështu më bëri vaki edhe mua këtë javë. Dhe sy më sy me realitetin, i cili përafërsisht mund të përthekohet vetëm me fjalët: E papërshkrueshme!! Pse në Kosovën tonë që kurrë nuk ka pasur probleme të tilla, kanë dështuar kaq keq kujdestarët moralë (zyrtarët) të Islamit po këtu. Racizmi, që ofroni si metodë linçimi, manifeston qartë padashurinë që keni ndaj këtij vendi. Kjo sepse JU përdjallëzoni islamin normal, demonizoni normalitetin e krijuar si kulturë religjioze ne Kosove, të cilën e kemi pasur tradite dhe që buron nga një histori plot vuajtje.

Dallimi juaj prej nesh po krijon shok kulturor, të cilin edhe unë e përjetova kur tash me shkronjat qëndruat përballë meje duke fyer dhe duke përndjekur atë që kisha shkruar me ndjesinë e njeriut të Kosovës.

Shikimi i juaj për Kosovën dhe besimin m’i ngjet njerëzve të uritur deri në eshtra për urrejtje, të cilët askujt nuk i tregojnë për atë që ata shohin. Por çdo ditë krijohen rrëmuja të kompetencave nga një konkurrencë brutale ndërmjet xhamive dhe klerikëve,të cilët, grinden për “florinjtë” dhe të hollat e dhuruara.

Vetëm një gjë nuk përshtatet në këtë déjà- vu, dhe ishalla nuk kalon shumë kohë derisa ju nuk hetoni dimensionin e këtij vështrimi që po ju them: njerëzit këtu në Kosovë janë të bardhë! E gjithë kjo ndoshta juve nuk ju bën përshtypje, meqë ju më tepër interesoheni për peizazhe arabe se sa për banorët e Kosovës, të cilët i trajtoni si statistë.

Për fund desha edhe një gjë për shkrimet tuaja: unë kurrë s’kam ndier etje për vrasje dhe fyerje në krahasim me ju që e bëni dhe jeni të gatshëm ta bëni në të gjitha shkrimet dhe mendimet që shkruani. Në qoftë se nuk u bën përshtypje fati i njerëzve në Kosovë, dhe shkruani kështu, dhe pëlqeni atë që shkruani, simpatia ime për besimin e vërtete është po aq irracionale sa ç’është edhe dashuria juaj ndaj “islamit radikal dhe vetëflijues”.

Unë e dua Kosovën, sepse ajo edhe pse është një vend në skaj të Europës, që injorohej dhe diskriminohej dhe pothuaj ishte fshirë prej hartës nga ana fuqive botërore, tash Evropa dhe koncepti evropian i dhanë kuptim jetës në Kosovë. Jo JU! Asnjëherë. Me këtë dëshirë të përshpirtshme për ju dhe njerëzit në Kosovë, përfshirë edhe ju islamikët radikalë, po e mbyll përgjigjen time. Ne duam dhe jemi Evropë. E ju na tregoni se çka doni në Evropë dhe nga Evropa!

Tema