E enjte, 25.04.2024, 07:30 AM (GMT+1)

Mendime

Jeton Neziraj: “Memlizimi” i Kulturës në Kosovë

E hene, 15.07.2013, 07:53 PM


“Memlizimi” i Kulturës në Kosovë

Praktikat e sotme “Made by Memli” i ngjajnë atyre të grupit folklorik “Mallakastra” kur shkonte dikur në Francë...dhe shumë anë të qeverisjes së tij me inate e thashetheme politike e klanore.

Nga Jeton Neziraj

Nuk mund të krahasohet zhvillimi kulturor i tanishëm me atë të para vitit 1999. Natyrisht që jo. Kosova kulturore e viteve të 90-ta ka qenë ndryshe, e varfër dhe e rrënuar. Me pak shenja jete. Por, megjithatë, janë bërë përpjekje të vogla, por domethënëse. Para së gjithash, artistët, kanë qenë entuziastë. Ashtu ka qenë edhe publiku. Kujt në Prishtinë nuk i kujtohen ngjarjet kulturore në Teatrin Dodona?!

Të ardhmen e shihnim ndryshe. Krejt më ndryshe nga kjo që po na e përplasin para hundëve tani. Disi, kultura ka qenë më e pafata në krejt këtë “xhurulldi” të pasluftës. Nuk i ka ecur fare, sidomos me Ministrat e kulturës, të cilët, si për dreq, kanë qenë “secili më teveqel se tjetri”. Vinte njëri që e rraste buxhet deri në grykë Teatrin Kombëtar të Kosovës, për t’i lënë institucionet tjera me buxhet minimal. Vinte pastaj tjetri që, si kauboj i vetmuar, vendoste të ndërtonte hiç më pak se Teatrin e Operës dhe Baletit. E pastaj tjetri që vendoste renovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (e nga i cili renovim prej mbi 300 mijë eurosh, ndërroheshin pak më shumë se dhjetë pllaka kulmi). Dhe pastaj tjetri Ministër me marifete tjera, e kështu me radhë e kështu me radhë. Njëri nga këta Ministra, Lutfi Haziri, dalldisej ditëve të para të punës si Ministër, duke premtuar një “strategji për

kulturën” - me fjalë të tjera, premtonte një dokument në të cilin do të trasohej rruga të cilën duhej të ndiqte kultura në Kosovë gjatë viteve në vijim. Fundin besoj e dini: përralla në ballë, Lutfi Haziri në kafene.

Por ndryshojnë gjërat me ministrin aktual, Memli Krasniqi. Kultura në Kosovë është kapluar nga sindromi që me humor po e quajnë “memlizimi kulturor”. Kjo nënkupton: përfshirjen në sistemin e administrimit të kulturës të krejt atyre praktikave të këqija të ministrave të mëhershëm, dhe natyrisht, futjen edhe të praktikave të reja - unike, atyre “made by Memli”.

Siç pritej- ama vërtet pritej - Memli Krasniqi paralajmëroi me pompozitet “depolitizimin e kulturës”. Dhe ja, tani kur ai është në vitin e dytë të mandatit të tij si Ministër, biografia e tij ministrore është qëndisur me skandale të pahijshme politike. Thjesht, ai është kurthuar aty në qerthullin e burokracisë, inateve dhe thashethemeve politike e klanore.

Kjo mësymje prej partizani (në stilin: botën e vjetër blla blla, një botë të re blla blla) ka përfshirë shkarkimin ilegal të bordeve, shkarkimin dhe largimin e drejtorëve të krejt institucioneve kryesore kulturore në vend - përmes shkëputjes së kontratave ose përmes sabotimeve të pista si dhe largimin e drejtorëve dhe zyrtarëve të ndryshëm brenda vet Ministrisë së Kulturës. Dhe krejt kjo, në emër të “depolitizimit’ të kulturës. Imagjinoni. Ndërsa, nëse tregohet që drejtor të ri artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka vënë dikë që deri pak më përpara ka punuar në Zyrën e Kryeministrit Thaçi, atëherë, besoj që bëhet e qartë se për çfarë depolitizimi bëhet fjalë. Në fakt, jo depolitizim, por është bërë partizim i kulturës.

Dhe pastaj, shpërndarja e buxhetit për projekte kulturore nuk e kalon rrethin e tij të ngushtë të këshilltarëve, ish këshilltarëve, miqve të babait e militantëve partiakë, ose të afërmeve të zyrtarëve të ndryshëm politikë. Shihni projektet aktuale të financuara nga MKRS këtë vit dhe përmes tyre do ta krijoni për mrekulli “trungun familjar, miqësor e partiak” të Ministrit Krasniqi.

A ju kujtohen historitë e këtyre hershme për komisarët dhe sekretarët e partisë që kanë ndjekur artistët dhe grupet kulturore kudo që janë prezantuar. P.sh. kur grupi folklorik “Mallakastra” (ta zëmë), ka shkuar në turne koncertesh në Francë, pjesë e ekipit ka qenë, domosdoshmërisht edhe dikush i deleguar nga Partia. Si vëzhgues. Tani, kjo praktikë vazhdon akoma, në Kosovë. Ministri dhe sekretari i MKRS-së, shoqërojnë grupet e artistëve nga Kosova, kudo që ata udhëtojnë, në Kore, në Kolumbi, në Gjermani, në Slloveni! Ju do të pyesni, e çka lypin ata bashkë me artistët? Përgjigjja është: asgjë. Thjesht, shpenzojnë para kot dhe shesin mend para artistëve dhe para opinionit.

Getoizimi kulturor është duke e trullosur edhe më shumë kulturën edhe ashtu të trullosur në Kosovë. Këtë getoizim është duke e ndihmuar me zemërgjerësi edhe Ministri Krasniqi, përmes këputjes së financimit të projekteve kulturore të pavarura, përmes stimulimit të prodhimtarisë kulturore folklorike, përmes mbështetjes së festivaleve e ngjarjeve kulturore periferike, përmes thellimit të hendekut edhe ashtu ekzistues mes grupeve të krijuesve dhe përmes ndarjes së buxhetit sipas kuteve familjare, miqësore e politike.

Dhe, sikurse ministri Memli Krasniqi që tani krekoset se ka vënë në bankën e të akuzuarve për shpërdorim detyre dy ish Ministrat e Kulturës, kështu do të krekoset edhe Ministri i ardhshëm i cili do ta çojë në bankën e të akuzuarve Ministrin Krasniqi - për keq menaxhim, për politizim të institucioneve kulturore, për degradim të jetës kulturore në vend dhe për shumë gjëra të tjera për të cilat do të mësojmë në muajt në vazhdim.

Që të mos keqkuptohemi: vërtet besoj që dy ish ministrat e kulturës e meritojnë që për të bëmat e tyre të japin llogari para gjykatës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora