E premte, 18.10.2019, 10:53 PM (GMT+1)

Kulturë » Drita

Drita Lushi: ''Sharrajt në jetën e kombit''

E shtune, 13.07.2013, 07:05 PM


KUR  NJË POETE “TROKET” NË HISTORI

“SHARRAJT NË JETËN E KOMBIT”

-Monografi - Zyba Hysa

NGA DRITA LUSHI

 

Vlorës

 

Ç’jam për ty, e dashur Vlorë,

Një pikë ujë në detin blu,

Të më flakësh, se ke zor,

Deti mbetet prapë ashtu...

Kush prek Vlorën, zemëron Zotin,

Lëndon palcën e kombit tonë,

Vlorën... Vlorën të ma doni,

Kombëtarisht, ne na bashkon.

 

Vlorë, moj, Vlorë...!

Zgjatmi duart të t’i puth,

Ato mbajnë vulën e kohës,

Mbajnë të shkruar historinë,

Në pëllëmbë të dorës...!

Vlorë, Vlorë, moj, Vlorë...!

Pasqyrë e stërmadhe,

Ku historia shqiptare shihet,

Nga përplasja e dallgëve,

Stërkala gjaku ngrihet

Toka i thith... vlaga,

Arome lirie”

 

E si mund të niste ndryshe ky libër monografik, veçse me këtë poezi kaq prekëse, e ringjallëse mbas çdo vargu?

E si mund të niste ndryshe ky libër, veçse me këtë poezi që të zgjon ndjenjën atdhetare dhe admiruese për Vlorën e njerëzit e saj?

Nje poeteshë e shkrimtare si Zyba Hysa, nuk  mund te mos i çelte portën e historisë: Të vërtetës!

Asaj të Vërtete që duhet ta dijë çdo njeri, që i thotë vetes shqiptar.

E kemi  ndierë shpesh që shumë figura apo personalitete janë anashkaluar rrugës së gjatë të historisë, megjithëse mund të kenë qenë një gur i fortë themeli, një gjurmë, një fakt i rëndësishëm, një shtysë, një subjekt i fortë në zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme në  Historinë Shqiptare.

Vetëm një artiste e aq më shumë një grua nuk mund të anashkalojë  të tilla gjëra, sepse s’do ndihej aspak e qetë shpirtërisht, qoftë me veten, qoftë me popullin, por mbi të gjitha me të vërtetën.

Ka periudha te caktuara kur një shkrimtare(ose shkrimtar) duhet    marrë në dorë “fatet” e fiseve apo njerëve të “harruar”, sepse  shpiti i saj është  aq i ndjeshëm, aq human, sa arti i duket i vogël, para faktit  historik të anashkaluar.

Një fakt që ndoshta historianët  e kanë harruar, na e “kujton” përmes kësaj monografie kaq të bukur autorja Zyba Hysa duke na  sjellë  në dije, familjen Sharra dhe burrat e saj; më mirë të them, na njeh me një  FIS të tërë :ATË  TË SHARRAJVE

“Hasan Sharra, Ceno Sharra, Muço Sharra, Musa Sharra, pra të gjithë pinjollët e kësaj familje që jetuan dhe punuan për çështjen Kombëtare në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë, gjatë zhvillimit të

kuvendit, firmosjes së këtij akti nga më atdhetar, janë më shumë se një firmëtar, ata janë të parët e „dasmës“ dhe firmëtarët, janë „krushqit“ që hodhën vallen me hapa të sigurta prej një melodie që kishte kohë që dëgjohej përmes përpjekjeve të gjithë patriotëve dhe u hodh në pentagramin e kohës për të lënë trashëgim brezave identitetin e shtetit shqiptar, por për fat të keq, vallja nuk u hodh deri në fund, por melodia është e shkruar me gjakun dhe mundin e gjithë patriotëve në shekuj, me firmën e përfaqësuesve nga gjithë trojet etnike shqiptare, ajo ka veç një titull : Bashkimi Kombëtar”- shkruan autorja

“Ata pra, nuk figurojnë në listën e atyre që firmosen pavaresine, por ata realizuan me sukses këtë akt historik, se pa përkrahjen e familjeve të pasura të Vlorës e në veçanti, të familjes Sharra, nuk do të ishte realizuar kurrë e sot nuk do kishim 100 vjetor të shpalljes së Pavarësisë”- vazhdon ajo.

Një monografi mbresëlënëse, tërheqese, ku e verteta mbi Fisin e Sharrajve ndërthuret me mjaft elemente epikë dhe poetikë, me nje gjuhë të ndjeshme, prekëse, por dhe të guximëshme, që mbart një të vërtetë e cila në tregimin dhe trajtimin që autorja i bën, kthehet në një mal stoik vërtetësie.

Autorja na kalon nëpër monopate emrash, ngjarjesh, vitesh, periudhash, veprimtarish e para syve”shoh” vërtet,  gjithë ata burra, familje, me punën e veprimtarinë e tyre, shoh gjithë jetën e tyre të përditëshme e atdhetare të pashkruar por që pena e Zybasë, ia heq mantelin e harresës, dhe në ndërgjegjen time ndihem mirë, shumë mirë, që mësova diçka të re, nga rrëshqitja e penës së saj  mbi letër e shpalosja katërcipërisht e asaj  të vërtete ekzistenciale e mbuluar nga indiferenca e dekadave dhe viteve, por që gëlonte nga shpresa e dëshira se do vinte një ditë që…

E ja ku erdh’ kjo ditë.

Erdhi një shteg drite nga dora, mendja e shpirti i një gruaje, një nëne, një shkrimtareje.

Por si mund  të shkruajë një  grua për burrat e një fisi, pa përmendur dhe gratë?

Madje jo vetëm”përmendur”, por lartësuar në mënyrë të merituar.

Prapa  një  burri të fuqishem, të sukeseshëm  gjithnjë  qëndron një  grua e mirë.

Kjo vlén për të gjitha kohërat.

“Atdheu është një dashuri pa interes”- aludon me të drejtë autorja.

Te japësh dhe të mos presësh nga Ai ,një filozofi dashurie që duhet ta ketë çdo njeri vetëm me Atdheun.

Trajtimi që i bën autorja në veprën e saj jetës dhe veprimtarisë se Fisit  të Sharrajve ështe mjaft origjinale dhe nuk lë shteg për harresa, hamendësime apo keqkuptime. Ajo i  trajton në  një kohështrirje që i jep frymëmarrje dhe shikim gjithë jetës në periudha të largëta dhe historike, në periudhën e Pavarësisë, pas Çlirimit e deri në ditët e sotme, gjithë atyre njerëzve e burrave që bëne emër dhe e bënë  të njohur këtë Fis me veprimtarinë e tyre atdhedashëse, paçka se shumica patën një fund  të dhimbshëm.

E kështu, kemi të paraqitur  dhimbshëm e me realizem, kalvare gjyqesh, dënimesh, persekutimesh, që iu bë burrave të  Sharrajve nga regjimi Enverist.

Një punë hulumtuese, voluminoze, këmbëngulëse nga ana e saj, shfrytëzimi  i sa e sa revistave, gazetave, shkrimeve të ndryshme, tregojnë zellin dhe përkushtimin e saj në shkëlqimin dhe vënien në vend të emrit,  të këtij Fisi të madh e atdhetar.

Kush ka parasysh romanin “KËNETA” të Fatmir Gjatës, e bën përnjëherë lidhjen, dhe kujtesën se si Abdyl Sharra(një ndër personazhet  e romanit dhe njëkohësisht real) dënohet me vdekje, se gjoja sabotonte punimet  për tharjen e kënetës, duke inskenuar të ashtuquajtura prova famëkeqe dhe të gënjeshtëra.

Në Shtëpinë e Sharrajve u strehuan delegatët e  Kongresit Historik, dhe vetë Ismail Qemali. Shtëpia e tyre gjendej pikërisht në Sheshin e Flamurit.

Ilustrimi me foto i gjithë burrave të shquar të Sharrajve, veprimtaria e tyre e gjithanëshme, shtëpia e tyre, monumenti i Pavaresisë ne Vlore, fotot e Sharrajve me Ismail Qemalin, te paraqitura këto (foto)brez pas brezi, që nga ató bardh e zi, e deri tek atÓ me ngjyra, të emocionojnë dhe e bëjnë më të prekëshme këtë histori të shkruar me dashuri nga kjo grua.

Një dashuri për të vërtetën, një ndjenjë humane e saj që të zbardhë njëherë e mirë, atë që errësira njerëzore e kish hedhur skutave të viteve.

Ky libër përmban jetën atyre burrave që folën me vepra e jo me fjalë, që ditën të japin dhe falin dashuri e atdhetari pa kërkuar asgjë, dhe pse fundi i jetës së tyre qé  shpeshherë tragjik dhe i dhimbshëm.

Pasi mbaroj së  lexuari këtë monografi historike, pasi shoh çdo foto, ndihem mirë e njerëzishëm si shqiptare që jam, e me fat, që njoha këte Fis të madh jo vetëm në numur, por më  të madh në bëma dhe histori.

Pasardhesit e tyre duhet te ndihen krenarë me emrin e të parëvë, me veprën e gjakun e tyre, se pa tÓ, e pa veprimtarinë  e shumë e shumë atdhetarëve të tjerë shqiptarë nuk do ishim të lirë, nuk do të ndjenim të lirë dhe nuk do të shkruanim të lirë.

Shpresoj shumë, që shpirti i tyre, të ketë gjetur sado pak prehje nga kjo monografi e mrekullueshme, ku ndërthuret e vërteta dhe arti bashkë, të cilën vetëm një grua, nënë dhe poete mund ta paraqesë kaq denjësisht.

Padyshin që  Sharrajt e sotshëm duhet të ndihen të vlerësuar, tëqetë dhe mirë  që u shkruajt për até, që parardhësit  e tyre bënë për kombin dhe Atdheun.

 

Drita Lushi

Korrik 2013 Shqipëri.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT