E merkure, 24.04.2024, 01:59 AM (GMT+1)

Mendime

Ali Cenaj: Katolikët e Idriz Seferit

E shtune, 13.07.2013, 11:08 AM


Katolikët e Idriz Seferit

Nga Ali Cenaj

Vetë Idriz Seferi, prijësi i madh i kryengritjeve të shqiptarëve në atë kohën kur pas muzgut të gjatë aziatik, po vendosej fati edhe i shqiptarëve në këtë gadishullin e lashtë të Ilirisë, strategu e komandanti të cilit i këndohet kënga e Betejës së Kaçanikut, do të ishte tmerruar edhe më shumë se ne dhe s’do të mund ta besonte se do të vijë dita që mu në vendlindjen e tij, dikush nga të vetët, jo vetëm t’ia kthejë shpinën por t’ia rrënojë edhe përmendoren, ashtu siç ndodhi një ditë më parë në vendim me emrin Miqibabë, në Karadak.

Dhe atë për çka? Merreni me mend, sepse s’paska qenë mysliman, siç e kishte emrin e mbiemrin por paska qenë katolik! Ashtu siç mund të jetë apo të ketë qenë edhe vetë rrënuesi i përmendores, nëse është pjesë e kësaj popullate të Karadakut e njohur për fenomenin e laramanëve. Si fenomen i shqiptarëve të cilët rënia e pushtimit turk i gjeti në mes të udhës të konvertimit nga katolikë më myslimanë. Dhe mbetën të tillë, në mes, as andej as këndej. Andaj morën emrin Laramanë. Me emra myslimanë në paraqitjet publike por brenda familjes ruajtën fenë e vjetër, kuptohet në diskrecion pasi duhej gjallëruar në një ambient primitiv diskriminues si ky që nuk e duruaka as një skulpturë në shkëmb.

Dhe si për ironi, këtë e bën dikush nga gjaku i shprishur i Seferëve që tashmë s’e njohin as vetveten. Si fundamentalistët talibanë në Afganistanë që vite më parë me raketa shkatërruan një nga monumentet më të mëdha botërore, Skulpturat Budiste tremijëvjeçare, të gdhendura në shkëmb, këta pasardhësit e talibanëve tanë në Karadak përsëritën vandalizmin e njëjtë: thyen një skulpturë të madhe në shkëmb të cilën kishte nisur ta skaliste skulptori i kësaj ane Hevzi Nuhiu. Artisti të cilin vite më parë, kisha pasur rastin ta takoja në mesin e arbëreshëve, në Shën Mitër Korona, ku kaluam një mbrëmje të paharrueshme në një ambient shqiptar në familjen e tij, mes skulpturave, shumë nga to me motive nga vendlindja, si “Daullxhinjtë”, drugdhendja që deri vonë zinte vendin e nderit në dhomën time të pritjes.

Artisti që me vite bëri emër me veprat e çmuara artistike edhe jashtë komunitetit arbëresh në Itali, si kurbetqarët që nuk thonë më kot se atdheu duhet më shumë kur është larg, kthen shpesh në Preshevë e në Karadak Dhe pas çdo vizite në shkëmbinjtë mbi Preshevë ka lënë prapa nga një vepër skulpturore në natyrë.

Kjo e Idriz Seferit do të duhej të ishte e radhës. Por dikush nga vandalët tanë mendor duke shkatërruar një vepër të tillë artistike, aq më keq me prapavijë fetare, treguan se as anticivilizuesja, antinjerëzorja e mbi të gjitha antikombëtarja nuk kanë fund. Ashtu si treguan se investimet e viteve të fundit të qarqeve fetare ekstremiste antiperëndimore që duan të na bëjnë mashë në duart e tyre kanë filluar te japin rezultatet konkrete.

Pas serisë së sulmeve mbi baza fetare mbi figurat kombëtare si Gjergj Kastrioti- Skenderbeu, tash Idriz Seferi dhe sulmeve tjera të përditshme për të përçarë apo armiqësuar shqiptarët mbi baza fetare, edhe ata të Bashkësisë Islame por edhe qeveritarët duhet ta kuptojnë se mendësia strucit nuk ka sjellë kurrë një të mirë.

Është koha që shteti dhe populli të mobilizohen që sherrbudallë të tillë që në emër të fesë po i fryjnë urrejtjes ndërfetare, t’u ngushtohet rrethi dhe t’u kufizohet veprimtaria. Aq më shumë që vetë feja e mirëfilltë myslimane nuk e udhëzon askënd qe ta urrejë tjetrin pse i takon një besimi tjetër. Përkundrazi, predikon tolerancën, dashurinë dhe afrimin ndaj njeri- tjetrit.

Ekstremistë të tillë anti-kombëtar po pushtojnë hapësirën që u është lejuar. Nëse sot thyejnë skulptura apo varreza nesër radhën e kemi ne, njerëzit normalë të këtij vendi. Të këtillë çfarë jemi e çfarë ishim, me të gjitha diversitetet tona por edhe tolerancën fetare.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora