E enjte, 25.04.2024, 08:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Ben Duro, "çuni" i këngëve dhe liqenit

E diele, 18.05.2008, 10:06 AM


Ben Duro ka mbetur ashtu siç e njohin "çunat" e mëhallës së vjetër, nga e cila është shpërngulur prej kohësh, por që është vendi ku ka lënë zemrën së bashku me vitet e rinisë: po ai trup, po ajo prerje flokësh, i njëjti vështrim që nuk gjen prehje, thuajse e njëjta mënyrë të veshuri dhe mbi të gjitha e njëjta, në mos më shumë, energji e brendshme që i shndërrohet në veprim dhe e mban në lëvizje të përhershme. Është një "çun" tirone që vazhdon të dojë rrugët e saj të vjetra, shtëpizat e pallatet me tulla silikate, njerëzit me të cilët ka ndarë vitet e rinisë ëndërrimtare, por veçanërisht këngën. Ajo është pasioni që e ka shoqëruar gjithmonë dhe nuk e ka lënë kurrë në baltë shpirtërisht. Te kënga ka gjetur veten dhe mënyrën për të shprehur të thënat e të pathënat e shpirtit dhe të mendjes gjatë morisë së viteve kur jetohej në një tjetër realitet, në atë që njihte vetëm dimensionin ndrydhës të nënshtrimit dhe frikës. Në kohë të tilla, më i plagosuri është shpirti. Ai ka nevojë më shumë se trupi për liri, ajër, hapësirë. I duhet kontakti me shpirtrat e tjerë dhe me gjithë bukuritë e mrekullitë që natyra t‘i ofron bujarisht e falas. Një shpirti i duhet frymëmarrja dhe shprehja që të përjetojë e të rrëfejë ato ndjesi që na bëjnë unikë si qenie në këtë planet: dashurinë dhe ndërgjegjen.

Dikur në fillim të viteve ‘80 disa djem tirone, nga ata që ishin kthyer nga ushtria, apo ishin në kërkim të punësimit, nga ata që dilnin pasditeve të verës në rrugët kryesore për të soditur bukurinë femërore, djem që kishin ëndrra, por jo plane, që kishin në zemër melodi e vargje, por ishin të dëshiruar për një kitarë, djem që ndienin, por shpesh kishin frikë të donin, por që kur donin linin kokën, vendosën të dalin nga liqeni dhe të këndonin për ato që nuk mund t‘i flisnin. Kryesisht për dashurinë. Një dashuri që ua treste zemrën e i bënte të rrinin me orë të tëra cepave të rrugës në pritje të "asaj", apo të qëndronin poshtë dritareve, duke lëshuar fishkëllima e sinjale për ta bërë "atë" të zbriste poshtë. Prej këtyre djemve që mblidheshin kryesisht të dielave, diku në një strehës buzë Liqenit Artificial lindën këngët që mbajnë emrin e tij, pra këngët e liqenit. Brezi i të rinjve të viteve ‘80 e di mirë se për cilët "djem" bëhet fjalë. Ata mblidhnin rreth vetes gjimnazistë, studentë, punëtorë dhe kalonin orë të paharrueshme nën tingujt e kitarës, me "hit"-et: "djall e dreq, por nuk jam i keq", "Prindërit", "Anxhela", "Medaljoni", "Ti qaje", e shumë këngë të tjera që sot vazhdojnë të përlotin nostalgjikët, por që më të rinjve u krijojnë ndjesinë e një tjetër mënyre të dashuri, asaj dashurie që, si çdo gjë në kushte të vështira, ishte e fortë deri në fatalitet. "Çunat" bëheshin bashkë nga pasioni dhe dëshira për t‘u shprehur dhe argëtuar në një mënyrë të ndryshme, për të përjetuar vrullet rinore dhe për t‘u rebeluar disi. Të gjitha ishin këngët e tyre, ishin historitë dhe përjetimet e hedhura në vargje e nota, që përcilleshin nga zërat ndoshta jo shumë të përpunuar, por të fortë e melodiozë të Benit, Sandrit, Bikes, Dashnorit, Leonardit, Abazit, Adhurimit.... të gjitha ishin shqip dhe të gjitha, në herën e tyre të parë u shoqëruan përveçse nga jehonat e zërave rinorë edhe nga luhatja e gjetheve të pemëve dhe zhaurima e valëve të liqenit...

25 vjet më vonë, ato këngë rishfaqen sërish, duke treguar kështu se nuk janë tretur viteve, përkundrazi. Ato kanë qenë lajtmotiv dashurie e shprese për shumë të rinj të dikurshëm dhe gjatë viteve janë topitur e përgjumur në shpirtrat e tyre, por jo zhdukur. Këtë e tregoi edhe salla e Teatrit të Operës e Baletit në të cilën "rilindën" sërish pas një çerekshekulli këngët e liqenit përmes zërit të Ben Duros e Ludovik Gjokës, dy nga çunat e dikurshëm që bënë një udhëtim në kohë, një udhëtim në nostalgji. Salla ku liqeni dhe këngët ishin të ftuarit e nderit u shndërrua në një vend brohoritmash e entuziazmi. 40-50-vjeçarët e ndienë veten fare të rinj nga meloditë që u zgjuan kujtimet që i mendonin të zhdukura. Koncerti i organizuar prej dyshes Bik-Ben i përfshiu të gjitha këngët më të suksesshme të kënduara nga djemtë e liqenit në vitet ‘80. Ai ishte i gjithi "live" dhe shfaqja zgjati rreth dy orë. Dy orë gjatë të cilave të gjithë performuan me më të mirën e mundësive të tyre. Sipas Ben Duros, që mbajti ndezur publikun jo vetëm me zërin e tij, por edhe me batutat e herëpashershme dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me spektatorët, këngët e liqenit janë tipike tingull i pastër shqiptar, janë melodi që nuk do të vdesin kurrë, sepse janë origjinale, nuk janë kopje të asnjë lloj rryme dhe pjellë e asnjë lloj komercializmi. "Na pëlqente që të këndonim në shqip, në gjuhën tonë që tingëllon aq bukur dhe që përkon aq mrekullisht me muzikën, duke pasur vetë një fonetikë aq melodioze", thotë Beni, që pavarësisht rrjedhës së jetës, pasi kohën e ndan mes Tiranës e Austrisë, nuk e ka humbur kurrë pasionin për të kënduar e përcjellë emocione përmes muzikës. "Kur je emigrant, larg atdheut e kupton se sa peshë kanë për ty kujtimet, por edhe këngët me të cilat ato lidhen dhe këngët që të ngrohin zemrën janë vetëm ato në gjuhën e nënës. Por duhet të jenë këngë të pastra, këngë shqiptare. Në këtë drejtim, një punë të mrekullueshme për promovimin e lançimin e talentit shqiptar ka bërë dhe po bën "Top Fest", që ka rigjallëruar tregun dhe e ka pastruar atë duke e pasuruar me tingullin shqiptar". Rikthimi i këngëve të liqenit nuk do të mbesë me kaq. Arben Duro ka parashikuar një tjetër koncert më të madh në fundvit, ku shpresoj të mbledhë më shumë "çuna" dhe më shumë nostalgjikë të viteve kur ëndrrat e ndaluara ishin një kitarë dhe një vajzë e dashur buzë liqenit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora