E shtune, 20.04.2024, 03:18 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Ikja e madhe nga zori i madh

E shtune, 13.07.2013, 11:14 AM


Ikja e madhe nga zori i madh

Nga Arbana Xharra

Zoti kryeministër, para disa muajve në faqet e kësaj gazete të patëm pyetur nëse rastësisht e dini sa kushton një kilogram bukë. Sipas të gjitha gjasave kjo pyetje nuk hyn në mesin e brengave tuaja, të cilat nuk kanë të bëjnë me brengat e qytetarit të rëndomtë. Sot kemi një pyetje tjetër. A e dini ju zoti Hashim Thaçi që çdo natë vetëm nga stacioni i autobusëve të Prishtinës nga pesë autobusë mbushen përplot me burra, gra, fëmijë.

Nuk shkojnë në det këta njerëz, siç mund të mendoni ju, rastësisht. Ata ia mësyjnë Beogradit dhe prej atje, prej kryeqytetit të Serbisë, vazhdojnë udhën drejt vendeve perëndimore. Këtë rrugë të mundimshme, plot rreziqe dhe ilegale këta njerëz e marrin nga zori i madh në të cilin gjenden, e marrin këtë rrugëtim për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, për shkak të varfërisë, në të cilën i keni hedhur me politikat tuaja aspak serioze ekonomike.

Shumë shqiptarë të Kosovës edhe 5 vjet pas pavarësisë s'po shohin ardhmëri në shtetin e tyre. Ata po kalojnë kodra e male me fëmijë në duar, duke paguar banda kontrabandistësh, të cilët herë i hedhin përtej kufijve të Schengenit, herë i lënë në breg të Danubit dhe në mëshirën e fatit. Ndoshta, z. Thaçi, qeverinë tuaj e kanë njoftuar miqtë tuaj të rinj në Beograd se së paku 200 veta çdo natë arrijnë nga Prishtina në Beograd.

Ata bredhin fushave të Vojvodinës duke kërkuar lidhje për të dalë në Hungari, një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe zonës së Schengenit. A thua z. Thaçi e dini sa shqiptarë largohen nga Kosova brenda një muaji, nëse vetëm nga Prishtina çdo mbrëmje nisen nga 5 autobusë "drejt Evropës", drejt "parajsës së premtuar". A ka qeveria juaj, z. Thaçi, të dhëna se sa shqiptari ka përfunduar në burgjet e Hungarisë, pasi është arrestuar nga policia e këtij vendi?

Hidhjani një sy fotove të botuara sot në gazetën “Zëri”, shikoni fëmijët e prindërve të rinj shqiptarë që po i mbushin autobusët për në Beograd. Këto fotografi janë bërë të shtunën mbrëma. Këto pamje mund të shihen edhe gjatë gjashtë ditëve të tjera të javës jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komuna të tjera. Këta nuk kanë marrë këtë rrugë për qejf, për të vizituar Evropën, por këta të mjerë po ikin se nuk po shohin ardhmëri në shtetin e keqqeverisur nga ju dhe rrethi juaj.

Këta po e lënë Kosovën e kapur nga hajnia e krimi, ku përpara syve të tyre çdo ditë u sillen milionerë të pasuruar nga plaçkitja e shtetit. Këta po e lënë Kosovën me shpresë se do të gjejnë një vend pune diku nëpër Evropë. A ju kujtohet tetori i vitit 2009 z. kryeministër? Tragjedia në lumin Tisa? Kur humben jetën disa familje, në mesin e tyre edhe fëmijë, teksa po kalonin kufirin hungarez me varkë nëpër ujë?

Duket se asgjë nuk ju kujtohet, sepse jeni i zënë duke bërë propagandë se si Kosova po përparon. Katër vjet nga ajo tragjedi, si asnjëherë më parë që nga mbarimi i luftës në Kosovës, kosovarët janë duke ikur nga shteti të cilin e sundoni ju dhe e qeverisni për interesa të klientëve tuaj.

Ju mund të dilni në televizionin tuaj personal që punon me paratë tonat dhe të recitoni e premtoni se do të hiqen vizat për zonën e Schengenit. Ju mund të dilni dhe ta intervistoni veten në RTK, por gjendja nuk do të ndryshojë fare.

Varfërimi i skajshëm i popullsisë dhe pasurimi ekstrem i rrethit tuaj janë pasqyrë e qeverisjes suaj aq të dëmshme për Kosovën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora