Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Thonë se në Shkodër se ç’na pati fituar e majta (dhe ia mbysin kot) !

| E premte, 12.07.2013, 04:21 PM |


Thonë se në Shkodër se ç’na pati fituar e majta (dhe ia mbysin kot) !

Nga Elvi Sidheri

Ka ditë të tëra pas 23 qershorit që serbatori i pakonsumueshëm i shkollës së “krijimtarisë” (rroma për toma, pra bjeri t’i biem me pallavra të shumta, se diçka do mbetet) i qarqeve të majta shqiptare, i fryn erës së lumtur të “Fitores historike në Shkodër” nga socialistët normalë, të integruar dhe të ngjashëm të tjerë me idetë e tyre.

Tek i dëgjon britmat e gëzimit “orgazmik” që buron nga thellësia e qënies së tyre (një ngazëllim i rrallë ky, që nuk dihet mirë a e patën provuar edhe partizanët “trima” që dikur hynë “paftuar” në atë qytet me datë 28, 29 apo 30 nëntor të 1944-ës), të bëhet se beteja më e madhe e së majtës tonë, na paskërka qenë jo fitimi i zgjedhjeve në përgjithësi, por triumfi në Shkodër dhe asgjë më tepër se aq!

Këtu e dy javë e ca, nuk ka mbetur i majtë apo ithtar i së majtës në Shqipëri, pa përjashtim feje, krahine dhe ideje (të majta edhe ato gjithmonë, nga vija e partisë nuk lëvizet)...pa përsëritur gjersa të bëjnë të të përzihet stomaku, se në Shkodër tashmë “de facto” na ka ndodhur ajo përmbysja e madhe që kurrë më parë nuk qe bërë dot e mundur.

E thonë dhe e rithonë aq shumë (si papagaj) këtë fjali “sublime” sikur mos të jetë se po bëjnë kështu ndonjë pohim të rëndësishëm, sa edhe real, por në realitet të jenë duke u përpjekur fuqimisht që t’i mbushin mendjen vetvetes se ky fakt ka ngjarë me të vërtetë, pa qenë thjesht ëndërr!

Sepse që në të majtë të mos e besojnë plotësisht një gjë të tillë, kjo nuk do shumë mend dhe në këtë pikë, janë edhe për t’u mirëkuptuar “të mëngjërit” tanë, se “rrallë e për mall” ndodh që t’iu vijë zogu “ciu-ciu” në duar dhe t’u ofrohet shansi më unik sesa i rrallë, që në të ashtëquajturën Kryeqendër e Veriut ata të mund të fitojnë.

Respekt maksimal pra për përdëllimin entuziazmik të tyre gjithë këto ditë!

Le të festojnë për këtë fitore...edhe më tepër sesa për faktin cazë më kapital, që në realitet fitorja e tyre ka qenë e madhe, por ajo ka ndodhur tjetërkund nëpër Shqipëri, ose rrotull qytetit në fjalë, por kurrësesi jo brenda në Shkodër!

Sepse faktet, ato “me dhe mbi” të cilat ndërtohen përfundimet llogjike, tregojnë një pasqyrë tjetër lidhur me këtë rast të veçantë.

Që PS, LSI dhe ndoca aleatucë të tyre të veckël, kanë fitur globalisht zgjedhjet, këtë vetëm ndonjë debil pa tru mund t’a vinte ndopak në dyshim.

Unë s’bëj pjesë në ata që kontestojnë fitoren e së majtës, megjithë vota të blera apo shitura (dikush i ka shitur, dikush tjetër djathtas që duhet t’i ruante nga shitja,  s’e ka bërë fare detyrën e tij për shembull ), megjithë ndonjë manipulim me pasojë firon e ndonjë deputeti të djathtë, por sidoqoftë fitorja e tillë është dhe të majtët poshtë 82-83 mandateve nuk është se bien në kuvend.

Pra një fitore e njohur nga të gjithë, shqiptarë të majtë a të djathtë, bashkë me të huajt...ka ndodhur dhe ajo i takon PS-së dhe LSI-së që rrjedhimisht do të ngrenë edhe qeverinë e tyre mbi këto themele të shëndetshme numerike në parlamentin e ardhshëm shqiptar.

Por ndërsa qartësisht në Qarkun e Shkodrës, e majta ka fituar mbi të djathtën (për herë të parë kjo), sido që të jetë brenda në qytetin e Shkodrës të majtët NUK KANË FITUAR!

Qarku i Shkodrës nuk përfaqëson qytetin e Shkodrës, por Shkodra përveçse i jep emrin atij për shkak të peshës së saj specifike kulturore, historike dhe tradicionale, në atë zonë të madhe zgjedhore bën pjesë bashkë me Pukën dhe Koplikun, pra Malësinë e Madhe.

Qarku Shkodër ka 250 mijë votues, gjysma e të cilëve votuan në këto zgjedhje.

Prej tyre Bashkia Shkodër ka 88 mijë votues, nga të cilët 42 mijë e ca votuan kësaj rradhe.

Pra si në shifrën totale të votuesve të regjistruar në rang qarku, e si në atë efektive të atyre që votuan, Bashkia Shkodër ka fiks 1/3-ën e votuesve të qarkut në fjalë.

Kjo për të treguar për ata që me emrin e Shkodrës po luajnë prej ditësh të tëra, duke e “njollosur” atë me sajime “triumfesh” të majta, se ky qytet nuk përbën në tërësi qarkun për të cilin kaq shumë po diskutohet këto kohë.

Atëherë çfarë ka ndodhur realisht brenda në Bashkinë e Shkodrës?

Shifrat edhe këtu na ndihmojnë që të mos bëjmë fare teori apo shpikje pa kripë e pa asnjë kuptim.

Partia Socialistë në Shkodër qytet, ka marrë sipas traditës së saj më të mirë historike qysh nga 1991-shi e këtej, vetëm 27.98% të votave, përkthyer në 11 mijë e 788 vota.

LSI-ja që është rritur tejmase, ka fituar 13.34%, ose thënë ndryshe 5620 vota në qytetin e Shkodrës.

Kurse Partia Demokratike ka marrë 40.88% të votave, pra 17 mijë e 225 vota, ose ekzaktësisht 5437 vota dhe 14% më shumë se PS-ja.

Edhe së bashku PS dhe LSI mezi sa e kalojnë me 0.3% PD-në të cilës po iu shtuan vetëm votat e PR-së si aleate, del sërish mbi 3% përmbi dy partitë e mëdha të së majtës.

Pra pyes veten, për çfarë arsye në botë po festohet aq shumë majtas, sidomos në rradhët e PS-së shkodrane, kur gjenden si zakonisht aty ku ju takon me meritë të plotë, domethënë 14% poshtë PD-së e cila në ndërkohë siç e treguan faktet, nuk ështe se po kalon kohët e saj më të ndritura dhe në këto zgjedhje u shkërmoq ngado nëpër Shqipëri?!

Por kjo tërheqje, kjo rrudhje që i ngjau në çdo cep elektoratit të partisë më të madhe të së djathtës, megjithëse ndodhi edhe brenda në Shkodër, sido që të jetë nuk ishte a atillë sa t’a bënte PS-në të dilte e para, apo të majtët që të kryesonin në atë qytet.

Po fundja meqë në Shqipëri, për shkak të asaj që kemi kaluar në shekuj, çdo arsye për të festuar është e mirë, nuk ka përse të mos i lemë të festojnë e të lumturohen miqtë tanë të majtë.

E vërtetë është që gjithësesi të majtët kanë patur ngritje të fortë edhe brenda Shkodrës si qytet dhe kjo duket e s’mund të mohohet aspak.

Por për të fituar, jo pra jo, fituar nuk kanë sadoqë t’a përhapin lajmin fals të kësaj ndodhie të paqenë, nga të katër anët derisa dikush edhe t’a besojë këtë kumt fiktiv dhe të pandodhur në realitet.

Aq më tepër është interesante të vëresh sesi mbi të gjitha PS shkodrane feston e hidhet pupthi sikur a thua ti çfarë të kishin bërë, ndërkohë që maksimumi që kanë realizuar, është që të mos bien poshtë 27%-shit të tyre të traditës së mbështetjes në popull.

Nëse ka nga ata që duhet të gëzohen majtas, janë padyshim LSI-tët të cilët kanë brofur përpjetë dhe i janë afruar 14%-shes së votave.

Por njëkohësisht edhe korja e vjetër e djathtë shkodrane, qoftë ajo e tillë mirëfilli pavarësisht kujt partie të djathtë i beson votën e saj, apo thjesht simpatizante dhe votuese e PD-së, duhet të jetë krenare që edhe në një palë zgjedhje të tilla “futje në ujë” të së djathtës shqiptare, sërish ia arriti që mos t’a lejojë të majtën që t’a marri “demokratikisht” qytetin e Shkodrës.

Kështu pra të dashur lexues, në Shqipëri jemi mësuar t’a shesim dhe shpesh t’a hamë “me ndërgjegje” të plotë sapunin për djathë, pra ndoshta edhe të pohojmë se fluturojnë të lumtur në qiejt e kaltërt gomerët, por ndërsa të tilla fenomene sadoqë nuk i kam hasur personalisht, sërish ia lë shkencës t’i studiojë, ndërkohë faktet që derivojnë nga vota e qytetarëve shkodranë, nuk ka kush t’i mohojë, sajojë, stisë apo të luajë me to ashtu si t’ia ketë më mirë ënda!

Por ndërsa për shembull tek publiciteti i ndonjë pijeje energjitike si “Demi i Kuq”, gomerët çoku edhe flutorojnë qiejve të lirë, në Shkodër sidoqoftë nuk ka asnjë mundësi që të majtët dhe aq më pak PS-ja që më tepër po gërthet lart e poshtë sikur të ketë “pushtuar Rajshtagun” (strofka e fundit e “armikut të kllasës” ajo medoemos, e morën me armë në 1944-ën, s’i pyeti kush për 45 vjet aty dhe 23 vjet demokraci s’i honepsi fare qyteti i lartpërmendur)...të kenë ndonjë shkak real për të qenë aq entuziastë lokalisht lidhur me zgjedhjet e atjeshme.

E djathta në Shkodër pra përfundimisht ka fituar edhe duke qenë në “pikë të hallit” siç u pa të ishte në këto zgjedhje rreth e përqark vendit.

PD-ja ka rënë në qytet, por mbetët bindshëm parti e parë, PR-ja është fryrë mjaft dhe partitë e tjera të djathta sërish vota mbledhin për në trastën e përbashkët.

Për këtë arsye kënga dhe disku i prishur që s’di të ndalet me temën e preferuar të qarqeve të majta partiake, shoqërore dhe mediatike...se “edhe në Shkodër kemi fituar”, është një pjellje e bukur për t’u dëgjuar dhe mikluar ndoca veshë socialistë, por kurrësesi e vërtetë apo e faktueshme duke lexuar numrat e votave në terren.

Qarku i Shkodrës ka rënë demokratikisht për mjaft arsye në duar të majta, Puka, Kopliku e deri tek Postriba antikomuniste janë tashmë të majta gjer në zgjedhjet më të afërta, por Shkodra si qytet edhe kësaj rradhe, megjithë mundësinë e madhe që patën të majtët për të bërë të shumëpriturën (për ta) rrokadë, majtas nuk u kthye, por mbeti djathtas!

Çdo pohim tjetër është trillim dhe asgjë më tepër!

Në PS duke qenë se po vjen koha e ardhjes në detyrë të qeverisë së re, ku ata do të kenë peshën më të madhe (se kryesore nuk mund të thuhet, për shkak të faktorit vendimtar LSI), bëjnë mirë që të pushojnë së festuari, t’a besojnë njëherë e mirë se në Shqipëri (jo në Shkodër), ata dhe aleatët kanë fituar dhe të nisin të vënë në jetë ato çfarë kanë premtuar për (sipas tyre) të mirën e këtij vendi.

Përrallat me mbret që kanë fituar në Shkodër, le t’i ëndërrojnë gjatë ndonjë nate dimri, sepse realiteti është sërish, edhe kësaj rradhe i ndryshëm nga dëshira e tyre legjitime për të qenë njëherë fitues edhe aty.

Ndërkohë andej nga partia më e madhe e vendit, ajo që do na qeverisi për katër vjet, të kenë po aq parasysh se idetë e para 23 qershorit, për një “popull opozitar” dhe ato të tashmet për “1 milionë vota”, nuk duken edhe shumë normale në një demokraci, si kjo që supozohet të kemi ne.

Kryeministri i ardhshëm dhe partia e tij, si dhe gjithë aleatët e tyre, duam apo s’duam, kanë ardhur në pushtet ligjërisht dhe po aq në mënyrë legjitime do të na qeverisin të tërëve ne shtetasve të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri i zgjedhur, i tillë është për çdo banor të këtij vendi dhe jo vetëm për ata që e kanë votuar pra!

Ne të tjerët që nuk qemë (me vullnet të plotë) pjesë e “popullit opozitar” para 23 qershorit dhe të atij “milionshit” ditën e votimeve, çfarë qenkemi atëherë?