E enjte, 28.03.2024, 09:47 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Dy breshkat e Kryeministrit

E merkure, 10.07.2013, 08:05 PM


DY BRESHKAT E KRYEMINISTRIT

KOKË MË KOKË NË KABINET

NGA KALOSH ÇELIKU

Populli shqiptar, vërtetë kësaj radhe ka bërë ndryshime të mëdha politike. Edhe atë, më në fund një “Rilindje Shqiptare”. Lakmi t’ia ketë edhe bota. Qëllimin patriotik të cilin nuk e arritën Rilindasit tanë me vite, e arritën Rilindasit socialist brenda një nate me kutitë e votimit. Votën e lirë demokratike ia dhanë Partisë Socialiste (Edi Ramës) dhe Lëvizjes Sociliste për Integrim (Ilis Metës). E dënuan politikën madhore të Sali Berishës: ndërtimin e rrugëve dhe hapjen e tuneleve. Njëqindvjetorin e Pavarësisë të Shtetit Shqiptar. Edhe Bashkimin Kombëtar të Kreshnik Spahiut me aktivitete parazgjedhore me flamurin kuqezi në mes të detit në kufi me Greqinë, Qafë Morinë e Maqedoni. Bamir Topit, nuk i mjaftoi posti i presidentit, patjetër edhe ai duhej të dalë në skenën politike me ushtrinë e tij “strategjike”. Veprime politike këto të politikanëve shqiptar, që pasi i humbin postet partiake, themelojnë parti politike për t’u kthyer përsëri në pushtet deri në vdekje. Punemadhe, që në skenën politike shqiptare vite me radhë rrotullohen të njëjtit partizanë fushe, të njëjtit aktivistë partiak të fundosur nëpër kabinete.

Politika, shumë burra kanë thënë se: është kurvë. Politikanët, “art” i së mundshmes në fushëbetejat politike. Edhe ajo Xhadia, përçudi i do vetëm kurvarët e jo burrat besnik të grave. Zgjedhjet e fundit (2013) na bindën se, politika shqiptare e zgjodhi për burrë Edi Ramën. Burrin, që shumë mjete të informacionit në Shqipëri i bënë fushatë parazgjedhore duke e nxjerrë lakuriq në plazhë si burrë i disa grave. Piktorin, që Fatos Nano e solli nga rrugët e Parisit me “thonj të paprerë” në politikën shqiptare. Vërtet, në Paris nuk arriti ndonjë famë të madhe botërore në fushën e artit pamor, ama në Tiranë e realizoi kryeveprën e tij artistike: Dy breshkat politike në Kabinet. E tejkaloi librin e tij                “bestseller” Kurban, që e përuroi në Panirin e librit në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Kundërshtarin politik, që Sali Berisha e raklamoi edhe në Facebook. “Letra dashurie” i shkruanin njëri-tjetrit përditë e përnatë plot “flijime artistike”.

Politikani i “ ri ”, Edi Rama do ta ndryshojë Tiranën duke i rrënuar ndërtimet pa leje dhe ngjyrosur fasadat e ndërtesave  të vjetra të Kryeqytetit shqiptar. Ndërtoi vendstrehimin e tij strategjik në politikë, për t’ia grabitur nga duart Fatos Nanos edhe Nënën Parti. Rasti ma kujtoi librin e shkrimtarit Stefan Cvajg: Zhozef Fushe. Prifti, që përpiqej me çdo kusht t’ia marrë pushtetin Napolon Bonapartës. E ky si politikan i zgjuar që ishte, gjithmonë e shpërblenete me poste politike sa më larg vetes nëpër botë. Veprim politik të cilin nuk e bëri Fatos Nano, prandaj edhe ia vodhi Partinë Socialiste, miku i tij Edi Rama. Ferrë e keqe kjo që na mbiu te pragu i derës, në oborrin e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, qe me vite do t’i ngatërrohet nëpër këmbë Atdheut. Shqipërinë do ta përbaltin me veprimet e tyre politike pakrye duke bërë nateditë luftë për pushtet.

Kalorësi i arratisur, vite me radhë do t’i përdorë të gjitha “mjetet demokratike” për t’ia vjedhur pushtetin edhe Sali Berishës. Lufta do të zhvillohet në Kuvend e rrugë para kamerave televizive me të gjitha armatimet e rënda tokësore e qiellore. Herë – herë, edhe përmes mjeteve informative elektronike në dylyftime. Ciu Ciu në betejat e përgjakshme historike “vdekje, ose pushtet” do ta sulmojë keq ballë për ballë Doktorin, i cili mendoi se lufta politike është një komedi artistike e Çajupit: Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër, që luhet në Teatrin Kombëtar Shqiptar. Ose, gomarit në politikë duhet t’i hipësh si Nastradin Hoxha për së prapthi kur shkon në pazar përmes Fushë Krujës me grurë deri në brez. Nastradinica t’i pri gomarit rrugicës pas Çuke me dajre e këngë dasme duke e hequr për kërpeshi. Pavetëdije, se ajo në vend që t’i pri për në pazar, do ta shpie në gojën e ujkut në mes të malit me shkurre. Politikën shqiptare, një ditë ta nxjerrë në rrugë nga bataku. Pushtetin ta rrëmbejë edhe me dhunë në mes të Ditës Madhe. Fitorja dihet: disa të plagosur dhe të vrarë para Qeverisë Shqiptare.

Humori i zi politik u vu në skenë në Teatrin e Parlamentit Shqiptar. Rolet u ndanë sipas Regjisorit. Edhe, u hapën perdet artistike para syve të popullit dhe botës, filloi shfaqja teatrore me dy role kryesore: Sali Berisha dhe Edi Rama. Rolet tjerë ua lanë aktorëve të vegjël që hynin e dilnin të pavërejtur nga publiku në skenë. Tema e dramës antologjike ishte “politika madhore” shqiptare. Duartrokitjet frenetike jehuan në sallë posa u ndezën dritat. Aktorët e përqafuan njëri – tjetrin para kamerave televizive dhe e përgëzuan për “fitore historike”.

Natën e premierës prapa skene, drama edhe fitoi çmimin e festivalit teatror. Edi Rama u shpallë aktori më i mirë i vitit me gjithë autobus. Nga të katër anët e Mëmëdheut i arritën edhe përurimet e para përmes gazetave të “pavarura”. E përgëzuan Hashim Thaçi e Ali Ahmeti. Daçiqi e Gruevski. Analistët servil e Patrioti i vonuar.

Burri i botës nga gëzimi i “fitores historike”, në Kabinetin e tij për këshilltare i mori edhe dy breshka. Kohë qorre kjo, kur shumë artistë janë të pa punë, vdesin edhe për bukën e gojës. Nuk funksionon siç duhet edhe një Lidhje e Shkrimtarëve Shqiptar në Tiranë, që “demokracia” ia mori edhe shtëpinë. Kulminacioni i ironisë: njërën e pagëzoi me emër e mbiemër Sali Berisha dhe tjetrën Fatos Nano. Populli shqiptar, kur i pa para kamerave televizive Dy breshkat këshilltare të Kryeministrit Ri në vend të ndonjë “artisti të papunë”, nuk e përmbajti veten nga “gëzimi”, po u ra durve shuplakë: Ja, më në fund erdhi koha ta kemi Kryeministrin evropian të veshur me tirqi e xhamadan, mu si Mic Sokoli që dikur e kapi topin për fyti, burrin që i duhet Shtetit Shqiptar. Kryeministrin, që përmes Facebookut u bënë thirrje shqiptarëve, “kuadrit të aftë politik e shkencor” t’i luten para këmbëve për vende pune krah për krahu me dy breshkat artistike si shefe kabineti. Vendin e shqipeve mbi shpinën e Dy breshkave ta shpjerë në Evropë, nxjerrë nga kriza politike e ekonomike Shtetin e “Rilindjes së vonuar Shqiptare”.

Publiku gjatë ngjarjes së premierës, vetëm i hapi sytë e përgjumur duke u dalldisur pas mizanskenave artistike për të pritur çthurejn e dramës në Kuvendin Shqiptar. Cili do ta marrë Çmimin e karrierës “artistike”. Shkaku se, në konkurrencë momentet e fundit hyri edhe një aktor i Holivudit: Ilir Meta. Momente historike këto për popullin shqiptar, kur nuk u dihet fundi ndarjeve të çmimeve “artistike” në nivel shtetëror. Artisti me famë botërore, në momentet kritike ndodhë t’ia rrëmbejë nga duart Çmimin e krrierës Edi Ramës, kryeartistit të skenës shqiptare. Autorit të ekspozitës historike. Kryeveprës artistike botërore me Dy breshka kokë më kokë në Kabinet…



(Vota: 132 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora