E shtune, 20.04.2024, 05:37 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Të jemi përballë një “genocidi” anti-femër, apo jemi shndrruar në emirat mesjetar grua-urryes?

E enjte, 18.07.2013, 06:00 PM


Të jemi përballë një “genocidi” anti-femër, apo jemi shndrruar në emirat mesjetar grua-urryes?

Nga Elvi Sidheri

Duke e nisur këtë shkrim, dua të vë në dukje se me emiratet si etnitete politike apo shtetërore, nuk kam asnjë gjë, si me ato moderne apo ndonjë syresh më të lashtë.

Emirate tejet të përparuara për kohën kur ato kanë ekzistuar, ka pasur në Spanjën e dominuar nga arabët para rekonkuistës kristiane, në shekujt 7-12 pas Krishtit, si dhe po ashtu në Siçili për shembull, nga shekulli i 8 gjer në të 11-tin.

Ishin kohë kur Europa zhytej thellë e më thellë në ujërat e ndotura të Kohëve të Errëta, ku arsimi, librat e dijet që në Perandorinë Romake patën shkëlqyer dhe prekur nivele të padëgjuara (që nuk u arritën më deri pas Revolucionit Francez të paktën në kontinentin plak, pra rreth 14 shekuj pas rënies së perandorisë në fjalë)...qenë harruar, djegur e mënjanuar dhe kur shkrimet e lashta që flisnin për matematikën, filozofinë apo yjet dhe shkencat, ruheshin nëpër manastire të mbyllura, teksa gjindja e përgjithshme mbytej në injorancë dhe bestytëni nga më të ndryshmet!

Përgjatë atyre kohëve, numrat, algoritmet, ekuacionet, frazat, vështrimet dhe llogaritë yjore, thellimet filozofike e gjithçka i qe trashëguar njerëzimit nga bota antike (Aristoteli, Platoni), u ruajtën dhe përkthyen ndër të tjera, me një bujari dhe largpamësi të veçantë (duke shpëtuar kështu nga harresa dhe zhdukja, për t’iu përcjellë brezave të ardhshëm deri tek ne sot), edhe në territoret e emirateve arabe që ishin përhapur nëpër kufinjtë e Europës, nga Spanja në Siçili e Maltë.

Me këtë pra, dua të them se termi “Emirat” që përdor në titull, nuk mund të konsiderohet domosdoshmërisht, si gjë jo e mirë!

Edhe në ditët tona, kemi të pranishëm shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe (Abu Dabi dhe Dubai i kamur e shumë “glamour” ku venë të shpenzojnë të hollat edhe mjaft pasanikë të anëve tona, janë dy prej emirateve përbërëse të këtij shteti), vendi që si shumë fqinjë të tjerë të Gjirit Persik, noton në naftë dhe falë këtij burimi (jo të pashtershëm) energjitik, emirët dhe një pjesë e qytetarëve të tij, lahen në ar dhe lukse nga më të shfrenuarit e imagjinueshëm.

Por si “emirat” shumëkush mund të ketë dëgjuar edhe versionin aspak pozitiv të këtij termi, atë që flet për Emiratin taleban në Afganistanin e para ca viteve për shembull.

Problemi themelor i këtij entiteti politiko-fetaro të marrë, tashmë e dimë se nuk ishin fare vetëm “burkat”, pra veshja deri diku tradicionale e grave afgane, të cilën ato edhe pas kaq vitesh prezencë të huaj perëndimore në vendin e tyre, s’është se e kanë hequr në masë vullnetarisht, por në të vërtetë çfarë e bëri famëkeq në ekstrem atë regjim “emirati”, ishin abuzimet dhe shtazëritë monstruoze të vëna në jetë me gjakftohtësi dhe përpikmëri nga talebanët.

Aspekti kryesor i sjelljes së tyre çnjerëzore, ishin veçanërisht GRATË, VAJZAT dhe FEMRA në përgjithësi.

Rrugës kishte vend edhe për vepra të tjera, tip 11 shtatori apo gjëra të ngjashme, por këto janë fakte të njohura që shpunë paevitueshmërisht në fundin e asaj çmendurie pas ndërhyrjes perëndimore.

Në këtë version pra, termi “emirat” ka lidhje me titullin e këtij shkrimi!

Fati i femrës të cilës i ka rënë...quajeni ju si të doni, pra ose “shansi” ose “barra” që të lindi e gjora askund tjetër përveçse në Shqipëri (se mund të lindte edhe në “parajsa” femërore si Islanda, Norvegjia, Suedia e tërë vendet Nordike, por edhe në “ferr tokësor” femëror si zonat tribale pakistaneze, Kabuli, bota arabe apo edhe trotuaret e Perëndimit ku femrat ende nën sytë dhe ndërgjegjen e pavrarë të shumëkujt, prostituohen në mes të ditës dhe natës, duke u shfrytëzuar barbarisht pa e lëvizur kush gishtin)...është i lidhur pra me shumë pikëpyetje, të pathëna dhe të paditura po ashtu!

Ja përse tashmë qartësisht në vendin tonë po ravijëzohen trajtat e një “genocidi” të mirëfilltë mjaft spontan sa edhe të radikalizuar nën lëkurën e të qënit shqiptar, ndaj femrës, gruas, nënës, motrës e shoqes apo mikes tonë në përgjithësi.

Kjo që ndodh prej vitesh në vendin tonë, nuk mund të mbulohet më me shoshë, është e pamundur të heshtet, sa edhe të bëhet sikur asgjë nuk po ndodh tashmë!

Nuk para merrem me statistika, por vështirë të ketë shtet tjetër rreth nesh apo më gjerë në Europë, ku marria mashkullore, të arrijë nivele kaq të shfrenuara sa në Shqipëri!

Rusët ndoshta pijnë shumë vodka, furnizojnë Perëndimin, SHBA-në dhe Kanadanë me mish të bardhë (prostituta), por sidoqoftë këtë prirje të lindur për t’i bërë keq me qëllim femrës, nuk më duket t’a kenë!

Dyshime çakërdisje ballkanike normalisht që bien mbi mjaft prej fqinjëve tanë, por as serbët apo grekët (shovinistë të mëdhenj, genocid-bërës dhe shfarosës të qindra-mijëra pjestarëve të kombësive rivale, si ne shqiptarët për shembull)...nuk njihen për ndonjë tendencë të fortë dhunimi sistematik e aq më pak vrasjesh e torturimesh ndaj femrës, ashtu siç prej kohësh vihet re të ndodhë rregullisht tek ne.

Turqit kanë lënë pas aq të zeza dhe mënxyra sa nuk del një jetë e tërë për t’i numëruar dhe evidentuar, por megjithë një mendësi tejet anadollake që mbretëron mes miliona banorëve të atij shteti (ku gruaja domosdo që përbën përherë të fundit rrotë të qerres), sido që të jetë, nuk rezultojnë barbarë në këtë pikë kundrejt femrës, siç duket të jemi neve.

S’besoj se ndokush i palajthitur mendërisht, të dyshojë ndërkohë për prirje të tilla anti-femërore nga francezët e rafinuar, meshkujt latinë spanjollë, italianët tipikë “cascamorti” (që bien përmbys pas çdo gruaje) apo gjermanët e nordikët e ftohtë sa edhe të njohur për respektin e tyre të rrallë kundruall barazisë gjinore!

Pra tanimë do pranuar, se përveç historisë sonë të lashtë, gjuhës sonë unike dhe të bukur, gjakut iilir, thrak e arbëror, kujtimeve të Gjergj Kastritotit (atij që e motra Mamica i drejtonte vetë një kështjellë, Petrelën dhe dilte edhe ajo në luftë me armë në duar)...mbretëreshës sonë legjendare Teuta (që iu fut grindjes me vetë romakët, pa pranuar të heqë dorë nga të drejtat e popullit të saj mbi detin që ende atëherë quhej Jon, pra “I JONI”, Mare Nostrum-i i ilirëve)...e gjer tek Nënë Tereza, shqiptarja humane dhe e amëshuar që na e njeh dhe respekton tërë globi, këto kohë neve jemi transformuar dhe po bëjmë lajm kryesisht si dhunues sistematikë të çdo femre me të cilën kemi të bëjmë!

Kjo i përket pjesës mashkullore të banorëve të shtetit shqiptar kuptohet.

E vërteta e zhveshur është, që kjo lojë nuk ka nisur sot dhe nuk besohet lehtësisht, se brenda pak muajsh apo vitesh, mund të mbarojë.

Jo, kjo është një frymë kolektive që është formësuar qysh larg nëpër rrjedhat e historisë së shqiptarëve, mosrespekti dhe nënçmimi ndaj gruas ka ekzistuar më parë me siguri, por ai ka zënë rrënjë të forta gjatë sundimit osman (jo se na i lanë të gjitha “dhuratë” turqit, se duke tentuar t’u kalohet secili faj atyre, sikur e lehtësojmë pak si shumë vetveten, ndërsa fajtorë jemi mjaft edhe ne, sikur për asgjë, për faktin se kemi ditur në mënyrë tinzare, që nga çdo pushtues, të përthithim gjithnjë, aspektet dhe trashëgimitë më të qelbura dhe të dëmshme të mundshme).

Problemi qëndron se pas shporrjes së turqve për nga patën ardhur në Turqinë e sotme (eh sikur të qenë “çmolekularizuar” drejt e në Mongoli, andej nga Turkestani kinez ku banojnë ende Ujgurët, turqit e origjinës, ”larg syve-larg zemrës” thotë një shprehje popullore, larg turqve-larg marrëzirave mesjetare të tyre do të ishim përfundimisht edhe ne)...shteti i ri shqiptar, sadoqë u kujdes të ngrinte nga e para aparatin shtetëror, organizoi Bankën dhe financat, shtypi monedhën, reformoi praktikimin e fesë e shumëçka tjetër, pozicionin e femrës brenda shoqërisë sonë, nuk e nxorri dot nga mesjeta e egër ku akoma gjendej në shumicë.

Motrat e Naltëmadhnisë së tij Mbretit Zog, visheshin ala-oksidentale, Tirana kishte një elitë mondane, me gra të lira dhe moderne, Shkodra, Korça, Gjirokastra, Durrësi, Vlora po ashtu njohën përparim të gruas në gjirin e jetës së tyre sociale, por më gjerë mesjeta për gruan shqiptare ishte realiteti i përditshëm gjersa partizanët hynë në kryeqytet me shokun Enver në krye.

Partia bëri edhe ajo reformat e saj, popullin analfabet, injorant dhe të pagdhendur, e çoi në bankat e shkollave (ashtu si vajzat e gratë, të cilat me hir apo pahir, për të parën herë në historinë shqiptare e patën këtë mundësi), përmirësoi sistemin mjekësor dhe femrës i dha mundësi të gjithëanëshme për t’u integruar në çdo profesion brenda jetës së vendit.

Gratë u bënë mjeke, mësuese, kuzhiniere, treniste, fatorino, sportiste, ushtarake, byroiste, por atij regjimi skizofrenik i do njohur edhe “merita” e veçantë, se në të persekutuarit dhe të përçudnuarit që i bënte vendit, gratë nuk i trajtoi aspak veçan meshkujve dhe burrave!

Pra ato u pushkatuan njëlloj, u internuan njëlloj, u torturuan njëlloj, u vranë dhe u poshtëruan e u çnderuan edhe më keq se mjaft burra (Musine Kokalari është shembulli perfekt në këtë kontekst, e mençur, e bukur dhe intelektuale e paepur, të cilën e bënë të jetonte ferrin përgjatë disa dekadave, duke e trajtuar më keq se shumë meshkuj që i kishin dalë kundër vijës së Partisë)!

Partia dhe xhaxhi Enver nuk mund kurrësesi të pohohet se bënin dallime seksiste në këtë këndvështrim, prandaj diktatura e tyre mizore, po qe se ka nevojë të “vlerësohet” për diçka, kjo është barazia në persekutimin e secilës gjini të popullit shqiptar, gra e burra, pa dallim feje, krahine dhe ideje (armiqtë e popullit s’kishin ndryshim në qenë femra apo meshkuj)!

Pastaj rrugës, teoria e “emancipimit të femrës” nga Partia, veçse shumë gra i shpëtoi nga zgjedha e prapambetjes, iu hapi portat e dijes dhe shkollimit e punësimit, të tjera i mashkullizoi duke i transformuar në “trimënesha”, ”burrënesha”, kooperativiste me mëngët gjer në llërë, duart në komposto fekalesh gati për të plehëruar tokën socialiste që do të ushqente popullin e uritur, traktoriste, tornitore, minatore, ushtare, stakanoviste të dalluara, pa trajta femërore dhe praktikisht të “aseksuara”, të shndrruara në qënie amorfe, jo më femërore, si krijesa ish-gra në kërkim të perfeksionit që gjendej tek njeriu i ri socialist, i cili ishte përherë një mashkull sypatrembur, i palodhur me kazëm në njërën dorë e pushkë në tjetrën!

1990-ta shqiptarëve dhe gruas e femrës tonë, i solli lirinë si kujtdo tjetër.

Por bashkë me të erdhi edhe shfrytëzimi i seksit të dobët në trotuaret italiane dhe më gjerë (nga duart e meshkujve shqiptarë), segregimi sërish i femrës brenda mureve të shtëpisë, dhuna në familje, vrasjet makabre, krimet e pazbardhura kurrë me objekt dhe viktimë gjithmonë vetëm femrën.

Femra mbeti dekor dhe “makiazh” për shtetin e politikën shqiptare, parlamenti ka ngelur ende i zbrazur me përfaqësim tejet të disfavorshëm për gati 50% të popullsisë së Shqipërisë, qeveritë me ministre femra që nuk numërohen dot as me gishtat e një dore dhe me pozicionet kyçe të aparatit shtetëror, gjithmonë fort duar mashkullore.

Gratë kanë sigurisht shoqatet e tyre (shumë mirë që i kanë), kur ndonjë femër masakrohet...edhe dalin nja 5-6 prej tyre (secila shefe shoqate, të cilës nuk i vijnë as tre-katër mikesha me vete sa për shoqëri, në mënyrë që sheshi i protestës të mbushej pak sa për të rënë në sy)...dhe “ngrenë” zërin kundër dhunës që femrës shqiptare po i merr frymën, jetën dhe dinjitetin përditë.

Por ndërkohë, inercia makabre e shtetit, shoqërisë dhe vetë gruas shqiptare, vazhdon proçesin e saj dezintegrues, teksa shoqëria jonë vandalizohet edhe më tepër, gruaja, nëna dhe motra jonë theret, goditet e vritet dhe genocidi shqiptar antifemëror, aq sa edhe mendësia prej emirati afgan, nuk gjejnë ndalje!



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora