E premte, 19.04.2024, 03:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Fabula nga Vangjush Saro

E shtune, 13.07.2013, 05:53 PM


Vangjush Saro

 

FABULA

 

 

I menderosur

 

Një mëngjes,

diku në një korije,

të mbështjellë në lagështi

edhe në hije,

një trumcak

qesharak

papritur veten e tij e pa

brenda një bajge për merak.

Hop(!) ngriti kokën edhe tha:

“T’ëmën! Ia dola...

Dhe...qenkam ngrohtë!

Më vjen të çoj zërin,

të cicërij...

Se nuk kam ftohtë

dhe nuk po ngrij.

Pastaj,

jo çdokush këngës ia thotë

i menderosur këmbë e kokë;

kjo është (apo jo?) një trimëri...”

 

Qëlloi aty për dreq një fajkua,

(mbi të e gjeti të bënte pikiadë)

e ngriti zgupthi me një thua,

ndërsa ajo gjëja i varej ndër krahë.

Nuk dinte ku do soste

zogu i shkretë,

ndaj cicërimën e harroi krejt.

 

Kjo përrallëzë pakëz pikante,

rrëfehet në disa variante;

se dhe personazhet nuk janë njësoj:

kanë sqep, kanë laptop apo pendë palloi

kanë atlete, opinga, këpucë me taka...

S’ndryshon vetëm bajga.

 

 

Pendim

 

Ranë përdhe ca piku shiu,

(stuhinë era po sillte).

Një fije bari shpejt i ulëriu:

degës që mbi kokë i rrinte.

-Po ti më lage, moj tutkune,

pra, hapi sytë

shiko...

Tha dega e shkretë:

-Ç’faj kam unë!

Po mbaj sa mundem, apo jo?

Fundja, këtu i thonë pyll

të gjithë jemi qull...

 

Kur vera erdh’ me përcëllimë

dhe gjithë

mbi dhe

u thanë pothuaj,

fija e barit urtë rrinte;

hija nën degë s’ kish të paguar.

Dikur u ndje pak e penduar:

-Kam bërër gabim, e dashur motër,

që për ca pika shiu llapa kot.

Tha dega pa përkëdheli:

-Ndodh që i biem edhe teneqes.

Kur e kuptojmë

gjithsesi,

është gjysma e së keqes...

 

 

Pas gjuetisë

 

Pas gjuetisë

prenë zunë të ndanin

Luani, Ujku dhe zonja Dhelpër.

-Urdhëro zotrote, se je i vjetër,

ndaje! - i tha ujkut luani.

Dhe priti puna si do shkonte.

-Epo, - tha ujku - kjo për mua.

Kjo tjetra për ty;

të takonte.

Ja edhe dhelpra pjesën e saj.

Si thoni,

mirë po e ndaj?

Luani si pa qejf u duk

dhe krifa e ashpër iu bë gjemb;

i dha një shkelm të ziut ujk

sa e përplasi te një shkëmb,

(ku ia filloi me rënkime).

Pastaj iu kthye Dhelprës qetë:

-Ndaje ti prenë, mikja ime!

Edhe shiko, të jesh e drejtë.

-Posi, - tha Dhelpra - kjo për ty;

kjo tjetra gjithashtu,

nuk ka sesi.

Merr dhe këtë...nëse e do,

është pjesa jote, apo jo?

Lëvizi vendit egërsira.

-Ku ke mësuar ti kaq mirë?

-Prej tij..., - tha ëmbël zonja Dhelpër,

duke treguar me një kthetër

ujkun e shkretë

ngjeshur te shkëmbi.

Këtu edhe u mbyll kuvendi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora