E enjte, 28.03.2024, 09:18 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Edhe njëherë për gruan…

E hene, 15.07.2013, 05:00 PM


Edhe njëherë për gruan…

Nga Entela Binjaku

Një ndër shprehjet që artikulohet më dëndur për gratë shqiptare në politikë është se kthehen në burra.

Sipas këtij perceptimi sjellja dhe qëndrimet në politikë janë larg natyrshmërisë femërore, më pranë sjelljes mashkullore pra, më pranë agresivitetit dhe ashpërsisë. Ky perceptim ka një të vërtetë, sepse vihet re një lloj ashpërsie të disa grave në politikë, shfaqur në debatet ku marrin pjesë egërsisht, në fjalorin aspak femëror hera-herës dhe në ndonjë lloj neurotizmi që shfaqin ato në daljet publike.

Sigurisht si perceptimi ashtu edhe sjellja e tillë kërkon një interpretim sepse të gjitha sjelljet shoqërore, për t´u shpjeguar mbështeten mbi  teoritë e  ndryshme të cilat nuk ju lënë vend qëndrimeve të pabazuara.

Për shembull Veberi dallon disa mënyra që përcaktojnë veprimet tona shoqërore, siç është mënyra racionale, në varësi të qëllimit, ku veprimi motivohet nga çfarë propozohet të arrihet.  Vetë prania  mbizotëruese e konceptit që burrat merren me politikë,  bën të frenohet koncepti i kundërt, po aq i vërtetë që edhe gratë mund dhe duhet të merren me politikë.

Pra, përfshirja e gruas në një mjedis të tillë e bën edhe më të vështirë integrimin e saj.

Pra, një grua shqiptare edhe kur hyn në politikë e ndërton të gjithë sjelljen e saj e kushtëzuar nga ky paragjykim dhe fillon të marrë formën e mjedisit.

Por sipas Veberit ka edhe një  mënyrë tjetër të të vepruarit,  të cilën ai e quan tradiconale ku veprimi lind nga sjelljet e fituara.

Historia jonë ka treguar se vetëm po u solle si “burrneshë” mund të depërtosh dhe të mbijetosh në hapësirat e vështira që krijojmë ne gjatë ndërveprimeve tona. Pra, vetëm duke u treguar e ashpër mund të merresh në konsideratë dhe të shqyrtohesh, ndryshe po qe e butë dhe femërore, nuk “bën për politikë”.

Në vetëvete i gjithë realiteti që jetojmë është një objekt studimi kaq i lëvizshëm dhe dinamik, saqë për kompleksitetin që paraqet, duhet të analizohet jo vetëm me ndihmën e teorive sociologjike por edhe të  disiplinave të tjera, që kanë në qendër  individin dhe ndërveprimet e tij me të tjerët.  Një rol jo të vogël  këtu luajnë  shkencat politike, antropologjia,  dhe veçanërisht psikologjia.

Transformimet që pësoi vendi me rënien e komunizmit, ndikuan dukshëm në këto 20 e ca vjet në pjesmarrjen e gruas shqiptare në jetën aktive shoqërore. Përpjekjet për t´i kuptuar këto transformime nuk mund t´i bëjmë pa analizuar statusin e gruas shqiptare, ku në veçanti ka ndikuar arsimimi i saj. Numri i femrave të regjistruara në shkollat e mesme nga viti 2000 deri në vitin 2007 është rritur nga 48236, në 73887, pra 74% më shumë, duke ditur që kjo përqindje është më e lartë e rritja se numrit të popullsisë. (INSTAT) Aktualisht nëpër shkollat e larta 58% e studentëve në tërësi janë vajza.

Ndryshe nga shumë vende të Botës, njwkohwsisht tek ne Parlamentin, Gjykatwn e Lartw, Prokurinw e Pwrgjithshme, etj., janw drejtuar nga gratw.

Por pa pjesëmarrjen e gjerë të  grave si vendimarrëse të pavarura, zhvillimi në të gjitha fushat do të jetë  i ngadaltë.   Në politikë përfaqësimi i gruas u rrit nga 7% në 16% në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në vitin 2013 ky përfaqësim shkoi në 17% pra, ende mbetet larg përfaqësimit në nivelin 30%, kuotë e përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Me fjalë të tjera edhe pse ligjërisht është tentuar tw rregullohet kjo çështje, sërish në praktikë mbetet vështirë për t´u zbatuar. Përfaqësimi i gruas shqiptare në politikë është i ulët dhe kjo nuk vjen nga indiferentizmi i grave për t’u përfshirë apo nga paaftësia e tyre, përkundrazi kjo vjen nga vështirësitë me të cilat ndeshen gratë për t’u përshtatur me realitetin e politikës shqiptare,  ndaj të cilit të duhet të tregohesh e ashpër pa të mbijetosh.

Sipas Gaetano Moskës “kriteri më i besueshëm në formimin e një klase politike, lidhet me një vlerë që përfaqëson superioritet të natyrës morale”. Përfaqësimi i gruas nënkupton përfaqësimin e asaj gjysme që presupozohet ndodhet më pranë të moralshmes. Përfaqësimi i saj i ulët lë të kuptohet se natyra morale e politikës tonë lë shumë për të dëshiruar.

Edhe pse janë bërë disa hapa cilësorë në drejtim të përfshirjes, të gjithë e kuptojnë që klima politike është agresive dhe terreni politik shqiptar është i ashpër.

Që një grua të pozicionohet mirë në shoqërinë tonë ajo së pari duhet të mbështetet nga fuqia lobuese për barazinë gjinore, më tej nga sistemi politik konkurencial dhe veçanërisht nga demokracia funksionale. Prania më e lartë e gruas do të ndihmonte  shumë në krijimin e një klime civile dhe emancipuese. Por, për këtë duhet të bindet dhe vetë shoqëria se sa rëndësi ka për zhvillimin tërësor të saj prania aktive e gruas me potencialin e intelektit, me natyrshmërinë e sjelljes femërore dhe me moralin që ajo përcjell. Nga ana e saj edhe gruaja vetë duke u ndjerë e përkrahur, e dobishme dhe e domosdoshme, do të avitej më lehtë në terrenin politik shqiptar, duke i dhënë atij një tjetër dimension, më të butë, më të moralshëm dhe më njerëzor.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora